Kulturë
Përparim Hysi: Mesazhet e bardha të një Poeti
E diele, 17.11.2013, 07:01 PM
Mesazhet e bardha të një Poeti
Poema " Lulet e zeza" të Irfan Bregut
(esse)
Nga Përparim Hysi
Nuk është
aspak e lehtë që të flasësh për një Poet
me staturë të bukur si Irfan Bregu.
Kjo ndodh
për shumë e shumë arsye. Së pari, ke të bësh me një Poet me zë të veçantë që,
kryesisht, shkruan poezi që kanë peshë të "rëndë". Në gjininë e
poezisë, ai lëvron, sidomos, poemat. Të më falë lexuesi, në përdor pak një gjuhë
militare. Irfan Bregu përdor "artileri të rëndë" në poezi.
E ka filluar me poema qysh nga viti 1959 dhe, sado që po rend drejt tetë dekadave, ende shkruan dhe është aq vital, sa nuk ke se si mos habitesh. Dhe kjo çudi arrin në apogjenë e vet, atëherë kur e sheh o ballë për ballë, o përkarshi. Në këto mbi pesëdhjetë vjet që shkruan, ai, si të thuash, është "ngopur" me të tëra. Kur them kështu, jo se po hiperbolizoj gjëkafshë. Përkundrazi. Jam unë në hall që mos i hyj në hak këtij DITURAKU të LETRAVE SHQIP dhe mos e përqas,sadopak,ashtu si është DITURAKU Irfan Bregu. Atributin "Diturak" nuk e ka nga unë, por e ka fituar me djersën e ballit.
* * *
Në këtë mbigjysëm
shekulli që shkruan, Irfan Bregu ka shkruar gati mbi 15 poema dhe, veç tyre (kjo
ia rrit dhe ia zbukuron ballin e bardhë), është autor tekstesh për shkollat 8(sot
9-vjeçare); autor antologjish; autor fjalorësh disavëllimësh ( social-kulturor-artistik),
ka botuar kritikë për vepra pedagogjike. Pra, i armatosur këmbë e kokë me dije.
Saj këtyre dijeve, ka fituar gradën e Doktorit të shkencave.
* *
*
Nuk ka gëzuar
shëndet të mirë, por, megjithaë, di dhe e sfidon sëmundjen. E vë poshtë me
shkrime. Nga kjo anë, është për t'i qarë hallin për dy arsye: së pari, duhet
t'u vidhet syve vigjelent të"gardianit" që ruan me xhelozi
proverbiale qoft dhe një shqetësim. I shkruaj me shumë konsideratë këto fjalë,
për zonjën e nderuar, Dirtën, bashkëshorten që nuk e lë Irfanin t'i afrohet
qoft dhe për një çast kompjuterit, këtij mjeti kaq modern dhe të domosdoshëm për
një njeri që shkruan.
Dhe ky "martir" dërrmohet dhe nuk fle rehat vetëm e vetëm se do që kjo botë të bëhet më e bukur. "Gardiani" ia ka shtuar jetën Poetit dhe, saj asaj, ai jeton atë "komoditet" aq të ngrohtë për të na dhënë vepra cilësore. Nga një anë, si "martir" të kujton atë "shterparin" e Naimit që nuk i qasej "stanit"( kopmpjuterit) dhe, duke e vazhduar analogjinë time dhe pak më tej, më duket se Irfani ka të drejtën morale që në një nga veprat (ai "vidhet e vidhet") që është duke shkruar, të shkruaj kështu: "Dritës, pa të cilën, kisha kohë që do kisha heshtur". Postullati nuk është imi. E ka shkruar Lui Aragoni për Elsa Triolen. Dhe ja tek vjen një kohë që anallogjitë bëhen të prekshme dhe aktuale.
* * *
Irfan
Bregu sapo e botoi poemën "Lulet e zeza". Që në titull, është pak
sinjifikativ. Kushdo do intrigohet dhe do thotë: - More, ç'janë këto "Lule
të zeza?". Unë e kam të lehtë ta them (këtë e thotë autori fare qartas!),
por le ta lëmë pak kërshërinë ngrehur.
Irfan
Bregu ka një shqetësim të madh qytetar. Ky shqetësim e bluan atë vazhdimisht,ashtu
siç bluan një molë trarin. Irfani Poet është i një "mizure" të veçantë:
është i obsesuar nga e drejta, liria dhe e vërteta. Tri këto kategori shoqërore
janë emëruesi i përbashkët i gjithë poemës. Poeti e di mirë se nuk ka as liri
dhe as demokraci, po u nëpërkëmbë e drejta. E vërteta. Ai bëhet promotor dhe,
si të thuash, ashtu si Krishti e ka vënë kryqin mbi kurriz. Aq i obsesuar është
pas këtyre tri komponenteve, sa "rob" i dijeve të tij skrupuloze, zë e
rëmon që nga lashtësia me demokracinë e kohës së Perikliut e deri në ditët tona.
Unë nuk e
kam atë "tagër" kaq të rëndë dijesh si të autorit ( për këtë autorit
i kërkoj ndjesë), po për ta përqasur sadopak për këdo që nuk e ka lexuar këtë poemë
me kaq vlerë, them se do jem në gjëndje.
Shtrohet
pyetja e drejtpërdrejtë: - A ka demokraci dhe
a është e drejta në atë shkallë që duhet në Shqipëri? Përgjigja është lehtë
ta marrësh vesh, por Poeti me vargjet e tij di
dhe ia jep lexuesit të gatshëm.
Në Shqipëri,
për fat të keq, tri kategoritë(liri,e drejtë,e vërtetë) nuk e kanë fituar atë atribut që duhet të kenë. Kjo ndodh,- thotë Poeti,-
se Shqipëria është si në mes Sillës dhe Karibdës. Se,siç thotë diku, kimineli i
nxjerr gjuhën drejtësisë. Se pushteti, ndodh që bashkëpunon me krimin. Se, po të
largohem pak nga konteksti i poemës, është ende aktuale ajo thënia e Hasan Zyko
Kamberit, kur "Kadiut, po t'i dëftesh paranë, ters e vërtit sherjanë".
Për t'i rënë shkurt: tri obsesionet e
Poetit Irfan Bregu janë ato"Lulet e zeza" që kanë mbirë në tokën
shqiptare. Por vetëm kaq. Jo. Aspak. A ka një dritë që një ditë, këto "lul
të zeza" të bëhen të bardha? Patjetër
që ka. Dhe Poeti në 12 këngët e kësaj poeme, për këto mesazhe të bardha dhe këndon.
Kjo "këngë" e Poetit është unike në llojin e saj. Kaq sa njoh unë letërsinë
shqiptare, asnjëherë nuk kam hasur ( thënia ime të merret me rezerva!) që një poemë
të shkruhet me distikë. NJë Mjeshtër kaq
punëtor vjen si një risi e bukur në letërsinë tonë. Poeti tek shtron pyetjen që
a mund të bëhet drejtësi në Shqipëri,
nuk e lë pyetjen pa përgjigje. Përkundrazi. Ai apelon për drejtësi të pavarur
nga pushteti dhe, për të treguar, se dhe në këtë drejtim ka patur juristë të tillë që dinë ta mbrojnë të drejtën
me dinjitet. Shakarazi përmenden ata "gjykatësit " e kohës së Zogut që dhanë dorëheqjen,kur "mbreti"
tentoi që të vinte nën tutelë drejtësinë. Dorëheqja e Juristit të shuquar Manol
Konomi në kohën e diktaturës është domethënëse. Por bukuria e gjithë poemës qëndron
edhe në faktin tjetër, shumë sinjifikativ: aty, në poemë, krahas poetit, desh
dhe me një jurist. Juristi, nga më të shquarit në vendin tonë,Profesor,doktor
Muharrem Kushe. Aty, përmjet distikëve made in Saadi, flitet katërcipërisht për
të drejtën. Muharrem Kushe është ai juristi i guximshëm që gjykoi "Zonjën e hekurt", Nexhmie Hoxha. Silleni për një
çast atë gjyq dhe do krijoni një bindje për këtë jurist sypatrëmbur. Muharrem
Kushe është ai soj gjyqtari që i duhet Shqipërisë. Ai gjyqtar që,sado në majën e
tribunalit gjyqësor, dha dorëheqjen e parevokueshme,se kur pa "mbretin
lakuriq", bërtiti si djali naiv i
Andersenit. Unë si lexues mund të them vetëm kaq: po të kishim juristë të
till që para ligjit të gjithë qytetarët
janë të barabartë,atëherë edhe " Lulet e zeza" të Irfan Bregut do bëheshin
të bardha. Duk lakuar Juristin Muharrem Kushe, nuk është se po bëj njëanësi. Ju shikoni seç ndodh me gjyqet
maraton për çështje aq të mprehta,sa jo vetëm të revoltojnë, por dhe të stresojnë.
Natyrisht, Muharrem Kushe nuk është i
vetëm. Por nuk ke se mos mbldedhësh buzët
nga gjyqtarë që, për të njëjtën çështje, dje "kur qenë të djathtët" gjykuan
në favor të njeriut afër pushtetit, dhe sot "kur janë të majtët",
pa pikën e turpit,marrin anën e e atij që
dënuan dje. Kështu nuk ka si fle gjumë Poeti
Irfan Bregu dhe këtë "pagjumësi" na i indukton neve, lexuesëve. Është
një "pagjumësi" që na nxjerr gjumin dhe na bën mirë
Poetët ndaj paraprijnë. Këtë ka bërë dhe Irfan Bregu që sjell ka mesazhe të bardha.