E premte, 29.03.2024, 05:39 AM (GMT)

Kulturë

Përparim Hysi: Dy skica që u bënë aktuale

E premte, 15.11.2013, 06:05 PM


Dy skica që u bënë aktuale

Nga Përparim Hysi

Hamzoja qe sa i ndershëm, aq dhe i qashtër: si një fëmijë. Mund edhe ta gënjeje sy për sy dhe ai mund ta besonte. Të përfitoje nga  kjo pastërti karakteri, pa dyshim që bëje mëkat. Mirëpo kjo  jallane, thonë, ka më shumë djaj se sa ëngjëj. Hamzoja, nga që qe i ndershëm ( nga më të ndershmit në fshat ), qe ngarkuar me detyrën e furnizimit me bukë të fshatit. Fshati qe bërë kooperativë dhe Hamzoja   me një mushkë ngarkonte në furrë dhe e shpinte bukën në dyqanin e fshatit. Mbasi shitej buka, Hamzoja, zbriste drejt e në bankën e qytetit që të derdhte paratë. Nuk kishte fshati më të besuar si ai. E bënte këtë punë  dhe kurrë nuk lëvizet llogaria. Mirëpo një ditë i  ndodhi diçka që nuk e kish hasur kurrë.  Bankieri i qytetit qe një "djall". E njihte mirë  xha Hamzon si të ndershëm dhe të qashtër dhe, nga që qe i shquar për shpoti deri të rënda, tek i  merrte lekët në dorëzim, i thotë: - Xha Hamzo! Ky dy lekëshi ( qe metalik aso kohe) është me vrimë (duket kish lozur ndonjë fëmijë?!) dhe nuk shkon.

Xha Hamzoja u zu ngusht. - Po mua dyqanxheshka ma dha,- u mbrojt Xha  Hamzoja.

-Ta dha, kush ta dha,- vazhdoi shpotitësi,- unë këtë nuk ta pranoj.

-Po si i bëhet hallit?

- Shko tek kuinxhiu dhe ngjite!

Dhe Xha  Hamzoja i ndershëm u drejtua tek kuinxhiu.  Me dy lekshin metalik me vrimë në dorë u drejtua tek kuinxhiu.

-Pa ma ngjit këtë dot?

Kuinxhiu, sado që u çudit me këtë kërkesë, e  mori dhe e pikoi me kallaj dy lekëshin.

-Sa bën haka?- pyeti  Xha   Hamzoja

- Pesë lek.

Dhe xha Hamzoja i ndershëm pagoi pesë lekë. E çoi tek bankieri dylekëshin e "ndrequr" dhe u kthye në fshat. Sa mbrriti atje, i kërkoi shitses pesë lekët që kish paguar për dy lekë. Fjala mori dhenë. Sado që kjo ngjarje ka kohë që ka ndodhur, ja tek doli si kryefjalë e javës që kaloi për  votat.

Në u shitën apo  u blenë votat, kjo është punë që e zbardh drejtësia që, në vend të hetonte flakë për flakë, po ecën me hapat e breshkës. Që shiten e blihen votat në Shqipëri, këtë e dinë të gjithë. Turp të kenë ata që blejnë "shpirtra njerëzish" vetëm e vetëm për të qëndruar mbi karriket e pushtetit:qendror apo lokal. Ajo që ia bjerrë pak faqen këtij "pazari" është fakti tjetër: u blenë me dy lekë dhe për të ardhur e protestuar nga Korça në Tiranë u paguan me pesë lekë. Shpoti të ngjajshme, por larg, shumë larg asaj qashtërisë së   Xha   Hamzos  aq të mirë.

*     *     *

S'ka shqiptar kudo që të jetoj që ta flejë gjumin rehat në këto ditë. Shqipërisë po i rri mbi kokë një "gogol" me tentakula vdekjeje. Nuk ka shqiptar që të mos jetë i trëmbur nga ky lloj"gogoli" dhe, natyrshëm, edhe unë jam njëri nga  ata. Por si plak që jam, prej natyre jam pak llafazan. Kur bëj të jap një përgjgigje për një pyetje të drejtpërdrejtë, zë dhe i bie anës e pas anës, për të thënë po  apo jo. Se, si zevzek, nuk më ngjit që të flas shkurt. Më duket vetja si matuf dhe kam harruar të flas. Kështu po veproj edhe këtë herë duke ju lutur lexuesëve që të ma falin huqin e keq. Zanati i mëuesit më ka bërë pak "huqli": nga shëmbujt tek  rregulla.

