Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dasvidanja marrëdhënieve ruso-amerikane?
E merkure, 25.09.2013, 09:03 PM
DASVIDANJA MARRËDHËNJEVE RUSO-AMERIKANE?
Nga Frank
Shkreli
Luftën e filloi
i pari presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, me botimin e një artikulli në
gazetën amerikane Nju Jork Tajms për të argumentuar qendrimin e tij kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri dhe duke
kritikuar Presidentin e Shteteve të
Bashkuara Barak Obama, i cili ka përkrahur një ndërhyrje të tillë pas
përdorimit të armëve kimike kundër popullësisë civile të pafajshme, ku kanë
mbetur të vrarë qindra gra e fëmijë.
Në mendë të tij
këjo ishte një përpjekje e diplomacisë publike për të bindur lexuesin për
pikëpamjet e tija se pse bota nuk duhej të ndërhynte në Siri, por në të
vërtetë shkrimi i Putinit është një
hipokrizi dhe i turpshëm në ekstrem. Dikatori sirian Assad e di mirë se aleati i
tij i ngushtë, Putini do ta përkrahë atë
me çdo kusht nga ndërhyrjet ushtarake ndërkombëtare, dhe për më tepër, se Rusia
e Putinit --megjithë vrasjet që kanë
arritur mbi 100.000-veta – do ta furnizojë atë me armë të rënda dhe të lehta,
të cilat ai nuk hesiton t’i përdori kundër popullësisë së vet civile.
Përveç kritikave
që bëri kundër politikës amerikane në Siri dhe në përgjithësi kundër politikës
së jashtëme dhe ushtarake të Uashingtonit, në artikullin e tij udhëheqsi rus
kritikoi deklaratën e Presidentit Obama se Amerika është e “veçantë’’ dhe si e
tillë, sipas tij, duhet t’u vijë në
ndihmë dhe të mbrojë viktimat e pafajshme në Siri. Këjo kritikë u bë ndërkohë që Rusia ka
bllokuar tri herë, duke përdorur veton në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të
Bashkuara, rezolutat që kishin për qëllim të detyronin presidentin sirian Assad t’i jepte fund
dhunës dhe të dorëzonte armët kimike.
S’do mendë se
artikulli i Vladimir Putinit në Nju Jork Tajms shkaktoi reagime të ashpëra në
Amerikë, sidomos në Kongresin amerikan.
Reagimi më i ashpër erdhi nga njëri prej ligjvensve më kritikë të
Kremlinit, Senatori republikan dhe ish-kandidati për president i kësaj partie,
Xhon Mëkejnë. Në një artikull që u botua në Rusi, në përgjigje të shkrimit
të Putinit, Senatori Mëkejnë e quan udhëheqsin rus, “një tiran në vendin e tij
dhe mik i tiranëve jashtë vendit...si dhe armik i të shtypurve dhe i
pabesueshëm nga vendet të cilat përpiqen të ndërtojnë një botë më të sigurtë,
më në paqë dhe me begati.”
Në
artikullin e tij të ashpër,
Senatori veteran amerikan u drejtohet
rusëve duke u thënë se sundimtari i tyre është, “i korruptuar, shtypës dhe
përdhunues”. Senatori Mekëjnë, i cili
historikisht ka qenë shumë kritik ndaj politikës së mbrendëshme dhe të jashtëme
të Rusisë, e ngarkoi Putinin me akuza të rënda, ndër të tjera, për shkelje të
të drejtave të njeriut, për vjedhjen e votave
në zgjedhjet dhe për përkrahjen e
miqëve të tij politikë dhe njëkohsisht dënoi ashpër politikën e jashtëme të
Rusisë së Vladimir Putinit. Në shkrimin
e tij, Senatori Mekëjnë kritikoi bllokimin rus të rezolutave mbi Sirinë në
Këshillinin e Sigurimit të OKB-së duke e
cilësuar Putinin si një udhëheqës që, “përkrah
një regjim që është duke vrarë me dhjetëra mijëra veta nga radhët e
popullit të vet, vetëm e vetëm, për objektivin për të qëndruar në pushtet.” Ai kritikoi ashpër Rusinë se jo vetëm që nuk po merr asnjë masë
për të mbrojtur të pafajshmit, por edhe
për faktin se Moska refuzon madje edhe të dënojë me fjalë maskarat që po ndodhin në Siri. Senatori amerikan, vazhdoi artikullin e tij
në përgjigje të shkrimit
të udhëheqsit rus, duke u thënë rusëve se Putini dhe bashkpuntorët e
tij, “Dënojnë dhe hakmerren ndaj kundërshtarëve politikë duke i burgosur
ata. Ata vjedhin votuan tuaj. Ata
kontrollojnë mediat tuaja. Ata kërcënojnë dhe mbyllin organizatat të cilat
përpiqen të mbrojnë të drejtat tuaja për vet-qeverisje.”
Senatori Mekejnë
u drejtohet rusëve duke thënë gjithashtu se, udhëheqsit e tyre me në krye Putinin, “Po përjetësojnë
pushtetin e vet duke mbështetur përhapjen e korrupsionit të pafrenuar në
sistemin tuaj gjyqësor dhe në ekonominë tuaj, ndërkohë që ata
terrorizojnë, e madje edhe vrasin
gazetarët të cilët përpiqen të demaskojnë korrupsionin e regjimit.” Udhëheqsit
e Kremlinit, u tha rusëve Senatori Xhon Mekejnë, “nuk respektojnë dinjitetin
tuaj as nuk pranojnë autoritetin tuaj si sovrani mbi ta.” Duke iu përgjigjur akuzave se ai është
anti-rus, Senatori Mekëjnë tha se ai nuk është anti-rus, përkundrazi shtoi ai,
“Unë jamë më pro-rus se regjimi që u keq qeverisë ju.”
Përveç Senatorit
Mekejnë dhe ligjvensve të tjerë amerikanë nga të dy partitë kryesore, artikulli i udhëheqsit rus, Vladimir Putin u
kritikua, ndër të tjerë edhe nga organizata e të drejtave të njeriut Human
Rights Watch, për hipokrizinë që përmban, si dhe për ato që nuk i thotë Putini
në artikullin e tij. Anna Neistat,
bashkputore e kësaj organizate thekson
se udhëheqsi rus në artikullin e tij
nuk përmendë krimet dhe masakrat e tmershme që kanë ndodhur në Siri, të
dokumentuara nga Kombet e Bashkuara dhe nga organizata të ndryshme
ndërkombëtare të të drejtave të njeriut si edhe nga një mori gazetarësh nga
mbarë bota. Ajo thotë se Putini nuk flet
as për dërgimin e vazhdueshëm të armëve ruse regjimit të Asadit gjatë dy tre
vjetëve të fundit. Ana Neistat shkruan
se thirrja e Putinit për të përdorur Këshillin e Sigurimit të OKB-së si mjet
për zgjidhjen e krizës, në sipërfaqe mund të duket si jë kërkesë e arsyeshme,
por jo për ata që e dinë se Rusia tanimë
ka përdorur tre herë veton në këtë organ ndërkombëtar, duke bllokuar
rezolutat që mund t’i sillnin sadopak ndihmë
popullësisë civile të Sirisë ose të mbanin përgjegjës të gjithë aktorët e krimeve kundër civilëve të
pafajshëm. Ndërsa, thotë ajo, Putini
fajëson opozitën pa paraqitur asnjë
provë, për sulmin kimik të 21 gushtit,
Rusia kundërshton ashpër që Siria t’i referohet Gjykatës Ndërkombëtare,
gjë që është në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar me qëllim për të hetuar krimet e të gjitha palëve në
konfliktin në atë vend.
Marrëdhënjet
ruso-amerikane kanë rënë në pikën më të
ulët të zhvillimit të tyre ç’rej luftës së ftohët. S’do mendë se këjo gjëndje nuk është e
favorshme as për marrëdhënjet amerikano-ruse, dhe as për marrëdhënjet
ndërkombëtare. Pa marrë parasyshë se
çfarë shkruan udhëheqsi rus në Nju Jork Tajms
-- në përpjekje për të bindur amerikanët dhe botën se politika e tij
është paqësore -- është e qartë se Vladimir Putin vazhdon të jetë pengesa kryesore në
përpjekjet ndërkombëtare, amerikane dhe europiane, për të sjellur sadopak
ndihmë për viktimat e pafajshme civile në Siri.