E hene, 29.04.2024, 04:05 PM (GMT+1)

Mendime

Arbana Xharra: Ndëshkimi me votë!

E hene, 04.11.2013, 08:27 PM


Ndëshkimi me votë!

Nga Arbana Xharra

Votuesi i Kosovës ka nisur ta ndryshojë mentalitetin, nuk shantazhohet lehtë e as nuk mashtrohet me milionat e rrejshëm dhe premtimet për një copë asfalt. Ata duan ndryshim, të lodhur nga keqqeverisja, na treguan se kanë nisur të ndëshkojnë me votë. Dje na u dëshmua qartë se jo të gjithë kanë zgjedhur të heshtin karshi skandaleve e kapadainjve që kanë besuar se nuk mund të rrëzohen lehtë nga froni.

Të dhënat preliminare flasin për një realitet tjetër që i pret disa komuna të njohura tashmë për bastione të disa partive politike. E padyshim se mobilizimi për ta ruajtur votën dha rezultat, edhe pse mbetet të shihet se çfarë mund të ngjajë në balotazh.

Ndërkohë që përjashtuar veriun, i cili u karakterizua me shumë probleme dhe ka shumë mundësi që zgjedhjet atje të dështojnë, votuesit e pjesës tjetër të Kosovës kësaj here treguan se dinë ta ruajnë votën. Mbi 5000 veta raportuan shkeljet, ndërkohë që policia e prokuroria u pa më e mobilizuar.

Votuesit kësaj here kanë ditur të befasojnë. Lideri i PDK-së, Hashim Thaçi, edhe pse me komoditetin prej kreut të qeverisë, me buxhet në dorë, i cili premtoi mbi 800 milionë euro, nuk i piu ujë ashtu siç ka pritur kësaj here. Ndonëse bëri përpjekje që me entuziazëm ta paraqesë fitoren, ai nga rezultatet e para pritet të pësojë humbje në Gjilan, dhe padyshim se ndëshkimi i vjen kryekëput nga skandalet që janë prodhuar prej keqpërdorimit të pozitës që ka bërë ish-kryetarit Qemajl Mustafa.

Ndërkohë që edhe Malisheva i tregoi se di të votojë ndryshe. E sa i përket Prishtinës, listës së kandidatëve të djegur të PDK-së për këtë komunë i shtohet bindshëm edhe kësaj radhe Agim Çeku. Në Prizren kjo parti nuk e ka të sigurt fitoren në balotazh pasi që rol përcaktues do të ketë ish-anëtari i PDK-së, Zafir Berisha, i cili jo pak vota mori nga prizrenasit.

Situatë jo e favorshme për partinë e Thaçit është edhe Vitia, ku garë e fortë u zhvillua me partinë Isa Mustafës, ndërsa as Suharekën nuk arriti ta fusë nën “ombrellën” e saj pavarësisht angazhimit të bashkëpunëtorit të tij, Enver Hoxhaj, që ta favorizojë kandidatin e tyre, Ramë Vataj.

Këto të dhëna, edhe pse jo definitive, i kanë dhënë sinjal PDK-së për rënien që e pret në zgjedhjet e parakohshme nacionale.

Nga ana tjetër edhe pse Isa Mustafa ndihej komod për fitoren në Prishtinë, rritja e VV-së në kryeqytet, e cila sipas të gjitha gjasave do të jetë në balotazh me LDK-në i tregon se nuk duhet injoruar konkurrueshmëria në Prishtinë. Mirëpo kjo parti edhe pse me duar në xhepa, ia pa hairin skandaleve të PDK-së dhe jo vetëm të kësaj, edhe në Pejë pritet të thyejë bastionin e AAK-së.

Kurse flirti i Ramush Haradinajt me kreun e PDK-së iu kthye bumerang, ai pritet të humbë jo vetëm Pejën, por edhe Gjakovën, Rahovecin edhe Suharekën. E fitorja e AKR-së në Gjakovë mund ta shpëtojë këtë parti nga zhdukja e përhershme prej skenës politike.

Nga zgjedhjet lokale, partitë kryesore në vend, kanë marrë një mesazh të qartë e në të njëjtën kohë edhe sinjal për ndryshimin që mund të sjellin zgjedhjet e parakohshme nacionale.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora