E diele, 28.04.2024, 11:33 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Në këtë kopsht

E merkure, 26.02.2014, 08:26 PM


Adem Zaplluzha

Nga libri “Stoli në parkun e vjetër”

 

NË KËTË KOPSHT

 

Në këtë kopsht

Nuk bien gjethet vetëm në vjeshtë

Në disa raste pa dashje

Pikojnë hojet

Dhe i njomin drurët

 

Për çdo stinë

Fluturat vijnë dhe shkojnë

Me ngjashmërinë e hijeve

Një zonjë e moshuar

Pa i shijuar ngjyrat e luleve

Vdiq në brendinë e gjetheve

 

Asnjëherë nuk ka ngjarë

Që të kthehen zogjtë e ikur

Kur qeshin mollët në degë

Këtu për çdo ditë

Stinët ndryshojnë

 

Herë bie shi

E herë ylberi lëshon rrënjë

Mbi portrete të pluhurosura

Në flokët e “nuseve” të moshuara

Qelin zogjtë e rinj

 

Ngjan që dita zgjat dy minuta

Por edhe njëqind vjet nuk mjaftojnë

Të ua tregojmë hallet tona

Se si kridhen e përdridhen

Përgjumjet tona nën jastëk

 

Në këtë kopsht

Dy herë në ditë qeshim

Dhe tri herë i lëshojmë arkivolet

Në sqepat e pëllumbave

Kur i përcjellim miqtë

 

NË NOSTALGJINË E DITËS

 

Një libër i lexuar

Apo askush nuk i ka hapur faqet

E kësaj autobiografie

Nëpër sirtar me qindra vjet

Nuk ndalen dasmat e minjve

 

Një bibliotekë arkaike

Sa mosha e të gjithëve këtu

I ka shtrirë krahët

Në nostalgjinë e shqyer

Të kujtesës

 

Erdhën dy persona

Më pastaj nuk i pamë

Ose i zëvendësuan

Me dy të tjerë

Që kurrë nuk ua mësuam emrat

 

Dikush doli në kopsht

Dhe mbolli një pjergull të kuq

Pas disa vjetëve

Do të pjekin raki rrushi

Ata që vinë pas nesh

 

Dielli këtu hynë rrallëherë

Por kurë nuk na i ngroh eshtrat

Kjo lagështi e mureve

M’i përkujton kangjellat

Dhe kovën e urinimit

 

Një libër i lexuar

Ose një jetë e harruar

Barazohet me hiçin e gjetheve

Në freskinë e azilit të pleqve

Gati asnjëherë

Nuk fluturojnë korbat

 

S’DI SE SI QUHET

 

Nuk di më

Se kush jam unë

Dhe kush janë këta që rrinë me mua

I kemi nga disa emra

Dhe asnjërën nuk e dimë

 

Sa të parëndësishme

Janë gjerat e imta

Që na sillen nëpër duar

Sa që mund t’i krahasojmë

Me emrat e mushkonjave

 

Një njeri

S’di se si quhet

Por as që ka emër ky person

I numëron ditët

Mbi gjethet e kalbura

Të manaferrës

 

I numëron ëndrrat e veta

Dhe i krahason zhgjëndrrat

Me ato të tjerëve

Në fund dalin disa numra

Me shumë zero

Pastaj ulet në trapazan

Dhe bisedon me gishtat e holla

të natës lakmitare

Dita ikën nga boshti i rrotullimit

Dhe vjen një yll që S’ka fjetur

Gati me miliona vjet



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora