Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Gabove z. Kryeministër
E premte, 04.10.2013, 08:43 PM
GABOVE Z. KRYEMINISTËR
Nga Frank Shkreli
Javën që kaloi,
Kryeministri i ri i Shqipërisë, Z. Edi Rama ishte njëri ndër personalitetet e
larta politike shqiptare dhe amerikane të ftuara në darkën vjetore të Këshillit
Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA). Me
këtë rast, ai si dhe personalitetet e tjera të pranishëm në darkë, mbajti një
fjalim i cili në mendimin tim ishte një fjalim i mirë për nga mënyra e
shprehjes, por nga përmbajtja u gjykua nga shumë pjesëmarrës si ofendues ndaj diasporës në përgjithsi dhe
diasporës së vjetër në veçanti.
Megjithëse kishte zhurmë dhe fjalimi dëgjohej keq, shumë vetave u ra në
sy mënyra se si Z. Rama foli (ase nuk foli) për diasporën në Amerikë. Përmendi punën dhe kontributin e Nolit e të
Konicës në fillim të shekullit të kaluar, dhe pothuaj injoroi fare emigracionin
e pas luftës së dytë botërore, duke këcyer tek kontributi i emigracionit të ri
i 20-viteve të fundit, megjithëse shumica e pjesëmarrësve në darkë ishin bijtë
e bijat e atij emigracioni të arratisur nga regjimi komunist. Disa vërejtës nuk u duruan të shpreheshin se
mos vallë ishte këjo një përpjekje ndoshta e paqëllimt, por sidoqoftë fatkeqe
për të pëçarë komunitetin, i cili ndryshe nga koha e regjimit enverist kur
diplomatët e tij s’bënin gjë tjetër veç të përçanin komunitetin
shqiptaro-amerikan – sot emigracioni i vjetër dhe i ri kanë gjetur një modus
vivendi të mrekullueshëm. Zot na
ruaj! Shpresojmë që edhe këjo të ketë
qenë një shprehje ose mungesë shprehjeje e pamenduar mirë, thjeshtë një
gafë. Askush nuk duhet të ketë dyshim se
ky komunitet ka punuar dhe vazhdon të punojë për të mirën e Shqipërisë dhe të
kombit shqiptar, pa marrë parasyshë se cila parti politike mbanë frenat e
qeverisë në Tiranë.
Por ajo që ra më
së shumti në sy dhe habiti të pranishmit ishte njoftimi i udhëheqsit të qeverisë shqiptare të
shkarkimit nga puna të konsullit shqiptar në Nju Jork. Sipas shumë të
pranishmëve, përfshirë edhe amerikanët, ishte
ky një veprim i gabuar dhe aspak diplomatik për një kryetar qeverie, që
para një audience të tillë, të njoftonte
me inat e zemërim, dhe tani po marrim vesh sipas raporteve në media
të ndryshme, për hakmarrje të vjetëra,
shkarkimin nga puna të një
përfaqsuesi të lartë shqiptar, pikërisht largimin nga detyra të Konsullit të
Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, Z. Dritan Mishto. Në
fjalimin e tij, Kryeministri Rama deklaroi me një ironi, pasi Presidenti Bujar Nishani i dorëzoi Kongresistit Eliot
Engel dekoratën e lartë të shtetit
shqiptar, "Gjergj Kastrioti-Skënderbe", duke thënë se ai nuk kishte
sjellur dekorata për të dhënë por tha se
po njoftonte, sipas tij, lajmin e mirë
të emërimit të një “konsull nderi nga radhët e juaja". Kryeministri u shpreh duke thënë
tekstualisht këto:
"Jam shumë
i kënaqur t'u njoftoj se Ministri ynë i Punëve të Jashtëme i ka propozuar
qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të pasur në këtë qytet madhështor një
konsull nderi, në vend të një konsulli burokrat, të cilin tanimë e kemi pushuar
nga puna. Ky konsull i ri nderi do të
jetë njëri prej jush, i cili do punojë me ju dhe me ne, dhe jo i ardhur nga
Shqipëria për punë propagandistike, e ai është Sal Rusi", tha Kryeminsitri
shqiptar Edi Rama.
Nuk është e
qartë nga deklarata e kryeministrit shqiptar nëse dhe si “konsulli i nderit” do
kryej punët zyrtare konsullore, pasi Shqipëria ka edhe të tjerë “konsuj nderi”
në Amerikë dhe me sa di unë ata nuk merren me punë konsullore, por vetëm me
gostitje, me pritje e përcjellje dhe një titull i tillë u akordohet atyre për
ato që ata mund të kenë bërë për Shqipërinë dhe shqiptarët, por nuk mund të
zevëndsojnë kryerjen e detyrave të përditëshme të një konsullate siç është ajo
në Nju Jork me komunitetin më të madh
shqiptar në Amerikë. A do të thotë
Kryeministri Rama se Konsullata Shqiptare në Nju Jork do mbyllet?
Sidoqoftë, një prononcim i tillë në darkën vjetore të
KKSHA-së, ishte diçka e paparë dhe e pa dëgjuar për shumë pjesëmarrës, që një
kryetar qeverie të përdorte një foltore të tillë për të njoftuar shkarkime
diplomatike për inate të vjetra, në këtë rast shkarkimin nga detyra të
konsullit shqiptar në Nju Jork, Z. Dritan Mishto. Kishim mbetur gojë hapur. Këjo ishte një deklaratë e nxituar nga
zemëra e jo nga mendja. Mendja duhej t'i
thonte atij dhe këshilltarëve të tij se ishte gabim të bëhej një njoftim i
tillë, pasi aty nuk ishte vendi as rasti për të bërë një deklaratë të
tillë. Sidomos para një audience ku
kishte shumë amerikanë, e të cilët si pjesë e kulturës së tyre, gjëra të tilla
i konsiderojnë si pjesë e paprekshme e privacisë së personit dhe jo si një
çështje as rast për të larë të palaratë në publik. Pa marrë parasyshë problemet që Kryeministri
Rama mund të ketë apsur në të kaluarën me Konsullin Mishto, një gjë e tillë nuk
i jep nder personit as qeverisë së kryeministrit të ri.
Ndërkaq,
Konsulli i Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, Dritan Mishto u ka dërguar
drejtuesve të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan një letër me të cilën ai
“shpreh keqardhjen dhe shqetsimet në lidhje me sulmet personale kundër personit
tim gjatë fjalimit të Kryeministrit të Shqipërisë, Z. Edi Rama në darkën tuaj
vjetore më 27 Shtator, 2013.” Në
letrën e tij drejtuar udhëheqsve të KKSHA-së, Konsulli Mishto shkruan më tej
se, “vlerësoj shumë seriozitetin e organizatës suaj dhe jam i bindur se ju, në
asnjë mënyrë, nuk do të lejoni që
foltorja e organizatës suaj të përdoret për sulme personale dhe politike”, dhe
i kërkon kësaj organizate që të distancohet nga ky akt.
Largimi nga puna
është një gjë normale në çdo shoqëri, por rotacioni i diplomatëve i ka
rregullat e veta në çdo vend. Qeveria ka
të drejtën e vet të pushojë diplomatët dhe
të emërojë njerëzit që dëshiron për ta përfaqsuar atë në botë. Edhe Shqipëria ka rregulla të tilla. A u ndoqën këto në rastin e pushimit nga
detyra të Dritan Mishtos dhe të tjerëve?
Mirë a keq, në sytë e Kryeminsitrit të tanishëm, a i shërbyen këta,
përfshirë edhe Dritan Mishton e të tjerët, një qeverie të mëparshme shqiptare e
cila ishte zgjedhur nga populli shqiptar, e njohur nga bota, përfshirë Shtetet
e Bashkuara. A kanë të drejta diplomatët
shqiptarë, cilës do qeveri që ata i shërbejnë?
Po familjet e tyre, të cilat në të vërtetë janë viktimat kryesore të
vendimeve të tilla të papritshme dhe të parakohëshme? Fëmijtë në shkollë, bashkshortet në punë, e
tjera. Ata që i dinë mirë kushtet nën
të cilat jetojnë diplomatët shqiptarë në Amerikë dhe anë e mbanë botës këto
20-vitet e fundit, nuk habiten për sjellje të tilla nga Tirana ndaj
përfaqsuesve diplomatikë shqiptarë në botë.
Unë e them këtë jo vetëm për këtë
qeveri, por e kam thënë edhe për qeverinë e mëparshme, për mungesat e saja ndaj
ambasadës së Shqipërisë në Uashington, e cila për një kohë ishte mbyllur për
mungesë fondesh.
Ish-Senatori
amerikan Uilliam Fullbrajt do të na këshillonte se pushteti nuk është virtyt
dhe pat paralajmëruar udhëheqsit e këtij vendi të kohës së tij që të kenë
kujdes nga arroganca e pushtetit. Një
porosi e vlefshme këjo për të gjithë e kudo, edhe sot.