Kulturë » Sidheri
Elvi Sidheri: Armë kimike!
E diele, 10.11.2013, 01:00 PM
Armë
kimike!
Nga Elvi Sidheri
Nuk jam
fare dakort me një frymë dhe konotacion të paktën mendim-ndryshës (se s’dua të
mendoj anti-amerikan), që po merr reagimi ndaj hipotezës së armëve kimike
siriane që mendohet të sillen në Shqipëri.
Kur
mendoj për Amerikën dhe sidomos për politikën e saj të jashtme, unë kam
parasysh së pari dhe mbi të gjitha, faktin e pamohueshëm, se që sot kemi një
shtet shqiptar të pavarur, kjo gjë i dedikohet mbi të gjitha vizionit dhe
vendosmërisë amerikane, aq sa edhe armëve dhe gjakut e intelektualëve tanë
rilindas, si dhe sforcove të mundimshme dhe akoma të pa-mirënjohura si dhe sa
duhet austriake dhe linjës politike italiane të asaj periudhe (1912-ës).
Presidenti
Wilson të cilit më në fund u ra mendja t’i ngrenë një monument në Tiranë, James
Baker, Bill dhe më shumë se ai, zonja e nderuar dhe do shtoja edhe... pse jo, me
merita për t’u shenjtëruar sipas suazave dhe vlerësimit “shqiptarisht” për
shkak të pro-shqiptarizmit të saj të theksuar... Hillary Clinton (sa edhe
Cheryl Blair, gratë që vunë burrat e tyre të fuqishëm, në lëvizje për çështjen
tonë kombëtare), George W Bush e Joe Biden e shumë burra e gra shteti amerikanë,
kanë qenë mbrojtësit tanë më të mëdhenj dhe po aq, mund të cilësoheshin edhe si
kumbarët e lirisë së shqiptarëve anembanë trojeve të tyre etnike.
Kundër
Amerikës lehëm (lehu partia dhe ithtarët e saj të thekur dhe pjekur e përvëluar
me anti-amerikanizëm filo-sllav me origjinë në Beograd dhe Moskë, ata që sot na
tregojnë duke shkarravitur një statujë, se Zogu na paska qenë agjent i serbit, kur
PKSH-në na e krijuan me urdhëra Titistë, shokët delegatë Mugosha, Popoviç dhe
Tempo)... për 45 vjet, por Amerika nuk u zemërua dhe s’na e mori parasysh, duke
mos e përfshirë popullin e ish RPSSH-së socialiste dhe masat apo turmat e
gënjyera nga fjalori urrejtës monist, në lajthitjen e krerëve të partisë-shtet.
Jemi
anëtarë të NATO-s, falë dëshirës sonë gjithë-nacionale për të bërë pjesë në
këtë organizatë përgjegjëse për sigurinë Europiane dhe globale, por mbi të
gjitha, këtë fakt madhor, e kemi përfituar dhe po e shijojmë edhe me
normalitetin e rigjetur (zgjedhje të qeta, mungesa kryengritjesh apo revoltash
tipike shqiptare, institucione shtetërore që mbajnë dhe nuk shkërmoqen etj)... falë
dashamirësisë dhe vëmendjes së përkushtuar ndaj nesh, si dhe përkujdesjes
amerikane.
Është
shumë të kesh në krah Amerikën dhe këtë do të bënim mirë t’a dinim dhe të qemë
të ndërgjegjshëm për një fakt me kaq peshë për ekzistencën e një populli
numërvogël si ky i joni.
Ka shkaqe
dhe arsye nga më të ndryshmet dhe të thellat, që ne na lidhin me amerikanët dhe
që bëjnë që SHBA të na jetë në krah prej kaq kohësh.
Por, ç’lidhje
kanë armët kimike të Sirisë me ne?
Ç’lidhje
kemi ne vetë me atë konflikt ndërkohë?
Nuk jemi
fare në kufi me Sirinë (sadoqë qindra mos më tepër emigrantë sirianë po i
kalojnë përditë kufinjtë tanë jugorë, në kërkim të arritjes në Europën e pasur
dhe të sigurtë)... dhe konflikti nuk ka punë fare me ne.
Megjithë
objeksionet e mia personale, për atë që përbën figura dhe regjimi brutal i
Asadit (edhe i ati, nja tridhjetë vjet më parë, kishte shtypur një revoltë të
ngjashme, po s’u çua kush atëherë t’a kritikonte se ishin kohë Lufte të Ftohtë,
e cila mund të bëhej “E nxehtë” në rast të ndonjë tejkalimi të vijave të kuqe
që delimitonin zonat e influencës të amerikanëve dhe sovjetikëve)... sido që të
jetë, shikoj qartazi që përballë ushtarëve të tij të dhunshëm, gjenden
ekstremistë fondamentalistë të çdo lloji, të cilët vrasin dhe masakrojnë njerëz
njëlloj ose më keq se asadistët dhe që kanë hyrë në konflikt me alavitët e
presidentit, sunitët liberalë, kristianët që s’i mbon askush (10% e popullsisë
siriane) dhe me kurdët.
Një lëmsh
ku ec e merre vesh se çfarë bëhet?
Por, po
të qe se SHBA do të futej me këmbësori në atë konflikt, neve si aleatë të tyre
edhe po të mos ishte fakti se jemi partnerë edhe në NATO, sërish do të
nevojitej t’u shkonim prapa, siç bëmë edhe dhjetë vjet më parë në Irak, në një
luftë të paraprirë nga shumë kontradikta dhe kundërshti, në të cilën çuam
batalionin tonë, duke qenë një nga shtetet e pakta që e pranuan një rol të
tillë dhe duke u kritikuar për këtë veprim edhe haptazi, për shembull nga
zyrtarët francezë (Shiraku ishte bashkë me ish kancelarin Shroder, prijës në
refuzimin e asaj ndërhyrje që rrëzoi Huseinin nga pushteti).
Këtë e
shoh unë si qëndrim prej aleati strategjik (se vetëm SHBA mund të quajmë
kështu)!
Tani
ç’lidhje kanë armët kimike të Asadit me ne?
Armë që
ia kanë shpënë diktatorit dhe të atit më parë, sovjetikët, rusët, gjermanët e
ku e di unë kush tjetër.
T’i
marrin ata vetë mbrapsh po ua deshi e pasmja!
Pse nuk
ka në Rusinë e stërmadhe stepa e tajga apo poligone të abandonuara ushtarake sa
të duash?
Neve
S’na
dalin plehërat tona që i kemi jo me shumicë, por aq shumë sa mund të qelbim
tërë Mesdheun po i flakëm në det?!
Lëre që
po flitej se vendi ku do i stivosin e prishin apo eliminojnë, do i binka diku
nga Elbasani.
Zgjedhje
më e goditur nuk ishte dëgjuar prej kohësh.
Kështu
resë së zakonshme të Metalurgjikut të shokëve kinezë, që e ka ndotur atë truall
deri në thellësi kilometrike nëntokësore, viçave me 3 kokë, pulave me 5 këmbë
dhe gjelave elbasanas që jo rrallë bëjnë edhe me të vërtetë “vezë”, ndotjes që
prej kaq vitesh shkakton për turp të Zotit edhe kompania hekurpunuese e
vëllezërve të dashur turq, i fusim edhe një të shtuar të armëve kimike të
Sirisë dhe bëhet një koktej që me tërë mend do të mund të quhej me plot gojën
si “SHPËRTHYES”!
E ku ka
më shpërthyes se kaq?
Ka po, andej
nga Ukraina e sotme, kemi një vend që quhet Çernobil dhe tashmë e njeh gjithë
bota si kryeqytetin botëror të horrorit të shkaktuar nga çmenduria njerëzore!
S’të ka
mbetur emision turistik që merr të flasi për Ukrainën, që pasi bën një xhiro në
Kiev apo në Lvivn e bukur, kalon nga minierat e Donetskut dhe në bregdetin e
njohur të gadishullit të Krimesë, pasi tregon normalisht se në atë vend ka
disnivel në raportin numerik femër-mashkull (prandaj amerikanë e kanadezë të
uritur, venë aty për të gjetur nuse të lehtë)... si qershiza mbi tortë, kurioziteti
i publikut, shuhet me një vizitë në Çernobil, ku domosdo që merren me vete edhe
ato aparatet që shfaqin nivelet e padëgjuara të radioaktivitetit nëpër rrugët e
shkreta dhe pallatet e mbetura pa njeri që prej atij incidenti fatal për tërë
planetin tonë.
Por e
vërteta është, që ka një lloj të veçantë turistësh, nga ata të guximshmit dhe
të pafrikësuarit nga rreziqet, që nuk pyesin fare dhe e marrin gjithmonë vrapin
për vende të tilla!
Sa mirë
se kështu e rregullojmë punën edhe ne në të ardhmen “post import i armëve
kimike siriane”!
“Pshtume”-thonë
në Shkodër në të tilla raste!
Ohoho ça
qejfi, në këtë mënyrë dëmeve të pashmangshme ambientale, rrënimit të tokës dhe
nëntokës tonë, ujërave mbi dhe nëntokësorë, mbjelljeve dhe bimësisë tonë, imazhit
të vendit (vend tërë plehëra të vetat që s’dinë as t’i hedhin si gjithë bota në
kazan, por i lëshojnë ku dhe si të munden... ku tashmë janë që janë, marrin
përsipër të importojnë edhe armët e rrezikshme dhe ultra-cënuese ndaj ambientit,
natyrës dhe shëndetit njerëzor, të Sirisë)... i shtojmë edhe këtë njollë të
pashlyeshme.
Sepse
përveç dëmit që do i bëjmë truallit dhe vetes tonë si popull, tanimë edhe
imazhi jonë turistik që s’është se shkëlqen sidoqoftë nëpër botë, ku o nuk na
njohin fare si destinacion i denjë për turizëm, ose na lidhin përherë me pamje
bunkerësh, ose me beton dhe plehëra... edhe turistikisht pra, do vulosemi si
vend me rrezik potencial për shëndetin e atyre “trimave” që do të guxojnë të
venë këmbë në një territor ku stivosen dhe asgjësohen armët kimike (një arsenal
i tërë që i fuste dridhmat gjithë fqinjëve të Sirisë, duke përfshirë edhe
Izraelin që posedon një ushtri nga më të përgatiturat në botë).
Publicitet
i pashoq!
Agjencia
jonë kombëtare e turizmit mund t’a pushojë më mirë ekzistencën, sepse kot që të
lodhen me promovime të ngratët, se me këdo të përpiqen të bisedojnë me qëllim
që t’i ftojnë për të bërë ndonjë ditë turizëm në brigjet tona apo qytetet e
lashta shqiptare, bjeshkë apo lugina lumenjsh malorë, në fund tek tema e Armëve
Kimike do bjerë fjala.
Aq shumë
sa edhe bunkerët do na duken si gjë e bukur përballë tyre!
Ekspertët
e fushës, mund të flasin dhe kuvendojnë edhe për pikëpamje të tjera, që do mund
të lidhen me dëmtimin e bujqësisë sonë dhe produkteve tona që varet a do shiten
më jashtë vendit, duke ekzistuar gjithmonë prapamendimi se do jenë mbjellë dhe
rritur në një tokë ku ndokund janë përpunuar edhe armë kimike.
Atëherë
çfarë na mbetet?
Të ngremë
zërin?
Në
Shqipëri zëri ngrihet shumëkund.
Gati
përherë pa ndonjë arsye të fortë.
Bërtasim
në ndeshje futbolli, shajmë arbitrat me libër shtëpie, ka që i bërtasin gruas, fqinjit,
të panjohurve në trafik kur rruga është bllokuar, deputetët njëri-tjetrit në
parlamentin tonë “fjalosës”, bërtasim, çirremi e ulurasim nëpër mitingje
partiake, ka që klithin edhe nga kënaqësia në shtrat apo që gërthasin për festë,
por që të ndodhi që shqiptari të bërtasi për një arsye të mirëfilltë, aq më
tepër me rrënjë kaq të shëndosha si kjo e kundërshtimit të armëve kimike
siriane në vendin tonë, kjo mbetet pikëpyetje jetësore!
Atëherë
them se na mbetet që tani e tutje, po u bë kjo që po thonë, të drejtohemi nga
një lloj i veçantë turizmi.
Bëhet
fjalë për atë tip turizmi njerëzish të guximshëm, siç i thonë në anglisht me
“Balls of steel”, ata që venë kudo ku fryn erë sfide dhe rreziku.
Që
gjuajnë kratere ende të pashuar vullkanesh nëpër ishujt e Indonezisë, që
ngjisin pa litarë apo rripa sigurimi grataçelat (qiellgërvishtësit)
dhjetërakatësh, që arrijnë majën e Everestit po aq lehtë sa edhe të pijnë një
gotë qumështi, që zhyten thellë në detërat e ngrirë, që hidhen me parashutë nga
lartësi të pafundme duke e hapur parashutën vetëm kur toka shquhet qartë në
sytë e tyre.
Këta që
“horror turizmin” e kërkojnë tek kafkat e stivosura makabrisht nga epoka
gjakatare e Pol Potit në Kamboxhia, që vizitojnë kampet naziste të shfarosjes
jo se u vjen keq për hebrenjtë e gazuar aty në masë nga nazistët, por sepse
gjuajnë përherë vetëm “emocionin” e të keqes.
Këta
vizitojnë Çernobilin për të parë nga afër shkatërrimin apokaliptik e jo për të
ndjerë dhimbjen e pamatë që aty pikon çurg si gjaku i banorëve të asaj zone, që
provuan mënxyrën.
Këta të
vijnë tek ne pas “armëve kimike”, do gjejnë brumë për dhëmbët e tyre!