E shtune, 27.04.2024, 01:16 PM (GMT+1)

Mendime

Elida Buçpapaj: Ambasadori Arvizu dhe politika

E premte, 27.09.2013, 07:34 PM


DY FJALË PËR AMBASADORIN ARVIZU DHE POLITIKËN SHQIPTARE

NGA ELIDA BUÇPAPAJ

Ambasadori Amerikan Alexandër Arvizu është në prag të largimit të tij nga Shqipëria. Pas një shërbimi trevjeçar, një mesatare gati e të gjithë ambasadorëve amerikanë që kanë shërbyer në Shqipëri pas rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Mbrëmë ai dha ndofta intervistën përshëndetëse tek Top Story me Sokol Ballën. Si gjithnjë korrekt, i vërtetë, i përgjegjshëm dhe njerëzor.

SHBA janë aleat jetik i shqiptarëve. Pa SHBA nuk do të kishte as çlirim dhe as pavarësi të Kosovës. Pa SHBA – Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s, pasi qeverisjet shqiptare, herë majtas dhe herë djathtas, këta 23 vjet tranzicion kanë dështuar në ndërtimin e një demokracie Perëndimore.

Shqipëria rrezikon të kthehet në një vend mafioz. Vetëm një fshat në jug prodhoi brenda vitit që shkoi 4.5 miliardë Euro marijuanë. Shtypi botëror bëri ironi nëpër tituj duke shkruar se kryeqyteti i marijuanës tash e mbas nuk është më Amsterdami, por Lazarati. Mjerisht këto fakte tronditëse bien në veshët e shurdhër të politikës, që ka pësuar fiasko në vendosjen e ligjit.

Përballë kësaj situate tejet kritike, e cila do të kërkonte tërmet ndëshkimor prej drejtësisë dhe intensifikimin e reformave, klasa politike shqiptare është mbrojtur gjithnjë duke sulmuar diplomatët e huaj. Njëri prej tyre është edhe Ambasadori Arvizu. Përpara tij ishte Ambasadori Withers. Ndaj Arvizut sulmet me karakter racor nisën posa kishte vënë këmbët në vendin e Shqiponjave, për qëndrimin që mbajti në lidhje me 21 janarin 2011.

Aleksandër Arvizu, një diplomat me 32 vjet karierë të suksesëshme, tipik produkt i realizimit të ëndërrës amerikane, ku melting pot funksion mrekullisht, bir emigrantësh, i një babai meksikan dhe nëne japoneze, bëri gjithçka që manifestimi tragjik i 21 janarit të shmangej dhe, kur tragjedia ndodhi, insistoi me sukses mosdegjenerimin e mëtutjeshëm të protestave, sepse Shqipëria dhe populli shqiptar nuk meritonin assesi një Pranverë Arabe.

Këtë qëndrim të tij, i cili ishte në përputhje të plotë me qëndrimin zyrtar të Departamentit të Shtetit të SHBA, opozita e asaj kohe e komentoi si mbështetje që i jepej kryeministrit të atëhershëm. Qendrimi Amerikan nuk ishte politik, mbronte të drejtën, por kishte ndikim indirekt mbështetës në qeverinë Berisha. Disa muaj më vonë, Ambasadori Arvizu do të ndiqte si dëshmitar ecurinë e zgjedhjeve lokale, të cilat po ashtu opozita i përktheu si mbështetje e tij për Bashën dhe Berishën.

Edhe pushteti medial i Tiranës, si ushtar i bindur i politikës, do të reflektonte humorin e ish-kryeministrit të Shqipërisë apo ish-liderit të opozitës në raport me Ambasadorin Arvizu, veprimet e të cilit kanë qenë të paanëshme, të përgjegjëshme, konform politikës Amerikane dhe në të mirë të interesave kombëtare të shqiptarëve.

Ndryshe nga pararendësit e tij, Ambasadori Arvizu ishte më populist. Për të shmangur ndikimet prej palëve, të cilat atë kundërshtare e demonizojnë, ai zgjodhi që ta njohë në vetën e parë situatën dhe realitetin, jo më sipas tregimeve, por ta prekë me dorë, ta shohë me sy e ta dëgjojë me veshë. Kjo e ndërlikoi punën, sepse politikanët shqiptarë kështu kishin dalë zbuluar si Mbreti tek përralla e Andersenit.

Erdhi një moment, kur sulmet kundër Ambasador Arvizut filluan nga krahu i maxhorancës. Edhe kësaj here u përdorën sulme raciste, jo nga opinionistë, por direkt nga figura të PD-së. Sulmet kundër Ambasadorit Withers filluan me Gërdecin, ndërsa kundër Ambasadorit Arvizu kur ky u shpreh për mungesën e drejtësisë ndaj tragjedisë së 21 janarit. Pastaj erdhi greva e urisë e të përndjekurve, kur Ambasadori Amerikan i bëri thirrje maxhorancës të ulej e të bisedonte me grevistët.

Personalisht, nuk e harroj kurrë Lirak Bejkon që i tregonte protezën e thyer, ndërsa kërkesa e tij u prit me indiferentizëm të plotë. PD, që hyri në bashkëqeverisje me LSI, me të cilën kishte patur marrëdhënie tmerrësisht të këqija dhe konfliktuale, nuk denjoi të takohej me njerëz në nevojë, të cilëve diktatura ua kishte marrë shpirtin.

Gjatë gjithë kohës Ambasadori Arvizu i bënte thirrje qeverisë dhe opozitës, se ishte detyrimi i tyre, të gjenin zgjidhje, për hir të integrimit të Shqipërisë në BE. Por reagimet ishin shkëmbime akuzash mes palëve.

Gjatë mandatit të tij, Shqipërinë e vizitoi Sekretarja e Shtetit zonja Hillary Clinton, e cila në Kuvendin e Shqipërisë vuri theksin pikërisht tek bashkëpunimi bipartizan për interesa madhore, duke e treguar si shembull, se si ajo dhe Presidenti Obama nga kundërshtarë dhe rivalë ishin kthyer në bashkëpunëtorë të ngushtë. Zonja Clinton bëri thirrje për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por këshillat e saj nuk u dëgjuan ndërsa vizita e saj u përdor si sukses elektoral prej shumicës të asaj kohe.

Kishte ardhur momenti, që prej gabimeve të maxhorancës, kërkonte të përfitonte opozita, e cila qëndrimet kritike të diplomatëve të huaj ndaj qeverisë Berisha, i interpretonte si mbështetje ndaj saj. Një ping-pong i vërtetë. Tani ishin ndryshuar rolet. Nuk ishte më opozita, por maxhoranca që sulmonte Ambasadorin Amerikan, dhe cinizmi arriti kulmin, kur lajmi për emërimin e Ambasadorit të ri, i cili ishte konfidencial, u përdor në mënyrë të turpshme si një triumf dhe ndikim i Berishës në Departamentin e Shtetit. Berisha e kishe harruar plotësisht mbështetjen që mori prej Ambasadorit Arvizu në ngjarjet e 21 janarit dhe zgjedhjet lokale. Dukej sikur atë nuk e ndalte asgjë në këtë botë drejt një „triumfi“ të ri, ku si „arritje“ personale, e reklamonte edhe ndryshimin e shefit të ri të shtëpisë tek Rruga e Elbasanit.

Por drejtësia supreme ka ligjet e veta. Kështu duket.

Tani maxhoranca e re që posa ka marrë çelësat e qeverisë bën deklarata retorike për rëndësinë që kanë SHBA për Shqipërinë, porse nëse do të fillojnë e të gabojnë, është e sigurt se nga Washington D.C. do të vinë kritika, që do të thotë se rrezikon të riciklohen edhe sulmet ndaj Ambasadorit Donald Lu, ashtu si ndaj pararendësve të tij.

Dhe kështu do të vazhdojë deri kur në Shqipëri do të vendoset shteti ligjor, me rregullat e prioritetet e veta deri tek konvencionet e gjuha diplomatike, e cila përjashton nga fjalori çdo lloj komunikim vulgar ndaj përfaqësuesve të një vendi që e kemi Aleat jetik, pa mbështetjen e të cilit ishim zhbërë, si u rrezikuam në Shqipëri më 1997 dhe në Kosovë më 1999. Për fajet dhe gabimet e saj, klasa politike e Shqipërisë është vetë përgjegjëse.

Si gazetare që i kam përcjellë me shumë vemendje rrjedhat shqiptare, më mbetet vetëm t’i shpreh mirënjohjen time Ambasadorit Aleksandër Arvizu, në emër të opinionit të shëndoshë publik shqiptar, të cilit i intereson një Shqipëri europiane dhe e integruar, ku shteti ligjor të jetë si baba i mirë për shtetasit e tij, ndryshe nga sa mendojnë partitë në Shqipëri, ku Sovranin e përdorin si shërbëtor.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora