Mendime
Skënder Buçpapaj: Commonwealthi serb antishqiptar
E hene, 23.09.2013, 08:16 PM
COMMONWEALTHI SERB ËSHTË SA ANTISHQIPTAR DHE ANTIEVROPIAN
NGA SKËNDER
BUÇPAPAJ
Në shkrimin e
tij të sotëm "Një Jugosllavi e re me dy shtete shqiptare", kolegu
diplomat Shaban Murati, një think tank në mendimin aktual shqiptar,
sensibilizon opinionin për një shqetësim tejet të drejtë.
Serbia,
nëpërmjet Podgoricës, ka hedhur në tregun diplomatik rajonal projektin e një
commonwealthi serb të quajtur "Unioni Ballkanikoperëndimor", në
përbërje të të cilit do të ishin, përveç Serbisë, edhe Mali i Zi, Maqedonia,
Bosnjë-Hercegovina, Shqipëria dhe Kosova. Pra, do të ishte një Jugosllavi minus
Kroacinë dhe Slloveninë, plus Shqipërinë, që do të zëvendësonte ekuacionin
hegjemonist të Beogradit të perënduar në fund të viteve 1990 me luftërat e
Millosheviçit në rajon dhe do të rilindte projektin e Serbisë së Madhe.
Commonwealth
(komënuelth), nga anglishtja e vjetër, do të thotë e mirë e përbashkët. Në
praktikën ndërkombëtare ka komënuelthet ndërtohen mes qendrave të ish
perandorive me ish kolonitë e tyre. Më klasiku i tyre në epokën moderne është
komënuelthi britanik. I quajtur Komënuelth i Kombeve, ai përfshin shtete që
kanë qenë më parë pjesë e Perandorisë Britanike, disa prej tyre shtete të
pavarura. Një komënuelth tjetër i deklaruar është ai midis Rusisë dhe ish republikave
sovjetike, të cilat dolën të pavarura pas shpërbërjes së BRSS. Një formë më të
moderuar ka zgjedhur Franca nëpërmjet Aelancës Frankofone, ku përfshihen përveç
kolonive të dikurshme dhe vendet më të ndikuara nga kultura franceze.
Iu jam trembur
lëvizjeve të viteve të fundit në kryeqyteteve e vendeve të mësipërme ballkanike
dhe kam pasur arsye për të dyshuar se ato bëheshin, në mënyra të ndryshme, për
të mikluar Serbinë.
Nisur nga
praktikat e tipeve të komënueltheve moderne të përmendura më lart, ku interesat
dhe përfitimet shkojnë në përpjesëtueshmëri të pajtueshme me dëshirat dhe
synimet për përparim të përbashkët dhe për ndikime pozitive e konstruktive të
ndërsjellëta, ky i nxitur nga Beogradi dhe i popozuar nga Podgorica më duket
kundër interesave të shqiptarëve, kundër interesave të Republikës së Shqipërisë
dhe të Kosovës, si dhe kundër projekteve bashkëkohore dhe perspektive të
Evropës në pjesën perëndimore të gadishullit të Ballkanit.
Dihet
historikisht roli tejet i rëndësishëm i Komënuelthit Britanik si në hapësirën e
tij, ashtu edhe në proceset botërore, qoftë si precedent pozitiv, qoftë për
peshën që kanë mbajtur, mbajnë e do të mbajnë në kuadrin e aleancave dhe
organizmave të mëdha botërore. Interesat e përbashkëta, përparësitë e
ndërsjellëta në marrëdhëniet e tyre në kuadrin botëror, qëllimet dhe parimet e
përbashkëta i kanë mbajtur së bashku këto shtete dhe do të vazhdojnë t'i mbajnë
shumë kohë në të ardhmen.
Edhe komënuelthi
rus është deri diku i shpjegueshëm dhe i natyrshëm, për shkak të infrastrukturave
të përbashkëta të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, për shkak të popullsive
ruse që mbetën atje gjatë pushtimit rus, për shkak të peshës së gjuhës ruse dhe
kulturës ruse në identitetin e atyre vendeve, si dhe për shkak se elitat e
këtyre vendeve ishin ish më të privielegjuarit e Moskës, ishin pikërisht klasat
udhëheqëse të republikave para shpërbërjes së BRSS.
Në këtë
kontekst, është e kuptueshme edhe që Mali i Zi kërkon të jetë nën ndikimin e
drejtpërdrejtë të Serbisë. Ky vend i vogël trashëgon një nga infrastrukturat
fizike më të kushtueshme të Jugosllavisë së atëhershme (siç është, për shembull
hekurudha Beograd-Podgoricë) dhe një ndër më të kushtueshmet në rajon e Evropë,
të cilën mund ta mirëmbajë, ta shfrytëzojë dhe ta shndërrojë në të mirë të
përbashkët të të dy vendeve. Është e kuptueshme që Bosnjë-Hercegovina, me
peshën që ka atje Republika Serbe, ta dëshirojë veten po ashtu nën ndikimin e
drejtpërdrejtë të Serbisë. 'Maqedonia' do ta kishte si strehim Serbinë në
interesin e tyre të përbashkët antishqiptar.
Ndërsa, çfarëdo
pranie e Kosovës dhe e Shqipërisë në këtë komënuelth serb, në këtë federatë
serbe, Jugosllavi të re, siç e quan me të drejtë Shaban Murati, do të ishte
drejtpërdrejt në favor të frymëzimeve serbomëdha, në favor të hegjemonizmit të
Beogradit në rajon. Një nga të mirat e tragjedisë së viteve 1990 në Ballkanin
Perëndimor, shkaktuar nga shovinizmi serbomadh millosheviçian, ishte pikërisht
dhënia fund e hegjemonizmit serb në Ballkan, dhënia fund e serbocentrizmit në
politikën evropiane në rajonin e gadishullit tonë. Një "Union
Ballkanikoperëndimor" do të ishte thjesht për të ngjallur dhe për të
ushqyer orekset e Serbisë së Madhe.
Ky projekt nuk
ka si të mos shihej me frikë dhe shqetësim nga dy vendet ish jugosllave, tashmë
anëtare të NATOs dhe BEsë, të cilat janë prej më herët në qendër të
iniciativave të Ballkanit Perëndimor. Një "Union" si ai që kërkon
Podgorica dhe propozon Beogradi do të shmangte dhe përjashtonte rolin e
Zagrebit e të Lubjanës. Serbia i sheh me sy të keq sidomos marrëdhëniet e mira
mes Kroacisë, Kosovës dhe Shqipërisë, marrëdhëniet e mira kroato-shqiptare në
tërësi, të cilat paskëtaj do të kontrolloheshin përherë e më tepër nga
Beogradi.
Shaban Murati
sjell në shkrimin e tij argumente dhe fakte bindëse sa iu druhen dhe sa i
refuzojnë Zagrebi dhe Lubjana të gjitha projektet për ringjalljen e
Jugosllavisë së vjetër, në çfarëdo mënyrash, të drejtpërdrejta apo të
kamufluara. Në këtë mënyrë, "Unioni" është një sabotim i hapur i
integrimeve të rajonit në hapësirën evroatlantike, është një mjet diversioni
ndërfqinjësor rajonal në duart e Beogradit.
Nëpërmjet këtij
mjeti diversioni, Beogradi do t'i sabotonte edhe integrimet shqiptare në dy
shtetet e tyre si dhe në Maqedoni, ku janë komb shtetformues, në Mal të Zi e në
Republikën e Serbisë (Lugina e Preshevës). Vitet e fundit, ne jemi dëshmitarë
se si Serbia ka arritur të nxitë mes Tiranës dhe Prishtinës garën se kush do të
jetë më e parapëlqyera e Beogradit. Edhe Marrëveshja e 19 prillit nga Beogradi
synohet për sabotimin e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare dhe faktorëve
të tjerë shqiptarë në rajon, të cilët unë sapo i përmenda.
Shaban Murati
për shkrimin e tij merr pikënisje nga njoftimi që gazeta malazeze
"Dan" se në fund të shtatorit në Nju Jork, në kuadrin e takimeve
vjetore në Kombet e Bashkuara, do të zhvillohet një takim i nivelit më të lartë
i këtyre gjashtë vendeve "ballkanikoperëndimore" dhe një udhëzues
paraprak me parimet dhe detajet e kësaj nisme iu është dërguar ministrave të
Jashtëm të gjashtë këtyre vendeve.
Murati thotë se
qeveria e mëparshme e ka dhënë pëlqimin e saj për projektin dhe kjo e vë para
një fakti të kryer qeverinë aktuale, e cila vetëm se mund të kërkojë kohë për
t'u njohur më mirë me nismën. Unë, nga ana ime, nuk mund të parashikoj sa do të
jetë ndikimi i Prishtinës ndaj Tiranës për ta përfshirë Shqipërinë në
"Union". Republika e Kosovës, në të vërtetë, nuk ka trashëguar nga
Jugosllavia ndonjë infrastrukturë kurrkund të ngjashme me atë të Malit të Zi,
nuk ka pse ta shohë veten pjesë të infrastrukturave të ardhshme të përbashkëta
fizike me Serbinë, nuk mund të presë ndonjë investim serioz apo me qëllime të
mira nga ana e Serbisë në përparimin e vendit apo në kuadrin e marrëdhënieve
ndërkombëtare.
Nga ana ime
mendoj se vizioni që shpalosi në Prishtinë kryeministri i ri i Republikës së
Shqipërisë, ku ai e ftoi Kosovën që bashkë me Shqipërinë të jenë pjesë e
pesëkëndësisht me Turqinë, Greqinë dhe Italinë, është vizion i të sotmes dhe të
ardhmes përparuese dhe integruese perëndimore për të dyja shtetet shqiptare.
Pra, qeveria Rama nuk ka pse të braktisë një projekt vizionar integrues
shqiptar dhe perëndimore për hir të një projekti të errët antishqiptar dhe
antievropian që e ka gatuar Beogradi dhe satelitët e tij. Nuk ka pse të braktisë
një projekt vizonar madhor sa dhe transparent, për hir të një projekti që vetëm
sa do ta legalizonte rajonin e Ballkanit Perëndimor si një zonë të lirë të
mafies ndërkombëtare.