E shtune, 27.04.2024, 08:09 PM (GMT+1)

Kulturë

Adem Zaplluzha: Letër nga një shtëpi azili

E hene, 03.03.2014, 07:20 PM


Adem Zaplluzha

 

Nga libri “Stoli në parkun e vjetër”

 

LETËR NGA NJË SHTËPI AZILI

 

Më pritni

Kur kthehem do t’ua sjellë

Një arkivol të larmë

Pak më alegro se jeta e jonë

 

Vizatur me ca gjethe gështenje

Dhe shije manaferre

Edhe ju keni të drejtë

Për pak dinjitet në përcjelljen

E juaj të fundit

 

Këtu ku jam unë

Nuk bie shi si në atdheun tim

Ka kohë që s’e kam ndier

Erën e ozonit

Përzier me gjethe dafinash

 

Jam larg sonte në një metropol

Por jemi aq afër

Sa që nëse i zgjati duart

Mund të na puqen gishtat skelet

 

Na  besoni

As ne s’e kemi këtu

Më mirë se ju atje

Për të kollofitur nuk heqim zahmet

Ajo që po na mungon

Dhe po na vret

Është heshtja e njerëzve

Askush me askënd nuk flet

 

2.

 

Të gjithë ndjehemi të huaj

Dhe si të tillë sillemi

Ne nuk kemi më lot

As nuk qajmë

E as nuk këndojmë

 

Secili këtu e kafshon

Ëndrrën e vetë

Dhe fshihet mes leckave

Që na dhuron për çdo muaj

Kryqi i kuq

 

Në një pallto të zezë

I gjeta dhjetë euro

Dhe i qerosa me karamele

Shokët e dhomës

 

Sa ishim të gëzuar atë ditë

Sa që tërë kohën qeshën

Muret e ngjyrosura

Me shije kumbulle

 

E di juve ju mungojnë palltot

Dhe karamelet

Por keni diçka më shumë se ne

Gurgullimën e lumit

Bashkë me freskinë e pastër të atdheut

 

3.

 

Ju lutem

Mos e merrni për zemër

Letrën time

Ndoshta është e fundit

Dhe ja po ju shkruaj

Që t’ua sjelli ndërmend

Se as ne këtu s’e kemi më mirë

 

Unë kam përgatitur një arkivol

Një piktor kinez i quajtur Li

Pikturoi portretin tim

Me një hartë në ballë

Kur të më sjellin në atdhe

Të kem një përcjellje

Pak sa më madhështore

 

Nuk dua të vdes

Ashtu siç e pata jetën

Më ka premtuar një mik

Se do të kujdeset për varrimin tim

Bendi i qytetit rri gatshëm

Po qe nevoja edhe me javë

Nuk do të pushojë

Muzika mortore

 

4.

 

Ne doemos do

Do të takohemi një ditë

Por po druaj se në atë botë

Nuk do të ketë vend

Sa të na pushojnë sado pak

Këto eshtra të lodhura

 

Nëse jo

Atëherë çfarë të ëndërrojmë

Edhe këtu

Nuk e kemi aq shumë keq

Njëherë në muaj

Na i ndërrojnë çarçafët

 

Berberi për çdo dy ditë

Na e pastron fytyrën

besa edhe na pudros

Zhiletët  e rrojës

S’kushtojnë shtrenjtë

 

Kemi edhe ca imtësia të tjera

Por i ruajmë

Për ditët tona të zeza

Ndoshta na nevojiten

Të mbrohemi nga zgjeba

 

Ndoshta na duhen për

As vetë s’dimë se për çka

Por ja

I ruajmë zhiletët e vjetra

Dhe letrat e hidhura të miqve



(Vota: 21 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora