Mendime
Elida Buçpapaj: A po e djeg Berisha Bashën!
E merkure, 06.11.2013, 08:17 PM
A PO E DJEGIN SALI BERISHA DHE KLANET E PD-së LULZIM BASHËN!
NGA ELIDA
BUÇPAPAJ
Është normale
që në një parti të tipit Perëndimor, lideri i saj historik të projektojë pasardhësin,
fati i të cilit pastaj vendoset sipas parimeve e normave demokratike deri tek
verdikti i votës. Si mund të ishte rasti i Lulzim Bashës, të cilit Sali Berisha
pas një çerek shekulli timonier, t’i lëshonte vendin. Pas një mijë gabimesh, do
të ishte veprimi i parë i tij i drejtë. Por Sali Berisha nuk ka ndër mend të ndryshojë
kurs dhe po e përdor Lulzim Bashën si trampolin për t’u rikthyer dhe rimarrë frenat
e partisë. Sali Berisha e ka shumë lehtë ta bëjë lolo PD-në, kur të gjithë deputetët
ia dinë atij për nder karriken. Dhe për Sali Berishën është shansi i fundit.
Për t’u
rithyer në krye të PD-së, Sali Berishës i duhet ta djegë njeriun të cilin, pas
disfatës personale të 23 qershorit, e « zgjodhi » si pasues të tij. E vendosa në
thojza fjalën « zgjodhi »- sepse në psikën e tij Berisha nuk pranon të ketë një
lider më të mirë se vetja. Egocentrizmi, arrivizimi dhe komplekset e së shkuarës
nuk kanë lejuar që në PD të ketë vend për njerëz të suksesshëm dhe me
integritet, të cilëve Sali Berisha ua ka drojën. Mos hapja e Dosjeve, popullimi
i PD-së me ish-Sigurimsa dhe sistemi zgjedhor që i jep liderit të partisë monopolin
për të zgjedhur deputetët, është në funksion për të monopolizuar lidershipin e
PD-së, të përqëndrimit të pushtetit në duar të njëshit, dmth të Sali Berishës.
Disfata e
23 qershorit me dorëheqjen e Berishës, në vend që të ishte arsye për të reflektuar
e për të nxjerrë në pah shkaqet e humbjes, me qëllim gjallërimin e demokracisë inekzistente
brenda PD-së, ishte në fakt një fiksion për të larguar vëmendjen e opinionit
publik nga analiza dhe shkaktarët e saj. Sepse po të pranoheshin de jure humbësit
dhe shkaktarët e humbjes, largimi i Sali Berishës do të ishte definitiv. Andaj
katapultimi i Lulzim Bashës ishte zgjedhje më e mirë që bëri Berisha, por vetëm
si një procedurë e përkohëshme e lidershipit historik. Sepse mentaliteti
autoritarist i Sali Berishës nuk pranon as rivalë, as konkurencë fair dhe as të
lëshojë pushtetin.
Për të realizuar
skenarin e rikthimit, Sali Berishës i duhet që figura e Lulzim Bashës të konsumohet
shterrshëm në atë farë grade sa të shkaktojë pakënaqësi si në bazë, në instancat
e larta të partisë, mundësisht deri tek ndërkombëtarët. Për koincidencë, sot
gazetat e Tiranës, botonin inkskenime protestash të PD në rrethe që e kërkojnë prapë
liderin historik edhe de jure në krye.
Lulzim
Basha, në fakt, është një nga figurat e pakta në PD me plot shanse që t’ia
kthente emrin e mirë PD-së, të kohës së idealeve demokratike të 22 marsit 1992,
si një parti e qendrës së djathtë, me një elektorat të gjërë antidiktaturë.
Lulzim
Basha i takon gjeneratës së re, nuk ka qenë anëtar i PPSH, nuk ka qenë ish-Sigurims,
është i arsimuar në Perëndim, me një profil të suksesshëm, i përfshirë në të gjitha
projektet më të rëndësishme gjatë dy mandateve qeverisëse të PD-së. Ai ishte
ministër Transporti në projektin e Rrugës të Kombit; ishte ministër i Jashtëm
gjatë vizitës të Presidentit Bush në Shqipëri dhe anëtarësimit të Shqipërisë në
NATO; ishte Ministër i Brendshëm gjatë reformave që kërkonte liberalizimi i
vizave dhe kandidati i vetëm i PD-së që mundi Edi Ramën për kreun e Bashkisë të
Tiranës. Ai është karizmatik, elokuent dhe është i mirëpritur nga faktori ndërkombëtar.
Pra Sali Berisha kur e katapultoi, e kishte të qartë se me Lulzim Bashën efekti
mediatik do të ishte i plotë, pasi do të thoshin se, të paktën pas disfatës, ai
veproi si do të duhej.
Veprimi
aktoresk i Berishës për t’ia dorëzuar çelësat e PD Lulzim Bashës është vetëm një
manipulim. Sepse Sali Berisha synon rikthimin edhe de jure, dhe sa më të shpejtë.
Ai ka dy muaj që e ka provuar shijen e të qenit pa pushtet, pa puthadorë, pa
kamera 24 orë nonstop për të shqiptuar retorikën e tij pa proteina dhe pa jetë.
Ai e ka shijuar hidhësinë se sa i parëndësishëm është në një shoqëri
klienteliste pa norma dhe pa moral, të cilën e ka krijuar vetë.
Por që të
ketë rikthim, si kusht sine qua non, atij i duhet që të djegë Lulzim Bashën. Qëllimi
i tij bie në rezonancë të plotë me klanet brenda PD-së. Klanet në PD e urrejnë Lulzim
Bashën, sepse tek ai shohin konkurentin real, çka përbën rrezik për kolltukët
dhe pushtetin e tyre. Aq më tepër, kur Lulzim Basha, që i njeh shumë mirë se sa
të pavlerë janë, do ta kishte si objektiv të tij vendosjen e partisë në shina
demokratike.
Aktualisht
Lulzim Basha gjendet në një pozitë shumë të vështirë. Në njërën anë atij i
duhet të vendosë standarte demokratike në një parti që nuk e njeh demokracinë brënda
vetes së saj. Pastaj i duhet të mbrojë veten nga Sali Berisha dhe klanet brenda
PD-së, të cilët janë bërë të gjithë bashkë me objektivin për ta djegur Lulzim
Bashën.
Djegien e
liderit të ri ata po e bëjnë për çdo ditë, si mjeshtra diabolikë, duke
mediatizuar njollosjen e integritetin e tij.
Edhe në daljen
më të fundit, me rastin e humbjes të PD-së në Korçë, në vend që të përdoret për
reflektuar, duke i denoncuar natyrisht shkeljet, Lulzim Basha akuzon mafien për
blerje votash. Po lind pyetja, kjo mafie për të cilën ai flet nuk lindi për 60
ditë, ajo do të duhet të jetë fuqizuar pikërisht gjatë qeverisjes 8 vjeçare të PD-së.
Pastaj pretendimi që ka PD është vetëm për efekte propagande, sepse unë jam dëshmitare
se, sa herë në Shqipëri ka patur zgjedhje, kemi marrë ftesa për të udhëtuar
gratis me avion, si simpatizantë të PD! Këta të PS kanë financuar udhëtimin e
me autobuz të studentëve, ndërsa këta të PD-së udhëtimin me avion?! Bëjini
llogaritë!
Në këto
pozita ndodhet Lulzim Basha. Shumë të vështira.