Mendime
Isuf Bajrami: Monopoli i veprimtarisë pluripartitiste
E hene, 04.11.2013, 08:00 PM
MONOPOLI I VEPRIMTARISË PLURIPARTITISTE NË POLITIKËN PARAZGJEDHORE
Nga Isuf
Bajrami
Në Kosovë
mund të flitet për pluripartitizëm, ndonëse kjo paraqet disa veçori që e
dallojnë nga dukuritë e ngjashme në vende të tjera evropiane. Duke pasur
parasysh veçoritë e çdo vendi, do të ishte e habitshme në fakt e kundërta, pra
sikur pluripartitizmi politik të mos prezantohej alla kosovarçe.
Pluripartitizmi
merr formë në çastin kur me çdo kusht tenton të realizohet dominimi i
partitokracistëve në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike. Ky dominim nyjëzohet
nëpërmjet pranisë dhe rrënjosjes masive të titistëve nëpër partitë e “mëdha” të
vendit. Disa karakteristika që e dëshmojnë fare mirë këtë janë: programet
fotokopje të partive politike; prirja për marrjen me çdo kusht e kompetencave
institucionale; mungesa e lidhjes me bazën; ndarja e bazës elektorale mbi baza
gjeografike,klanore e familjare; polarizimi i qëllimshëm i politikës. Një nga
tiparet universale të pluripartitistëve është edhe monopoli i veprimtarisë së tyre
në politikë. Në Kosovë, kjo mund të pohohet pa frikë, për sa kohë që sindikatat,
shoqatat, fondacionet, në përgjithësi shoqëria civile, është ende në gjumë, për
të mos thënë në komë, duke ua dorëzuar politikën tërësisht partive
pluripartitiste. Partitë politike nuk janë të rrënjosura në shoqëri, as në territor,
në kuptimin tradicional të përhapjes së organizatës partiake. Tërheqja e
partive nga terreni ka pasoja të dyanshme; nga një anë partitë privohen nga
funksioni i interpretimit të kërkesave sociale, duke filluar nga baza, çka do të
thotë se partitë nuk janë në gjendje ta njohin realisht shoqërinë që duhet të përfaqësojnë;
nga ana tjetër japin përshtypjen se nuk anojnë t’i uzurpojnë tërë hapësirat e
jetës sociale. Partitokracistët,rezultojnë kështu,përderisa refuzojnë të rrënjoset
në shoqëri, por në të njëjtën kohë mëtojnë se përfaqësojnë legjitimishtë të gjitha
instancat shoqërore. Kapilarizimi i strukturave partiake në shoqëri më kujton
epoka të kaluara, por njëkohësisht edhe vulën e padiskutueshme të partitokracisë
së skajshme, si pushtet absolut i partisë mbi shoqërinë dhe ekonominë.
Më duhet
të them se nga pikëpamja e përfaqësimit, sistemi i partive u shndërrua në partitokraci
në momentin kur partitë shprehin vetëm interesa madhore, të përgjithshme, përgjithësuese
e centraliste, pra kur humbasin aftësinë e shprehjes së interesave të vogla, të
diferencave, të veçorive. Reagensi i partitokracisë identifikohet fillimisht
tek paaftësia e partive për të interpretuar dëshirën për ndryshime rrënjësore,
sepse inercia e partive dallohet edhe tek përpjekja për të ruajtur status quo-në
e së kaluarës. Rrjedhimisht shtrohet pyetja, a i duhen qytetarëve partitë politike
që nuk e luajnë siç duhet rolin e tyre në shoqëri ?!!! Këtu batuta për shkërdhatokracinë
e famshme pluri-par–titiste vjen e natyrshme, si fill i kuq që potencialisht
ose realisht i përshkon të gjitha qelizat e shoqërisë stalinisto-titiste .
Për të përqafuar
me optimizëm pluralizmin demokratik, duhet në radhë të parë të sqarohemi nëse
pluripartitokracia e sotme, e pjesshme ose tërësore, nuk është pjellë e kultit
stalinisto-titistë, pra nëse nuk është produkt i praktikave socialiste-vetëqeverisëse-titiste
në mënyrë shabllone.
Ka nga
ata që e shohin shpëtimin e deformimeve partiake tek ndikimet e huaja, ndoshta
edhe tek globalizimi, që shkon përtej logjikës së partive nacionale. Në këtë rast
mund të thuhej se në “laboratorin Kosovë” po testohet një variant i ri i
pluripartitokracisë post totalitare komuniste.
Kur
partitë organizohen në mënyrë demokratike, brenda kornizave të demokracisë së mirëfilltë
pluraliste, për të mirën e qytetarëve që përfaqësojnë ligjërisht, pa ambicie
monopolizuese e totalitarizuese, luajnë rol të rëndësishëm për bashkësinë shoqërore.
Në të kundërtën, shndërrohen në problem për vetë jetën e qytetarëve për të cilën
pretendojnë ta përfaqësojnë me qëllim që ta “përmirësojnë”.
Thelbi i
sistemit demokratik është qytetari dhe dialogu i qytetarit me të ngjashmit e
tij,e jo pushteti e monologu. Dialogu është thelbi ekspozues i demokracisë, përkatësisht
përmes tij konvertohet pushteti në autoritet dialogues, ku qytetarët realizojnë
vetveten e tyre dhe të tjerët në komunitet. Derisa dialogu është pjesa thelbësore,
jo çdo dialog dhe komunikim shtrohet si duhet. Reklama politike është njëra
prej formave komunikuese dhe, në të njëjtën kohë, manipuluese masive e qytetarëve.
Pushteti në demokraci ka një status të veçantë, është i definuar qartë, dhe sa
më i kufizuar që është ai mundësia për të abuzuar me të është ma i vogël.
Dialogu është
kushti nëpërmjet të cilit njerëzit e realizojnë esencën e tyre në demokraci. Kjo
do të thotë që njerëzit nuk mund të qeverisen para se të debatojnë lirshëm
lidhur me formatin dhe rregullat e lojës së qeverisjes. Ky dialog, pra ka të bëjë
me justifikimin e aktivitetit politik dhe, në planin koheziv, lidhet me një kontekst
më të gjerë. Pra, konteksti në fjalë siguron që politika në vetvete të mbart një
infuzion demokratik dhe në mënyrë permanente të justifikohet para popullit,para
një opinioni publik real, e jo fiktiv apo siç njihet ndryshe publik fantazmë i
ardhur nga diku tjetër. Për të qenë e realizuar kjo në rrafshin horizontal e
praktik, më tej, shtron nevojën e krijimit të një opinioni të edukuar që gjykon
politikën dhe që është i aftë të dekodojë fjalorin politikë të së kaluarës,tashmes
dhe të së ardhmes. Më saktësisht, kjo lidhet me domosdoshmërinë e një publiku
aktiv që është barometri kryesor i legjitimitetit.
Demokracia
do të duhej të siguronte disa kushte që vet konceptualizmi i saj të mos shtrembërohej.
Një prej këtyre kushteve që demokracia do të duhej të siguronte, që shekullarizmi
i politikës e bëri të mundur atë, është konvertimi i statusit të pushtetit. Pra,në
demokraci pushteti
Demokracia
e shpreh ekzistencën e vet përmes arsyetimit të aktveprimeve politike.Arsyetimi
i aktveprimeve politike në raport me qytetarin është përgjithshmërishtë i
lidhur me legjitimitetin e atyre veprimeve. Ky legjitimitet ka të bëjë me
kapacitetin e sistemit politik në fjalë për të prodhuar veprime,të cilat
qytetarët do t’i konsideronin legjitime dhe të drejta. Premisa parësore është se,
në demokraci e drejta është jashtë sferës së pushtetit të përjetshëm. Pra, në këtë
proces kërkimi, akterët politikë të këtij sistemi (politikanët, partitë politike)
kërkojnë legjitimitet përmes debatit, përkatësisht komunikimit. Fusha (hapësira)
ku kërkohet ky legjitimitet është publiku, kurse koha më e përshtatshme për
aktorët e skenës politike (telepolitikanët) në kërkim të këtij legjitimitetit është
fushata parazgjedhore.
Megjithëse
politikanët reduktojnë kërkimin e legjitimitetit në një akt elektoral. Legjitimiteti
nuk duhet të shihet në këtë prizëm, si një akt, sepse edhe si i tillë nuk është.
Legjitimiteti nuk paraqet një akt kërkim që e gjejmë njëherë e përgjithmonë. Ai
duhet, dhe do të duhej të kërkohej vazhdimisht për faktin e thjeshtë se,
veprimi politik (veçanërisht sot) është veprim i komunikuar, e për më tepër, i
mediatizuar. Në këtë kontekst, pushteti (që është synim i akterëve politikë) për
të qenë legjitim duhet ,ose do të duhej që vet pushteti të krijon parakushte,ku
do të debatohej mbi legjitimen dhe jolegjitimen.
Për ta
kuptuar komunikimin politik (gjuhën e pushtetit ose gjuhën e atyre që e synojnë
atë), që është një komunikim veprimi dhe që lidhet drejtpërdrejt me atë që quhet
politikë simbolike, duhet ta shqyrtojmë realitetin politik. Realiteti politik, është
një realitet i dyfishtë. Pra, të gjitha veprimet politike ndahen në mes të dimensionit
instrumental dhe dimensionit ekspresiv. Dimensioni instrumental (vlera nominale)
i realitetit politik karakterizohet përmes efekteve të vërteta të veprimeve
politike, kurse dimensioni ekspresiv-shprehës (vlera simbolike) karakterizohet
me simbole që iu servohen publikut në mënyrë të fabrikuar. Pjesë e këtij
komunikimi,që është karakteristikë e politikës së kaluar simbolike, janë p.sh: stemat
partiake,himnet ,flamujt, karizma e politikanit, buzëqeshjet koinciduese, shtrëngimi
i duarve, etj. Dimensioni ekspresiv i veprimit politik është i lidhur
pazgjidhshmërisht me politikën simbolike dhe është për ta kuptuar komunikimin
politik në rrethanat konkrete. Dhe, për më tepër, të dyja këto dimensione
lidhen me mediat dhe rolin e tyre. Në këtë rast,qytetarët mund të pyesin: a është
politika simbolike produkt i nënshtrimit mediatik, pra a bëhet fjalë për një politikë
të “mediatizuar”, të nënshtruar nga mediat, që gjithnjë e më shumë po e humbë kuptimin
e saj (sidomos gjatë fushatave zgjedhore, ku rregullat vendosen nga mediatorët)?
Pra, politika simbolike ,së pari, është realitet i çdo shoqërie politike që nga
fillimi i veprimit politik. Së dyti,politika simbolike bashkëkohore ka marrë një
proporcionalitet të zhdrejtë në tërësinë e realitetit politik sot, pra ka një proporcionalitet
të zhdrejtë në raport me dimensionin instrumental (veprimet konkrete politike) dhe,
për më tepër, janë krijuar simbole të reja për shkak të veprimit të instrumenteve
mediatike , që shpesh quhet edhe pushtet masmediatik.
Në realitetin
faktik, simbolet përdoren për ndërmjetësimin politik ndërmjet akterëve politik (politikanëve,partive
politike,etj.) dhe telepublikut përmes reklamave mediale. Këto reklama mund të pasqyrohen
si manipuluese, ku qytetari mund të humbë aftësinë e tij dalluese në këtë konfuzion
të mjegullt dhe, pse jo, manipulues në përcaktimin e nevojave të tij. Metaforën
e reklamës e përdor edhe përfaqësues i demokracisë minimaliste, ku politikanët
i vendos në të njëjtën paralele me tregtarët dhe, sipas tij, që të dy e përdorin
reklamën për të prekur indin emocional , emotiv, impulsiv të qytetarit. Qytetari,
posa hynë në fushën e politikës, për shkak të mungesës së informacionit burimor
për nevojën e analizës së tij politike, gjykon në mënyrë adoleshente,fëmijërore.
Pra, shikuar në këtë linjë diskursi mund të afirmohet se politika dhe
telepolitikanët (pra, këtu bëhet fjalë për prezantuesit e politikës, jo
politikbërësit) janë shumë të shkëputur nga realiteti esencial, duke substituar
agjendat politike me inskenime mediatike (apo bashkërenduar ato), dhe duke
krijuar imazhe të paqena dhe identitete fiktive,e që e tëra akordohet me një telepublik
politikisht pasiv dhe që e kupton pakë apo aspak politikën. Pra, shikuar në tërësi,
këto agjenda të bashkërenduara me inskenime politike ngjasojnë si një katalog,
recetë, kod apo plan”hyjnor” që zbatohen ose synohet të zbatohen në tokë. Parë si
tërësi këto agjenda premtimesh përmbajnë: fjalë, intelektualizma, simbole,
fraza josubstanciale, premtime, supozime, dispozime për një botë tjetër.
Megjithëkëtë,
mund të konkludohet se politika simbolike është e pashmangshme për çdo realitet
politik, nëpërmjet së cilës telepolitikanët janë në gjendje të socializojnë dhe
formojnë një vullnet politik. Akterët politikë me anë të kësaj politike
simbolike reflektojnë emocionet e publikut, e që e tëra ngërthen atraktivitet,
pse jo shpesh herë, edhe zbavitje, edhe pse nga politika kërkohet përgjegjësi,
seriozitet, e jo zbavitje. Meqenëse politika është komplekse për shumicën e
qytetarëve, pra një sistem me shumë të panjohura,prezantimi i politikës para
opinionit publik bëhet në formë ritualesh, stereotipash, skemash, simbolesh që përgjithësisht
janë të pranuara nga publiku. Përderisa politika simbolike paraqitet si politikë
simbolesh, ritualesh, pak a shumë të kuptueshme, simbole që janë publikisht të pranuara
nga realiteti publik, veprimi politik mbetet në terr prapa skenës së mediave.
Pra,demokracia e mirëfilltë është një teknikë politike që kërkon një tërësi kushtesh. Konvertimi i statusit të pushtetit, ose formula gjithë pushteti askujt, minon mundësinë për të abuzuar me pushtet, dhe është thembra e Akilit në një shoqëri politike parademokratike. Dialogu me qytetarin drejtpërsëdrejti, ekspozon kushtin thelbësor që ushqen demokracinë me legjitimitet, dhe fusha ku kërkohet ky i fundit është opinioni publik, kurse koha më e përshtatshme është fushata parazgjedhore.