E diele, 28.04.2024, 02:16 PM (GMT+1)

Kulturë

Murat Gecaj: ''E shpëtuam dhëmballën, Dorela''

E hene, 03.03.2014, 06:06 PM


DR. BARDHOKU: “E SHPËTUAM  DHËMBALLËN, DORELA!...”

Nga Murat Gecaj

Kënaqësia e Dorelës, bashkë me xhaxhi dentistin…

Kishte disa kohë që, me të drejtë, mbesa Dorelë shqetësohej për gjendjen e një dhëmballe. Në orën e pushimit, ndërmjet orëve të mësimit, kishte shkuar edhe te dentistja e shkollës, por ajo nuk ndodhej aty?! Dhëmballën 6, në anën e djathtë-poshtë, ia kishte parë një dentist,  i njohur i babit. Mirëpo, ky i  kishte thënë: “Nuk ka shpëtim kjo dhëmballë, prandaj duhet hequr patjetër!”. Por dihet se, gjëja më e lehtë është, që dentisti ta bëjë një gjilpërë dhe pastaj ta vendosë darën mbi dhëmballën e sëmurë dhe ta shkulë atë!? Këtë gjë e kishte dëgjuar ajo edhe nga ne, gjyshërit, pasi kishim një përvojë të gjatë, me dhëmbët e dhëmballët tona.

Kështu, një ditë Dorela  m’u lut që ta vizitoja te ndonjë dentist i njohur. Dhe kështu bëmë. Pra, sapo ajo mbaroi të gjitha orët e mësimeve të ditës,  erdhi te ne, e shoqëruar nga mami. Pa humbur kohë, bashkë me Dorelën, shkuam në klinikën e dr. Bardhok Markut, jo larg nga ish-stacioni i trenit të Tiranës. Meqenëse më parë  e kisha marrë atë në celular dhe e kishte caktuar orarin e vizitës, ai po na priste dhe u takua me ne te dera, me kënaqësi e buzagas. Sapo hymë brenda, ai e pyeti Dorelën se ku i vijon sivjet mesimet dhe në cilën klasë është. Sigurisht, ajo i tregoi për çfarë intersohej miku im. Ndër të tjera, i tha se është në klasën e pestë dhe gjuhë të huaj kanë anglishten. Për ta patur sa më të lehtë mësimin e saj, vitin e  kaluar kishte bërë disa muaj kurs në qendrën e gjuhëve të huaja, të cilën e drejton Lindita  Titka-Pasholli dhe ku tani jep mësim e bija, Sara.

Me gjithë shpjegimet tona të mësipërme për dhëmballën e Dorelës, dr.Bardhoku na tha se nuk duhej pritur aq gjatë, pra që ajo të vihej në rrezik për t’u hequr. Se, nga pakujdesia  e  sotme, mund të ketë pasoja të rënda nesër, kur do të bëhet e detyrueshme që të vihet protezë e pjesëshme në gojë dhe mos të ketë rrënjë të sigurtë, ku të mbahet ajo.

Pasi i kryem këto biseda, të cilat ishin një mësim i mirë për mbesën time, erdhi radha, që  xhaxhi dentisti të niste nga puna, së pari, për ta parë gjendjen aktuale të dhëmballës së sëmurë. Kështu, ai e vështroi me kujdes grafinë, se mos kishte ndonjë infeksion në rrënjën e saj. Pasi u bind se nuk kishte gjë të tillë, mori në dorë veglat e nisi ta gërryejë dhëmballën nga brenda. Herë pas here, e pyeste pacienten e tij të vogël, se mos kishte sadopak dhimbje. Po, për fat të mirë, çdo gjë po ecte për bukuri. Pra, Dorela as që u ankua, nga nderhyrjet deri në rrënjët e dhëmballës. Më tej, dentisti ia pastroi dhe ia dezinfektoi me kujdes kanalet e saj.

Pasi e mbaroi punën  për ditën e parë, dr. Bardhoku i tha Dorelës se do ta linin 2-3 ditë dhëmballën “të qetë”, pas asaj ndërhyrjeje dhe mjekimit të bërë. Pastaj do të shkonim përsëri për ta parë gjendjen e saj. Por, meqenëse nuk kishte ndonjë pacient, i cili priste për ta parë, dentisi bëri një bisedë  tjetër me mbesën time. Ndër të tjera, e pyeti nëse i lante  rregullisht me furçe,dhëmbët e dhëmballët, pra çdo ditë dhe me kolinoz të mirë. Gjithashtu, e porositi që furçën ta përdorë, pasi më parë t’ia zbusë pak qimet, me ujë të vakët. Larjen ta bëjë me kujdes, pa ushtruar forcë dhe, kryesisht, nga lart-poshtë e anasjelltas.

U ndamë me dr. Bardhokun mjaft të kënaqur, nga biseda dhe vizita e ditës së parë. Prandaj Dorela e falënderoi përzemërsisht, duke e përqafuar atë.

Nuk do të zgjatem me imtësira për të dëshmuar punën profesionale, që bëri xhaxhi dentisti, me dhëmballën e mbesës. Vetëm dëshiroj të përmendi këtu një shprehje, me të cilën ai iu drejtua asaj, kur e vendosi metalin mbi rrënjëe formuar, e pastroi dhe e diezinfektoi me kujdes atë. Duke buzëqeshur, sigurisht dhe ai me kënaqësi e dashamirësi, foli: “Ja, Dorela, më në fund, arritëm që ta shpëtojmë dhëmballën tënde!”

Siç do ta shihni edhe  një fotografi në shkrimin bashkëngjitur, u tregoj se me aparatin tim bëra disa të tilla. Aty janë fiksuar pamje nga puna e dr.Bardhok Markut, për t’ia vizituar, mjekuar dhe, në fund, për t’ia shpëtuar dhëmballën, mbesës sime.

Një lexues i interesuar, ndoshta, mund ta dijë, se unë kam shkruar dhe botuar një libër të veçantë, publicistik-letrar, me titullin “Dorela” (Tiranë, 2012). Nëqoftëse do ta botoja edhe librin tjetër, tanimë në projekt, me titullin “Dorela po rritet”, patjetër që aty do ta fusja edhe këtë shkrim modest. Por, këtë gjë, le t’ia lëmë kohës…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora