Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Të persekutuemit a kanë pasqyrë?
E merkure, 08.05.2013, 07:05 PM
TË PERSEKUTUEMIT POLITIK A KANË PASQYRË ?...
Nga Fritz RADOVANI
Ata që
provuen plumbin dhe hunin…pjesa ma e madhe u “harruen” ose ikën me kohen… Ka
shumë nga ata që me dashje “nuk i kujtohen” as hetuesit, gjykatësit apo
drejtorët e kampeve të shfarosjes… Nuk i kujtohen as kur i takojnë në rrugë apo
në ndonjë kafe... Nuk i kujtohen!!
Mendoj me
vete dhe shpesh kam pyet “si ngjet kjo gja aty, ku na rrethonin 26 burgje !?”
Unë isha
fëmijë kur Ahmet Suji erdhi dhe arrestoi vllaun...pikrisht me 10 maji 1950, apo
kur, Nana ime më merrte me vete tek burgu i Kishës së Fretenëve në Gjuhadol në
Shkoder, dhe tek dera dilte me sofratasa në dorë katili Dulaç Lekiqi apo Elez
Mesi me zagarë dhe na i hudhte si kafshëve, “na merri...ik tashti, tjetri...”,
dhe vazhdonte vargu i pafund i nanave, motrave e grave t’ atyne të mjerëve që
ishin aty dhe kishin ditët e numrueme nga diktatura ma e mnershme që ka provue
Shqipnia! As kjo nuk i kujtohet shumkujt që humben t’ afermit e tyne të
dashtun!
Shtëpijat
e kthyeme hetuesi, burgje e qendra torturash të kudondodhuna në qytet mbollën
frikë, po me té, edhe urrejtjen e perjetëshme per sistemin komunist që kishim
mbi kokat tona.
Bashkë me
edukaten familjare të dashnisë per Atdheun dhe Gjergj Kastriotin, foto e të
cilit qendronte gjithmonë në krye të vendit në dhomen e pritjes, ishte edhe
edukata fetare që nuk ndahej per asnjë çast nga mësimet që na jepnin të
moshuemit tanë. Këta virtyte nguleshin prej Tyne në Shpirtin tonë me një durim
të pashoq. Në shkolla, rruga, apo sa njeriu vinte kambën jashta derës së
oborrit fillonte propaganda per urrejtjen dhe krimin. Askund nuk shihej e
drejta. Mashtrimi dhe rrena apo gënjeshtra u mësonin nder shkolla. Provat
flasin edhe sot me librat dhe të gjitha botimet mbas vitit 1944, të shperndame
në të gjithë boten edhe até Perëndimore. Po né që ishim mbrenda telave me
gjemba, ku do ta mësonim të Verteten!? – Vetem nga prindët tanë! Ata edhe pse
ndodheshin mes dy zjarreve: Çka me na dhanë me hangër në drekë apo çka me na
ushqye shpirtnisht, per me na ruejtë nga ndjenja e frikës apo e terrorit që mbizotnonin
kudo dhe që ishte burim i të gjitha të zezave per gjithë jeten, tue fillue nga
agjentura në sigurimin e shtetit, e deri tek humbja e fisnikërisë së krishtenë
dhe e ndjenjave qytetare të trashigueme në familje.
Gjyshja
na fliste per të Parët tanë, per jeten e vështirë të tyne, per zemergjansinë që
duhet të trashigojmë prej Tyne dhe si duhet të mundim të keqen që na rrethonte
nga komunizmi barbar. Ajo kishte mësue shkrim e këndim në shkollën e Kush’
Mices rreth viteve 1880, dhe na thonte se sa shumë virtyte kishte humbë
Shqipnia nga pushtuesit turqë, e prap ma vonë nga veglat e tyne, që vazhdonin
me sundue Popullin Shqiptar. Dhunuesit nuk e donin pushtetin vetem per t’u
quejtë pushtues e sundues hajdutë, po edhe per me shkatrrue vlerat tona morale,
kulturore, shpirtnore e ato kombtare, me humbjen e të cilave Shqiptari, një
ditë... do të “puthte” edhe prangat e veta!
Ishte
mundue gjyshi im Pjeter Prennushi, me u dhanë shkollë fëmijëve! As nuk i
shkonte kurrë mendja se djelmët e vet universitarë mbas vitit 1944, do të
provonin ferrin komunist në hetuesi, burgje, kampe shfarosje, interrnimi, e
besa, dhe vdekjen e djalit të madh Don Kolecit, nga vuejtjet e torturat në
sigurimin e Shkodres, të cilin, e masakroi me duertë e veta terroristi që nuk
besoj se e harron kurrë qyteti i Shkodres, kasapi kriminel Zoi Themeli. Mija e
mija Shqiptarë kaluen nder ata podrume e labirinte tmerri, prej të cilëve shumë
prej Tyne nuk u kthyen kurrëma!
Fatkeqsisht,
edhe Ata, që mujtën me u kthye tek votra e vet e rrenueme e jo pak e dhunueme
shpesh edhe moralisht, një pjesë u kthyen të tjetersuem. Ndoshta, një
“deklaratë” e marrun me dhunë në tortura vazhdoi me i mbajtë “rob” edhe kur
duhej të mos u topiste me kenë Burrë, me tregue: “Nenshkrimi i asaj deklaratë”
më ndjekë mbrapa! I mungonte forca e karakterit dhe guximi me u “Rrëfye”
botnisht!! “Harrojnë” se pranë saj asht Falja!
“Harrojnë”
se, pasoja e kësaj mungese me u “Rrëfye”, mbulon nen guaskën e vet shumë emna
me të gjitha poshtersitë e tyne si hetues, gjykatës, agjentë dhe të gjithë ata
bisha e torturues që i kanë sherbye barbarisht me dhunë e terror diktaturës
Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, po dhe emnat pasuesëve që sot në vend të flamurit
marksizem – leninizmit kanë shpalosë paturpësisht një tjeter flamur të
robnuesit, ate të “vëllezërëve të gjakut
të vet”, të anadollakëve turqë.
As këte
nuk e kuptojnë të persekutuemit politik?! Çdo veper Burrnore duhet t’ ua mbushë
mendjen se asht dashje ose padashje “një hapje dosjesh” per vrasësit e
terroristët e kudondodhun deri në sferat e nalta të shtetit, nder gjykatat e
nalta apo postet ma të nalta qeveritare.
Vetë emni
i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, të
ban me u mendue se per ke ban fjalë kjo Shoqatë!? Shoqatë të Persekutuemish
politik… por edhe “Antikomuniste”, po, të persekutuemit politik komunistë, në
cilen Shoqatë bajnë pjesë?! Nuk mjaftohen me kaq, po edhe “Demokratë”. Po
“antidemokratët” a kanë Shoqatë?! Dhe fjalen të “Persekutuem” e kanë kthye në
të “Perndjekun”… Të gjitha këta epitete janë vue per me u “perça” dhe me i
coptue në disa grupe, si e si me u krijue lehtësi pushtetarëve “me i sundue”.
Kjo
u
intereson perçarsëve se me disa kafshata që ata ua hudhin si qenëve, shumë prej
tyne që i drejtojnë këto shoqata, vazhdojnë skllavnimin e vet. Po të gjithë të persekutuemit janë kthye në
“qenje të pavetdijshme”, që nuk e kuptojnë
veten “plaçkë” të dhunuesëve barbarë të djeshem?!
Të
persekutuemit politik sot mbas 22 vjetësh mashtrim të qeveritarëve “demokrat
apo socialist” si thotë populli “një m…ollë e ndame dyshë”, nuk duhet assesi me
u identifikue me mashtruesit dhe me ata që per 70 vjet i poshtnuen, i vorfnuen
e i shnderuen, po me guxim e force duhet të ngrisin zanin e tyne. Zani i tyne
asht zani i mashumëse gjysë miljoni Shqiptarë, që u masakruen nga terrori e
komunizmi, e sot bahen objekt tallje i një grupi hajdutësh kapitalisto –
komunistë e anadollakë, të cilët, të gjitha interesat e tyne i kanë të lidhuna
me kolltukun dhe shkombtarizimin e Shqiptarëve në sherbim të kujtdo që ua
mbushë xhepat e tyne...
Po
afrohen votimet tjera...Po per ké mendojnë me votue tashti të persekutuemit
politik?!
Cila
parti, cilët deputetë, apo cili president tash 22 vjetë ka mbrojtë interesat e
atyne që u persekutuen nga komunizmi, dhe as nuk i shkon mendja asnjenit me ua
hjekë titujt apo dekoratat e fitueme me krime dhe vrasje nga Enver Hoxha, Ramiz
Alia, Nexhmije Hoxha e vrasës tjerë?!
Mos heqja
e titujve e dekoratave asht parathanje e një robnije të re!
Para se
me shkue nder votime, a e shihni veten në “pasqyrë” bré burra...?!
22 vjetë,
që ASNJË i persekutuem politik “nuk ka mujtë” me pergatitë djalin apo vajzen të
shkolluem në universitetet Perëndimore, per me u kandidue në forumet e nalta të
Shtetit!?
Kjo ngjet
se para se t’ aprovohet një parti politike ma perpara mendohet “drejtuesi i
saj”,
shumica e
të cilëve, ashtu si mjaft shoqata të persekutuemish, drejtohen nga të
“preferuemit”.
Po
diaspora, çfarë i ka ndihmue të Persekutuemit politik në këte drejtim?! –
Asgja!
Diaspora
po, u ka hapë dyertë Ramiz Alisë e pasuesëve të tij në të gjitha shtetet e
botës, e per fatin e keq kur i percjellë në aeroporte nga “permallimi” ua futë
edhe nga një zarf në xhepa, që shpesh, ai asht “falnderim” per mos hapje
dosjesh të veprimtarisë së tyne si agjenta të vjeter.
Janë
pikrisht “ata”... me të cilët “E.Hoxha e R. Alia kanë ruajtë lidhjet e
vjetra...”
A mundët
me kenë edhe kjo një arsye që jo vetem nuk hapen “dosjet”, por “dyllosen” që
mos të guxojnë kush as me e diskutue hapjen e tyne, e çka asht edhe ma turp e
poshtersi që sot në Europën Lindore, të vetmit janë Enver Hoxha e Ramiz Alia që
ruejnë dekoratat e titujt “Hero i Popullit” etj..! A e pyesin veten ndonjëherë
Shqiptarët kur shtrohen nder biseda të pafund dhe të kota nder kafe apo
bulevarde...të pakten, kur edhe ndonjë gotë raki ua ka torollosë trunin?
Presidentët,
Kuvendi Popullor dhe qeveria shqiptare, stimulojnë me paturpësi “hipotekat ma
të ngarkueme me agjenturë”, perderisa Shqipnia sot, asht i vetmi vend
diktatorial në të gjitha shtetet e Europës Lindore jo vetem, që nuk hapë
dosjet, por edhe i “zgjedhë” në organe shtetnore njerzit që i kanë sherbye
sigurimit të shtetit. Sigurisht, me këte ata sigurojnë skllavërinë!
E cili
diktator i shekullit XX ka ba mbi popullin e vet ate çka kanë ba këta bashkë me
të gjithë pasuesit e tyne barbar e kriminela, pikrisht këta, per të cilët
votoni ju sot?!
***
E mendja si padashje më shkon tek Dera e Ferrit e Dante Aligierit:
“KËNDEJ KALOHET
NË QYTET T’ MJERIMIT,
KËNDEJ KALOHET
N’ DHIMBJEN PA
KUFI,
KËNDEJ KALOHET N’ SHPIRTNAT HUMBUN SHQIMIT.
KRIJUESIN TIM
E SHTY’ DREJTSIJA
E TIJ:
VETË PUSHTETI
HYJNOR MË KA SAJUE,
MA E NALTA DIJE, E PARA DASHUNI.
PARA MEJE
GJA TJETER S’ U KRIJUE
VEÇSE E
PËRJETSHME, - E UNË QENDROJ PËRJETË:
O JU QË HYNI MBRENDË, KENI MBARUE!”
Vertetë
“keni mbarue”?!.. – Të shohim në Qershor!
Kjo ngjet
me të gjithë ata që turpin vazhdojnë me e pasë per “nder”, e “nderin” per turp
të vetin dhe të trashigimtarëve të vet. Kjo asht pasojë e asaj që “në Shqipni
nuk ka drejtësi!”
Koha
zbuloi prej veprave tyne të poshtra, ma shumë se na ka shkue mendja ne!
Unë do
t’iu kujtoj vetem një gja bashkatdhetarëve të mij të persekutuem:
“Edhe tallja e sotme... asht vazhdim persekucioni per ju!”