E, pra,  në Fier  ( andej dhe jam) ka rrojtur një burrë i ndershëm ( nuk them se qe vetëm ky,de,se ka plot të ndershem dhe të ligjtë, sipas meje numrohem me gishta!), që është quajtur Mehdi Mollasi. Kam dashur të shkruaj prej kohësh për këtë burrë të ndershëm, por ja tek më doli "gjahu në shteg". Ky, Mehdi Mollasi, ka qenë skraparli. Por më drejt: fieraku nga Skrapari. Pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Fier. Luftoi me armë në dorë kundër armikut dhe, pas çlirimit, për gati  njëzet vjet, ka qenë drejtor i ndërmarrjes pyjore në Fier. Sa qe Mehdiu në  krye të kësaj ndrrëmarrje, pyjet panë lulëzimin dhe gjelëbrimin më të plotë. Në  një farë mënyre, po të vlerësohej me punën me përkushtim të tij, duhet t'ia hiqje mbiemrin Mollasi ( Mollasi është fshati  i tij në Skrapar) dhe t'ia vije Mehdi Pylli. U kujdes,sa qe në  krye të detyrës, që mushkëritë e rrethit të Fierit të mbusheshin me sa më shumë ozon. Them "sa qe",se një ditë prej ditësh, këtë burrë të ndershëm dhe kaq punëtor, bash për shkaqe banale e subjektive, e akuzuan për agjent dhe armik dhe e dënuan me 7 vjet burg. Ndoshta do t'i kthehem një herë tjetër këtyre "shkaqeve të  shpifura e të poshtra", por jo më kot nuk e solla dhe e lakova emrin e këtij njeriu të ndershëm. Ky është dhe "gjahu në shteg", të cilin unë po e "vras". Mehdi Mollasi jo vetëm se qe  njeri shumë i ndershëm, por qe dhe njeri hokatar i madh. Për ndershmrinë e tij, gati  proverbiale mund të flas një Fier i tërë. Kishte tetë fëmijë, njërin më të mirë se tjetrin, dhe banonte në një shtëpi përdhese, të ngushtë,gati dy metra dhe  paksa më të gjatë. Qe një drejtor që, edhe drutë e dimrit, i blinte me latë si gjithë të tjerët. Por le të ecim pak më tutje. Shtëpinë e kishte mu atje ku është stacioni i autobuzëve për linjën Fier-Patoz. Mu para shtëpisë së tij, njerëz mizëri. Por të gjallët, kanë dhe nevoja. Dhe bëj e çbëj derdheshin nga WC-ja përdhese  e të mirit Mehdi. Natyrisht, ky njeri i mirë, dinte dhe ta mbyllte atë portën tek muri rrethues, por, përkundrazi, natë e ditë, porta rrinte haptë. Më keq e kishte ajo: WC-ja.

Dhe tha një ditë, ky njeri i mirë:- Vinë e bëjnë pazar në Fier dhe "shkarkohen" tek haleja ime!!! Për të qeshur domosdo. Atë fjalën në thonjëza e tha shqiptarçe, por unë e zbuta paksa. Në Myzeqe, nga jam, thonë:- T'i vëmë kokë muhabetit. E,pra, ç'duan armët kimike të Sirisë në Shqipëri? Atje ku u mbarsën,atje dhe të pjellin. Larg-larg nga Shqipëria! Miqtë i duam,por jo miq që të na mbysin. Në mos sot, ngadalë-ngadalë me breza. Miqtë e vërtetë e ndihmojnë një mik të vogël e të varfër dhe kurrë nuk ia  vënë lakun në fyt, vetëm pse e kanë ndihmuar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora