Kulturë
Vangjush Saro: Një lirik i spikatur
E enjte, 27.02.2014, 08:55 PM
Një lirik i spikatur, në librin e
tij më të mirë
Shënime për vëllimin me vjersha “Më zgjo, pëllumb i Noes” të poetit V. Ziko
Nga Vangjush Saro
Në vitet ‘60 të shekullit të shkuar - sa larg duket(!) - një grup i vogël poetësh, kryesisht të kthyer nga studimet jashtë shtetit, sulmuan “monopolin” e letërsisë, të poezisë veçmas, që gjer në atë kohë mbahej e mbrohej me fanatizëm nga një numër i madh poetësh me bindje të thella komuniste, të ardhur gjithë eufori nga Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Tematika e krijimtarisë së tyre, ishte e kufizuar. (Lufta. Ndërtimi. Hareja.) Vargu i tyre ishte shumë pranë bejtes; mungesa e stilistikës e bënte edhe më të vështirë gjendjen e asaj poezie. (Pranë oxhakut rri Hasani/ pi duhan edhe mendon/ jashtë bublon e fryn murlani/ tymi sytë t’i verbon...Ose: Ishte ngritur që n’agim/ traktoristi Ibrahim...Etj.) Me përjashtime të pakta (Petro Marko e ndonjë tjetër) kjo letërsi dhe natyralizmi i saj ultrasocialist, duheshin braktisur një ditë. Në kushtet kur L.Poradeci heshtte (dhe vetëm përkthente), I.Kadare, D.Agolli, F.Arapi, A.Shehu, V.Ziko, Dh.Qirjazi e më pas edhe J.Bllaci, V.Skënderi, etj. erdhën në garë për të ndryshuar shumë gjëra. Tematikën. Vargun. Ritmet. Fjalorin. Frymën...
Vangjush Ziko, edhe pse më pas shkroi edhe drama e madje edhe në ndonjë gjini tjetër, si skenari, mbeti për disa dekada poeti i druajtur i botimeve të rralla e të pabujë. Ai edhe sot e kësaj dite është i pabujë; por patjetër, një yll i lirikës shqiptare, një nga poetët tanë të spikatur dhe që meritojnë nderim dhe vëmendje; kohën dhe manierat e saj artistike, V.Ziko i ka sfiduar tashmë. Libri i tij i fundit me poezi “Më zgjo pëllumb i Noes”, është mjaft për të rrëfyer këtë qëndresë letrare, nëse mund ta them kështu. Tematika e gjerë, plotëria e motiveve, gjetjet poetike interesante, bëjnë që libri i tij të lexohet pa lodhje. Kjo ishte, në një kuptim, prova e tij përballë auditorit të sotëm dhe në krah të shumë e shumë kolegëve që punojnë e krijojnë me të njëjtin intensitet. Si për të mirëkuptuar edhe “tekat” e kësaj kohe, me shumë pikëpyetje mbi letërsinë dhe letrarët aktivë, ndarja e librit në cikle, sadoqë me pak poezi secili, është qëlluar si një strukturim në funksion të përthithjes së tekstit; kjo gjë e ndihmon adhuruesin e poezisë të përqendrohet më mirë në tematikat që trajtohen.
Pasi
lexova këtë libër, ku ka shumë ndiesi të jetës në një tjetër kontinent, kuptoj
më mirë njërën arsye (nga shumë asi) pse kam shkruar edhe më parë për këtë
autor. Është se i ndjej ato krijime - shpresoj, po ashtu, të gjithë dhe jo
vetëm ata që kanë provuar të jetojnë edhe në një tjetër kontinent - pra, ndjej
mëdyshjet, mallin, ndonjëherë pendimin, gjithsesi e mbi të gjitha...frymëzimin
tjetër. (“Një manushaqe nga dheu im/ (dhe si ikonë, dhe si kujtim)/ mbi akull
çeli gjethet.”) Me të vërtetë, ndryshimi i ajrit dhe i mjedisit shoqëror,
ndryshimi i klimës letrare, i përceptimit mbi botën, i vetë kondicionit lirik,
më në fund e gjithë jeta tjetër në një tjetër kontinent, vend - që është
Kanadaja - iu ka dhënë poezive të tij një theks e ngjyrim të veçantë. Sadoqë
është po ai shpirt, po ai “bard” i vjetër, po ai hero lirik, edhe pse i
transformuar disi, tani këndon pothuaj në një mënyrë të re; jeta, dimensionet e
saj tutje oqeanit, diktojnë: “Më pret për punë “Ford-i” im i vjetër...”
