E hene, 07.10.2024, 09:27 AM (GMT+1)

Kulturë » Berisha

Cikël poetik nga Sejdi Berisha

E marte, 12.11.2013, 08:39 PM


CIKËL POEZISH: KENI DURIM, LEXONI KËTO VARGJE

Sejdi BERISHA:

UNË DI TË THEM GJITHÇKA...!

-Kushtuar një familjeje e cila edhe ajo është Kosovë-

 

Unë di vetëm të them

Se unë shumë e dua familjen time

Dhuratë Zoti e dashurie

I kam fëmijët e mi

Unë di vetëm të them

Por nuk dua të them

Se nuk kam kulm mbi kokë

Se fëmijët e mi nuk kanë qumësht

Çokollatë jo se jo

 

Unë di të them

Se gruaja ime

Shtatzëninë e ruan

Si dhuratën e re

Frytin tonë e ushqen me shpresë

Se ai kështu i fortë do bëhet

Plotë gëzim e çiltërsi

 

Unë di të them

Se familja ime

Nuk ka miell në magje

As për një rreshke piteje

Erën e saj sa për ta shpërndarë

Nëpër të çarat e mureve

 

Unë di për të thënë

Se e kam shpirtin e madh

Edhe shpresën

Që si unë kush nuk mund ta ketë

Për këtë

Fëmijët e mi janë shëndosh si molla

Edhe pse me opinga të shqyera

Pa libra as fletore

E në vend të lapsit

Një krënde ndër gishta mbajnë

 

Unë di të them

Se edhe unë jam Kosovë

Unë di të them edhe shumëçka

Por dot nuk ma thotë mendja

As nuk ma qet goja

Sepse

Tokën time e lëndoj

Kombin tim e poshtëroj

 

Unë di të them...

Por dot nuk them asgjë

Sepse jam i lumtur me familjen time

Me tjegullat e thyera mbi çati

Me baltën në derë të shtëpisë

Me birën në mur

Ku gjarpri ka shtëpi

O, sa kënaqësi

Kur di të them gjithçka

E kurrë nuk them gjë

 

Unë di vetëm të këndoj

Ecim tutje fëmijët e mi

Të ngutemi

Se lumturia diku na pret...

 

ECIM TUTJE BABAI IM, PA DËSHPËRIM...

(Kujtim apo idil kohe në prag të pranverës)

 

1.

Dikur...

Kam pas thënë njëherë

Kaherë kësaj rruge kaluar nuk kam

Droja se gurët e sokakut

Kujtimin do ma çmendin

Dhe pastaj

Rrapëllima e qerres

Me rrotë të vjetra druri

Do ma kthejë zërin e babait

Edhe vuajtjet e sime nënë

Do ma kthejë kujtimin

Për janxhikun me bukë misri

Edhe me një spec turshi

E me pak djathë me erë

E pas këtyre

Pastaj vijnë të gjitha varg

Kujtime që çmendin edhe sokakun

 

2.

Kësaj radhe aty u ktheva

Dhe...

U ula në atë gurin

Pranë derës së oborrit

Që kishte përcjellë stuhitë e kohës

Që ishte bërë çuk

Sa njeriun e kishte ndalë

Babai nderë për t’iu bërë

Edhe nga një cigare duhan

Për ta mbështjellë me gishta të trashë

E përcjellë me llafe burrash

 

3.

Pranë derës

Ende qëndronte ky gur

Me ngjarje të shumta të heshtura

 

4.

U përmallova...

Gjatë e gjatë shikova

Derisa ulur në te

Ty të pashë babai im

Që edhe në këtë kohë

Me shikoje me përmallim

 

5.

U ula për të përqafuar

Por më iku shpejtë fytyra jote

Pastaj

U ula mbi gurin tek dera e sokakut

Gjithkah më shprushte zemra

Dukesha si babai im

Ama mu si ai

Me atë bukurinë

Me madhështinë e plisit të bardhë

Prej këtu

Nisa atë rrugëtimin

Derisa erdha në fillim

Qullë më ishte bërë xhaketa

Me djersën e babait

Edhe me kujtimin tim

Rrugë e vjetër... rrugë e re

 

6.

Por tash

Babai nuk është më

Shikimin për të ma pikatur

Për të ma shkokëluar

Mendjen e arsyen

Për motet e shkuara

Për kohën e tashme

Edhe për vaktin që vjen

 

7.

Për të gjitha këto

Edhe nipit do t’i them

Ulu ndonjëherë mbi këtë gur

Nëse koha nuk ndrydh

Se do ta kujtosh

Rrëfimin e moteve

Edhe madhështinë e stërgjyshit

Ndoshta edhe të Babushit tënd

 

8.

O, Zot

Edhe tash kohë guri

Tek njeriu i tokës sime

Në atdheun tim...

 

9.

Pranvera edhe sivjet po vjen

O babai im

Të shkojmë ta lëvrojmë arën tonë

Edhe pak aromë behari

Së bashku të shijojmë

Në mbrëmje do kthehemi

Në odë do bisedojmë

Për këngët kreshnike

Edhe për ahurin

Atje ku dallëndyshet ngrehnin fole

Atje ku plehu merrte pjekjen

Për ta pjelluar fushën

 

10.

Pastaj

O, babai im

Unë do flas për kohën

Që tash po kalon

Por

Mos u dëshpëro

As mos u befaso

Se të gjitha këto që do t’i them

Nuk janë befasi

Gënjeshtra as mahi

 

11.

Kështu është jeta sot

O, babai im

I lidhuri me zjarrin e tokës

Dhe me qëndresën e kombit

Por

Ecim tutje babai im

Pa dëshpërim...

 

(Pejë, e enjte, 07 mars 2013)



(Vota: 16 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora