E diele, 28.04.2024, 05:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Xheladin Mjeku: Metafora e dashurisë

E diele, 02.03.2014, 07:14 PM


METAFORA E DASHURISË

Dritëro Agolli: “I PËRNDJEKURI I DASHURISË”, vargje mbi dashurinë, botoi SHB “DRITËRO” – Tiranë, 2013

NGA XHELADIN MJEKU

1. KUR DHURATA MERR UDHË

Dritëro Agolli (1931) është ndër figurat qendrore e shkrimtarëve të shekullit të kaluar dhe vazhdon të jetë emblemë e qëndrueshme në letrat shqipe, me krijimtarinë e tij në prozë, publicistikë dhe sidomos në poezi, që ka një bagazh të madh, si nga vlerat estetiko-letrare, poashtu edhe nga shtrirja e rrafshit tematik dhe motivor. Motivi i dashurisë tek poezia e Agollit zë një kaptinë të veçantë dhe vëllimore, që në shenjë dhurate për lexuesin e tij prej shumë dekadash ua sjell në një përmbledhje, duke bërë përzgjedhjen e tyre me përkushtim. Kjo dhuratë, si duket ka nisur rrugëtimin që nga përzgjedhja, përkushtimi familjar dhe deri tek lexuesi, që më në fund ta ket të kompletuar këtë poezi me frymëzime dashurie, që mund të konsiderohet si kapitull i veçantë dhe mbase ndër më të realizuarit në kontekstin e trajtimit të krijimtarisë së  Dritëro Agollit.

Duhet veçuar edhe faktin se ky libër është një dhuratë e fëmijëve dhe bashkëshortes së Dritëroit, në 82 vjetorin e lindjes së tij, por edhe dhuratë  e patejkalueshme për dashamirët e kësaj poezie dhe lexuesit e panumërt dhe besnikë të krijimtarisë së autorit. Këtu takojmë ndjenjën më të bukur të dashurisë, të cilën Dritëro Agolli nuk pushoi asnjëherë ta kultivoj e ta dhuroj me frymën e dashurisë për jetën, të bukurën, sublimen…

Libri i Dritëro Agollit “I përndjekuri i dashurisë” është përmbledhje e poezive të shkruara e të përzgjedhura që nga viti 1960 e këtej, deri në ditët e sotme, ku konsiderohet se aty kemi poezitë më të bukura të dashurisë, që poeti i krijoi dhe i publikoi edhe më herët, por këtu vijnë të përmbledhura në një libër të vetme, si dhuratë lexuesit, sidomos atij që e ndien shpirtërisht si vlerë dhe mesazh të realizuar me pedantëri dhe përkushtim shumëvjeçar.

Ky libër vjen tek lexuesi i shoqëruar me një CD në të cilën janë të regjistruara poezi të recituara nga vet Dritëroi. Prandaj, me plot fjalën e themi se kjo është dhurata më e këndshme që mund ta kemi në bibliotekat tona familjare dhe, pse jo, edhe ta zgjedhim si dhuratën më të mirë për të dashurit tanë, në raste të veçanta, si për ditëlindje, për festën e të dashuruarve, etj.

2. PËRNDJEKJA QË FRYMËZON BREZAT

Simbolika e titullit “I përndjekuri i dashurisë”, që në nismë të provokon me një sërë pyetjesh a dilemash që mund të ngjallin debat tek lexuesi. Kjo si formë komunikimi të drejtpërdrejtë me autorin dhe poezinë e tij, meqë “përndjekja” e vazhdueshme prej më shumë se pesëdhjetë vite nga poezia me motiv dashurinë, doemos nxit shumë pyetje dhe provokon përgjigje të besueshme, që autori edhe mund t’i ketë dhënë në mënyrën më të mirë përmes fjalës së tij poetike që takojmë në secilën fjalë dhe në secilin varg të këtyre poezive. Nëse ekziston hamendësimi se poeti paskësh qenë i “përndjekur” çdoherë nga dikush, edhe atëherë kur dashuronte, edhe atëherë kur vuante apo edhe urrehej e nënçmohej me qëllime të ndryshme, nëse lexuesi  ka dilema rreth këtyre përkushtimeve të pandalshme për dekada të tëra të Dritëro Agollit, që kësaj përndjekje t’i përgjigjet gjithmonë me vargun e tij plot dashuri, nëse edhe më tutje ai do të përballej me përndjekjen e situatave dhe personazheve të shpirtit dhe imagjinatës së tij, atëherë e gjithë kjo, me një çasje më të avansuar poezisë së dashurisë mund të deshifrohet se cila ishte në të vërtetë ajo përndjekje dhe ajo rrugë e vazhdueshme që e shpien autorin nëpër labirinthet e jetës së tij kaq emocionale, e herë-herë edhe shqetësuese, për të sjellur këtu një botë të veçantë të të jetuarit e përjetuarit të frymës së dashurisë në periudha të ndryshme kohore dhe në moshën e tij, varësisht gjendjes shpirtërore, emocionale apo edhe politike, në raste të veçanta.

