E diele, 28.04.2024, 03:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Qazim Shehu: Trandeshenca e Fatos Rushitit

E hene, 03.03.2014, 07:07 PM


TRANDESHENCA E FATOS RUSHITIT SI SPIKAMË E VUAJTJES EKZISTENCIALE

Për vëllimin poetik :”Në Elirë..”

NGA QAZIM SHEHU

Fatos Rushiti është një poet nga Kumanova e largët, një skaj jo i harruar i tokave shqiptare, i cili me poezinë e vet po sjell një frymë të re  të një vargu që mbart ndjenja dhe mendime të gjalla thurur me një frymë moderne, ku spikat së pari thyerja befasuese e mendimit që vjen përmes fjalës së re, të shkruar me nervin e një poeti që kërkon të përjetojë fjalën përmes mendimit si befasi eliptike.Ka poetë që i kushtojnë rëndësi motivit, po gjenden edhe asosh poetësh që thurimën e frymëzimit të tyre kërkojnë dhe e ndërtojnë bukur përmes zhbirimeve ekzistenciale kohore,dhe, ndër këta të dytët futet Fatos Rushiti, i cili me vëllimin e tij”Në Elirë”sjell një prirje të re vetanake brenda një origjinaliteti befasues larg shtampave dhe ngjashmërive.

Nëse na duhet ta përcaktojmë qenien e shqiptarit jashtë shtetit shqiptar, veçmas shqiptarin e Kumanovës, Shkupit, Tetovës, Strugës e Gostivarit ne do të vinim re se ai është i prirur ta ruajë thelbin e tij ekzistencial përmes emocionit kombëtar, duke iu kundërvënë racionalitetit shoven që hiqet si rracional, po kështu do të pikasninm se intelektuali shqiptar i këtyre trojeve që moti ka qenë më i hapur ndaj poezisë moderne për shkak të rrethanave që merren me mend.Ndaj poezia e poetëve shqiptarë në këto troje e përjashton rimën dhe strukturimin e rregullt strofik, me përjashtime ,dhe priret më tepër nga konentrimi i shprehjes si metafora, konvenca në rrafshe aksidentale dhe universale, duke ruajtur njëkohësisht ashtin e kombëtarizmit.

Poeti, Rushiti, në poezinë e tij vjen në këtë hulli, po sot në kohra të reja si element i natyrshëm,organik ndërfutet edhe imazhi i femrës, një imazh që përshtjellohet si një shqetësim erotik, si një pahitje dhe sjellje e aromëve së bukurisë brenda konceptit estetik.Natyrisht në këtë këndellje duket sikur humb arsyetimi, po poeti gjithnjë e vazhdon ta thërrasë frymëzimin e vet brenda këtyre kufijëve tematikë, edhe pse nganjëherë tematika nuk e posedon atë rëndësinë e duhur.Femra tek ai nuk trupëzohet as e krijon imazhin e saj brenda pikëpamjes fizike, femra më tepër është aromë ose diskordancë e përjetimeve të skajuara në kundërthënie të befta.Në këto këndshikime të natyrshme, shenjë talenti, vjen edhe krijohet stili poetik dhe njëkohësiht manifestohet ky stil i mbushur me xixëllima metaforike të befasishme e të bukura që e bëjnë poezinë e Rushitit mjaft kapricioze dhe të shkathët kur është fjala në mprehjen e nervit të fjalës.Ja si shprhet poeti:”Ishte një kohë/kur flisja me gjuhën e barit/kur vetë isha kohë/zoti për ne kish uri…”.Femra jo vetëm është një imazh plotësues i qenies së burrit, po ajo është më tepër se kaq.Ajo është një imazh plotësues i botës dhe i jep shije më tepër se kushdo kuptimit për bukurinë dhe dashurinë ndaj saj,ndaj duke lexuar poezinë e Rushitit e vemë re këtë më së miri në mjaft poezi të vëllimit,që shfaqin përthyerjet e shpirtit njerëzor në rrafshe të ndryshme të ndijimit dhe humbanendjes ndaj së bukurës.

E me këtë vibrim të ndjenjës parandihet  larg konkretësive të panevojshme një vuajtje disi platonike, një pozicion klasik që zënë poetët shqiptarë para se të zënë e të këndojnë dhe ngrejnë kultin e femrës në poezi.Një platonizëm që zë fill tek Naimi e vazhdon tek Lasgushi.Kjo vuajtje nuk është dështim ,po një lojë estetikepër të ecur në gjurmët e së bukurës, një refuzim estetik ndaj banalitetit të jetës dhe trysnive arriviste të realitetit prozaik.

Padyshim që Rushiti në këtë hulli ecën me gjuhë moderne përmes metaforës dhe metonimisë, duke i veshur detajet me rroben e një imazhi aspak idilik po më tepër të një imazhi kërkues dhe sendërtues që kërkon të përçojë fijet e një emocioni intelektual mbi femrën dhe të bukurën.Në humbjet dhe moskuptimet për të afruar ndijimin dhe shijimin e jetës ai shprehet:”Para se t`ia nisim të vdesim nga pak/t`i shtrydhim qershitë që na flenë në gjak…”.krahas nuancës ndijuese këtu vjen fare mirë edhe vetëreflektimi ndërgjegjësues se bukuria nuk është vetëm mahnitje estetike, përkundrazi ajo mbetet edhe evokim dhe nevojë për shijim ,një thirrje e hapur intuitive për ta ndjerë nevojën e këtij shijimi.Poezia e Rushitit e pasqyron qenien transcedentale duke e shmangur kohën reale e duke u hedhur në një kohë të pakohë që s`po mundet dot të identifikohet.

Ndjenja të tilla si mërzia,trishtimi, humbja,pritja,ankthi deri në makth, përftohen përmes leximit të vargjeve të poezisë së tij të bukur.Janë ndjenja që spikasin nga përjetime të një poeti sa rinor aq edhe intelektual, ndjenja që fantazojnë një botë ideale po ku idealiteti ka humbur dhe qenia është përgjumur  në amullinë e një kërkimi të lodhur.Jo më kot natyra bëhet pjesë,shiu dhe retë, jo më kot ndjenja lëviz dhe shtrihet nëpër hapësira që mezi mblidhen dhe aq sa afrohen ,largohen në tejskajshmëri absurde.Njeriu është gjithnjë një njeri historik në një truall të caktuar duke përqafuar dilema për të cilat i duhet të mendojë gjatë.Ja si shprehet poeti:”Qielli mbi Kumanovë/I trembur hyn nën tokë,/Çdo yll me dritë,/na i mbush duar me varre,/Diçka ndodhi në Vaksincë,/Lulet mbi Orizare thonë,/Vetëm ne e dimë…”.

Paradoksi dhe tejpashmëria e tij përmes ndjenjës tmerruese të një jete që bëhet me ankth për shkak të dëshirave të parealizuara që gjithnjë shtyjnë drejt idesë së lirisë  shtrihet si një ideotematikë e padukshme që nuk shfaqet po në të vërtetë ajo është aty ,merr fytyrë përmes jetësimeve ideore.E në këto kushte gjithnjë është e domosdoshme të kuptohet sërish ambigiuiteti i qenies së poetit dhe të folësit lirik në tërësi.Afrohet vetmia dhe pritja si:”Vetmia,/si atdhe,/I kujtimeve të ngrira në gjak../.Vetmia vjen nga shkaku i vetmisë së përgjysmimit të trojeve amtare, vetmia si prirje e njeriut modern, e kërkimit dhe rastësisë së zbulimit të asaj që s`të pëlqen po je i detyruar ta mbartësh dhe kthesh në fiksionet e tua të ndriçuara në rrjedhën e arsyetimeve të lodhura.

Në mjaft poezi të Fatos Rushitit ne hasim një kujdes maksimal për fjalën, e cila vjen në mënyrë organike brenda indit të një mendimi befasues;jo është një poezi e trishtimit të lehtë po luksoz, e meditimeve brengosëse po ku nuk mungon dielli i gëzimit të moshës dhe ëndrrave rinore.Kjo lloj poezie i shpëton shumë mirë rrëfimtarisë vargëzuese dhe priret nga koncentrimi i shprehjes ku përftohet gjithnjë një lirshmëri e bukur e vargjeve që nuk rrështohen pas njëri tjetrit ,po vijnë natyrshëm këtu për të plotësuar një vend bosh që është i tyri dhe ato duhej të ishin medoemos aty.Si e tillë poezia e Fatos Rushitit ,ashtu si poezia e poetit tjetër nga Kumanova ,Burhamedin Xhemalit,është një poezi trandeshente , poezi e frymës së spikatur, mbushur plot imazhe dhe këngëtim të forcës së shpirtit rinor.Kjo lloj poezie afrohet me parametrat më të mundshëm të një moderniteti fluid, po sjell edhe kujdesin e poetit që figurën mos e ngarkojë me rrathë ngushtues të mendimeve të sforcuara

.Përkundrazi, poeti e ruan bukur mirë raportin mes thjeshtësisë së shprehjes dhe përpjekjes për abstragim dhe ia del me sukses të jetë i kuptueshëm,e në këtë pikpamje ai mbetet një poet spontan i çliruar jo vetëm nga klishetë e vargjeve në strofa klasike, po i çliruar njëkohësiht edhe nga mendimet që duhet patjetër të standartizohen sipas një kodi moral të caktuar.Morali estetik i poetit është gjithnjë frymëzimi dhe nxitja frymëzuese për ta thënë fjalën përmes lirshmërisë që jep vetiu mendimi, duke mos e synuar figurën si një qëllim çudie, po duke e thirrë figurën përmes një frymëzimi të hovshëm që vjen nga të jetuarit intelektualisht me jetën dhe letërsinë.

Në përfundim ne mund të themi se vëllimi poetik:”Në Elirë…’, është një vëllim i shkruar me kulturë ghuhësore, mbushur plot bulëza të një frymëzimi vetanak ,larg ngjashmërive dhe manierave e trukeve që kërcasin, një vëllim i frymëzuar  ku figuracioni dhe metri i vargut vijnë në harmoni të plotë me rrjedhën e një frymëzimi të ngrohtë e të etshëm.Rrëkezat e frymëzimit rrjedhin përmes një shtrati kohor dhe hapësinor që nuk kërkon të klasifikohet ,as të matet.Ato rrëkeza u ngjajnë rrëkezave të diellit që bien dhe ngrohin peizazhet e lodhura pas një stuhie.Dhe stuhia tek Fatos Rushiti gjithnjë është brenda tij.Rrëkezat e diellit mbeten optimizmi dhe dashuria e pakufishme që ka ai për jetën dhe për të bukurën….

Mund të thoshim ,jo me hezitim,  se Fatos Rushiti është një poet original ne forcën e shprehjes poetike.Ai e ngarkon vargun me energjinë e një frymëzimi spontan  dhe arkitektura e vjershës së tij e mbart peshën e figurës aq sa ajo të mos bjerë e thërmohet nën peshë të vetvetes;kjo tregon se ai e njeh sensin e masës dhe ia di kufijtë e shprehjes artit poetik;di të zgjedhë fjalën dhe ta inkuadrojë atë në pozicionin e vet të natyrshëm.Poezia e tij mbetet intelektuale, rinore ,shquhet për densitetin e një ndjenje të përkorë.Ndjenja përftohet jo nga soditjet manieriste as nga traumat e mëdha psikosociale,po ajo vjen si një realitet i qenies që nuk i përjashton këto në një kontekst të largët.Kështu ndjenja infiltrohet intelektualisht duke ruajtur më së miri dobinë e saj origjinale të pakontestueshme.

Poezia e Fatos Rushitit është jë poezi e befasimit dhe e kapjes së momenteve, çasteve që vijnë si nevojë për të plotësuar qenien estetike të poetit kundruall së bukurës.Trandeshenca, eminenca e qenies përfohen përmes elipsave që sqarojnë tërhorazi kontekste të largëta dhe të afërta.Kështu moderniteti i qenies vjen dhe ndizet emocionalisht përmes vibrimit të një shpirti të hollë ku realiteti dhe trilli ,ëndrra dhe pasëndrra, konkretja dhe virtualja vijnë dhe bëhen pjesë e lojës së një mendimi modern për gjithë ato arsye që folëm më lart.

Metafora-i përsëritur ky mendim për t`u  plotësuar dhe për të mos u ndarë prej tij-vjen jo si ilustrim, po t ë perifrazonim një mendim të Arshi Pipës për Migjenin-po si një trampolinë ku autori hidhet në ëndrra dhe dëshira të pafundme dhe kërkon përmes tyre të pozicionojë qenien e vet atdhetare,sociale,filozofike psikomorale ,estetike.Kjo metaforë e tejmbart kuptimin filozofik të jetës dhe bëhet e veçantë vetëm pse poeti nuk e mendon metaforën ,por mendon metaforikisht.Të mendojsh metaforikisht është cilësi jo vetëme poetëve të mirë, por e poetëve modernë sepse duhet të shpluhurosësh shumë shtresa kuptimore  në ballafaime me njëra tjetrën për të nxjerrë një rezultante kuptimore.Mund t`i përqasësh duke krijuar paralelizma emërtuese, po njëkohësih mund t`i afrosh përmes kontrapunkteve.Dhe Fatos Rushiti zgjedh teknikën e kontrapunkteve si teknikën e thyerjes prej nga ngjiz në mendim befasues.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora