E marte, 08.10.2024, 06:16 AM (GMT+1)

Kulturë

Cikël poetik nga Neki Lulaj

E marte, 12.11.2013, 08:40 PM


NEKI LULAJ

 

AROMË BJESHKE

 

Sot jam vetëm një hap pranë gurit që si gjysh hesht

Lexoj zëra  apostujsh të kombit që duan qetësi

Bie llohë këtë mëngjes vjeshte me diellin pas resh

E cep më cep të trupit vesa po më jepka gjallëri

 

I hazdisur si kalë livadhi e kam marr vrapin

Napa  zbret hijshëm nga shpati mbi çati

Me duhet të pushoj në albërishten  mes flladit

Me aromë bjeshke në trupin e gjoksin tim

 

Kjo llohë bore e përzier me baltë dhe me shi

Më ka xurxullosur gjer në lëkurën e trupit

Në shëpinë e gjyshit tim arbër me plis

Dua të  shtrihem në qilim mbi dhogatë pa fijen e turpit

 

Prek si një vajzë e bukur vesën brilantore  që rri mbi gur

Mbi shtratin e pranverës nanuriset  gjethja  e degës

Mbrenda saj si mjeshtër prek gurët në një mur

E në libra kërkoj kodin e një testament të vjetër

 

 

NËNËS

 

Mos ec kërrusur se nuk je duke shkuar në greminë

Je buqtë xhenxhafile orkide  dhe  dhuratë hyjnore

Je diell i dytë që shndërit me kaq rreze me shkëlqim

Je oshmak që e mban tërë vendin në të gjithë trojet

 

Fjala jote shëron plagë e rrafshon male

Dora jote është si urë që dhe oqeanet  i lidh me zemër

Unë përulem si foshnja  pranë teje dhe falem

Ti je ninëza e syrit që engjëllin na e sjell mes njerëzve

 

Je oshmak i pragut dhe i  çatisë

Je e bekuara  që bekon udhën e fëmijës

Je orakulli  i pagabuar i gjithë njerëzisë

Je dhuratë më e bukur e perëndisë

 

Je ojnikë e lehtë  dhe nimfë bukurore deti

Je agshol i çdo mëngjesi  që shkon e sërsh vjen

Je urim që e rrit foshnjën me këngë tek  djepi

Je lektisje dashurie që zbukuron  për jetë

 

 

LEARTI  I GJYSHIT

 

Ai është Abetarja ime Meshari  fjalëbekuar

Që me gishtërinjtë e vegjël në derë më troket

Një këpucë e lë jashtë pragut të portës së mjaltuar

E tjetrën  nga këmba harron  për ta heqë

 

I tëri i bërë xurxull agullimën e syve ma heq

Kujtimeve të mija ua largon hapin e mërzisë

Me duket vetja se jam në gjysmën e rrugës  që prek

Gardhin  do e thur me vargjet e bukura  të poezisë

 

Bredhëroj në brinjët e maleve e yjet i hedh  mbi det

Kur më hidhët  mbi gjoksin e gjyshit si të ishte shigjetë

Jam lektisur për ballin tërë dritë, o nip, qofsh me jetë

Engjëlli i gjyshit Leart që fletët  e bardha nga dora m’i heq

 

Unë përjetoj çaste hyjnore se si shkrin bora te bjeshka

Tërë Saharanë e  bën gjelbërim dhe uji i kthjellët rrjedh

Mua ma sjell Hënën  në prehër e Diellin ma vë te streha

Kur  me fjalët e bukura shqipe gjyshit i flet

 

 

LOT SHPIRTI

 

Dallgë, fërfëllazë  dhe dritëhije paska shpirti në rreshta

Si  çurg shiu i  lotit të mërgimtarit për Pejën e lashtë

Vërshon orteku me gurë, ranë,  lëng bore nga bjeshka

E s’është shi prillan,  por është  malli për fusha e vreshta.

 

Si përrua pranvere rrjedh ky lëngim i vrerosur

Mes duarve të çara e zemrës shoh zgërbonja përmallimi

Pse kështu u larguam larg tokës , larg vatrës të vrerrosur

Sa të kemi zili dhe dheun ku kanë për të më groposur?

 

S’jam i zemëruar për besë e nuk e thërras në murranë

Por jam i dashuruar me trungun që ia putha lëmyshkun e parë

Më zë çurgu i mallit netëve të pagjuma me yje të rrallë

E shetis me veten time rrugëve e oborrit e bjeshkës së artë

 

Askush s’më dëgjon kur tek porta thërras

Kulla hesht oxhaku s’ka zjarr është thinjur  guri

Në oborr lulja është vyshkur e dhimbshëm  është tharë

Në arë ka nisur të ndryshket dhe plugu

 

 

Këtu larg Atdheut

 

Këtu të këta horra nuk gjen qetësi e ngrohtësi

Ndoshta na mallkoi Atdheu i shtrenjtë ty dhe mua

Kemi mbetur si fusha si livadhi  me borë të ngrirë

Nuk  e shoh asnjë shteg  drejt bregut  që pata ëndërruar

 

E këta si këta

Buzëqeshjën e kanë të ”ngrohtë “ si nata në Groenlandë

Mua kurrësesi nuk me qetësohet kjo zemër që veç vuan

Larg nga ju vuaj për një fjalë për një emër që më dhemb

Larg nga trojet që më rritën e më dhanë fjalën e bekuar

 

Eh, o njerëz,  këtu nuk ka fjalë të ngrohtë a ngushullim

I “ngrohtë” si akulli është dheu në mërgim

E trishtë,  e “bukur” Europë,  pse ti thua ka emër

Këtu kurrë nuk u ngroh nga ky diell kjo zemër

 

Këtu është e kotë nuk gjen ngushllim

Jeta ikën shpejt si vesa mbi gur tretet në mërgim

 

Si dallgë deti zemra këtu më lëkundet lehtë lehtë

I ndrydhur shtrydh aortën vetes e them nëse është e mundur

A e lexojnë të gjithë në këtë botë në  këtë jetë

I huaj erdhe para një shekulli dhe i huaj do të mbetesh përherë

 

AGSHOL MËNGJESI

(Kushtuar Bekim Fehmiut)

 

Hinorët e Uliksit në urnë  u përplasën mes dallgës dhe tymit

Në rrugëtimin e gjatë  për në gjirin  e tokës pa varr

Lumëbardhi  mori ngjyrën e hirit e të kujtimit

Testamenti i Samurait të plotësohet sa më parë

 

Orkidet çelin  në gurët e lëmuar të Lumbardhit

Uji lëpin shputat e blerta etjen ia shuan Kasabasë

Dëshmitarët e 1878 nanurisin me vete si cicëronët e mallit

Në Oborrin e Lidhjës  Apostujt e kombit roje i bëjnë Kalasë

 

Zgalët mes  rrasave të gurëve të lashtë  Katallani

E Uliksi Penelopës ia thur një gardh poetik hyjnor

Me metafora futet në thellësinë e tokës si për së gjalli

Hinorët ecën nepër skerkat me stinorët pa u kthyer në kohë

 

Skërmitet pas diçkaje lerante,  zall a përrua që çurgon

Ajzam hinori në rrjedhën e pashterur  me ujët e bekuar

Samuraj ecë pas gjurmëve e kërkon e vetëm kërko

Zullapët gropuan Fishtën e Dedë Gjo Lulin trupin plaguar

 

Uliksi kërkon gjumët për ta verbuar Katallanin

Natës ia patën robëruar diellin, hënën e rrjedhën e mbetur

Nopranët zardafët të gjymtuarët e kodoshët

Xhuraja e Uliksit kërkon me ngulm patriotët  që kanë mbetur



(Vota: 18 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora