Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Në Tiranë fryn karajeli i kublave
E premte, 21.06.2013, 09:00 PM
NË TIRANË
KA FILLUE ME
FRY KARAJELI I
KUBLAVE…
Nga Fritz RADOVANI
Besoj se
nuk asht nevoja me hy me shpjegue se çka asht ajo lloj eret që thirret andej
kah Shiroka, e deri në të derdhun të Bunës në detin Adriatik, me emnin karajel
kublash… Ajo e ka kohen e saj aty nga gjysa e marsit e deri kah fundi i
prillit, kur edhe kubles i ikë shija gatimit. Mirpo, në vitet e fillimit të
këtij shekullit të ri karajeli asht tue vazhdue deri kah gjysa e muejt
qershor. Aso kohe, dikur, mbushej liqeni
me lundra e sule gjoje peshkut që vinin deri poshtë në dejlan. Ndersa lumi
Buna, në dukje një lum i qetë per lundrim edhe ajo mbushej me peshkatarë. Ishte
gja shumë e kandshme me kenë nder ato lundra sidomos me mjeshtra gjojet, kur
zinin me një mjeshtri të madhe disa lloje peshku, që asaj anë nuk i mungonin në
kohen (ose vaktin) e vet. Shiroksit janë kenë të njohun per mjeshtrinë e zanjes
së peshkut. Me dashtë me shkrue per këte mjeshtri që nuk i ka mungue Shkodres
ashtu si edhe gatimi i peshkut, do të vazhdonim gjatë ndonse, qellimi i këtij
shkrimi nuk asht ky. Era e karajelit thonë se “tashti” asht çvendosë...
Nuk më
kishte shkue mendja kurrë se edhe karajelin e kublave e ka marrë Tirana!
Kjo ide,
me e pasë edhe karajelin në Tiranë, paska lindë kur asht rregullue liqeni
artificial dhe kopshti zoologjik mbas universitetit, ku studentat do të shihnin
në terren se si fryen era dhe si njerzit duhet të mësohen me shkue kah i çon
ajo. Atëherë nuk njihej karajeli i kublave kështu, tiranësit filluen me i dhanë
randsi peshkut që sillej nga gjithë Shqipnia per me e gatue Tirana.
Atë peshk
që ishte ma i zgjedhuni e perlante Blloku i udhëheqësave, ku mbas sa kohe e
shihnim “peshkun tonë” edhe nder zyre të randsishme... Kur fillonte me “rrah”
bishtin ia gjenin vendin edhe atij si shokëve të tjerë per të cilët kanë fillue
me ba edhe perkujtimore... Harrojnë se edhe mbasi dilnin prej furre, i vinte
era karajelit të Liqenit Shkodres. Ndersa, krapuliqat e kublat nuk i perdornin
gati fare në Bllok, se kur fergohen merrte erë tanë Tirana... Ata vetem me
raste kongresesh apo tubimesh per festat e themelimit PPSh, ose kur i
grumbullonin atje dhe shokët e byrosë zgjidhnin ndonjë kubul të freskët per
sekretare...ose në zyrat e komiteteve të Tiranës.
Specialistët
këto kubla i njihnin kryesisht nder velza se kur ishin të ndiqme i kthenin në
dejlanin e Shkodres, ku nuk binin në sy se aty kishte shumë si ato... Ishin
mësue shkodranët me hanger çka nuk e perlante Tirana, e nga këto rasa kemi pasë
mjaftë. Besoj iu kujtohet qarkullimi i kuadrit kur pat ardhë në Shkoder
sekretar partie Pjeter Kosta. Më ka çuditë një mik i tij kur më ka tregue se në
një bisedë ky e kishte pyetë Pjetrin, se a me të vertetë keni vendosë me e
zhdukë fenë, dhe Pjetri ishte pergjegjë, deri këtu Enver Hoxha gjithshka që ka
ba e ka ba per me forcue komunizmin në Shqipni, me shpalljen e Shqipnisë shtet
ateist nuk jam dakord... mbasi mbrenda dy – tre vjetësh Populli Shqiptar i madh
e i vogel ka me u ba hajdut, se nuk ka frikë ma as Zotin as Pushtetin...E keni
me pa kur të konsiderohemi popull kot po edhe hajn... Tashti, unë këtu nuk mund
të tham se a e ka pasë në rregull perkufizimin Pjetri, po dij me thanë se nuk
po mbetë kush pa u permendë nder sferat e nalta të shtetit shqiptar per hajni e
korrupsion, dhe se, as nuk po ka ma njeri me ma të voglen seder, të pakten me u
konsiderue “peshk i ujnave t’ambla”, që tek ne ka gjithkah, në Veri e në Jug
dhe madje, mos me e pasë per turp me tregue se prejardhjen e tyne e kanë prej
detit Kuq apo prej detit të Zi... As dreqi nuk po e merr vesh se ku i ka zanë e
ama!!
Në
Shkoder që ishte qyteti ma i madh i Shqipnisë, janë numrue me gishta familjet
per të cilat ndokush edhe guxonte me folë ndonjë gja jo të mirë...Koha
ndryshoi! Edhe kjo gja ngjau se
karajeli kishte ndryshue edhe në Shkoder drejtimin e vet...Aty nga viti 1974
qarkullonte një nga anekdotat ma të bukra të asaj kohë. Në një ndermarrje
kontrolli puntor para vitit 1967, kapë tek dera e daljes një puntor që kishte
vjedhë dishka. Hapet fjala në ndermarrje e atë natë edhe në të gjithë qytetin:
“Filanin xy...e kishin zanë tue vjedhë në ndermarrje!!” Shumica dyshonin mos
asht kurdisje... “nuk ka mundësi xy me vjedhë, asht familje e mirë, nuk e ban
ai djalë atë punë, nuk janë familje që e çojnë veten aty...”. Mbas vitit 1970,
prap kontrolli puntor kap nje tjeter tek dera e një fabrikës, që kishte
vjedhë...Hapet fjala e merr dheun: “Kishin kapë tue vjedhë tek dera e fabrikës
...puntorin yz tue vjedhë!” – Au, po si ngjau kjo punë, po nuk paska pasë asnjë
nga ata që do të kontrollonin të njohun ai rrezikzi, me i tregue se do të
kontrollojnë!..” Pra, as nuk u diskutonte ma as familja as kenja qytetare, por
mbas vitit 1970...”A nuk pat kush me i tregue!?”
“Hajnia
nuk ishte ma turp per Shqiptarët!!”, po vetem “rrezik” per ata që kapeshin...
Per mos
me u largue nga tema duhet thanë e verteta, se nder shtete demokratike ka vlerë
të madhe karajeli i kublave në periudhen e fushatës së votimeve, jo per me
tregue se ata që janë tue u pergatitë per me kenë nder listat e të zgjedhunëve
janë të sjellun aty nga karajeli, po tek ne Shqiptarët kryesore per ata që
zgjidhen asht se dikur, ata duhet t’ ishin në rrjeten e peshkut...
Ata që
nuk dijnë me notue të rrethuem në kariq nuk vlejnë, se kapen nga grepi...
Para disa
vitesh pranë stacionit të trenit ishte edhe një serë ku kultivohej peshku. Unë
e kam pa nga dritaria e trenit, po ma vonë më kanë tregue se aty asht kenë
rritë edhe peshkaqeni... Nuk u habita aspak se Tirana gjithnjë asht kenë e
mbushun me peshkaqejë madje, që edhe të kanë shkye kur ishin t’ unshem. Mbas
vitit 1967 kultivimi i tyne filloi në të gjitha anët e vendit.
Sot ka aq
shumë nga zogjtë e tyne sa në Shkoder, thirreshin “zojgjë ku...blash”.
Asht me u
çuditë para një fakti që ngjet vetem nder Shqiptarë; as nuk mendon njeri që me
kultivue dhe me i shtue delfijtë... ndoshta, nuk favorizon era e karajelit që
frynë në Tiranë!
Disa ia
lanë fajin qeveritarëve, se gjoja ata nuk i pelqejnë delfijtë, kanë ba e janë
mësue me peshkaqejë nëper zyre e shtëpija, e nuk i bahet me i hjekë edhe prej
djelmëve e vajzave të veta që kanë frikë se i ndryshojnë trashigiminë...
Delfini mund ti mësojnë tjera virtyte... që nuk i pershtaten kerkesave të
kohës. Sot Shqipnia asht e prirun per qeverisje peshkaqejësh!
Delfini
nuk asht i prirun nga karajeli... Ai edhe knaqësinë me luejtë me fëmijë e ka
kur Perëndon dielli, ndersa peshkaqejtë tanë, atëherë janë në gjoje...vetem
Lindja, ua shton oreksin!
Delfini
kerkon edhe kushte tjera...të cilat nuk i pershtaten as mentalitetit tonë.
Jemi
mësue sot në rrjetë, neser në kariq, dikush në grep, mandej në kosh,
mbasneser dikush në tavë, dikush në
gradelë...besa edhe direkt në prush, kur vinte fundi perdorej një thanje: “Edhe
filanin e hangri furra...!” A janë pak prej tyne? – Jo pak! Hiqni menden nga
delfini!
Shqiptarët
tash 70 vjet pelqejnë me u qeverisë nga peshkaqejtë...
Edhe karajeli i këtij viti andej kah Tirana, thonë se...vazhdon me frye nga Lindja!