Mendime » Radovani
Fritz Radovani:Shkambi i Thethit... At Daniel Gjeçaj
E shtune, 21.09.2013, 08:59 PM
SHKAMBI I THETHIT... AT DANIEL GJEÇAJ O.F.M.
Në 100 vjetorin e lindjes...
Nga Fritz RADOVANI
Malet e Veriut i kanë dhurue Shqipnisë shumë gurë të
çmueshem e të fortë! Pak kush ua di vleren e Tyne! Nuk janë shumë të mëdhej
para se me u ba ortek e me u rrokullisë nga majet e atyne Bjeshkëve të Nêmuna,
që shumë vizitorë e dijetarë i kanë ba me folë me vete…
Bukuria e pejsazhit asht mahnitëse! Ajo shijohet vetem kur i sheh me sy! Madhështia e atyne maleve të ashpra e t’ veshuna me pyje, kullosa e kësula bore, nderthuret edhe me harmoninë dhe zhdervjedhtësinë e trupit njeriut të skalitun nder shekuj nga vetë Dora e Zotit! Atje kanë lindë dhe kanë trashigue deri në ditët tona drangojt e shpellave formulen e patjetersueshme në shekuj, “Atdhé e Fé”, kur edhe Lekë Dukagjini ua vuni emnin në Kanu trashigimtarëve t’ Ilirëve.
At Daniel Gjeçaj O.F.M., ka lé me 14 Tetor 1913, në Thethin e bukur të Dukagjinit, mu në mes t’ atyne Alpeve ku ruhej nder shekuj tradita e paster Shqiptare. Aty filloi mësimet e para të cilat i vazhdoi në Shkoder, në Liceun “Illyricum”, i njohun Kolegji i Fretenëve të Gjuhadolit. Në vitin 1939 asht në Siena t’ Italisë per me vazhdue studimet e nalta. Në vitin 1940, vazhdon një vit studime në Gjermani dhe kthehet në Theth, ku thotë edhe Meshen e parë. Ishte në brezin e njohun të Françeskanëve ma të kulturuem, kur punoi në njenen prej tri bibliotekave ma të pasuna që ka pasë Shqipnia, Biblioteka Françeskane e Shkodres, një nder thesaret e kulturës kombtare, që u plaçkit, u dogj dhe u shperdorue barbarisht mbas vitit 1946, kur kuvendi u kthye në burg nga komunistët. Në vitin 1946, kur po shiheshin gjurmët e shkatrrimit sllavo komunist në Shkoder dhe provinçial i Fretenëve ishte At Mati Prennushi, e largon nga Shkodra At Danielin, per në famullinë Plan, tue e këshillue që të tregohet i kujdesshem, mbasi shpejt pritej të mbyllej kuvendi dhe do të fillonin edhe arrestimet. (Dishmi gojore e At D. Gjeçaj, 1997, në Shkoder).
Në vitin 1948, një mik i veti e njofton se shpejt At
Danielit, do t’i vinin prangat. Per mos me ra në kurthen mizore të sigurimit të
shtetit, tue perfitue nga acarimi i mardhanjeve shtetnore mes dy shteteve “miq”
Shqipni – Jugosllavi, arratiset atje dhe vetem mbas shtatë vjetësh, arrinë me
kalue në Itali, në vitin 1955. Vendoset në Toskana t’ Italisë dhe mbas pak kohe
atje shumë të njohun e ngarkojnë me detyrë të pergjegjësit të kulturës pranë
Komitetit “Shqipnia e Lirë”.
Lidhjet e Tij edhe me t’ arratisunit tjerë si Prof.
Ernest Koliqi, Prof. Karlo Gurakuqi, Prof. Namik Ressuli dhe një brez i tanë i
papersëritshem i kulturës Shqiptare në mergim, kalon në Radio Vatikanin, ku
zani i At Danielit dha kushtrimin e Lirisë pa pushue deri në vitin 1992.
Emnohet nga Selia e Shejtë, Perfaqsues i Katolikëve
Shqiptar në mergim, ku ndihmesa e Tij u njoh edhe në Shoqninë Katolike
Shqiptare të Melbournit, së ciles i perpiloi dhe Statutin e saj, të cilin me
pak ndryshime ajo Shoqni e ka edhe sot me nenshkrimin At Daniel Gjeçaj.
Gjatë gjithë jetës së Tij, Ai u qendroi besnik parimeve të veta per “Atdhé e Fé”.
Kontributi i At Daniel Gjeçaj në lamen e kulturës, shkencës, letersisë, gjuhës, historisë së persekucionit komunist në Shqipni, arkivave kulturore, perkthimeve dhe trashigimisë së asaj të së shtrejtes aftësi dhe perkushtim, me ua percjellë të paster brezave të rij porosinë e të Parëve të vet, që jo vetem ishin vra dhe nuk u dihej as vorri, por edhe çdo fjalë e Tyne ishte zhdukë me Ta, per të gjithë kohen sa jetoi, jo vetem punoi pa u kursye, por edhe u dhuroi gjithë thesarin e Tij, Kuvendit Françeskan të rindertuem. Ai erdhi në Kishen e Tij në vitin 2002, i veshun me zhgunin e vet, per me pushue nder Ato temele, ku ishte i fresket Gjaku i Martirëve të Asaj Kishë, i derdhun rrëkajë per 47 vjet nen robninë e terrorin ma të tmershm të gjenocidit barbar komunist. Ai sot asht nder ata vorre ku nuk asht ma asnjë kafkë e Atyne Fretenëve t’ Asizit, që At Danieli, i adhuroi dhe i dishroi gjithë jeten e vet në mergim.
At Danieli asht puntori ma i perkushtuemi në mergim
me ringritë Monumentet e perdhosuna, tue fillue me “Lahuten e Malcis” e deri
tek vepra e vet, “Prelë Tuli i Salcës”, ku me një mjeshtri të rrallë na ka
dhurue një mbrekulli të vertetë, per trimninë e guximin e Maleve tona
kreshnike.
At Daniel Gjeçaj
dhe Prof. Gjon Sinishta kanë ngritë Monumente të pavdekshme!
Fjalori që perdori At Danieli, asht ma i pasuni i
Gegnishtes letrare mbas At Fishtës. Ai të duket sikur buron nga goja e një
figure legjendare që don me na kujtue: “Shifni shka jeni tue rrenue o vllazen Shqiptarë!”.
Perkthimet e Tij, asht e vertetë se pak shohin “driten” e botimit, mbasi janë
zevendsue me “perkthimet në gjuhen e njësuar të kongresit 1972”, kur u vorros
Gegnishtja.
Me të drejtë
At Gjeçaj konsiderohet si një nder ma të
aftit dhe të pergatitunit si perkthyes i disa veprave kishtare me vlerë: “Meshari i të kremteve” (1966) “Rendori i meshës” (1973)
Meshari i përditshëm, Psalmet, trajtue si një pjesë e madhe e Biblës etj.,
ku spikatë një mjeshtri e rrallë e njohjes së atyne veprave fetare të
perkthyeme me saktësi në Gjuhen e bukur Shqipe. Edhe Ungjillin Shenjt ia kishte
kerkue Don Simon Filipaj, po asnjëherë nuk i kishte shkue mendja se Don S.
Filipaj ia kerkoi që ta bastardhojë me gjuhen e “njësuar” të “Kongresit 1972”.
Ribotimi i “Lahutës së Malcisë” në
vitin 1958, e shoqnueme me komente nga At Danieli, risjellë në kujtesen
historike gjurmët e pavdekshme ku shkelën sandalet e Françeskanit tonë.
At Daniel Gjeçaj në ditët e para të
fitores së zgjedhjeve të 22 Marsit 1992, me anen e një mesazhi drejtue
fituesëve “demokratë”, të cilët do të merrnin pushtetin nga “socialistët”, që
deri atë ditë ishin komunistë terroristë, u ban të dijtun nga Radio “Vatikani”,
me rreth 14 ose 15 pika me të cilat duhet ndertue binaja e Demokracisë së
vertetë në shtetin e porsa lindun në Shqipni.
Jam i sigurtë se as sot e asaj ditë që
nga viti 1992, nuk asht zbatue asnjë
nga ata pika udhrrëfyese per qeveritarët tanë! – Pse?! – Se asnjëherë, askush
nuk ka mujtë me pa të pakten një anderr, që na mund ta quejmë sot, se kjo i
perket rrugës sonë “drejtë demokracisë”...
Me datën 3 Janar 1997, kam pasë fatin
me u njoh dhe me kalue disa orë në një drekë, që më pat thirrë At Konrrad
Gjolaj, ku ishte edhe At Danieli. Ishte e para herë që u njoha afer...
Na tregoi se me datën 5 Janar, do të
shkonte në një takim me presidentin Sali Berisha. As At Konrradi dhe as unë
mbas Tij, nuk i dhame asnjë mendim. Kujtoj si tashti, kur e takova me daten 6
Janar në darkë, mbas takimit me presidentin... dhe më tha: “Gjatë gjithë kohës
që ishe aty dhe po bisedonim me te, asnjëherë nuk më ka shikue drejtë në sy...
E mjera Shqipni!”
Kur e pyeta se, “klerikët e rijë që po
bahen, a mendon se ndonjë... mund të ndjekin rrugën Tuej, të pakten në fushen e
traditave Atdhetare dhe Fetare, në edukimin e Rinisë Shqiptare?”
– “Nuk
mjafton me dashtë, po nuk duhet me drashtë!”... më tha, shumë i topitun.
Dhe, nuk u pame kurrma!