E shtune, 27.04.2024, 10:14 AM (GMT+1)

Mendime

Gani Qarri: Çfarë pasojash do të ketë marrëveshja

E merkure, 25.09.2013, 09:46 PM


Çfarë pasojash do të ketë marrëveshja

Nga Gani Qarri

Plani për ardhjen deri te këto bisedime të cilat nisën që më herët si teknike dhe u shndërruan në marrëveshje të dëmshme politike për Kosovën,datojnë qysh nga paslufta. Ndërsa puna për arritjen dhe realizimin e tyre filloi të praktikohej, pak nga pak, nga viti 2001,për të kulmuar me trazirat e pranverës së vitit 2004,kur për fillim u vranë dhjetëra dhe plagosën qindra, kurse brenda natës u shpërngulën dhunshëm,rreth 14 mijë shqiptar,të cilët u detyruan ti lënë shtëpitë dhe trojet e tyre autoktone në pjesën veriore të vendit.

Serbët e ardhur nga kushedi ku, gati si në heshtje, pa bërë zhurmë as pompozitet të madh, atëbotë formuan ushtrinë dhe policinë e tyre "të heshtur" e cila kurrë nuk barti uniformë, por ishte armatosur me ide dhe plane të detajuara,për detyra speciale, dhe e mirëorganizuar deri në fund, ndoshta më mirë se shumë ushtri të uniformuara.

Grupet ,që deri dje quheshin kriminale, e që tani e tutje nuk duron amnistia-ti quajmë ashtu( siç ishin), jo vetëm se përdorën forcën, sa herë deshën për shpërnguljen e shqiptarëve, por edhe armët për të vrarë shumë nga ta, madje kur u`a donte nevoja për jetësimin e planit të tyre kriminal, nuk hezituan të vrisnin edhe ushtar e polic ndërkombëtar, për ta quar me sukses dhe deri në fund misionin që ata kishin marrë mbi vete.

Përveç tjerash, këto ishin formacionet që realizuan zbrazjen e veriut nga shqiptarët vendor, sipas porosisë për të krijuar realitete të reja në atë pjesë të vendit,ani pse shqiptarët mëkot,pandërprerë dërgonin sinjale nga ana jugore, se ishin të gatshëm për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna. Kjo nuk mjaftoi asnjëherë.

Ata donin edhe më,ngase në projektin e tyre parashihnin shumë më tepër,bile hiq më pak se ndarjen e cila ende nuk është hequr plotësisht nga rendi i ditës,ose të paktën krijimin e një republika serpska në atë pjesë të territorit dhe më gjerë, në mënyrë që serbët në tavolinën e bisedimeve të fitonin jo diçka të humbur,ngase ata në vendin tonë ishin pushtues dhe këtu nuk kishin çka të humbisnin, por të krijonin dhe fitonin një sajesë të cilën nuk e patën kurrë dhe në asnjë sistem,kohë as rrethanë,përgjatë gjithë historisë së këtyre trojeve.

Ndaj, edhe nuk u tha dhe as që u përmend nga kushdoqoftë, të ketë pasur ndonjëherë,një të ashtuquajtur "bashkësi komunash-serbe", apo diçka të ngjashme, këtu as në ndonjë pjesë tjetër të vendit, e lëre më një krijesë e pjellë dhunshëm, si kjo e tanishmja,me numër banorësh dhe përbërje të tillë popullsie, të zbrazur gati tërësisht nga shqiptarët, shtrirë në një territor kompakt dhe entitet të përcaktuar me kufij, në brendësi të Kosovës.

Jo- një sajesë të tillë nuk pati as në kohën e Titos dhe as të Rankoviqit,një stisje si kjo, nuk ka ekzistuar kurrë më parë në historinë e këtij vendi, në veri as kudo qoftë tjetër në Kosovë.

Marrëveshja për formimin-jo vetëm të dy komunave në Mitrovicë, por krijimin dhe pranimin me ligje të shtetit,dhe miratimin në Kuvend, të së ashtuquajturës "bashkësi e komunave serbe", si entitet më vete në veri, flet për ndarjen përfundimtare të brendshme dhe fillimin e ndarjes nga jashtë të Kosovës.

Humbje e pakompensueshme kjo, e madhe dhe e shumanshme për kompaktësinë tashmë të luajtur, të shtetit tonë të ri.

Ndaj,Serbia ka arsyet e saj të forta dhe të studiuara mirë,derisa insiston me çdo kusht që zgjedhjet e 3 nëntorit të caktuara nga kryeministri Daqiç, të mbahen patjetër dhe me detyrim për serbët në veri, duke ndihmuar edhe me dërgimin e forcave të saj policore,në territorin e shtetit tonë,kur dihet nga secili se për zbatimin e marrëveshjeve të tjera me Kosovën, qeveria serbe nuk tregon asnjë interes.

Ajo në këtë mënyrë, dëshiron që sa më shpejt, dhe mundësisht para se shqiptarët të ndërrojnë mendim,të legjitimohet ndarja zyrtare në brendi të Kosovës, ndarje kjo me të cilën për herë të parë në histori vendosen kufij etnik brenda vendit.

Shih,për këtë qëllim,Serbia paska dërguar për fillim edhe 150 policë të uniformuar të MUP-it,serb në Mitrovicë, numri i të cilëve sipas nevojës edhe mund të rritet, në mënyrë që përmes këtyre zgjedhjeve të jetësoj njësinë autonome të serbëve në veri, si futje "legjitime" e rrënjëve të Serbisë në Kosovë, të cilat me kohë si thonjtë e kuçedrës,do ta gërryejnë përbrenda krijesën e shtetësisë sonë.

Me këtë marrëveshje,Serbia do të vazhdoj, por tashmë në formë "legjitime" ta kontrollojë Kosovën nga brenda,pengoj dhe pamundësoi ecjen e saj përpara,mbaj tensionet të ngrira në veri dhe më gjerë, për ti paraqitur kinse si "pakënaqësi" të "përhershme" të pakicës serbe në vendin tonë, në mënyrë që asaj ti bëhen koncesione të reja,nga Bota dhe BE,në kurriz të Kosovës, deri në ndarjen definitive të saj, sipas kufijve tanimë të vizatuar me marrëveshjen në mes të dy kryeministrave dhe të miratuar nga parlamentarët vendor.

Në anën tjetër, Kosova lindore e mbetur  pa asnjë status-mbrojtës, për bashkëkombësit tanë, do të ndrydhet për ditë e më tepër për zbrazjen përfundimtare të atyre tokave tona, deri në përzënien e gjithë shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore atje, gjë që do të ishte një humbje e madhe për të gjithë ne, për shtetin tonë të ri, pjesë konstituive e të cilit deri vonë ishte ai territor, për shqiptarët kudo si dhe për ëndrrën e bashkimit të kombit dhe trojeve tona në përgjithësi.

Me miratimin e marrëveshjes nga Kuvendi,me apo pa vetëdije, shqiptarët edhe një herë,vet e futën kalin e Trojës brenda kalas së tyre dhe me dashje i hapën të gjitha dyert Serbisë për ndërhyrje të "ligjshme" në Kosovë.

Krijimi i bashkësisë së komunave autonome serbe në veri të vendit,do të mbetet përgjithmonë një njollë e pashlyer në historinë e ndërtimit të shtetësisë sonë,digë e pa kalueshme dhe pengesë shkatërrimtare, për ecjen dhe afirmimin e Kosovës, në agjendat ndërkombëtare, nga këmbënguljet dhe insistimet e pareshtura të ekstremistëve serb për mbajtjen e Serbisë me çdo kusht në veriun autonom dhe kudo që arrijnë, brenda vendit tonë.

Megjithatë,nga pala shqiptare as kësaj radhe nuk u hezitua që të vrarët, të kidnapuarit dhe të pa gjeturit e shumtë shqiptar, të rivriten edhe një herë, duke hedhur jetën dhe vuajtjet e tyre me përçmim në harresën e papërgjegjësisë,përmes aktit të faljes së kasapëve dhe krimeve të tyre barbare ndaj shqiptarëve, miratimin e marrëveshjes dhe nënshkrimin e amnistisë për kriminelët serb të luftës dhe ata të pas saj,me të cilat viktimat e pa fajshme u ridënuan edhe një herë më tepër, pa të drejtë.

Ndaj, si Presidentja e "zarfit" që aprovoi amnistinë edhe deputetët e katapultuar të cilët për ruajtjen e pozitave në pushtet dhe përfitimeve të tyre personale,miratuan marrëveshjen, dhe votuan ligje që dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë, mbajnë përgjegjësi-pikësëpari për ndarjen e brendshme të vendit, kufizimin dhe përpjesëtimin e sovranitetit të Kosovës, me Serbinë, humbjen e veriut, rrezikimin e lirisë dhe mundësisë së të jetuarit në paqe për shqiptarët, si dhe rrënimin e ëndrrës së pashlyer të të gjithë atyre bashkëkombësve të cilët për ideal gjithmonë patën,bashkimin e trojeve dhe kombit shqiptar.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora