Mendime
Leon Duhanaj: Zgjedhje demokratike, pa Mitrovicën
E hene, 04.11.2013, 08:04 PM
Zgjedhje
demokratike, pa Mitrovicën
Nga Leon
Duhanaj
Zgjedhjet e djeshme të tre nëntorit, si asnjëherë më parë
mund të cilësohen si të rregullta dhe demokratike, nëse analizën e bëjmë pa
veriun e vendit, i cili kishte probleme serioze dhe ku edhe njëherë u vu në
spikamë mungesa e pushtetit shtetëror.
Veriu – është për të ardhur keq se sa indiferent u treguan
subjektet politike në vend me ngjarjet që ndodhen atje. Reagimet të cilat vinin
nga partitë e mëdha në vend ishin aq të ftohta sa të jepnin përshtypjen se këto
ngjarje të shëmtuara që ndodhen në disa qendra në veri kishin ndodhur diku në
ndonjë kontinent të largët e jo në Kosovë. Vërtet është e pakuptueshme
indiferenca e aparatit shtetëror e treguar në raport me veriun e vendit. Kjo na
le një shije të hidhur dhe na jep të kuptojmë se Mitrovica dhe komunat veriore
ende do të vazhdojnë të jenë instrument i qeverise së Beogradit për
destabilizimin dhe shantazhimin e Kosovës dhe shtetësisë së saj .Mendoj që
paraqitja e liderëve vendas ishte dashtë me qene shumë ma energjike. Edhe
njëherë u vërejte gjendja e mjerueshme e popullatës ne veri të vendit e cila ka
qene dhe ende qëndron të jetë peng i strukturave kriminale atje.
Përsa i përket procesit zgjedhor në pjesën tjetër të
vendit, ishte në nivel, ku nuk u vërejte ndonjë problem që do të ndryshonte
mbarëvajtjen e procesit.
Përsa i përket arritshmerisë së subjekteve politike në
përgjithësi mbeten të njëjta. Edhe njëherë u vu në spikamë se votuesit edhe
nëse kanë ankesa të vazhdueshme gjatë gjithë legjislaturës, prapë bien nën
ndikimin e makinerisë së financuar nga subjektet e mëdha në vend. Përpos që
fushata ishte e qetë nuk u vërejt ndonjë program cilësor. Oferta për këto
zgjedhje ishte uniforme , nga të gjitha subjektet, me premtime tashme të
konsumuara vazhdimisht neper zgjedhjet lokale. Debatet e organizuara nëpër
media në vend me përjashtime të vogla ishin në masë të madhe një farsë, një
shou qesharak por assesi një mundësi e mirë për të shpalosur ndonjë projekt
politik.
PDK-edhe përkundër faktit që ka qenë partia me e kritikuar
dhe më shumë probleme, nëse përjashtojmë dy komunat Malishevën dhe Drenasin, ku
iu ndanë dy iniciativa, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme në Malishevë
duke i marrë pushtetin, ndërsa në Drenas duke i marre nga votat e përgjithshme
popullore, në përgjithësi kanë arritur që me një fushatë agresive ta reduktojnë
një rënie me të madhe, e cila, nuk do ishte edhe befasuese.
LDK-sipas të gjitha gjasave do të dal partia e parë në vend,
ky rezultat ishte i pritshëm, edhe përkundër faktit që LDK ende nuk ka arritur
ta përmbyll një proces i cili do të trajtohej si një reformë e plotë. Ende
vërehen disa Komuna ku ka ngecje serioze dhe ku kërkohen reforma rrënjësore,
duke inkuadrua gjak të ri në to. Në përgjithësi LDK mund të konsideroj këtë
trend si pozitiv dhe ta shfrytëzoj maksimalisht për të ardhmen. Assesi nuk
mjafton ky rezultat në mënyrë që të ndihen komod në ndonjë mënyrë. Ende ka një
proces i cili mund të ketë epilog të papritur për LDK-në duke përfshirë këtu
edhe Prishtinën . LDK ka ende nevojë për forca të reja, trendi pozitiv është
një shenjë nga elektorati i cili tregon çartë se ka simpati për këtë subjekt,
por që për ta përfituar të terin ende duhet punë dhe reforma.
AAK-pritja e cila ndoshta kanë pasur, për një ngritje të
ndjeshme në vend, nuk u realizua, madje edhe përkundër ngritjes në nivel të
përgjithshëm, vërehen rënie ne disa komuna ku ka rrezik serioz për ta humbur
pushtetin. AAK ënde nuk ka arritur ndonjë reformë të dukshme, edhe përkundër
zgjedhjeve të brendshme aty ënde dominojnë forca të ricikluara të cilat
autoritetin dhe fuçinë elektorale nëse e kanë pasur ndonjëherë , tashmë e kanë
të humbur, e në demokraci autoriteti matet ekskluzivisht me anë të votës së
qytetarëve.
Në AAK vërehet çartë mungesa e një kryesie qendrore, më
përjashtim të dy tri figurave duke përfshirë edhe liderin Haradinaj, të cilët
kanë qenë aktiv në zgjedhje dhe mund të thuhet që kane pasur ndonjë ndikim në
mbështetjen e lidërve lokal. Të tjerr nuk u vërejtën dhe nuk mund të thuhet se
kanë arritur që përmes ndonjë autoriteti qendror të ndikojnë ne ngritjen e
nivelit të mbështetjes ne nivelin lokal, kjo vërehet shumë çartë edhe në
rezultatin në Prishtinë ku edhe kësaj radhe u vërejt një paraqitje e plogësht
dhe e vetmuar e kandidatit Besnik Tahiri. Edhe në AAK vërehet nevoja e madhe
për njerëz të ri, të cilët do t’u bëheshin konkurrencë e pakalueshme figurave
të shumta të cilat tashme mund të cilësohen si të praruara në politiken
kosovare.
L. VV- euforia e zgjedhjeve të përgjithshme e cila u kishte
shërbyer pozitivisht, për dy arsye; njëra duke shfrytëzuar kartën nacionaliste
dhe tjetra duke shfrytëzuar varfërinë dhe pakënaqësinë e madhe në vend dhe duke
instrumentalizuar në masë të madhe rininë. Kësaj radhe VV u vërejt çartë se nuk
ka ndonjë vizion të çartë për vendin, karta nacionale të cilën e kishte
përdorur në zgjedhjet e përgjithshme tashme nuk i besohet, pasi që me përformancen
e tyre dhe me aksione e qëndrime të dyshimta nuk kanë arritur t’i bindin masat
e gjëra.
PF- Prishtina dhe Kosova pati një atraksion në këto
zgjedhje, ishte i vetmi subjekt me të cilin u morën edhe mediat e huaja. Edhe
përkundër faktit që gjatë gjithë kohës së fushatës u vërejt një përkrahje e
madhe për ta, kjo nuk u shndërrua edhe në vota, gjë që konstaton se elektorati
kosovar është konservator dhe vazhdon linjën tradicionale dhe ,nuk është ënde i
gatshëm të përkrah një iniciativë të këtij lloji.
PSHDK- dua me pak fjalë të trajtoj pak edhe faktorin
Demokristian në vend, pasi që ka një bagazh të pakontestueshëm në vend, por që
janë vetmet për të ardhur keq në ç’gjendje kanë ra. Udhëheqjet e
Demokristianëve duhet të tregojnë minimumit e moralit politik dhe njerëzor dhe
të japin dorëheqje të parevokueshme , duke iu mundësuar forcave të reja
konsolidimin, për ndryshe më mirë është të mos ekzistojnë fare.
Kosova duhet të shfrytëzoj këtë momentum pozitiv nga këto zgjedhje demokratike dhe t’i prezantoj si vlerë dhe si të arritur në mënyrë që sadopak të shërbejnë në përmirësimin e imazhit të vendit. Ndërsa institucionet të luftojnë me të gjitha mjetet demokratike që të përfitojnë nga situata e krijuar në veri në mënyrë që të minohet ndikimi i Beogradit në Kosovë. Deklaratat e zv. Kryeministrit serb në ditën e djeshme se do ta rregullonte gjendjen për 45 minuta janë një dëshmi e çartë se paraqitja e bandave në demolimin e qendrave zgjedhore ne veri nuk ka qenë befasi për Serbinë dhe se ata kanë nuk e kanë ndërmend të shkëputen nga shantazhimi i shtetësisë së Kosovës.