E hene, 29.04.2024, 02:20 AM (GMT+1)

Kulturë

Vjollca Tiku Pasku: Shtëpia e ëndrrave

E merkure, 26.02.2014, 08:39 PM


SHTËPIA E ËNDRRAVE

Tregim nga Vjollca Tiku Pasku

Qielli i mbuluar nga retë ndehej si në një agoni të rëndë. Vranësira e zezë e kishte zaptuar tërësisht dhe dita ishte kredhur në një muzg të zymtë. Megjithëse ishte pranverë, dukej sikur të ishte palca e dimrit. Heshtja e thellë mbizotëronte në të gjithë natyrën.

Dy emigrantët bashkëshortë, së bashku me tre fëmijët po ktheheshin përfundimisht në vendlindje e tyre në Shqipëri të detyruar nga kriza greke. Gruaja mundohej të qetësonte vajzën e vogël katërvjeçare. Ndërsa dy djemtë, njëri shtatë dhe tjetri nëntëvjeçar, flinin kruspull me njëri-tjetrin në sediljen e pasme të makinës. Shqetësimi i trishtuar endej në sytë e bashkëshortëve. Nuk ishte aq për stuhinë, që po i zinte në mes të rrugës, se sa për merakun, se si do të përballonin jetën, të cilën duhej ta nisnin sërish nga e para. Të dy djemtë duhej të fillonin shkollën në gjuhën shqipe edhe një herë nga klasa e parë. Kishin menduar të merrnin një dyqan me qira. Por si do t’u ecte puna vallë?... Kjo pyetje i mundonte të dy njëkohësisht dhe mendimet e tyre ishin si retë që vargëzoheshin lyer me ngjyrën e errësirës..

-Këto re si turbullira e kafes, nga na u qepën pas sot!...- u dëgjua zëri i Fatmirit.

-Koha bën punën e saj, o burrë, - i tha Mina.

-Po ku e gjeti pikërisht në këtë ditën e sotme! - përsëriti ai.

Vajza e vogël nisi të grindej dhe e ëma po mundohej ta qetësonte. Ah, sikur dielli altruist t’i shpërndante këto re dhe tu uronte mirëseardhjen. Po edhe dielli, siç dukej ishte fshehur për shumë kohë nga retë. Mina qetësoi vajzën dhe u mbështet te sedilja. Për një moment mbylli sytë e lodhur dhe e kaploi gjumi…Një melodi si tinguj funebër, dukej sikur i vinte nga thellësia e shpirtit dhe zhurmonte  në të gjithë qenien e saj. E ndjeu veten si e veshur me një këmishë të bardhë, të gjatë deri në fund të këmbëve, duke ecur në një rrugë, ku këmbët i zhyteshin herë pas here në baltë. Nga pas e ndiqnin zogj të dobët, me lëkura të holla sa u mbulonin skeletin, dhe e gjithë natyra përreth dukej gri. Pemët gjysmë të rëna, dukeshin sikur dimri do i hante me gjithë eshtrat e mbetura të natyrës. I ftohtit e bënte të dridhej. Papritur në rrënjën e një peme të djegur, pa një plakë me flokë të thinjur, që mbante në dorë një gotë qumësht. Ajo i tha: “Pije bijë, të kesh fuqi për të vazhduar udhën, ke udhë të vështirë për të bërë!” Kur Mina zgjati dorën, gota ra dhe u thye nga një gur me majë të mprehtë dhe qumështi i derdhur u nxi nga balta. U zgjua befas e trembur nga dremitja. Zhurmën e krismës së qelqit e kishte akoma në timpanin e veshi. Lëvizi të shpihej dhe rregulloi pozicionin e vajzës.

Sakaq ia behu stuhia. Shiu zuri të binte me forcë, sikur donte ta hidhte makinën që ecte përpara si ndonjë kleçkë. Një vetëtimë dogji ajrin dhe frika ndaj saj formoi një fotofobi në sytë dhe zemrat e tyre. Vetëtima mizore, me zhurmën e frikshme, dukej sikur donte t’i kthente andej nga erdhën, për të mos vazhduar më tej... apo ndoshta zemra e kësaj stuhie, ndonëse e frikshme, mund të fshihte një mesazh, një dhembshuri nëpërmjet të folurës me britma bubullime? Të pestë ishin të shqetësuar derisa të mbërrinin në shtëpi. Ndoshta fatet janë të shkruara në qiell, dhe po ashtu qielli dërgonte sinjalet në format e veta.

Në mbrëmje ata arritën në qytetin e tyre. Kishin marrë më parë një shtëpi me qira, dhe këtej e tutje, ajo do t’i strehonte brenda jetët e tyre.

Ditët në vazhdim vijuan me marrjen me qira të një dyqani dhe nisën për të sistemuar aty raftet e duke vendosur ushqimet. Mina ishte mësuar në Greqi me një jetë të lodhshme plot sakrifica, duke punuar orë pa orë në pastrimin e shtëpive të ndryshme. Këtu ajo do te merrej me shitjen, kurse Fatmiri do të bënte gjithmonë më furnizimin me artikuj të ndryshëm. Dalëngadalë puna filloi të ecte. Pra, jeta me nismën e tyre private, po merrte drejtimin e saj.

Kaluan dy vjet. Fatmiri dhe Mina blenë truall për të ndërtuar një shtëpi. Shumën për ndërtim menduan ta merrnin kredi në bankë, por më parë duhej leja e ndërtimit, që kredia të ishte e volitshme, me pak rrethana lehtësuese. Pikërisht këtu filluan ecejaket e ditës për fatmirin. Qëndrimi i ftohtë i zyrtares me pretekstin se “janë bllokuar lejet” ishte njësoj sikur t’i binte mbi kokë pesha e gjithë njerëzve të qytetit. E ç’kërkonte ai, në fund të fundit, vetëm të bënte një shtëpi në mënyrë ligjore. Një ditë takoi rastësisht, Enon, shokun e viteve të rinisë. Pasi i tregoi hallin, mori prej tij premtimin se do ta ndihmonte. Ditën tjetër ata shkuan së bashku në bashki. Eno diçka i tha zyrtares së ftohtë dhe u ngjitën në katin e dytë, pikërisht te drejtuesja kryesore. Atë e quanin zonja Deni, një grua e vjetër, e shëndoshë, me sy tinëzarë, të ethshëm për të hedhur grepin e peshkimit. Kuptohej se e gjithë qenia e saj ishte shdërruar në një specie, që priste baticën e ardhjes së peshqve, për t’i sjellë të ardhura për një jetë luksoze në vitet e mbetura të jetës. Në pallton e shtrenjtë që kish veshur, rrotullohej një shall i bërë nga bisht dhelpre. “Ah kjo dhelpër deti!”- mendoi papritur Fatmiri.

-Përshëndetje, Deni! - i tha Eno.

-Si je Eno? - u dëgjua ajo duke rrotulluar sytë mbi Fatmirin.

-Unë mirë, Fatmiri është shoku im,- e prezantoi Eno -Të lutem ndihmoje, pa dyshim që do ta kesh kafen tënde...

-Përshëndetje, zonja Deni, - i tha Fatmiri,- nëse mund të më ndihmoni do t’u jem mirënjohës...

-Do të ndihmoj patjetër, si për Enon... Por s’varet vetëm nga unë. Janë edhe njerëz të padukshëm mbas meje...

-Si bëhet, të më dali leja e ndërtimit? -pyeti Fatmiri me padurim.

-Si fillim nevojiten treqind mijë lekë të reja, pastaj do të them edhe për nevojat në vazhdim... Unë nuk marr asgjë. Dua vetëm, që për ndërtimin e shtëpisë, të marrësh firmën e burrit tim. Pas mbarimit të shtëpisë, do kesh edhe hipotekën në dorë.

Fatmiri përtypi pështymën e mbledhur në fyt dhe tha:

- Mirë, paratë do i keni në mëngjes... -  i doli nga buza me gjysmë zëri dhe ata dolën bashkë me shokun.

- Po nuk e vajose rrotën e fatit me vaj, ajo nuk ecën këtu në Shqipëri...- i tha Eno.

- Faleminderit, Eno, - do shihemi... ia ktheu Fatmiri pa e zgjatur.

Fatmiri vazhdoi rrugën për të bërë furnizimin e dyqanit. Ato treqind mijë lekë të reja ishin të vetmet që u kishin mbetur nga kursimet e viteve të punës në emigracion... Por çdo bëhej vallë më tutje, si do të lëkundej lavjerrësi i fatit?... Ai mendoi se njeriu lodhet dhe plaket më shpejt nga të menduarit, se sa nga ritmet biologjike. Duhej të gjente para të tjera borxh, për të vazhduar më tej. ”Niset njeriu të ndërtojë një shtëpi ligjore, tu lërë një çati fëmijëve të tij, por kjo ose bëhej e pamundur, ose duhej të hidhte vallen, sipas dirigjimit të hijenave nëpër zyra. që ushqeheshin vetëm me para... Këmbët i hiqte zvarrë duke vështruar përtokë dhe ndonëse pranvera sapo kishte hyrë, Fatmirit i dukeshin sikur edhe pemët rrinin të përkulura me kurriz, duke peshuar se “a duhej të çelnin”. Sikur lulet e pemëve të ishin perla dhe krahët e zogjve, copëza drite ylberi, të gjithë do të përpiqeshin t’i rrëmbenin. Sa e varfër do të ishte kjo botë e zhveshur tërësisht. Ato para që i kishin mbledhur me rruazat e djersës së tyre, nga mundi dhe sakrifica e përditshme, tani ishin një dorë ryshfeti për lejen e ndërtimit.

Bisedoi me të shoqen dhe të dy ranë dakord që t’ia jepnin lekët zonjës Deni të nesërmen. Njëkohësisht do të bisedonin me motrën dhe vëllanë e Minës, nëse kishte mundësi ti ndihmonte me para borxh. Motra dhe vëllai i Minës u treguan të gatshëm me ato mundësi të pakta që kishin ta ndihmonin Minën e tyre. Fatmiri dhe Mina e kishin ëndërruar gjithë jetën një shtëpi të tillë dhe e kishin përfytyruar mes tyre deri në detajet më të imta....Si në një pasqyrë ku shikon imazhin tënd, ballin, hundët,buzët, po ashtu ata shikonin, një formë të thjeshtë, dyert e bardha, verandën, kopshtin përpara me llojet më bukura të luleve, trëndafilat në vazot e mëdha qeramike, por mbi të gjitha përfytyronin një shtëpi që do ta gëzonin pasardhësit e tyre… Por, ah, sa e vështirë ishte deri në realizim. Në shtetin fqinjë, ku kishin jetuar vite me radhë, zyrtarët i përmbaheshin rigorozisht ligjit. Këtu në zemrën e vendlindjes, arteriet kryesore ishin të pushtuara nga korrupsioni. Ky korrupsion kishte fytyra, emra, dhe ligji interpretohej në varësi të letrës së çmuar që mbante emrin “para”…Brenda mureve të zyrës shtetërore, të gjithë sa vinin, të tallazitur nga jeta, pranonin kushtet, që djersa e tyre mos të shembej të nesërmen.

Tre muaj pas dhënies së bakshisheve pa fund, më në fund ata morën lejen e ndërtimit. Tani do të ishin të plotësuar me dokumenta, për t’iu drejtuar bankës, e cila pas firmosjes së letrave, aprovoi marrjen e kredisë. Pas tre muajve të tjerë, me kërkesa pa fund, shuma e përcaktuar nga bashkëshortët, kaloi në firmën e burrit të zonjës Deni, pra, të zotit Hilmi Hoxha. Një stërhell i gjatë, i thatë, me sy të vegjël, me lëvizje të ngadalta si gjarpri kur zvarritet. Ndonjëherë mendimi që krijon për tjetrin në vështrimin e parë, të mbetet deri në fund, sepse imazhi i krijuar është rezultat i refleksit që krijon energjia e tij. Megjithëse ai bënte një jetë materialisht të mirë, shpirti i dukej si i prejardhur nga një jovertebror. Këtë përshtypje kishte Fatmiri kur e takoi për herë të parë zotin Hilmi....Ai ndjeu sikur të kishte pranë një gjarpër-njeri që mundohej të tregohej i njerëzishëm. Sado Hilmiu rrekej të buzëqeshte, ai përsëri ngërdheshej dhe bëhej më i shëmtuar me mollëzat që i rrudhoseshin në gropat e fytyrës. Koka e tij tullace, dukej si e një dordoleci që kishin harruar ti vinin paruke.

Hilmiu e siguroi që punimet do i fillonin të nesërmen, sipas projektit që kishin bërë. Fatmirit i erdhi një valë e ngrohtë në zemër. Më në fund ëndrra do bëhej realitet i prekshëm. Ethet e emocioneve e kishin pushtuar të gjithin. Ditët derdimene tani duhej të kalonin shpejt... Kjo ëndërr i kishte zaptuar trurin. Flinte dhe zgjohej me të vetmen figurë shtëpie të vizatuar në tru. Kush ka jetuar me qira, e di që imazhi i ëndrrës është pikërisht një shtëpi. Shkonte çdo ditë për të parë punimet, çdo tullë që vihej, çdo brez muri dhe shtëpia dalëngadalë po merrte formë.

Por një ditë, kur shtëpia ende s’kishte mbaruar, Hilmiu e mori në telefon Fatmirin të takoheshin tek shtëpia e re. Të nesërmen në mëngjes pasi u përshëndetën Hilmiu i tha:

-Siç e shikon, ka dalë shumë e bukur, tamam sipas projektit. Deri këtu erdhëm me shumën e bankës. Janë akoma dyert, dritaret, punët hidraulike, elektriket dhe pllakat për të bërë... Këtu ke fletët e llogarive, sa janë derdhur bashkë me koston e tyre...

Fatmiri nuk mund t’u besonte veshëve. Ato fjalë të thëna aq thjeshtë, patën fuqi të tronditnin keqas ëndrrën e tij.

- Si është e mundur? - shfryu Fatmiri... -Unë nuk e mora të gjithë shumën prej 30 milionë lekë të vjetra. Afërsisht dy milionë i mbajti banka për shpenzimet e saj. Tani u dashkan edhe rreth tetë milionë lekë të vjetra të mbarojë!... - Ndërkohë ai mendoi me habi të pazakonshme, si ishte e mundur, që disa njerëz me atë ftohtësinë e tyre të akullt, ta kalbin botën e ta bëjnë jetën për të hedhur në kosh . A nuk e dinte ky njeri se kjo shtëpi ishte jeta e tij. Dhe iu kthye tjetrit përsëri:

- Unë nuk besoj kurrsesi, që 28 milionë lekë mos të dalin për një shtëpi 100 metra katror...

-Ke preventivin dhe fletët e llogarive në dorë... - ia ktheu Hilmiu krejt indiferent.

Fatmirit i hipi gjaku në kokë dhe ndjeu nevojën t’i shkrehej atij si pistoletë, por e përmbajti veten.

- Edhe unë, në ndërtim kam punuar, nuk erdha nga pylli... - i tha me zemërim dhe shikoi sërish letrën e llogarive... –Hë, një rrjetë teli njëqindmijë lekë të vjetra, u bë një milion... Edhe materialet, i paske vënë dyfish, hekurin nga 6,1 ka vajtur me 7,5. E kështu ndoshta nuk do të dalin as tridhjetë milion të tjera.. Unë do të marr një inxhinier ndërtimi t’i bëjë saktë llogaritë, dhe atëherë do flasim ndryshe...

Stërhelli i gjatë u zbeh dhe i tha me nxitim:

- Unë jam inxhinier ndërtimi dhe kjo shtëpi kaq ka kushtuar, por nuk përjashtohen gabimet, t’i po më akuzon? - u shkreh ai dhe i doli përpara ta ndalonte të ikte.

- Ti e di që jam zhytur i tëri në kredi e borxhe, - i tha Fatmiri me mllef të rëndë.

-Veç atij gabimi të zeros, të gjitha janë në rregull. -ngulmoi në fjalët e tij Hilmiu.

- Do flas me bankën, të kalojë edhe dymilionshin që është mbajtur, por llogaria e thjeshtë është se për një shtëpi të ndërtuar me firmë po shkon 300 mijë për metër katror zotëri...

-Mos do t’i vë unë paratë nga xhepi im?! - i tha Hilmiu i nxehur

- Unë kam ardhur përditë në ketë shtëpi, kam shënuar dhe numëruar çdo material, llogarinë do e bëj me një inxhinier ndërtimi, më hap rrugën! - i shfryu Fatmiri dhe e shtyu fort me dorë.

Oborri i shtëpisë me copa tullash dhe dërrasa me gozhdë të hedhura pa kujdes, bëri që Hilmiu të pengohet në një dërrasë, dhe të bjerë mbrapsht duke e përplasur kokën në një tullë të thyer.

Fatmiri i tronditur, rendi në çast dhe shkundi, por ai nuk përgjigjej...

- O Zot më ndihmo…Hilmi, përgjigju! - bërtiste duke u dridhur. Pastaj me mundim e vuri trupin e tij në makinë dhe rendi drejtë spitalit.

Aty iu përgjigj disa pyetjeve të mjekut, dhe pastaj ai e pyeti gjithë ankth:

-Doktor ka vdekur?...

-Jo u përgjigj mjeku, - është në koma, por nuk dimë nëse do zgjohet apo jo...

Oh tmerr i vërtetë. Kurrë nuk kishte menduar, se qoftë edhe një aksident pa dashje nga dora e tij, mund t’i merrte jetën tjetrit... Si erdhi ky çast memec, kjo ditë e nëmur,që tronditi shpirtin e tij. I dëshpëruar thellësisht, për herë të parë në jetë mendoi: “A ia vlen të jetosh, i privuar nga ëndrra, nga familja, nga liria e varfër”. Kurrë nuk i shkonte mendja se mund të vriste një njeri... Dhimbja e tij u rrit si një gjembaç, që me degët shpuese theu dritat më të bukura të ëndrrës së tij. Dhe tani i zhytur në errësirë priste vendimin ”çdo të ndodhte?”

Brenda disa orësh Fatmiri ishte shndërruar krejtësisht në një kufomë që shpirti e kishte braktisur plotësisht

Pas shpjegimeve të Fatmirit, mjekët njoftuan policinë dhe ndaj tij u caktua masa e ndalimit policor, deri në përgatitjen e paraqitjes penale…

E gjithë familja iu bë gardh, që ai mos të binte në depresion. Eno, shoku i tij e ndihmoi dhe solli avokatin më të mire, me shpenzimet e veta. Kurse Zonja Deni, bëri çmos që ai të dënohej me burgim të përjetshëm, ndonëse rrethanat lehtësuese ishin në favor të të tij.

Megjithatë Fatmiri u dënua trembëdhjetë vjet heqje lirie. Tani i rënë krejt moralisht ai po hante lotët e dëshpërimit. Kishte jetuar ndershmërisht në jetën e tij, kurrë nuk kishte bërë sherre, as t’i binte njeriu në qafë, ndërsa tani, burgim për vrasje pa dashje. Ai u mbyll brenda fortifikatës së heshtjes së pafuqishme, duke kujtuar ditën e parë të kthimit në atdhe... Ndoshta ishte thjesht një paralajmërim fati... Donte të ulërinte, sikur ta thyente qiellin dhe ta kthente mbrapsht kohën me ujëvarat e hidhërimit... E gjithë kjo periudhë trembëdhjetëvjeçare ishte një rrjedhje e hidhur.

Mina shiti makinën për të larë borxhet dhe për të rregulluar disi një dhomë të shtëpisë së pambaruar. Ajo punoi në dyqan e vetme, me ndihmën e pakët të fëmijëve të vegjël. Shpesh për të furnizuar dyqanin, ajo bashkë me fëmijët i merrnin produktet nga magazinat e ndryshme dhe i mbanin me krahë deri te dyqani. Por pesha më e madhe ishte përgjegjësia që kishte për ta, në mungesë të Fatmirit. I duhej të ishte edhe nënë edhe baba. Mes mundimesh dhe sakrificash të mëdha, me të ardhurat e vogla të dyqanit, ajo pagoi këstet mujorë të bankës dhe rregulloi disi shtëpinë.

Ndërkohë Fatmiri i kërkoi djalit të motrës së Minës që studionte për inxhinieri ndërtimi, t’i dërgonte librat e tij dhe të gjithë kohën e kaloi duke studiuar. Ishte vetëm dyzetë vjeç kur u fut në burg, dhe doli prej andej pesëdhjetenjë. Dy vjet iu ulën në kuadrin e një ligji për rehabilitimin e të dënuarve me sjellje të mirë.

Daljen e tij nga burgu e pritën të gjithë me lotë që nuk shternin. Kur iu afrua shtëpisë, ai po e përkëdhelte me sy njësoj siç përqafoi fëmijët. Dhe pasi vështroi gruan e tij me sytë e dashurisë dhe mirënjohjes, tha me vete: ”Vërtet unë isha fatkeq në këtë jetë, por jam me fat që kam një grua të mirë dhe fëmijë të mbarë...”



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora