Kulturë
Hyqmet Hasko: Një autopsi e unit poetik
E premte, 17.01.2014, 08:53 PM
Një autopsi e unit poetik në
raport me bashkëkohësinë
Rreth përmbledhjes me poezi “Çaste meditimi” të poetes Flora Muçi Kopella
Nga Hyqmet HASKO
Kur lexon vargjet e poetes Flora Muça Kopella ke ndesinë sikur dëgjon një muzikë të ëmbël, me jone herë kumbuese e të vrullshme, herë të qeta e të shtruara, por gjithësesi të thella dhe që të përfshijnë në magjinë e ritmeve dhe tingujve të përndezur. Ajo është poete e një diapazoni lirik, ku meditimi dhe gjendja poetike shkrihen në një me figurat e freskëta dhe gjetjet e befta, gjenjdet dehëse dhe imazhet mbresëlënëse.
Nëse do të kërkonim të gjenim një fjalë kyç për poezinë e Muçës, një fjalë si të thuash çelës për të rrokur menjëherë magjinë e saj, ndoshta kjo fjalë do të ishte “lirizëm dehës”, çfarë do të thotë se shpirti i saj duket i mbushur me ritme jete dhe prushërim kënge, ngrohtësi vatre dhe pendim mungese, gjendje si këto e të tjera të cilat poetja na i përcjellë me një art të ngritur poetik. Pra, e thënë me fjalë të tjera, lirizmi spontan, pa sforcim, por që sikur i buron nga çdo varg e fjalë, është natyra e saj poetike dhe shtrati strukturor dhe konceptual ku autorja operon për të ndërtuar fabulën e saj poetike, për të krijuar figurat dhe për të përcjellë nëntekstet dhe mesazhet e saj.
Në aktin poetik të Florës lëvrin një det i tallazitur pasionesh të bukura, dashuria për vendin e saj, magjia e mallit dhe idilit, fillmet e pranverave të trishta e të lumtura njëherësh, malli për vendlindjen, pjesëtimi i çasteve me të tjerët, me ata që e rrethojnë në përditshmërinë e saj; të gjitha këto e të tjera grimca ndjesishë e përjetimesh, gjenjdesh të trazuara emocionale, poetja i mbart me vete si një kumt, si një bekim dhe si një mesazh universal paqeje e dashurie.
Në vëllimin e saj poetik “Çaste meditimi”, Flora Muçi Kopella bën autopsinë e unit poetik në raport me të gjithë tingujt, dritat dhe zërat që e rrethojnë, duke u vetëidentifikuar me bukurinë e brendshme, të thellë e transhendente të një bote të pasur shpirtërore, siç është zakonisht bota e poetëve të vërtetë, veçanërisht bota e femrave, që për nga shkalla e ndjeshmërisë dhe përjetimit të së bukurës janë një hap para burrave.
Tematika e poezive të Florës është përditshmëria me mallin, idilin, kujtimet, miqtë, ëndrrat, të birin e saj, “vajzat e Luzatit”, nënën, trishtimin, imazhet e mbetura pezull në rrugët e jetës, gjurmët e bukura në kohë, “një rrugë, pllajë dhe një grusht dhe”, bashkëshorti, vëllai, një botë intime e ndjerë me një temporitëm të brendshëm malli dhe dashurie.
Duke lexuar poezitë e këtij libri të mbeten në mendje peizazhe të shpirtit njerëzor, dhimbje, vetmi, trishtim, dëshirë, iluizion, kërkim në shpirtin e të vërtetave në hije, mister, ndjeshmëri. Janë bukuri të thjeshta, të prekshme, ikanake, që sapo të vijnë si përcjellje emocioni, të ikin në mënyrë të beftë, duke t’u rizgjuar në kujtesë si përcjellje emocioni dhe ndjeshmërie ndaj kultit të bukurisë dhe ëndrrës.
Komunikimi i poetes është sa tekstuale aq dhe nëntekstual, ku figura bazë, metafora shërben si shtrat për të pikëzuar dhe nyjëzuar të gjithë abstragimet poetike. Poetja zbulon rrënjët e individualitetit të saj poetik, thellësinë e depërtimit, elegancën e vargut, përjetimet e thella të mbresave, përjetimeve dhe emocioneve që ushqejnë pemën e saj estetike krijuese.
Tek “Çaste meditimi” poetja përvijon me tone të lehta dhe mbush me mendim poetik hapësirën mes ëndrrës dhe realitetit, hapësirë që na vargun e saj sa vjen e bëhet gjithnjë e më e ngushtë, aq sa poetja nuk don që të ndajë botën iluzive të ëndrrës dhe transhendencës me realitetin që bën objekt pasqyrimi.
Poetika e Florës është e çliruar nga klishetë dhe morali, është një poetikë e pastër, që niset e merr udhë më së pari nga bota e brendshme e poetes dhe gjatë kësaj udhe pasurohet me përvoja, lexime, kalkulime estetike, kujtesa të mbetura nëpër kohë dhe që autorja i zgjedh si herbariume të vizionit të saj për botën.
Sigurisht, në një vështrim të sipërfaqshëm, siç është ky i yni, nuk mund të thuhen të gjitha për një poete me format të plotë e të vetëdijësuar në rrugën poetike, por vetëm sa dua që të përcjell një akt kujtese ndaj përveçësisë së kësaj poetje, në rrugëtimin e saj poetiko-letrar.
Në poezitë e kësaj përmbledhje duket një dorë mjeshtrore; depërtimi në mënyrë moderne në fatin e shoqërisë shqiptare dhe të njeriut bashkëkohor si pjesë e kësaj shoqërie, është një nga procedimet estetike dhe psikoanalitike të poetes, në kërkim të rrënjëve të etnopsikikës sonë kolektive.
Ne jemi trena që ecim tutje nëpër natë,
Duke lënë mall e kujtime nëpër fytyra,
Ne jemi grimca nga një pikturë e lashtë,
Me ngjyra të rralla, zgjedhur nga natyra.
Ky akuarel i beftë poetik, ku shkrihen kohët, përjetimet dhe vetë haspira e imazhit, rrok në vetvete thellësitë mendimit estetik të poetes, prirjen e saj për të kryer një prerje vertikale të ndjesive dhe përcjellje polivalente të imazhit poetik.
Poetja realizon në këtë përmbledhje mund të themi të suksesshme me poezi një komunikim refleksivo-sugjestiv, ku, siç e thamë, zotëron një lirizëm i ngrohtë e spontan, teksa përzihen tradita me modernen dhe poetja zhbirilon anët e errëta të dhimbjes njerëzore, i ngre ato në art, duke ndërtuar portretin e Unit të saj dhe të shpirtit kolektiv të bashkëkohësisë.
Ajo i kundron objektet e saj poetike në brendësi të tyre, duke zbuluar dritëhijet, dramën dhe dyzimin që ato përcjellin, ndërkohë që nëntekstet dhe imazhet që i përcjellin ato duket se kanë një fuqi të veçantë sugjestive dhe reflektive. .
Poezia e saj është një poezi spontane, e shtruar dhe e thellë, herë herë ajo rebelohet, por në asnjë rast nuk thërret, siç ndodh me poezinë retorike dhe shabllone.
Një udhëtim në poezinë e Florës është si një busull për t’iu shmangjur monotonisë, pasi ballafaqimi i lexuesit me të vërtetat estetike që ajo shpalos është një ballafaqim me thelbin ekzistencial të jetës njerëzore, ku kulti hyjnor të cilës i blatohet përkushtimi i autores ështrë dashuria.
Në aktin poetik të poetes duket sikur ka një ngutje estetike për ta kondensuar mendimin dhe ndjenjën në postulate të nivelit mesazhor, të tilla që të bëjnë të përjetosh të plotë metaforën dhe mjetet e tjera stilistike, që autorja i përdor në funksion të kredos dhe besimit të saj tek kulti i lirisë dhe dashurisë njerëzore.
Përmbledhja “Çaste meditimi” e poetes Flora Muçi Kopella është një vlerë e mirëfilltë poetike, në vargun e atyre vlerave që po vijnë çdo ditë në poezinë e re shqipe, sidomos në atë femërore, me një pasuri e begati mjetesh shprehëse dhe teknikash vjershërimi, është një shpalim i një arti të vveçantë të shkrimit të poezisë, të pangjashëm me askënd tjetër, çfarë përbën veçorinë dhe individualitetin e saj poetik.