 

“I përndjekuri yt erotik,

I përndjekur të mbetet gjithmonë!

Erotik i mirë a i lig,

Hidhmi duart në fyt, torturomë!


                                      Ky burgim sa do zgjasë s'e di;

I përjetshëm do kisha dëshirë,

Veç ti eja më shpesh në qeli,

Të përndjekurit tënd i vjen mirë...”

 

(“I përndjekuri i dashurisë”, fq. 40 )

 

Në poezitë e dashurisë ndërthuren e bukura, vuajtja, shqetësimi, emocionet që vijnë si shprehje përmasash të ndryshme, si: dashuria e sinqertë, shpirtërore, dashuria e pafat, e përshkuar me përjetime nga më të dhimbshmet; takojmë përplasje emocionesh në çaste të kundërta, të shprehura me ashpërsinë e gjuhën plot ironi. Poashtu, këtu takojmë edhe përshkrimet emocionuese të dashurisë, që e begatojnë këtë poezi të përzgjedhur me motiv të veçantë. Por, në këtë materje poetike nuk mungon edhe madhështia e femrës, himnizimi i figurës së saj nëpër kohëra dhe ngjarje, ndërthurja e dhimbjes dhe e të bukurës që përjeton autori në vargun e tij, duke portretizuar figurën e femrës, si qenia më e bukur, si e “domosdoshmja” dhe hyjnorja e kësaj bote.

3. PIKËPJEKJA E TË KALUARËS DHE EROSIT NË VARGJE
       Dritëro Agolli për më shumë se pesë dekada u përball me këtë lloj të poezisë, duke mos anashkaluar edhe krijimtarinë tjetër të frytshme dhe me vlera të pakontestuara asnjëherë gjatë gjithë periudhës së tij krijuese. Nuk ka fije dyshimi se akcili prej lexuesëve të pasionuar të poezisë, veçanërisht prej atyre receptorëve të “dashuruar” në këtë zhanër letrar e gjen veten në vargun a strofën e këtyre poezive, duke aluduar në kohën e jetuar të tyre, apo edhe në të tanishmen e brezave të rinjë. Prekja imagjinative e penës së autorit ndonjërin nga çastet e frekuentuara jetësore në rropatjet e ndryshme të lexuesit, nuk janë faktike, por rastësia këtu vjen si vlerë e pavdekshme dhe plot forcë jete. Imazhet e imagjinuara apo edhe të jetuara në botën poetike të Agollit në asnjë mënyrë nuk mund të anashkalohen si rastësi, sepse autori ka intuitën e tij krijuese me pregatitje të stërholluar prej prodhimtari me përvojë të gjatë të vargut të qëndrueshëm poetik, ku figura, metafora dhe mesazhi bashkëjetojnë fuqishëm përgjatë gjithë “përndjekjes” poetike të dashurisë, si motiv dhe realitet. “Prapa strukturës së metaforës e kemi muzikën e thellë të fjalëve” shprehet J. L. Borhesi, në një ligjëratë të mbajtur në Universitetin e Harvardit. Ky muzikalitet tek poezia e Agollit është fuqia lokomotore e mbajtjes ndezur frymën krijuese dhe kërshërinë e lexuesit që ta shijoj e ta absorboj çdo fjalë e varg që buron nga kjo prodhimtari poetike.

Kjo përmbledhje poetike si e këtillë, nuk ishte vetëm plotësim i mungesës së një botimi të kësaj natyre, por edhe si dëshmi se Dritëro Agolli ka shkruar shumë poezi dashurie, duke tejkaluar cilindo poet bashkëkohor shqiptar. Lasgush Poradeci konsiderohet si prijatari i këtij motivi dhe me përultësi i ipet epiteti i poetit të dashurisë, kurse Dritëro Agolli, falë fatit të jetës arrin ta trajtoj këtë temë për dekada me radhë dhe ta sjell ashtu të çiltër, me vlerat dhe teket e saj, si fenomen jetësor, me gëzimin, hidhërimin, emocionet dhe ndonjëherë edhe pasojat që prodhon kjo pjesë e jetës, që askush nuk mund ta anashkaloj, përveçse e përjeton në formën dhe mundësitë e veta, që ia diktojnë shumë faktor tjerë përreth.

Në poezinë e Dritëro Agollit gjejmë edhe shumë vlera tjera, që e bëjnë të qëndrueshme dhe plotësisht të diskutueshme për shumë kohë këtë krijimtari letrare. Në motivin e dashurisë, hetohet dukshëm edhe e kaluara, si fenomen që përcjell mesazhin e fuqishëm e që ndërlidhet me përjetimet, përvojat dhe pësimet e shumta, që në poezinë e këtij motivi sjellin mesazh të fuqishëm  për të ardhmën. Në poezitë për dashurinë autori nuk mbetet pa e shfrytëzuar edhe mitologjinë dhe historinë, si dy hallka lidhëse të kësaj forme komunikuese me ngjarjet që shtjellohen në shumë poezi. Derisa Afërdita, Orfeu, Euridika, Artemida e shumë emra e figura nga mitologjia shprehin fuqinë  e vargut duke u skalitur me petkun e të bukurës, dhimbjes, etj. Pastaj shfrytëzimi i toponimeve si dëshmi e një lashtësie të jetuar edhe në frymën e erosit, veçantë Butrinti që paraqet një arenë ku perënditë kishin shprehur forcën dhe ndiesinë edhe për këtë pjesë të jetës me plot sfida.

Dritëro Agolli në poezinë e tij dëshmon se krijimtaria poetike e dashurisë që shtjellon këtu daton nga lashtësia, që nga krijimi i njeriut të parë. Ai këtë dëshmi e paraqet bindshëm në vargjet:

 

“Kur gruaja lindi, sipas Biblës,

nga brinja ime, ja këtu,

ajo më zërin e mëllinjës,

me bën të sillem kuturú.

 

Gëzim, trishtim e ankth më mbolli,

Ndaj flas me vete veç për të,

se kur nga njëra brinjë doli,

m’i krisi brinjët një nga një”.

 

(“Gruaja ka dalë nga brinja e burrit”, fq.24)

 

Në këtë përmbledhje poetike ka shumë poezi që shquhen për formën, tematikën dhe mesazhin që shtrojnë para lexuesit, për të mos harruar gjithë opusin krijues të autorit, që për asnjë çast nuk mund të anashkalohet pa u reflektuar përkushtimi dhe shprehja letrare me figurshmërinë dhe elemente artistike që e përshkojnë gjithë poezinë e Dritëro Agollit. Megjithatë, ndër poezitë që veçohen në këtë motivacion mund të veçojmë: “Në Amfiteatrin e Butrintit”, “Mundja e Lekë Dukagjinit”, “Gruaja ka dalë nga brinja e burrit”, “Në qytetin e lashtë” e ndonjë tjetër e këtij niveli.

4. DRITA QË NDEZI DRITËROI NUK SHUHET KURRË

Dritëro Agolli që në nismë të vargut të tij poetik u shqua për formën e shtjellimit të temave, ngjarjeve, momenteve e deri te ruajtja me xhelozi e frymës autoktone të shprehjes së vlerave të kultivuara me shekuj. Ai në fakt shquhet për vargun e tij epiko-lirik që përafrohet gjithmonë me frymën popullore, komunikative dhe me mesazhe të kapshme për të gjitha shtresat e lexuesve të poezisë së tij. Pavarësisht tematikës që trajton, ai gjithmonë ia përkujton detyrat dhe obligimet njerëzve me kompetencë dhe profesionalizëm që ta shtyjnë tutje veprimtarinë krijuese e në veçanti poezinë. Edhe në këtë përmbledhje poetike gjejmë të trajtuar mire këtë veçori, që ia dedikon “poetëve që po vijnë”, duke u sugjeruar që temat e shtjelluara deri tash nga poet e shkrimtarë të shumtë t’i vazhdojnë edhe më tutje, me ngjyrën dhe fuqinë  e kohës dhe rrethanat që i përkasin:

 

‘‘Ju do kujtoni se ne kemi qenë të thatë?

Të na kishit parë si digjeshim pranë vajzave që donim!

Ç’fjalë të bukura u thoshim në mbrëmjet e arta!

Po ne s’kishim kohë që fjalët e bukura t’i botonim

Dhe shtypshkronjat i kishim për gjëra më të larta…”

 

(“Dy fjalë poetëve që vijnë”, fq. 49)

 

Në mbyllje të këtyre mbresave plot emocion dhe respekt për vargun dhe fjalën-mesazh që na përcjell deri në fund, mund të llogarisim në fuqinë e realizimit dhe të ndjenjës që na krijon kjo poezi, ku edhe lexuesit të rëndomtë do t’i ndizet malli ta shijoj këtë perlë poetike me zjarrin promethean që mbruan përbrenda e që pa shkëputje të shpien rrugës së jetës plot dritë e dashuri, ashtu si edhe e gatoi dhe e transmetoi këtu vetë Dritëroi me dritën e pashuar poetike që ndriçon pambarim gjithandej në botën e dashurisë.



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora