Mendime
Adil Fetahu: Pasuritë e shqiptarëve në Greqi
E diele, 22.09.2013, 07:58 PM
PASURITË E SHQIPTARËVE NË GREQI
Shkruan: Adil
FETAHU
Për krimet,
spastrimin etnik dhe gjenocidin e shtetit, kishës dhe bandave greke kundër
shqiptarëve në Greqi, është shkruar e
folur në media e forume të ndryshme. Një përmbledhje e atyre ngjarjeve është
botuar në librin e Hajredin Isufit, me titull: “Çamëria, nëpërmjet kronikave të
kohës 1902 – 1940,” kushtuar martirëve të Çamërisë, botim i “Pegi”, 2007. Është një listë shumë e
gjatë bibliografike e librave dhe shkrimeve të botuara për Çamët dhe Çamërinë,
në të cilat është trajtuar nga aspekte të ndryshme ky problem i pjesës së
kombit e dheut shqiptar. Sot vatani i çamëve ose është i helenizuar tërësisht,
ose në vise të caktuara ka mbetur i shkretë, pasi çamët, sidomos ata të besimit
mysliman, ose janë shkëmbyer me ortodoksët grekë të Turqisë (1922-1927), ose janë detyruar të ikin në Shqipëri e vende
tjera, deri përfundimisht me vitin 1949/50.
Por, pasuritë e
çamëve, të krijuara në vendin e tyre shekuj me radhë, kanë mbetur brenda
kufirit të shtetit grek, dhe as u janë kthyer as kompensuar pronarëve. Madje,
vetëm përmendjen e çështjet çame, apo të pasurisë së tyre, pushtetarët e
Greqisë e quajnë “skandal” diplomatik, pasi që sipas tyre çështja çame nuk
ekzistuaka! Sa herë (sado rrallë herë) dikush ua përmend çështjen çame, ose
pronat e çamëve që janë detyruar lënë në Greqi, e të cilat duhet t’iu kthehen
ose kompensohen pronarëve, Greqia reagon sikur gjarpri kur ia shkel në bishtin.
Në tetorin e vitit 2012, gjatë një vizite në Athinë, kur ministri i punëve të jashtme të
Shqipërisë, Edmond Panariti, ia përmendi homologut të tij çështjen e pasurisë
së çamëve, ajo ministri reagoi me tone të ashpra.
Po, çfarë
pasurish kanë çamët në Greqi?
Për pasuritë dhe
problemin e pronës së çamëve në Greqi, deri më sot në mënyrë më të plotë dhe të
argumentuar nga pikëpamja juridike dhe diplomatike e ka analizuar Mentor
Nazarko, në librin e tij “Lufta e fundit, pronat e shqiptarëve në Greqi”, botim
i Shtëpisë Botuese të Universitetit Evropian të Tiranës, 2007.
Pasuritë e
çamëve janë goditur në disa momente kohore: në kohën e ndarjes prej Perandorisë
osmane; në kohën e Konferencës së Llozanës për këmbimin e popullsive
midis Turqisë
dhe Greqisë; në kohën e reformës agrare, dhe në kohën e luftës e pas Luftës së
Dytë Botërore. Pasuritë e tyre populli i Çamërisë i humbën në disa forma: me
grabitje, përvetësim, prishje, shkatërrim qoftë prej pushtetit apo bandave të
përkrahura nga pushteti grek; me përvetësim të padrejtë e nën kërcënim me vdekje nga autoritetet greke; me konfiskim
nga qeveria greke, duke i konsideruar shqiptarët-çamët mysliman se janë turq të
cilët është dashur të shkojnë në Turqi; dhe me shpronësim në procesin e
reformës agrare, për t’iu siguruar prona ortodoksëve grekë të ardhur nga
Anadolli.
Për përmasat e
pasurisë së çamëve të mbetura në Greqi, ka të dhëna të ndryshme, që sillen nga
600.000 ha toke, oborre, kopshtije, ara, livadhe, male, kullosa, sa pretendojnë
pronarët e ndryshëm, deri 100.000 ha sa pretendonin organet zyrtare të Greqisë.
Sipas të dhënave të Shoqërisë Komisionere, pasuritë e pretenduara deri në vitin
1989 ishin: 309 shtëpi, ndërtesa dhe apartamente; 62 terrene të ndërrueshëm; 66
dyqane dhe magazina; 30.000 hektarë tokë bujqësore, ara dhe vreshta; 65.000 ha
pyje; 108.000 hektarë livadhe. Ka pasur edhe sekuestrime tjera dhe depozita
bankare. Vlera e këtyre pasurive shkonte
deri në 350 milionë dollarë të asaj kohe.
Çka shkruante
Konica më 16 shtator, dhe Krivova më 20
shtator 1930?
Në “Shqipëria e
Re”, që botohej në Konstancë, nr.437, të
datës 16 shtator 1930, Faik Koncia shkruante, lidhur me një artikull të autorit
anonim “Krivova”, të botuar në gazetën “Demokratia” të Gjirokastrës, të datës 6 shtator 1930, me titull:”Pasuritë
e patundshme të shqiptarëve të Çamërisë”. Në atë artikull autori anonim
përgënjeshtronte me argumente gënjeshtrën që kishte përhapur qeveria greke,
gjoja për trefishimin e çmimit për shpronësimet e bëra të pasurisë së çamëve. Letra e Konicës
kishte këtë përmbajtje: “Në një numër të
fundit ‘Demokratia’ boton një artikull interesant mbi ‘Pasuritë e patundshme të
shqiptarëve të Çamërisë’. Në atë artikull, një shqiptar që fshihet prapa
pseudonimit ‘Krivova”, plot arsye dhe i mbështetur në shifra, tregon se ç’është
në realitet i famshmi dyfishim e trefishim aq i trumbetuar i çmimit të pasurive
shqiptare në Çamëri. – Duke qenë se artikullshkruesi i ‘Demokratia’ në krye të
artikullit referohet në një botim të ‘Shqipërisë së Re’, nr.429, mbajmë të
nënvijueshme se lajmin e shtesës së çmimit në fjalë e morëm nga fletoret e
Tiranës dhe duke e konsideruar si të saktë, e quajtëm si të parën provë miqësie
të sinqertë të Greqisë kundrejt shqiptarëve. Koha na provoi se ishim rrejtur,
duke qenë se në themel ajo shtesë nuk ishte veçse një grusht për sytë e botës.-
Sot ‘Krivova’na ndriçoi plotësisht këtë çështje. I falemi nderit. (Faik
Konica).
Ishte fjala për
një gënjeshtër të qeverisë greke, kinse kishte vendosur të paguante
dy-trefishin e çmimit për pronat e
shpronësuara, të cilat gjoja se ua ka caktuar me rastin e
shpronësimit, e
që ai çmim nuk ishte as sa renta e një viti, madje as ajo kurrë nuk iu pagua.
I njëjti autor
anonim (‘Krivova’), që ishte korrespodent në Prevezë, i gazetës “Demokratia” të
Gjirokastrës, më 20 shtator 1930,
shkruante: “Pasuritë shqiptare të shpronësuara dhe qëndrimi i qeverisë greke”.
Për hirë se
përputhet në kohë (20 shtator...), artikullin po e riprodukojmë në tërësi,
ashtu siç ishte botuar atëherë:
“Nënshtetasit
shqiptarë kanë në Greqi një pasuri bujqësore të vlerës reale më se dy milion
napolona flori. U shpronësuan të gjitha në favor të katundarëve me një çmim
gradualisht të ulët, me një të dhjetën dhe në shumë vende një të njëzetën e
vleftës së vërtetë. Për këtë çështje më 1928 u këshilluan nga Lidhja e Kombeve
që ta zgjidhin ndërmjet tyre Shqipëria dhe Greqia, në mënyrë miqësore
mosmarrëveshjen. Të dy të interesuarit e pranuan, por dikush prej të dyve vetëm
sa për faqe dhe ky ishte greku, i cili nuk deshi të hynte në bisedime me
delegacionin shqiptar, vajtur në Athinë nergut për këtë çështje brenda atij
viti. Mbeti çështja në gjendjen e parë. – Greqia insistonte të shpërbleheshin
sipas vendimit të gjykatoreve kompetente, kurse Shqipëria kërkonte një farë
shtese. Asnjë fitim, asnjë përmirësim. Dhe sikur të qëndronte çështja vetëm
këtu...! Ministri i jashtëm i Greqisë, vitin e kaluar, me një letër drejtuar
Ministrisë së Bujqësisë greke thotë se Qeveria e Athinës ka arsye politike të
mos u paguajë asnjë samtim nënshtetasve shqiptarë për pasuritë e tyre të
shpronësuara. Dhe nuk i pagoi. Vëllazëria Lolomani, vëllazëria Kumbarat e
Abdiajt, zonja Heteme Fejzi, i parashtruan Ministrisë së Bujqësisë formalitetet
e plotësuara me dokumenta përkatëse dhe kërkuar t’u jepen aksionet e vleftës së
çmimit të vendosur nga gjykatoret greke për mbi pasuritë e tyre të
shpronësuara, por më kot. Nuk iu paguhen për arsye politike se janë shqiptarë.
Dhe aktet e tyre shkojnë të flejë në arkivat e harresës. Jemi pëprara një
grabitjeje zyrtare! Nuk dimë në bëri ndonjë përçapje qeveria shqiptare apo jo
për këtë çështje. Dhe vazhdon të mbetet mister shkaku i këtij qëndrimi të
qeverisë greke. Që të mos përmendim se shumë shqiptarëve nuk u njeh as
nënshtetësinë e tyre!- Persona grekë që mund të jenë me kompetencë e të dinë
diçka mbi këtë çështje, na informojnë me insistencë se qeveria shqiptare është
në marrëveshje me z.Mihalakopulos që t’i paguhen drejtpërdrejt asaj çmimet e
pasurive të përmendura. Në është i vërtetë apo jo ky lajm, nuk mundemi ta
kontrollojmë. Shpresojmë pra, se Ministri i Jashtëm, z.Reuf Fico, do ta
ndriçojë opinionin e shqetësuar të proprietarëve (pronarëve.a.f) shqiptarë.
Është dhe një detyrë njerëzore që mos të lihen të interesuarit të sillen
rrugëve të Athinës dhe koridoreve të ministrive, duke vuajtur sa dhe për bukë.
Nëse me të vërtetë jemi në prakun e një marrëveshjeje të tillë, proprietarët
duhet të pushojnë energjitë e tyre, dhe në qoftë se një marrëveshje e
tillë nuk është
e vërtetë qeveria shqiptare duhet jo vetëm të mos rrijë apatike, por edhe të
ndërhyjë energjikisht për të mbrojtur nënshtetasit e dëmtuar.- Krivova,
‘Demokratia’,Gjirokastër, nr.268, 20 shtator 1930, autori: Krivova”. (Marrë nga
libri i Hajredin Isufit, fq.356-357).
Historia e çamëve dhe e Çamërisë është plagë e hidhur dhe e pashëruar shqiptare. Greqia (tash) anëtarja më e përkëdhelur dhe më e ndihmuar e Bashkimit Evropian, ka kryer dhunë e krime të vazhdueshme më se gjysmë shekulli ndaj çamëve, e edhe tash vazhdon t’ua mohojë të drejtën e kthimit të pronave ose kompensimin e tyre. Problemi pasuror dhe pronësor i shqiptarëve të Çamërisë është problem politik, diplomatik dhe juridik në kontekst të politikës dhe të drejtës ndërkombëtare, veçmas asaj evropiane, që po zvarritet kaq kohë dhe akoma nuk u vu në binarë të zgjidhjes. Me këtë Greqia si shtet gjoja demokratik, nuk po e respekton të drejtën ndërkombëtare kur është fjala për pasuritë e pronarëve shqiptarë që i kanë lënë brenda shtetit grek. Kjo çështje asnjëherë nuk duhet të heshtet e neglizhohet por duhet të internacionalizohet nga vet pronarët, nga shteti shqiptar dhe nga institucionet kompetente të Evropës, deri në zgjidhjen përfundimtare. Për këtë nevojitet një luftë e gjatë, e mundimshme dhe e mençur juridike dhe diplomatike.