E shtune, 09.11.2024, 10:37 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Dita e Jetimëve ... ''20 Maji''

E premte, 17.05.2013, 08:10 PM


DITA E JETIMËVE… “20 MAJI”

Nga Fritz RADOVANI

20 Maji asht “Dita Nderkombtare e Jetimëve”! Ndoshta, nder ma të veçantat…

Hana ka një pjesë të sajen që njerzimi nuk e ka pa kurrë! Edhe Toka ku jetojmë na ka një pjesë të veten që shumica e njerzimit nuk e ka njohtë kurrë këte emen! Ata janë “jetimët”!

Asht kohë e gjatë, shumë e gjatë, që mendoj me shkrue per këte ditë, me të cilen, më lidhi perjetsisht data 13 Tetor 1943. Plot 70 vjet! Një pjesë e trunit tim nuk dijti kurrë me thirrë Babë!

Të gjitha luftat në Botë, sjellin nder mija e mija fëmijë perditë “harresen” e emnave ma të dashtun, ma të shtrenjtë dhe të pazevendsueshem për ta në gjithë jeten, Emnat “Nanë e Babë”!

E sa pak “jetimë” janë bijtë e atyne perbindshave që i fillojnë e i mbarojnë ato lufta!

Shqipnia asht një nder shtetet ku fjala “jetim” asht e kudondodhun, mbasi rrethanat e saj historike në të gjitha kohët kanë “punue” me shtue perditë e pernatë këte mjerim dhe tmer në shumë nga familjet që perjetsisht, rritën e ushqyen me shumë sakrifica jetimët e tyne. Sa shumë do të shkruhej po të donim me tregue se kush punoi dhe vazhdon pa pikë mëshire me i shtue në Botë këta fëmijë që perjetsisht thirren “jetima”, dhe shpesh, edhe perbuzen se janë pa prind. Me një mimikë ftyre të perçudnueme ashtu si kanë edhe zemren ndigjon nga goja e tyne: “Lene mor ma, as mos u merr me té, ai asht jetim i rritun nder brefotrofe...”, sikur flet per lebrozë... E të tilla raste nuk janë të pakta aq sa mos me u perfillë nga shoqnia e sotme. Menjëherë mbas Luftës së Dytë Botnore, ndryshuen shumë koncepte në shumë shtete. Edhe jetimët u perfshine aty me ata ndryshime, dhe ma vonë kur filluen me u rritë, u percaktue edhe “kllasa” së ciles i perkiste edhe pse gjithë jeten e filluen dhe e mbyllen në vorfni pa njohtë fare prindët e vet.

Kujdesi per jetimët perfshihej nder grupe të percaktueme kryesisht nga prejardhje e tyne. Ndoshta, kjo bante që porsa fillonte një jetim me u rritë, ai duhej të percaktohej menjëherë edhe me etiketen “i kënaqur ase i pakënaqur”, që kushtëzohej me prejardhjen familjare të tij. Jo pak prej tyne ma vonë u shpallën të “pakënaqur” dhe banin pjesë në grupimin e “luftës së kllasave”. Ndersa, “ata” që mendoheshin të “besueshem”, vazhdonin shkollat e nalta ose në “specializime sekrete”, prej ku vinin kuadro të “besuara”...dhe, u sigurohej puna dhe e ardhmja e tyne...

Sot, mbas sa vjetësh, nepermjet këtij shkrimi due të tregoj se jo gjithmonë PPSh, ka pasë sukses në “rritjen e këtyne jetimëve”, në sherbimin e saj. Lexuesit duhet të me falin per tregimin tim me siglat FS, të emnit të nderuem per të cilin due me shkrue, mbasi ka mbi 25 vjet që nuk i dij rrethanat e personit. Ishte ditë vere e vitit 1969. Trokiti në derë dhe e ftova me hy mbrendë. Erdhi në dhomë dhe mbasi u pershndet me gruen time, e cila shkoi me pergatitë kafet, kjo më tregoi se një mësues që kishim punue me té, i kishte kerkue nder ato ditë, që kjo, me pranue per me denoncue per mue se “unë i kam tregue atyne barceleta me karakter politik kunder pushtetit”, gja e cila nuk ishte aspak e vertetë. Kjo me një qendrim autoritar të natyrës së saj, menjëherë e kishte shikue me perbuzje dhe i kishte thanë: “Çfarë më kujton ti mua, si mund të keni guxim jo vetem per të shpifur per Fritzin, per diçka që nuk e kam dëgjuar kurrë nga ai, por edhe kerkoni që të bëni edhe të tjerë shokë si veten shpifës, per të shkatrruar familje dhe jetë njerëzish! Turp të kini per këte dhe të lutem, mos e zini më emrin tim në gojë, se nuk dua t’iu shikoj as fëtyren!”

Mbas tri ditësh ka ardhë tek unë dhe më ka sinjalizue për këte tradhëti të organizueme nga ai bashkpuntorë i sigurimit të shtetit... Nuk po e publikoj emnin e tij (FL) se ka ngordhë.

Ju them të verteten se kushedi sa kohë kam ndejë tue mendue me vete: “Si mundet me ngja që një vajzë që e njihja shumë pak, dijshe se asht jetime, po jo, se asht Burrneshë e vertetë.”

Ajo nuk ishte as nga Shkodra...ndersa, spijunët organizatorë banonin tek çinari...

Ajo ishte rritë deri në moshen 20 vjeçare pa njoh as Nanen e vet dhe as baben, të cilët e kishin braktisë fëmijë disa ditësh nder brefotrofe...e ma vonë në shtëpija fëmije, po duhet thanë dhe një e vertetë, se Ajo kishte pasë fatin me punue në arësim katundesh dhe me bashkjetue me shumë mësues të perfshimë nga “lufta e kllasave”, gja që i kishte brumosë në Shpirtin e Saj, një dhimbje dhe keqardhje të madhe, per persekucionin që u bahej nga komunizmi njerzëve vetem tue u nisë nga prejardhja e tyne shoqnore e mjaft shpesh, edhe krahinore apo fetare.

Ajo ishte shumë e sinqertë dhe, si e tillë, nuk i pranonte veset e gënjeshtres, mashtrimit, perbuzjes klasore, urrejtjes së besimtarëve katolikë...e per ma teper të shokëve të punës.

Ndoshta, sot mbas 40 e sa vjetëve, shumë kujt mund t’i duken të pabesueshme ngjarjet që kemi jetue para sa kohe, nder rrethana me rrezik jete...Por, jo vetem, i kemi jetue këta tmere, po as nuk duhet ti harrojmë edhe ata që vuejten me ne, e pra këta ishin “jetimë”...që PPSh mendonte me i pasë per vete dhe në sherbimin e saj, në sigurimin e shtetit terrorist...

Nuk duhet harrue thanja popullore: “Njeriu i lajmëruem, gjysë i shpetuem”!

Kushtet e jetës së tyne i detyruen me kenë nder konvikte apo shtëpija fëmije ku mengjesi dhe mbramja mbyllej me fjalët “parti Enver”...nga kujdestarët e atyne institucioneve.

Kam njoh prej tyne njerëz të mbrekullueshem që në dukje qendronin të ndrojtun, por në të vertetë mbrenda Shpirtit tyne ndrynin virtytet ma të mira të edukatës qytetare.

Shqiptarët sot duhet të krenohen per Figuren Botnore të Nanë Terezës, e cila në qendren e Shpirtit Saj, kishte të ruejtun dashunin dhe sakrificen per jetimët e gjithë Botës...

Per një fakt jam shumë i sigurtë se Jetimët, as nuk mendojnë, as nuk andrrojnë, as nuk e dishrojnë dhe, as nuk punojnë kurrë dhe asnjëherë, gjithë jeten e vet, që nga veprat e tyne Bota që i rrethon me pasë të pakten edhe një jetim ma shumë se ka!

Nga zemra iu uroj atyne fatzezëve që kanë këte emen, që e ardhmja të mos iu randojnë sado pak ndergjegjen e tyne me pamundsinë me i sherbye familjes e shoqnisë, me evitue në çdo kohë mundsinë me shtue edhe një jetim ma shumë në çdo vend ku i ka shpernda jeta.

Me shumë dashuni, u uroj jetimëve Diten e Tyne... 20 Maji 2013 !



(Vota: 11 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora