Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Shqiptarët e Amerikës dhe politikanët
E diele, 29.09.2013, 07:45 PM
SHQIPTARËT E AMERIKËS DHE POLITIKANËT SHQIPTARË
Nga Frank
Shkreli
Çdo vit,
udhëheqsit shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe trojet e tjera
shqiptare në Ballkan vijnë në metropolin
amerikan të New Jorkut për të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Asamblesë së
Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe
si të ftuar për të marrë pjesë në organizime të tjera siç është mbledhja
vjetore e organizuar nga Fondacioni Klinton i ish-presidentit Bill
Klinton. Përveç takimeve zyrtare,
udhëheqsit shqiptarë marrin pjesë edhe në darka e takime të shumëta të
organizuara nga shoqata dhe organizata
të ndryshme, por edhe nga qendrat fetare të komunitetit
shqiptaro-amerikan. Gjatë qendrimit të
tyre në Nju Jork javën që kaloi, ata u pritën, ndër të tjera, nga organizata më
e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, Vatra.
U takuan me p?rfaq?sues t? Rrjetit t? Profesionist?ve dhe Sip?rmarr?sve
Shqiptar? (APEN) dhe gazeta Illyria organizoi një pritje për Presidentin
Nishani. Të gjitha këto pritje e takime
arrijtën kulmin me darkën vjetore gala të organizuar nga Këshilli Kombëtar
Shqiptaro-Amerikan, ku zakonisht ftohen
udhëheqsit shqiptarë nga të gjitha trojet dhe përfaqsues të gjithë
partive politike, në pushtet dhe në opozitë.
Kjo është
tradita e kështu ndodhi edhe sivjet. Në
Nju Jork kishin ardhur, ndër të tjerë, edhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar
Nishani, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Kosovës, Hashim
Thaçi, kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, udhëheqës politikë shqiptarë nga
Maqedonia dhe përfaqsues nga të gjitha trojet tona në Ballkan. Gjatë këtyre takimeve dhe darkave, përveç se
atyre u jepet rasti të takohen me përfaqësues të komunitetit dhe me njëri
tjetrin -- vizitat e tyre në Amerikë paraqesin gjithashtu një mundësi të mirë
që ata të shkëmbejnë mendime me shumë
politikanë e diplomatë amerikanë, miqë e dashamirës të shqiptarëve, të
cilët gjatë dekadave të fundit kanë punuar në mbështetje të lirisë dhe
demokracisë së shqiptarëve kudo.
Udhëheqsit
shqiptarë gjatë kësaj jave përfaqësuan Shqipërinë dhe Kosovën para botës dhe
para Amerikës. Ata u prononcuan për
median si në intervista dhe në fjalimet e tyre, se kishin siguruar përkrahje
nga udhëheqsit botërorë dhe amerikanë me të cilët u takuan. Ata theksuan "mbështetjen", nga
udhëheqës ndërkombëtarë me të cilët patën takime dhe bënë bisedime për
zhvillimin dhe integrimin europian të Shqipërisë, të Kosovës dhe të rajonit.
Por ishin
takimet dhe shmallimet me komunitetin shqiptaro-amerikan në Boston, Detroit dhe
në Nju Jork, në lokalet dhe në qëndrat fetare ku ata u pritën si vëllezër e
motëra, ato që dallojnë në mënyrë të mallëngjyeshme këto takime, e pse jo edhe
festime, që organizohen njëherë në vit në Nju Jork. Si çdo vit, edhe sivjet, në fund të punimeve
të Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork, në këto darka e takime me shqiptaro-amerikanët,
duket sikur midis politikanëve shqiptarë nga të gjitha trevat -- të pakën për
një moment dhe larg problemeve në vend -- thyhet edhe akulli politik midis
tyre. Kështu, siç duket ndodhi të premtën mbrëma në darkën vjetore të Këshillit
Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ku të gjithë ishin ulur së bashku rreth një
tavoline të gjatë. Nuk është e qartë
nëse kishte ndonjë shkëmbim bisedash midis protagonistëve të ndryshëm,
pormegjithëkëtë është shënjë e mirë se të pakën nuk refuzuan të uleshin ball
për ball në të njëjtën tavolinë, gjë që mund të mos ndodhë në vendlindje.
Për këtë dhe për
faktin se rreth asaj tavoline ishin shqiptarë nga të gjitha trevat dhe shumë
miq amerikanë, këto darka e takime kanë një rëndësi të lartë simbolike, sepse
duket sikurë përtrijnë dhe nënvijojnë faktin e vëllazërimit dhe bashkimit mbarë
shqiptar, megjithë ndryshimet politike, krahinore e fetare, që mund të
ekzistojnë midis shqiptarëve, sidomos konfliktet politike. Ndoshta simbolizmin përbashkues të këtyre
takimeve e shprehu më së miri, Dom Pjetër Popaj, famullitar i Kishës Katolike
Zoja e Shkodrës në Nju Jork, i cili në darkën e Vatrës, shtruar për nder të Presidentit Nishani dhe
delegacionit të tij, u shpreh duke thënë se “Si shqiptarë, jemi të përbërë prej dy besimeve, të
Krishterë dhe Myslimanë, por besojmë në një Zot të vetëm. Kemi dy dialekte, por kemi një gjuhë të
përbashkët. Kemi shqiponjën dykrenare, por një flamur. Kemi dy shtete, por një Komb. Kemi një hero Kombëtar Kastriotin dhe një të
Lumturën Nëna Terezën. Ne, në diasporë,
gjithmonë kemi treguar solidaritet ndaj vendit tonë duke qëndruar pranë njëri
tjetrit. Si fetarë të besimeve të
ndryshme qëndrojmë një me Zotin dhe një me popullin. Theksojmë gjërat që na bashkojnë dhe jo
gjërat që na ndajnë”.
Ne këtu në
Amerikë, jemi nga të gjitha trojet tona, nga të gjitha krahinat dhe i përkasim
feve të ndryshme. Natyrisht se si në çdo
komunitet tjetër, ekzistojnë mosmarrveshje dhe komuniteti shqiptaro-amerikan i
ka problemet e veta. Madje këto
mosmarrveshje shpesh pasqyrojnë konfliktet dhe grindjet politike në Atdhe. Por megjithë ndryshimet politike e të tjera,
në raste, kur është nevojitur bashkimi i komunitetit për t’i ardhur në ndihmë
çështjes kombëtare, shqiptaro-amerikanët kanë theksuar të përbashkëtat dhe jo
ato që i ndajnë.
Kjo përkrahje
dhe “mbështetje” që zyrtarët shqiptarë
thonë se siguruan, sidomos gjatë takimeve me autoritetet amerikane në vizitat e
tyre në këtë vend, ndodhë për faktin se komuniteti shqiptaro-amerikan ka
vazhduar të jetë i bashkuar për çështjet madhore dhe interesat e kombit, duke
ua paraqitur atyre hallet tona me një zë dhe pa kurrfarë interesi personal, por
vetëm e vetëm në mbështetje të interesave kombëtare të popullit shqiptar kudo
qoftë. Ky aktivitet i komunitetit
shqiptaro-amerikan e ka zanafillën në fillim të shekullit të kaluar me Fan
Nolin e Faik Konicën dhe me përpjekjet e tyre për të siguruar përkrahjen
amerikane për pavarësinë e Shqipërisë dhe ka vazhduar deri në ditët e sotëme
për të fituar mbështetjen e qeverisë, Kongresit dhe të popullit amerikan,
fillimisht për çlirimin dhe më në fund për sigurimin dhe njohjen e pavarësisë
së Kosovës. Presidenti Nishani dhe
Kryeministri Rama folën për sukseset dhe arritjet e komunitetit
shqiptaro-amerikan në fusha të ndryshme, por nuk ka fushë më të sukseshme dhe
as më të rëndësishme, të pakën deri tani, se sa bashkimi i komunitetit
shqiptaro-amerikan në çastet kur e ka thirrur fati i Kombit.
Pa marrveshje
dhe bashkpunim serioz midis shqiptarëve dhe sidomos të faktorit politik
shqiptar për fatin e kombit dhe për zgjidhjen e problemeve serioze me të cilat
përballen shqiptarët kudo, “mbeshtetja” nga jashtë, me të cilën mburren aq
shumë politikanët shqiptarë, shpeshëherë edhe pa e pasur atë, nuk vlen pesë
pare. Edhe regjimi i Enver Hoxhës kishte
përkrahjen nga jashtë, fillimisht të komunistëve jugosllavë, sovjetikë e pastaj
të kinezve, por ishte në luftë të përhershme me vetveten dhe me popullin e
vet. “Mbështetja” nga jashtë vlenë vetëm
atëherë kur të asgjësohen konfliktet politike të mbrendshme, kur të zhduket
gardhi shpirtëror dhe të krijohet një frymëmarrje e lirë për të gjithë
Shqiptarët, të bashkuar me një mendim e me një qëllim, në mbështetje të vërtetë
të lirive dhe të të drejtave të barabarta për të gjithë dhe të interesave
kombëtare, ashtu si në kohën e Gjergj Kastriotit Skënderbe dhe të Lidhjes së
Prizrenit.
Është e vërtetë
se Shqipëria dhe shqiptarët do të kenë gjithmonë nevojë për mbështetjen e
miqëve, por Shqipërinë do ta bëjnë vetëm Shqiptarët, mbi të gjitha, në
bashkpunim dhe mirëkuptim me njëri tjetrin, duke vlerësuar lirinë dhe
demokracinë për veten dhe për të tjerët, respektin për njëri tjetrin dhe për
mendimet e njëri tjetrit. Është në dorë
të vet shqiptarëve kudo që janë sot – në diasporë dhe në trojet tona në Ballkan
-- që të largohen nga ajo që disa thonë se është “nama” që mund të na ketë
ndjekur gjatë gjithë historisë. Për
ndryshe, nëqoftse nuk vlerësojmë dhe keq përdorim dhuratën e lirisë që sot
gëzon kombi shqiptar mund të na dënojë i Madhi Zot, sipas vjershës tronditëse
të Fan Nolit, “Moisiu në mal”. Edhe Perëndia
mund të na përgjigjet ashtu si iu përgjigj Moisiut, i cili i kërkonte atij
tokën e premtuar për veten dhe izraelitët, për të evituar mërgimin e përjetshëm
dhe jetën në skllavëri, i Plotfuqishmi i përgjigjet atij me zemërim në
përshkrimin plot trishtim të vjershës së
Fan Nolit:
“Ti dhe të
tjerët, pleq do të ngelni,
Tokën e Shenjtë
kurrë s'e shkelni
Skllevër,
bij-skllevësh, s'e meritoni
Se liri
s'doni!"
Me gjithë të metat e tyre, takimet vjetore të udhëheqsve shqiptarë me komunitetin shqiptaro-amerikan mbartin vulën e bashkimit dhe vëllazërimit të shqiptarëve pa dallime politike, krahinore apo fetare, duke e gëzuar lirinë së bashku për herë të parë, pas rrethanave fatmjera që na kanë ndarë për aq kohë të gjatë. Kështu ka ndodhur gjatë dy dekadave të fundit në Nju Jork dhe në qytete të tjera amerikane. Shpresojmë që këjo traditë plotë bujari të vazhdohet këtu në Amerikë dhe të përsëritet edhe në trojet tona dhe kudo në botë ku ka shqiptarë, si një frymëzim për qëllime të larta kombëtare dhe për lartësimin e emërit shqiptar kudo, por mbi të gjitha në trojet tona.