Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Po kjo, a duhet me u besue?!
E merkure, 12.06.2013, 09:02 PM
PO KJO,
A DUHET ME
U BESUE ?!..
Nga Fritz RADOVANI
Vetem e
verteta historike e ngjarjeve në Qytetin Martir të Shkodres, kryesisht mbas
vitit 1944, na banë me besue até që Bota e qytetnueme e quen Mbrekulli e Dorës
së Zotit.
Mbas
vitit 1944, kur erdhën në pushtet komunistët, për pak vite ata nuk e zbuluen
fytyrën e tyne të vërtetë ateiste e kryesisht ate antikatolike, kjoftë
shoveniste sllave apo anadollake. Madje, në ditët e para të Janarit 1945, kur
ka ardhë në Shkodër vetë terroristi Mehmet Shehu dhe ka vizitue Gjimnazin
“Illyricum” të Françeskanëve në Gjuhadol, aty ai u ka folë studentëve për
vlerat e mëdha Atdhetare dhe kulturore të Asaj shkolle që nga themelimi i Saj
në vitin 1875.
Në
Shqipni erdhi një kohë që shumica e njerëzve na dukeshin se nuk besonin në
Zotin.
Nuk asht
aspak me u çuditë. Në vitin 1967, kur Enver Hoxha me Ramiz Alinë kishin nxjerrë
nga kllefi shpatat e tyne të përgjakuna në luftë kundër Zotit, Fesë, Klerit
Katolik dhe simbas tyne edhe kundër “zakoneve prapanike”, ose ma sakt kunder At
Shtjefen Gjeçovit, i vramë nga serbët... At vit në letrën që At Pjetër
Mëshkalla, i ka drejtue me 5 Prill 1967, terroristit të Spanjës, shokut të
kriminelëve dhe të “armëve” të “Revolucionit”, Mehmet Shehut, që ishte asokohe
kryeministër, Ai i shkruen: “...Kur në vj. 1945, në Tiranë, me 8 Mars, unë u
ankova Juve, Shkelqesë, se kishem ndigjue prej komunistave fjalët: ‘Këte Kishë
do ta bajmë kinema’; Ju m’u përgjigjët: “Kjo asht propagandë armiqësore!”. Me
të vërtetë, as armiku ma i tërbuem i Pushtetit s’ka muejtë me u ba një
propagandë ma anmiqësore në 22 vjet, sa i keni ba vedit...”.
Me datën
15 Nandor 1946 Kuvendi Françeskan i Gjuhadolit u kthye në burg. Të gjithë
klerikët që u ndodhën aty u konsideruen të arrestuem si “armiqë të popullit”.
Pra, pa pasë kalue as dy vjet, Ata profesorë që kishin edukue Atdhetarët
prangohen në hekura si “armiqë”!
Me datën
16 në darkë dhe në të zbardhun të datës 17 Nandor 1946, rreth orës 02.00 të
mengjezit, forcat e Sigurimit të Shtetit, të drejtueme nga shefi i sigurimit të
Shkodres, kasapi Zoji Themeli, me Pjerin Kçirën, Hulusi Hakon, Dilaver
Sadikunn, Gjovalin Mazrrekun, Lin Çollakun etj., fusin në Kishën Françeskane
pranë kuvendit “Burg”, arkë municioni, armë të vjetra, mitraloza etj., dhe i
mëshehin nën Elterë të Shna Ndout dhe të Zemrës së Krishtit.
Armë u
futën edhe nën Statujën e Shna Ndout. Atë ditë drejtues të organizatave të
grues, rinisë, frontit etj., vizitojnë Kishën e shpërthyeme nga Sigurimi naten,
që Populli i Shkodrës me pa me sytë e vet rolin reaksionar të Klerit Katolik,
që donte me përmbysë Pushtetin “me armë”. Në darkë, operatorët jugosllavë
xhiruen film me Klerikët pranë Elterëve ku “u gjetën” armët e vume nga vetë ata
me spijunët tonë të Sigurimit në sherbim të shovenistëve serbë. Proceset e
Fretënve të akuzuem për futjen e këtyne armëve vazhduen gati dy vjet. Askush
nuk ndigjoi një nga gjyqet e zhvillueme të kësaj ngjarje. Me 11 Mars 1948 u
pushkatuen: Imz. Frano Gjini, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, Don Nikollë
Deda, të akuzuem për këte vepër. U dënuen shumë të tjerë si: At Donat Kurti, At
Frano Kiri, At Pal Dodaj etj., me shumë vite burg të randë mbi 20 vjet.
Kishte
shumë nga ata që nuk u besonin komunistëve, po kishte edhe të tjerë që i
besonin. Në vitin 1967, të lidhun si mishi me thonin e kalbun me “vëllaznit”
kinez, në Shqipni, u zhvillue “Revolucioni Ideologjik Kultural”. Shqipnia u
shpall “Shteti i parë ateist në botë”.
Ata që e
kujtojnë atë kohë, besoj se nuk mund të harrojnë ankthin e një Populli: “Çka po
ndodhë me mue sonte?!...” Lufta e pamëshirshme u ba kundër Kishës, Klerit, Popullit
Katolik e Musliman të Shkodrës dhe kujtdo që mund të dyshohej nga komunistët
dhe terroristët e Sigurimit të Shtetit “i pakënaqun”, madje edhe mbrenda
radhëve të vetë partisë dhe spijunëve të saj.
Ma në
fund u mbyllën të gjitha Kishat e Xhamijat. Shumë klerikë Katolikë shkuen edhe
një herë ndër burgje. Shumë Kisha u kthyen në stalla, magazina, vatra kulture
kooperativash, etj. Katedralja e Shkodrës u ba pallat sporti, Kisha e Motrave
Stigmatine “Sallë gjyqi klerikësh” (Klubi i Rinisë), Kisha e Fretënve u ba
“Kino Klub Punëtori”. Të gjitha, pa përjashtim, u vodhën, tue fillue nga parmakët e mermerit, gurët e kompanjelave,
kumbonët, sahatat, shalldanat e deri tek unazat e Ipeshkvijve ndër vorrezat e
Atyne Kishave. Kisha e Zojës, tek Kalaja, Kisha e Rusit, dhe Ajo e Vaut të
Dejës e shek. XIII, mbas zhgatrrimit me dinamit, u rrafshuen fare. Këtë fat pat
edhe Xhamija e Parrucës, ku qylymat e saxhadet u vodhën nga komunistët, spijunë
veteranë.
Me porosi
të Ramiz Alisë, u projektue “Muzeu Ateist” mu në qendër të Shkodrës. Flitej se
aty janë vendosë shumë objekte nga ata të Kishave e Xhamive, shoqnue me
karikatura dhe fotografi të ndryshme kundër Fesë dhe besimeve. Unë nuk e kam
vizitue kurrë, prandej edhe nuk di saktësisht çka përmbante ky muze...Koha eci
ma shpejt se mendonim na.
Dikund,
aty nga Moska, hagrepët e sahatit të madh të Kremlinit, filluan me ra mbi
kumbonët e ndryshkuna pa e kuptue njeri se dishka po ngjiste!...
Shtëpia e
Bardhë mori pamjen e një tempulli ku Reagani dukej sikur një Përmendore...
Në
horizontin e Vatikanit doli ylberi!...
Muri i
Berlinit ra!...1989.
Edhe pse
e djegun dhe e zharitun, ngrihej Aty në mes të atyne selvijave në Rrëmaji, mes
vorresh e gropash pa Shenj tek kryet t’ Atyne Martirëve të Fesë e t’Atdheut, na
dukej e zhdukej nga frika, ankthi e mosbesimi, hija e Skenderbeut, me mjekerr
të bardhë e të thinjun si biluri e murrlani e merrte me vete tue u naltue drejt
një kupole të shembun, me dorën nalt. Ai sillte sa andej këndej një pelhurë me
vija bojëqielli të një Nanës së Madhe Shqiptare, që Bota mbarë u përul para
Saj.
Ishte
pikërisht ajo, Shpresa jonë e humbun,...që u Ringjall!...
Liria e
Fesë - Liria e Atdheut – Liria e Njeriut të robnuem per një gjysë shekulli!
Ja pra,
binomi gati i harruem “Fé e Atdhé” i Françeskanëve Martirë Shqiptarë!
U riparue
Kisha Katedrale, që edhe pse e shihnim me sy, s’ na besohej se ishte mes nesh
madhështia e Atij Burri, po, e Atij që komunizmin e shembi me kulm e temel,
Polaku Trim Vojtila, për të cilin u flijue një Kler Katolik, jo vetëm, tue mos
i ra mohit po edhe tue dhanë jetën për Té.
Ai
brohoriste në Zallin e Kirit: “Rrnoftë Papa e Rrnofshin Katolikët në Botë...E
zani u fikej tue thirë Rrnoftë Shqipnia e Lirë!”
U riparue
edhe Kisha Françeskane në Gjuhadol.
Kur hyna
herën e parë, them të drejtën m’u mbushën sytë me lot...
Ishte
krejt e pastër dhe e dritëshme, po mue m’u duk shumë e vorfën.
M’u
kujtuen Klerikët që dikur fëmijë i ndihmonim në Meshë, por që s’ ishin ma
asnjë. Eltërët ku gjyjzoheshim dhe me kemtarët ndër durtë e njoma tonat tymosej
Ai vend krejt ndryshej ...
As
lampadari i bukur që varej në mes të Kishës nuk ishte ma... Asnjeri nuk kishte
as tek vendi i korit që dikur ushtonin zanet e rinisë shkodrane...heshtje...
Të gjitha
figurat dhe veprat e artit nuk ishin ma! As parmakët e mermerit nuk ishin
aty...
As Udha e
Kryqit, aq e bukur me bazorelievet e Saj artistike s’ishte ma!
Nuk ishin
as suazat me dhurata e At Gjergj Fishtes...Edhe ata u vodhën...
Nuk ishin
ma as statujat e Shejtënve, as Elterët e Tyne....Të gjitha janë thye e zhdukë...
***
Aty
ishte Elteri i Shna Ndout, ku çdo të
marte shpërndahej “Buka e Tij”...
Mendova...
me vete: Kur në gjithë Shqipninë asht zhdukë e prishë gjithëshka fetare, si ka
mujtë me mbetë pa u thye nga ai rrebesh komunist vetëm statuja e Shna
Ndout!?...
Aty ishte
vetëm Ajo statujë e dikurshme e Shna Ndout!
I kishe
ngulë sytë e nuk më bahej me i besue vetes!
As
gjenocidi 50 vjeçar komunist nuk kishte arrijtë me e zhdukë Até!
Ishte
pra, Ajo statujë, që shumë vite ma parë unë ishe përulë me respekt para Saj...
Ishte
pikërisht Ai Shna Ndue, pranë të cilit, predikoi ajka e Klerit Katolik
Shqiptar, Etnit Fishta, Harapi, Prennushët, Palaj, Rrota, Kurti, Prela,
Sirdani, Nika, Shllaku, Llupi, Gjolaj, Targaj, Tracki, Koda, Kiri, Baqli etj.
Ishte
pikërisht Ai Shna Ndue, nën zhgunin e të
cilit Sigurimi komunist futi armët!
Ishte
pra, Një Mbrekulli, që unë po shihshe me sy!
Shna Ndou
i Kishës së Françeskane të Gjuhadolit, Ai Shna Ndue i vitit 1946 dhe 1967, Ai,
vazhdonte me kenë mbi Tokën Shqiptare dhe ishte po n’ Atë Elter ku ishte
dhunue, Ai Shenjt... per zhgunin e të cilit nuk u kursye dhuna ma barbare e
mizore!
Ai asht
Shna Ndou i Mbrekullive të Shkodrës!
Kush
nuk beson të shkojë e t’a shohi, e kush
nuk u beson syve, t’a prekë me dorë!
Unë i
besoj Mbrekullisë së Tij të Madhe që kam pa me sytë e mij!
Shna Ndou
i Kishës së Gjuhadolit asht kenë dhe do të jetë përgjithmonë në Shkodër!
13 Qershori asht i pafund në Shkoder e Laç të Kurbinit…