| E premte, 27.09.2013, 07:34 PM |
DY FJALË PËR AMBASADORIN ARVIZU DHE POLITIKËN SHQIPTARE
NGA ELIDA
BUÇPAPAJ
Ambasadori
Amerikan Alexandër Arvizu është në prag të largimit të tij nga Shqipëria. Pas
një shërbimi trevjeçar, një mesatare gati e të gjithë ambasadorëve amerikanë që
kanë shërbyer në Shqipëri pas rivendosjes së marrëdhënieve midis dy vendeve
tona. Mbrëmë ai dha ndofta intervistën përshëndetëse tek Top Story me Sokol
Ballën. Si gjithnjë korrekt, i vërtetë, i përgjegjshëm dhe njerëzor.
SHBA janë aleat
jetik i shqiptarëve. Pa SHBA nuk do të kishte as çlirim dhe as pavarësi të
Kosovës. Pa SHBA – Shqipëria nuk do të ishte anëtare e NATO-s, pasi qeverisjet
shqiptare, herë majtas dhe herë djathtas, këta 23 vjet tranzicion kanë dështuar
në ndërtimin e një demokracie Perëndimore.
Shqipëria
rrezikon të kthehet në një vend mafioz. Vetëm një fshat në jug prodhoi brenda
vitit që shkoi 4.5 miliardë Euro marijuanë. Shtypi botëror bëri ironi nëpër
tituj duke shkruar se kryeqyteti i marijuanës tash e mbas nuk është më
Amsterdami, por Lazarati. Mjerisht këto fakte tronditëse bien në veshët e
shurdhër të politikës, që ka pësuar fiasko në vendosjen e ligjit.
Përballë kësaj
situate tejet kritike, e cila do të kërkonte tërmet ndëshkimor prej drejtësisë
dhe intensifikimin e reformave, klasa politike shqiptare është mbrojtur
gjithnjë duke sulmuar diplomatët e huaj. Njëri prej tyre është edhe Ambasadori
Arvizu. Përpara tij ishte Ambasadori Withers. Ndaj Arvizut sulmet me karakter
racor nisën posa kishte vënë këmbët në vendin e Shqiponjave, për qëndrimin që
mbajti në lidhje me 21 janarin 2011.
Aleksandër
Arvizu, një diplomat me 32 vjet karierë të suksesëshme, tipik produkt i
realizimit të ëndërrës amerikane, ku melting pot funksion mrekullisht, bir
emigrantësh, i një babai meksikan dhe nëne japoneze, bëri gjithçka që
manifestimi tragjik i 21 janarit të shmangej dhe, kur tragjedia ndodhi,
insistoi me sukses mosdegjenerimin e mëtutjeshëm të protestave, sepse Shqipëria
dhe populli shqiptar nuk meritonin assesi një Pranverë Arabe.
Këtë qëndrim të
tij, i cili ishte në përputhje të plotë me qëndrimin zyrtar të Departamentit të
Shtetit të SHBA, opozita e asaj kohe e komentoi si mbështetje që i jepej
kryeministrit të atëhershëm. Qendrimi Amerikan nuk ishte politik, mbronte të
drejtën, por kishte ndikim indirekt mbështetës në qeverinë Berisha. Disa muaj më
vonë, Ambasadori Arvizu do të ndiqte si dëshmitar ecurinë e zgjedhjeve lokale,
të cilat po ashtu opozita i përktheu si mbështetje e tij për Bashën dhe
Berishën.
Edhe pushteti
medial i Tiranës, si ushtar i bindur i politikës, do të reflektonte humorin e
ish-kryeministrit të Shqipërisë apo ish-liderit të opozitës në raport me
Ambasadorin Arvizu, veprimet e të cilit kanë qenë të paanëshme, të
përgjegjëshme, konform politikës Amerikane dhe në të mirë të interesave
kombëtare të shqiptarëve.
Ndryshe nga
pararendësit e tij, Ambasadori Arvizu ishte më populist. Për të shmangur
ndikimet prej palëve, të cilat atë kundërshtare e demonizojnë, ai zgjodhi që ta
njohë në vetën e parë situatën dhe realitetin, jo më sipas tregimeve, por ta
prekë me dorë, ta shohë me sy e ta dëgjojë me veshë. Kjo e ndërlikoi punën,
sepse politikanët shqiptarë kështu kishin dalë zbuluar si Mbreti tek përralla e
Andersenit.
Erdhi një
moment, kur sulmet kundër Ambasador Arvizut filluan nga krahu i maxhorancës.
Edhe kësaj here u përdorën sulme raciste, jo nga opinionistë, por direkt nga
figura të PD-së. Sulmet kundër Ambasadorit Withers filluan me Gërdecin, ndërsa
kundër Ambasadorit Arvizu kur ky u shpreh për mungesën e drejtësisë ndaj
tragjedisë së 21 janarit. Pastaj erdhi greva e urisë e të përndjekurve, kur
Ambasadori Amerikan i bëri thirrje maxhorancës të ulej e të bisedonte me
grevistët.
Personalisht,
nuk e harroj kurrë Lirak Bejkon që i tregonte protezën e thyer, ndërsa kërkesa
e tij u prit me indiferentizëm të plotë. PD, që hyri në bashkëqeverisje me LSI,
me të cilën kishte patur marrëdhënie tmerrësisht të këqija dhe konfliktuale,
nuk denjoi të takohej me njerëz në nevojë, të cilëve diktatura ua kishte marrë
shpirtin.
Gjatë gjithë
kohës Ambasadori Arvizu i bënte thirrje qeverisë dhe opozitës, se ishte
detyrimi i tyre, të gjenin zgjidhje, për hir të integrimit të Shqipërisë në BE.
Por reagimet ishin shkëmbime akuzash mes palëve.
Gjatë mandatit
të tij, Shqipërinë e vizitoi Sekretarja e Shtetit zonja Hillary Clinton, e cila
në Kuvendin e Shqipërisë vuri theksin pikërisht tek bashkëpunimi bipartizan për
interesa madhore, duke e treguar si shembull, se si ajo dhe Presidenti Obama
nga kundërshtarë dhe rivalë ishin kthyer në bashkëpunëtorë të ngushtë. Zonja
Clinton bëri thirrje për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar,
por këshillat e saj nuk u dëgjuan ndërsa vizita e saj u përdor si sukses
elektoral prej shumicës të asaj kohe.
Kishte ardhur
momenti, që prej gabimeve të maxhorancës, kërkonte të përfitonte opozita, e
cila qëndrimet kritike të diplomatëve të huaj ndaj qeverisë Berisha, i
interpretonte si mbështetje ndaj saj. Një ping-pong i vërtetë. Tani ishin
ndryshuar rolet. Nuk ishte më opozita, por maxhoranca që sulmonte Ambasadorin
Amerikan, dhe cinizmi arriti kulmin, kur lajmi për emërimin e Ambasadorit të
ri, i cili ishte konfidencial, u përdor në mënyrë të turpshme si një triumf dhe
ndikim i Berishës në Departamentin e Shtetit. Berisha e kishe harruar
plotësisht mbështetjen që mori prej Ambasadorit Arvizu në ngjarjet e 21 janarit
dhe zgjedhjet lokale. Dukej sikur atë nuk e ndalte asgjë në këtë botë drejt një
„triumfi“ të ri, ku si „arritje“ personale, e reklamonte edhe ndryshimin e
shefit të ri të shtëpisë tek Rruga e Elbasanit.
Por drejtësia
supreme ka ligjet e veta. Kështu duket.
Tani maxhoranca
e re që posa ka marrë çelësat e qeverisë bën deklarata retorike për rëndësinë
që kanë SHBA për Shqipërinë, porse nëse do të fillojnë e të gabojnë, është e
sigurt se nga Washington D.C. do të vinë kritika, që do të thotë se rrezikon të
riciklohen edhe sulmet ndaj Ambasadorit Donald Lu, ashtu si ndaj pararendësve
të tij.
Dhe kështu do të
vazhdojë deri kur në Shqipëri do të vendoset shteti ligjor, me rregullat e
prioritetet e veta deri tek konvencionet e gjuha diplomatike, e cila përjashton
nga fjalori çdo lloj komunikim vulgar ndaj përfaqësuesve të një vendi që e kemi
Aleat jetik, pa mbështetjen e të cilit ishim zhbërë, si u rrezikuam në Shqipëri
më 1997 dhe në Kosovë më 1999. Për fajet dhe gabimet e saj, klasa politike e
Shqipërisë është vetë përgjegjëse.
Si gazetare që i kam përcjellë me shumë vemendje rrjedhat shqiptare, më mbetet vetëm t’i shpreh mirënjohjen time Ambasadorit Aleksandër Arvizu, në emër të opinionit të shëndoshë publik shqiptar, të cilit i intereson një Shqipëri europiane dhe e integruar, ku shteti ligjor të jetë si baba i mirë për shtetasit e tij, ndryshe nga sa mendojnë partitë në Shqipëri, ku Sovranin e përdorin si shërbëtor.