E shtune, 20.04.2024, 08:10 AM (GMT+1)

Kulturë

Përparim Hysi: Mesazhet e bardha të një Poeti

E diele, 17.11.2013, 07:01 PM


Mesazhet  e bardha të një Poeti

Poema " Lulet e zeza" të Irfan  Bregut

(esse)

Nga  Përparim Hysi

Nuk është aspak  e lehtë që të flasësh për një Poet me staturë të bukur si Irfan Bregu.

Kjo ndodh për shumë e shumë arsye. Së pari, ke të bësh me një Poet me zë të veçantë që, kryesisht, shkruan poezi që kanë peshë të "rëndë". Në gjininë e poezisë, ai lëvron, sidomos, poemat. Të më falë lexuesi, në përdor pak një gjuhë militare. Irfan Bregu përdor "artileri të rëndë" në poezi.

E ka filluar me poema qysh nga viti 1959 dhe, sado që po rend drejt  tetë dekadave, ende shkruan dhe është aq vital, sa nuk ke se si mos habitesh. Dhe kjo çudi arrin në apogjenë e vet, atëherë kur  e sheh o ballë për ballë, o përkarshi. Në këto mbi pesëdhjetë  vjet që shkruan, ai, si të thuash, është "ngopur" me të tëra. Kur them kështu, jo se po hiperbolizoj gjëkafshë. Përkundrazi.  Jam unë në hall që mos i hyj në hak këtij  DITURAKU të LETRAVE  SHQIP dhe mos e përqas,sadopak,ashtu si është DITURAKU Irfan Bregu. Atributin "Diturak" nuk e ka nga unë, por e ka fituar me djersën e ballit.

*    *    *

Në këtë mbigjysëm shekulli që shkruan, Irfan Bregu ka shkruar gati mbi 15 poema dhe, veç tyre (kjo ia rrit dhe ia zbukuron ballin e bardhë), është autor tekstesh për shkollat 8(sot 9-vjeçare); autor antologjish; autor fjalorësh disavëllimësh ( social-kulturor-artistik), ka botuar kritikë për vepra pedagogjike. Pra, i armatosur këmbë e kokë me dije. Saj këtyre dijeve, ka fituar gradën e Doktorit të  shkencave. Po a mbarojnë "veçët" për Irfanin? Ka  qenë gazetar deri në Kinë dhe ka patur një penë të mprehtë prej gazetari. Kaq them unë, sikur nuk janë pak që të mos vënë në vështirësi, kur merr penën e të flasësh për të.  Ka patur metodë të tij të punës që kurrë mos ngutet kur shkruan,sikur ta ndjekë dikush me shkop. Matet dhjetë herë,e pret njëherë. Po prerja made in Irfan Bregu, është e tillë që nuk ka nevojë për gërshërë,po se po, por as dhe për gjëlpërë. Si "Versaçe në fushën e modës. I tillë është në varg. E vetmja "ngutje letrare" e tij, sa e kam lexuar unë,është ajo: "Liria erdhi vonë" ( Tri libra për Kosovën"). Se puna nuk priste. Dhe e botoi në vitin 2002. Kur them "ngutje", e kam në sensin e mirë, se nuk e la të "staxhionohej" në kohë.

*     *    *

Nuk ka gëzuar shëndet të mirë, por, megjithaë, di dhe e sfidon sëmundjen. E vë poshtë me shkrime. Nga kjo anë, është për t'i qarë hallin për dy arsye: së pari, duhet t'u vidhet syve vigjelent të"gardianit" që ruan me xhelozi proverbiale qoft dhe një shqetësim. I shkruaj me shumë konsideratë këto fjalë, për zonjën e nderuar, Dirtën, bashkëshorten që nuk e lë Irfanin t'i afrohet qoft dhe për një çast kompjuterit, këtij mjeti kaq modern dhe të domosdoshëm për një  njeri që shkruan. Po "gardiani" as nuk njeh kompromis. Më duket si  një "martir", të privuar nga  një ofertë kaq e kaq me privilegje.

Dhe ky "martir" dërrmohet dhe nuk fle rehat vetëm e vetëm se do që kjo botë të bëhet më e bukur. "Gardiani" ia ka shtuar jetën Poetit dhe, saj  asaj, ai  jeton atë "komoditet" aq të  ngrohtë për të na dhënë vepra cilësore. Nga një anë, si "martir" të kujton atë "shterparin" e  Naimit që nuk i qasej "stanit"( kopmpjuterit) dhe, duke e vazhduar  analogjinë time dhe pak më tej, më duket se Irfani ka të drejtën morale që në një nga veprat (ai "vidhet e vidhet") që është duke shkruar, të shkruaj kështu: "Dritës, pa të cilën, kisha kohë që do kisha heshtur". Postullati nuk është imi. E ka shkruar Lui Aragoni për Elsa Triolen. Dhe ja tek vjen një kohë që anallogjitë bëhen të prekshme dhe aktuale.

*   *   *

Irfan Bregu sapo e botoi poemën "Lulet e zeza". Që në titull, është pak sinjifikativ. Kushdo do intrigohet dhe do thotë: - More, ç'janë këto "Lule të zeza?". Unë e kam të lehtë ta them (këtë e thotë autori fare qartas!), por le ta lëmë pak kërshërinë ngrehur.

Irfan Bregu ka një shqetësim të madh qytetar. Ky shqetësim e bluan atë vazhdimisht,ashtu siç bluan një molë trarin. Irfani Poet është i një "mizure" të veçantë: është i obsesuar nga e drejta, liria dhe e vërteta. Tri këto kategori shoqërore janë emëruesi i përbashkët i gjithë poemës. Poeti e di mirë se nuk ka as liri dhe as demokraci, po u nëpërkëmbë e drejta. E vërteta. Ai bëhet promotor dhe, si të thuash, ashtu si Krishti e ka vënë kryqin mbi kurriz. Aq i obsesuar është pas këtyre tri komponenteve, sa "rob" i dijeve të tij skrupuloze, zë e rëmon që nga lashtësia me demokracinë e kohës së Perikliut e deri në ditët tona.

Unë nuk e kam atë "tagër" kaq të rëndë dijesh si të autorit ( për këtë autorit i kërkoj ndjesë), po për ta përqasur sadopak për këdo që nuk e ka lexuar këtë poemë me kaq vlerë, them se do jem në gjëndje.

Shtrohet pyetja e drejtpërdrejtë: - A ka demokraci dhe  a është e drejta në atë shkallë që duhet në Shqipëri? Përgjigja është lehtë ta marrësh vesh, por Poeti me vargjet e tij di  dhe ia jep lexuesit të gatshëm.

Në Shqipëri, për fat të keq, tri kategoritë(liri,e drejtë,e vërtetë) nuk e kanë fituar atë  atribut që duhet të kenë. Kjo ndodh,- thotë Poeti,- se Shqipëria është si në mes Sillës dhe Karibdës. Se,siç thotë diku, kimineli i nxjerr gjuhën drejtësisë. Se pushteti, ndodh që bashkëpunon me krimin. Se, po të largohem pak nga konteksti i poemës, është ende aktuale ajo thënia e  Hasan Zyko  Kamberit, kur "Kadiut, po t'i dëftesh paranë, ters e vërtit sherjanë". Për  t'i rënë shkurt: tri obsesionet e Poetit Irfan Bregu janë ato"Lulet e zeza" që kanë mbirë në tokën shqiptare. Por vetëm kaq. Jo. Aspak. A ka një dritë që një ditë, këto "lul të zeza" të bëhen të bardha?  Patjetër që ka. Dhe Poeti në 12 këngët e kësaj poeme, për këto mesazhe të bardha dhe këndon. Kjo "këngë" e Poetit është unike në llojin e saj. Kaq sa njoh unë letërsinë shqiptare, asnjëherë nuk kam hasur ( thënia ime të merret me rezerva!) që një poemë të shkruhet me distikë. NJë  Mjeshtër kaq punëtor vjen si një risi e bukur në letërsinë tonë. Poeti tek shtron pyetjen që a mund  të bëhet drejtësi në Shqipëri, nuk e lë pyetjen pa përgjigje. Përkundrazi. Ai apelon për drejtësi të pavarur nga pushteti dhe, për të treguar, se dhe në këtë drejtim ka  patur juristë të tillë që dinë ta mbrojnë të drejtën me dinjitet. Shakarazi përmenden ata "gjykatësit " e kohës  së Zogut që dhanë dorëheqjen,kur "mbreti" tentoi që të vinte nën tutelë drejtësinë. Dorëheqja e Juristit të shuquar Manol Konomi në kohën e diktaturës është domethënëse. Por bukuria e gjithë poemës qëndron edhe në faktin tjetër, shumë sinjifikativ: aty, në poemë, krahas poetit, desh dhe me një jurist. Juristi, nga më të shquarit në vendin tonë,Profesor,doktor Muharrem Kushe. Aty, përmjet distikëve made in Saadi, flitet katërcipërisht për të drejtën. Muharrem Kushe është ai juristi i guximshëm që gjykoi "Zonjën  e hekurt", Nexhmie Hoxha. Silleni për një çast atë gjyq dhe do krijoni një bindje për këtë jurist sypatrëmbur. Muharrem Kushe është ai soj gjyqtari që i duhet Shqipërisë. Ai gjyqtar që,sado në majën  e  tribunalit gjyqësor, dha dorëheqjen e parevokueshme,se kur pa "mbretin lakuriq", bërtiti si djali naiv i  Andersenit. Unë si lexues mund të them vetëm kaq: po të kishim juristë të till që  para ligjit të gjithë qytetarët janë të barabartë,atëherë edhe " Lulet e zeza" të Irfan Bregut do bëheshin të bardha. Duk lakuar Juristin Muharrem Kushe, nuk është se po bëj  njëanësi. Ju shikoni seç ndodh me gjyqet maraton për çështje aq të mprehta,sa jo vetëm të revoltojnë, por dhe të stresojnë. Natyrisht, Muharrem Kushe  nuk është i vetëm. Por nuk ke se  mos mbldedhësh buzët nga gjyqtarë që, për të njëjtën çështje, dje "kur qenë të djathtët" gjykuan në favor të njeriut afër pushtetit, dhe sot "kur janë të majtët", pa  pikën e turpit,marrin anën e e atij që dënuan dje.  Kështu nuk ka si fle gjumë Poeti Irfan Bregu dhe këtë "pagjumësi" na i indukton neve, lexuesëve. Është një "pagjumësi" që na nxjerr gjumin dhe na bën mirë

Poetët ndaj paraprijnë. Këtë ka bërë dhe Irfan Bregu që sjell ka mesazhe të bardha.



(Vota: 2 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora