Mendime
Halil Matoshi: T’u hiqet shtetësia kosovarëve në Siri
E hene, 23.09.2013, 08:31 PM
T’u hiqet shtetësia kosovarëve që luftojnë në Siri
Nga Halil
Matoshi
Lajmi se
kosovarët në Siri nuk po luftuakan në anën e kryengritësve kundër regjimit
diktatorial të Bashar Al-Asadit (Ushtria për Sirinë e Lirë), por për interesa
të grupeve fondamentaliste islamike dhe se po kryekan mizori, duhet t’i
shqetësojë institucionet e vendit, saqë këto të fundit duhet të shqyrtojnë me
urgjencë marrjen e shtetësisë kosovare menjëherë dhe pa paralajmërim…
Çfarë mund të
bëjë Kosova për t’i ndalur “bijtë e bijat e veta” vullnetarë apo mercenarë që
të mos shkojnë në luftë “për Allah” në Siri a gjetkë? Asgjë!
Secili njeri
është i lirë të ketë bindjet dhe arsyetimet e veta.
Përderisa nuk
janë “në anën tjetër të ligjit” brenda territorit kosovar.
Është pra në
vullnetin individual të tyre, në karakterin dhe konstitucionin e tyre shpirtëror, fetar etj., pra është
zgjedhje e tyre e lirë.
Por shteti i
Kosovës për ta mbrojtur veten, mund t’i ndalojë ata për t’u kthyer në atdhe.
Dhe këtë, shtetit ia mundëson konstitucioni i tij juridik - si organizatë që e
ka monopolin për ushtrimin e dhunës legjitime.
Shteti duhet
t’ua marrë shtetësinë kosovarëve që luftojnë në Siri, për një varg arsyesh,
ngase shteti e ka vetëm këtë të drejtë, karshi “të drejtës për të luftuar” të
shtetasve “rebelë”, që në këtë rast cenojnë jo vetëm imazhin ndërkombëtar të
shtetit që i përkasin, por mbi të gjitha cenojnë sigurinë kombëtare!?
Pjesëmarrja në
një komplot, kundër rendit kushtetues të një shteti apo pjesëmarrja në luftë duke
e shpallur atë “të shenjtë” (cila është ajo instancë tokësore që shpall diçka
për të shenjtë?) ose “luftë për Allah” nuk është më problem i kufizimeve
kushtetuese dhe i të drejtave të njeriut, por është problem kombëtar (që
ndërlidhet me tradhtinë kombëtare) që në shtetin modern sanksionohet me ligj.
Kjo s’ka të bëjë
tutje me debatin për futjen e mësim-besimit si lëndë fakultative në shkollat
kosovare as me debatin rreth shamisë së vajzave dhe grave shqiptare të fesë
islame, as me nenin 8 të Kushtetutës (laiciteti i shtetit kosovar) që pasqyron
rendin politik e institucional të Kosovës, sepse po kjo Kushtetutë garanton
edhe lirinë e fesë dhe të ndërgjegjes.
Laiciteti i
shtetit nuk përshkruan laicizimin e shoqërisë dhe të individit.
“E drejta për të
luftuar” – xhihadi është kundër
konstituimit të shtetit modern dhe demokratik, prandaj kjo “e drejtë” i bën
karshillëk vetë shtetit dhe shoqërisë, si dhe intencës për modernizim dhe
integrime në BE dhe NATO.
Për xhihadin në
Kosovë ekzistojnë interpretime të ndryshme, prej interpretimit që konstaton se
xhihadi është e drejta për luftë brenda vetvetes (tek një besimtar) për t’i
përmbushur detyrat fetare dhe për t’i mposhtur veset e këqija (Xhihadi i madh)
si një detyrë fetare e myslimanëve, deri tek interpretimi për ‘xhihad të vogël”
që del të jetë emërtim arab për “luftë të armatosur” kundër persekutimit dhe
shtypjes.
Brenda
kontekstit të islamit doktrinar, (tek bindjet Shia), xhihadi i referohet luftës
kundër atyre që nuk besojnë në islam (në All-llah).
Porse fjala ka
edhe implikime tjera më të gjera.
Xhihadi është
përdorur zakonisht për termin "Lufta e Shenjtë".
Sipas disa
burimeve (Shih: Merriam-Webster's Encyclopedia of World Religions), xhihadi
shfaqet 41 herë në Kur'an dhe shpesh me shprehje idiomatike si "përpjekje
në rrugën e Zotit.”
Një pakicë në
mesin e dijetarëve Suni nganjëherë i referohen xhihadit si shtyllë e gjashtë e
Islamit, gjë që nuk e ka një status të tillë zyrtar, ndërkaq që tek drejtimi
Shia në islam, megjithatë, xhihadi është një nga 10 praktikat fetare.
Mirëpo sipas
BBC, një e treta e njohësve të islamit esencial mendojnë se kuptimi i xhihadit
është lufta për të ndërtuar një shoqëri të mirë.
Është interesant
fakti se shumë ndjekës të islamit doktrinar në Kosovë (me përkatësi Suni)
mendojnë se Al-Asadi përket në drejtimin Shia, prandaj e ka devijuar udhën e
Zotit, ndërkaq që pikërisht drejtimi Shia i jep termit ‘xhihad’ kuptimin e
luftës kundër të pafeve!
Porse paradoksi
i mirëfilltë në këtë tregim është fakti se po dalin të vërtetë zërat që thoshin
se shqiptarët, veçmas kosovarët që po luftojnë në Siri nuk kanë ndonjë kauzë
politike (luftë për drejtësi e liri) dhe nuk janë përkrah forcave kryengritëse,
por as përkrah ushtrisë së rregullt siriane, por janë darë në duart e grupeve
politike fondamentaliste islamike, që luftojnë në shumë fronte, kundër trupave
të Dinastisë Asad, kundër kryengritësve dhe kundër jomyslimanëve në Siri, apo
të huajve dhe këtë me idenë e Damaskut si qendër të Kalifatit (si para 1000
vjetësh).
Alja Noha, një
studente siriane në Shqipëri, ka folur për mediat e Tiranës, duke u lidhur
përmes telefonit me Ahmad Trad, ish–pilot i ushtrisë siriane, por tashmë pjesë
e luftëtarëve anti-Assad të Ushtrisë për Sirinë e Lirë, që lufton në periferi
të qytetit të Idlebit.
Trad tha se ka
grupe radikale që luftojnë në Siri, por që nuk kanë peshën kryesore në
konflikt. Ai pranoi se në Siri ka shqiptarë që luftojnë kundër regjimit të
presidentit Bashar al Assad, porse këta shqiptarë nuk janë pjesë e rebelëve,
por e grupeve radikale fondamentaliste që luftojnë për rrëzimin e presidentit
Assad dhe për ngritjen e një shteti islamik!?
Mendohet se janë
mbi 500 shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria dhe në mesin e tyre ka
pasur edhe viktima, por tashmë vjen konfirmimi se ata janë përfshirë në grupe
fondamentaliste islamike të cilat kanë një qëllim përfundimtar të ndryshëm nga
ushtria për Sirinë e Lirë.
Prandaj të
gjithë personat që kanë shtetësi kosovare dhe aktualisht luftojnë në anën e
grupeve ekstremiste islamike në Siri, duhet konsideruar si pjesëtarë të
organizatave terroriste dhe duhet vënë në kërkim nga organet e ndjekjes në
Kosovë, kurse me dekret duhet t’u hiqet shtetësia në bazë të Kushtetutës së
Kosovës dhe ligjit mbi shtetësinë, neni 24, (vepra saktësohet në Kodin Penal të
Kosovës), sepse ata kanë organizuar, trajnuar, financuar dhe inspiruar grupe
terroriste brenda Kosovës ose në një shtet tjetër dhe kjo është arsye e
bollshme juridike që atyre personave t’u hiqet shtetësia e Republikës së
Kosovës menjëherë.
Neni 3 i ligjit
mbi shtetësinë përcakton se vendimi për privimin nga shtetësia e Republikës së
Kosovës mund të lëshohet edhe pa pjesëmarrjen e personit në fjalë në procedurë.
Neni 14 i
Kushtetutës (Shtetësia) thotë: Fitimi dhe humbja e së drejtës së shtetësisë së
Republikës së Kosovës rregullohet me ligj.
Me ligjin për
shtetësinë përcaktohen mënyrat e fitimit, humbjes dhe rifitimit të shtetësisë
së Republikës së Kosovës dhe rregullohen çështje të tjera të ndërlidhura me
shtetësinë e Republikës së Kosovës. Neni 2 thotë se përkufizimi i shtetësisë
sipas ligjit është një lidhje të ngushtë juridike midis shtetit të Republikës
së Kosovës dhe një personi nga e cila rezultojnë të drejta dhe detyrime të
ndërsjella; Ndërkaq në nenin 19 (Mënyrat e humbjes së shtetësisë) thuhet: 1. Shtetësia
e Republikës së Kosovës humbet: 1.1. me lirim nga shtetësia;
1.2. me privim
të shtetësisë; 1.3. në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare.
Neni 24 (Humbja
e shtetësisë me privim) thotë: 1. Pavarësisht të drejtës së personave për
shtetësi të Republikës së Kosovës sipas kreut V të këtij ligji, organi
kompetent mund të privojë shtetasin e Republikës së Kosovës nga shtetësia e
Republikës së Kosovës, nëse shtetasi posedon shtetësi tjetër dhe nëse merret me
veprimtari, të cilat rrezikojnë sigurinë kombëtare të Republikës së Kosovës; 2.
Veprimtaritë, me të cilat cenohet rëndë siguria kombëtare e Republikës së
Kosovës konsiderohen në veçanti veprimtaritë vijuese:
2.1. kur
shtetasi qëllimisht i është bashkuar një organizate e cila ka për qëllim
rrënimin ose dëmtimin e rendit Kushtetues të Republikës së Kosovës, ose 2.2.
shtetasi ndërmerr veprime të cilat kanë për qëllim rrënimin ose dëmtimin e
rendit kushtetues të Republikës së Kosovës; ose 2.3. shtetasi është anëtar i
shërbimit të inteligjencës ose i forcave policore të një shteti tjetër dhe për
këtë nuk ka marrë pëlqimin nga organi kompetent ose nuk është i lejuar
me marrëveshje
ndërkombëtare; 4. Vendimi për humbjen e shtetësisë me privim bëhet i
plotfuqishëm kur vendimi i dorëzohet personit në fjalë. Në rastet kur vendimi
nuk mund të dorëzohet për arsye se organi kompetent nuk mund të identifikojë
vendndodhjen e personit, vendimi për humbjen e shtetësisë me privim bëhet i
plotfuqishëm në ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës;
5. Kundër vendimit për privim mund të iniciohet konflikt administrativ në
gjykatën kompetente sipas Ligjit për Konflikt Administrativ.
Termi terrorizëm
përkufizohet me Kodin penal të Kosovës, (Neni 135).
Përkufizimet për
dispozitat e terrorizmit në nenet 121-145; Për qëllime të neneve 121-145 të
këtij Kodi: 1. Terrorizëm, veprim terrorist apo vepër e terrorizmit – kryerja e
një ose më shumë veprave penale të mëposhtme me qëllim të frikësimit serioz të
popullsisë, të detyrimit të padrejtë të një organi publik, qeverisë apo
organizatës ndërkombëtare për të kryer ose për të mos kryer ndonjë veprim, apo
që seriozisht të destabilizojë ose të shkatërrojë strukturat themelore
politike, kushtetuese, ekonomike apo shoqërore të Republikës së Kosovës, të një
shteti tjetër apo të një organizate ndërkombëtare:
Mirëpo në këtë
rast organet kosovare të ndjekjes nuk mund të hetojnë në Siri, nëse këta
persona kanë kryer apo jo vepra terroriste, prandaj Kosova e ka të vetmin mjet
juridik për t’u mbrojtur (siguria e përgjithshme) duke ua hequr shtetësinë
këtyre qytetarëve, të cilët luftojnë “për Allah” në Siri.
Në anën tjetër
Bashkësia Islame e Kosovës si institucion zyrtar në vend se të bëjë thirrje për
ruajtjen e tolerancës ndërfetare si model kulturor dhe shpirtëror të
ekumenizmit ndërshqiptar nëpër shekuj dhe në vend se të mbroj shekullarizmin e
shtetit, po flirton me islamin fondamental, madje aktualisht është “i zënë” me
“veprimtari të fshehtë” duke organizuar puçe (më qëllime politike) brenda këtij
institucione!?
Së këndejmi i
biri i Myftiut të Kosovës Naim Tërnavës, u ka bërë thirrje shqiptarëve që të
shkojnë në Siri për të luftuar. Ai, në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se
çdo ditë e më shumë po i shtohet vullneti për t’iu bashkuar bashkatdhetarëve të
tij në luftimet e Sirisë. Mirëpo edhe pse kjo është vepër penale askush nuk u
morr më të, madje as organet e hetuesisë dhe as prokuroria e shtetit ex-officio.
Të përkujtojmë
se Kodi Penal i Kosovës - Shtytja për kryerjen e veprave terroriste - Neni 141
thotë: Kushdo që shpërndan, ose në
ndonjë mënyrë tjetër mundëson mesazhin për publikun, me qëllim që të shtytë
kryerjen e aktit terrorist, kur sjellja e tillë pavarësisht nëse avokon
drejtpërdrejt ose jo aktet terroriste, shkakton rrezikun që një ose më
shumë vepra të tilla të kryhen, dënohet
me burgim prej një (1) deri në pesë (5) vjet.
Prandaj, për hir
të sigurisë së përgjithshme në Kosovë dhe rajon, për hir të sigurisë nacionale
të aleatëve të Kosovës dhe si detyrim për luftën kundër terrorizmit si dhe për
ruajtjen e stabilitetit të vendit, këta persona duhen ndëshkuar me heqjen e
shtetësisë. Përndryshe, nuk dua të paragjykoj se si do të sillen këta luftëtarë ‘xhihadistë pas kthimit në atdhe,
mirëpo rasti i vullnetarëve myslimanë nga Afrika dhe Azia në luftën e Bosnjës,
e të cilët mbetën të jetojnë aty edhe pas luftës, dëshmon për një sjellje shumë agresive të
tyre, duke e dëmtuar ndjeshëm shtetin dhe demokracinë boshnjake.