Jo më kot iu qasa (diku më lart) një kohe relativisht të largët; libri i V.Zikos është, megjithatë, një përmbledhje poezish të shkruara gjithë me atë pasion dhe profesionalizëm, si përherë; në ciklet e këtij vëllimi, mbase më i miri në karrierën e tij poetike, lexuesi do të gjejë një meditim pa fund e në dinamikë për botën e çuditshme dhe pamjet e saj komplekse. Ajo që mund të thuhet me siguri për librin “Më zgjo, pëllumb i Noes”, është gjithashtu qasja te dukuri të reja, pse jo edhe një përceptim më në intensitet i shfaqjeve të panumërta të jetës, mandej dëshmia e një klime e ajri tjetër, sadoqë poeti ndjek vijën e tij të jetës, nga vendlindja këtu, nga fëminia e rinia në një tjetër moshë, fundja edhe nga njëra kohë në tjetrën. Në poezitë e tij, si përherë, lexon shumë sinqeritet. Ndonjëherë edhe naivitet. (Sapo kemi diskutuar me disa kolegë të vyer në Tiranë për këtë temë, ku jam duke kërkuar. Në vështrimin tim, shkrimtarët dhe poetët më të mirë dhe veprat e tyre më të spikatura, rezatojnë naivitet.)
Libri “Më zgjo pëllumb i Noes” vjen si një kurorëzim i gjithë përvojës jetësore dhe asaj letrare të V.Zikos, tashmë në një stad pranë të përsosurës. Veçoritë e spikatura edhe më parë në krijimtarinë e tij poetike, janë “programuar” tashmë. Një prej këtyre veçorive, është komunikimi pa zhurmë me auditorin; kjo vjen falë paqes reale ndërmjet gjetjes tematike dhe kornizës artistike, herë-herë mjaft vetiake dhe e “prodhuar” pa mundim a më mirë pa stërmundim. Pra, poezia vjen si një nevojë e brendshme, nuk krijohet me zor. Shumë nga këto cikle, janë punë e mbrujtur gjatë viteve kur autori njeh botën amerikano-veriore; i tillë është cikli “Vargje polare”, ku do të veçoja vjershën “Oqeani im”, që e kam cituar edhe më parë për forcën e saj shprehëse; po ashtu, “Poli i mërgimit”, gjithashtu komentuar në një tjetër shkrim. Janë mjaft prekëse vjersha si “Kjo ëndërr” apo “Në dhe të huaj”, “Përtej reve të malit”, etj. Në këtë të fundit, flatrojnë para syve tanë zogjtë që “ngrohen në diellin përtej reve kyçur” ku shkëlqen ajo pjesore e pafajshme (kyçur) aq fine; dhe reciton kaq pranë nesh vetë poeti, që përtej reve gri të malit, pret “një zile oqeani”. Në këtë ajër e në këtë dekor të mahnitshëm, vjen edhe “Lisi i gjakut”, ku ashtu si edhe në disa lirika të tjera (“Shalli i mallit”) i thurret aq dashuri atdheut. Por edhe këto poezi, janë të brishta e të ndjera së thelli, pra nuk kemi të bëjmë me poza apo një atdhetari “bërtitëse”, (çka është e dukshme në një sërë krijimesh të kohëve të vjetra e të reja).
Autori
është i shqetësuar për të djeshmen dhe të sotmen, por gjithaq vështrimi i tij
ndehet tek e ardhmja. Një ndër krijimet më të arrira në këtë ndeshje e “ujdi”
me kohën, është “Më zgjo, pulëbardhë e Noes”; ka në ato vargje një këmbëngulje
për të qëmtuar e për të kërkuar pareshtur në brendësi të jetës e të qenies
njerëzore. Gjithë në këtë mendësi, disa krijime, si “Lëndinave të ëndrrës” apo
“Peizazhe”, marrin përsipër gati më shumë nga sa (peshë) poezia mban si lloj;
ngarkesë e madhe, mendime të përcjella nga një përvojë e gjatë jetësore dhe
artistike. Kështu, vij në një nga veçanësitë e tjera të këtij autori. Në mënyrë
të përkorë, me shumë vetëpërmbajtje, pa bërtitur, ai bashkëbisedon me lexuesit
në një klimë filozofie të mbrujtur me dilemat dhe vuajtjet e vazhdueshme
njerëzore, por përherë në kërkim të një shprese e verdikti që diku është, madje
i prekshëm. Jeta e përditshme, e thjeshtë apo e ngatërruar, e mirë apo e keqe,
e lehtë apo e vështirë, vaj apo në peripeci të papërfytyrueshme, megjithatë
duhet përballuar me dinjitet.
Në
shumicën e vjershave, autori e ndërton menjëherë situatën poetike, çka flet për
një dorë krejt të sigurt. P.sh. “Një fjalë e ngopur me shpresë” e shpërthen
forcën shprehëse që në dy vargjet e para; hasim në të menjëherë një gjetje sa
të thjeshtë, aq edhe të freskët: “Filxhan' e kafesë e ktheva përmbys/ mbi
vargjet e mi,” etj. “Vetëm një grusht shkronja” e tregon në mënyrë të përkorë
misionin e poetit, që megjithatë nuk fetishizohet. Në një sërë vjersha, ndjehet
përkushtimi për një botë pa ndotje dhe nuk di pse kjo më kujton menjëherë disa
lirika të këngëve të A. Çelentanos, i njohur për “inatet” e tij me ndërtimet pa
sens, zhurmat dhe ndotjen akustike. “Xixëllonjat”, “Vargu semafor”, janë disa
nga vjershat që bëjnë thirrje në këtë temë.
Duke qenë adhurues i natyrës, si të gjithë lirikët, V.Ziko sjell prurje me shumë interes në llojin e peizazhit (poetik): “Serenatë dimri”, “Pendë të buta mjelme”, “Pallatet ndezin ëndrrat”, “Mëngjesi”, etj. Disa prej këtyre krijimeve shkojnë përtej një vizatimi me pak penelata, përtej kornizave të një vjershe-peizazh, duke penetruar në vorbullën e shqetësimeve qytetare. (“Ato çaste”) Në disa poezi, këndohen motive që qasen deri te rënimi i interesit për komunitetin dhe stigmatizohet ftohtësia e njerëzve për çka jeton e gjendet përqark tyre, si te “Heshtja e djegur” apo edhe “Urat e shpresës”. (Autori shkruan me dhimbje: “Digjet heshtj' e pallateve,/ Hir' i vetmisë mbetet.”) Është e natyrshme që në krijimet e tij të ketë edhe brengë, shpesh madje edhe mërzi; por ai nuk i dorëzohet asnjëherë pesimizmit. Kjo është në akord me jetën e tij të qetë e të gjallë njëherësh, në dy kontinente, përgjatë dy rendeve, sadoqë gjithnjë larg politikës dhe shtjellave të ngjyrosura aso.
V.Ziko është një poet i lirë, por përherë i druajtur dhe i heshtur e zakonisht larg mediave, që rëndom po bëjnë gabime të rënda në këto kohë shtirjeje; (mbase edhe disa krijues shqiptarë duket sikur ndjekin modelet E.Dikinson, F.Kafka); V.Ziko është gjithsesi një këngëtar e mik i mirë i jetës, në të gjitha ngjyrat dhe notat e saj. Ai mban me dinjitet një vend të rëndësishëm në lirikën e pasur shqiptare.