| E merkure, 25.09.2013, 09:46 PM |
Çfarë pasojash do të ketë marrëveshja
Nga Gani Qarri
Plani për
ardhjen deri te këto bisedime të cilat nisën që më herët si teknike dhe u
shndërruan në marrëveshje të dëmshme politike për Kosovën,datojnë qysh nga
paslufta. Ndërsa puna për arritjen dhe realizimin e tyre filloi të praktikohej,
pak nga pak, nga viti 2001,për të kulmuar me trazirat e pranverës së vitit
2004,kur për fillim u vranë dhjetëra dhe plagosën qindra, kurse brenda natës u
shpërngulën dhunshëm,rreth 14 mijë shqiptar,të cilët u detyruan ti lënë
shtëpitë dhe trojet e tyre autoktone në pjesën veriore të vendit.
Serbët e ardhur
nga kushedi ku, gati si në heshtje, pa bërë zhurmë as pompozitet të madh,
atëbotë formuan ushtrinë dhe policinë e tyre "të heshtur" e cila
kurrë nuk barti uniformë, por ishte armatosur me ide dhe plane të detajuara,për
detyra speciale, dhe e mirëorganizuar deri në fund, ndoshta më mirë se shumë
ushtri të uniformuara.
Grupet ,që deri
dje quheshin kriminale, e që tani e tutje nuk duron amnistia-ti quajmë ashtu(
siç ishin), jo vetëm se përdorën forcën, sa herë deshën për shpërnguljen e
shqiptarëve, por edhe armët për të vrarë shumë nga ta, madje kur u`a donte
nevoja për jetësimin e planit të tyre kriminal, nuk hezituan të vrisnin edhe
ushtar e polic ndërkombëtar, për ta quar me sukses dhe deri në fund misionin që
ata kishin marrë mbi vete.
Përveç tjerash,
këto ishin formacionet që realizuan zbrazjen e veriut nga shqiptarët vendor,
sipas porosisë për të krijuar realitete të reja në atë pjesë të vendit,ani pse
shqiptarët mëkot,pandërprerë dërgonin sinjale nga ana jugore, se ishin të
gatshëm për ndarjen e Mitrovicës në dy komuna. Kjo nuk mjaftoi asnjëherë.
Ata donin edhe
më,ngase në projektin e tyre parashihnin shumë më tepër,bile hiq më pak se
ndarjen e cila ende nuk është hequr plotësisht nga rendi i ditës,ose të paktën
krijimin e një republika serpska në atë pjesë të territorit dhe më gjerë, në
mënyrë që serbët në tavolinën e bisedimeve të fitonin jo diçka të humbur,ngase
ata në vendin tonë ishin pushtues dhe këtu nuk kishin çka të humbisnin, por të
krijonin dhe fitonin një sajesë të cilën nuk e patën kurrë dhe në asnjë
sistem,kohë as rrethanë,përgjatë gjithë historisë së këtyre trojeve.
Ndaj, edhe nuk u
tha dhe as që u përmend nga kushdoqoftë, të ketë pasur ndonjëherë,një të
ashtuquajtur "bashkësi komunash-serbe", apo diçka të ngjashme, këtu
as në ndonjë pjesë tjetër të vendit, e lëre më një krijesë e pjellë dhunshëm,
si kjo e tanishmja,me numër banorësh dhe përbërje të tillë popullsie, të
zbrazur gati tërësisht nga shqiptarët, shtrirë në një territor kompakt dhe
entitet të përcaktuar me kufij, në brendësi të Kosovës.
Jo- një sajesë
të tillë nuk pati as në kohën e Titos dhe as të Rankoviqit,një stisje si kjo,
nuk ka ekzistuar kurrë më parë në historinë e këtij vendi, në veri as kudo
qoftë tjetër në Kosovë.
Marrëveshja për
formimin-jo vetëm të dy komunave në Mitrovicë, por krijimin dhe pranimin me
ligje të shtetit,dhe miratimin në Kuvend, të së ashtuquajturës "bashkësi e
komunave serbe", si entitet më vete në veri, flet për ndarjen
përfundimtare të brendshme dhe fillimin e ndarjes nga jashtë të Kosovës.
Humbje e
pakompensueshme kjo, e madhe dhe e shumanshme për kompaktësinë tashmë të
luajtur, të shtetit tonë të ri.
Ndaj,Serbia ka
arsyet e saj të forta dhe të studiuara mirë,derisa insiston me çdo kusht që
zgjedhjet e 3 nëntorit të caktuara nga kryeministri Daqiç, të mbahen patjetër
dhe me detyrim për serbët në veri, duke ndihmuar edhe me dërgimin e forcave të
saj policore,në territorin e shtetit tonë,kur dihet nga secili se për zbatimin
e marrëveshjeve të tjera me Kosovën, qeveria serbe nuk tregon asnjë interes.
Ajo në këtë
mënyrë, dëshiron që sa më shpejt, dhe mundësisht para se shqiptarët të
ndërrojnë mendim,të legjitimohet ndarja zyrtare në brendi të Kosovës, ndarje
kjo me të cilën për herë të parë në histori vendosen kufij etnik brenda vendit.
Shih,për këtë
qëllim,Serbia paska dërguar për fillim edhe 150 policë të uniformuar të
MUP-it,serb në Mitrovicë, numri i të cilëve sipas nevojës edhe mund të rritet,
në mënyrë që përmes këtyre zgjedhjeve të jetësoj njësinë autonome të serbëve në
veri, si futje "legjitime" e rrënjëve të Serbisë në Kosovë, të cilat
me kohë si thonjtë e kuçedrës,do ta gërryejnë përbrenda krijesën e shtetësisë
sonë.
Me këtë
marrëveshje,Serbia do të vazhdoj, por tashmë në formë "legjitime" ta
kontrollojë Kosovën nga brenda,pengoj dhe pamundësoi ecjen e saj përpara,mbaj
tensionet të ngrira në veri dhe më gjerë, për ti paraqitur kinse si
"pakënaqësi" të "përhershme" të pakicës serbe në vendin
tonë, në mënyrë që asaj ti bëhen koncesione të reja,nga Bota dhe BE,në kurriz
të Kosovës, deri në ndarjen definitive të saj, sipas kufijve tanimë të vizatuar
me marrëveshjen në mes të dy kryeministrave dhe të miratuar nga parlamentarët
vendor.
Në anën tjetër,
Kosova lindore e mbetur pa asnjë
status-mbrojtës, për bashkëkombësit tanë, do të ndrydhet për ditë e më tepër
për zbrazjen përfundimtare të atyre tokave tona, deri në përzënien e gjithë
shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore atje, gjë që do të ishte një humbje
e madhe për të gjithë ne, për shtetin tonë të ri, pjesë konstituive e të cilit
deri vonë ishte ai territor, për shqiptarët kudo si dhe për ëndrrën e bashkimit
të kombit dhe trojeve tona në përgjithësi.
Me miratimin e
marrëveshjes nga Kuvendi,me apo pa vetëdije, shqiptarët edhe një herë,vet e
futën kalin e Trojës brenda kalas së tyre dhe me dashje i hapën të gjitha dyert
Serbisë për ndërhyrje të "ligjshme" në Kosovë.
Krijimi i
bashkësisë së komunave autonome serbe në veri të vendit,do të mbetet
përgjithmonë një njollë e pashlyer në historinë e ndërtimit të shtetësisë sonë,digë
e pa kalueshme dhe pengesë shkatërrimtare, për ecjen dhe afirmimin e Kosovës,
në agjendat ndërkombëtare, nga këmbënguljet dhe insistimet e pareshtura të
ekstremistëve serb për mbajtjen e Serbisë me çdo kusht në veriun autonom dhe
kudo që arrijnë, brenda vendit tonë.
Megjithatë,nga
pala shqiptare as kësaj radhe nuk u hezitua që të vrarët, të kidnapuarit dhe të
pa gjeturit e shumtë shqiptar, të rivriten edhe një herë, duke hedhur jetën dhe
vuajtjet e tyre me përçmim në harresën e papërgjegjësisë,përmes aktit të faljes
së kasapëve dhe krimeve të tyre barbare ndaj shqiptarëve, miratimin e
marrëveshjes dhe nënshkrimin e amnistisë për kriminelët serb të luftës dhe ata
të pas saj,me të cilat viktimat e pa fajshme u ridënuan edhe një herë më tepër,
pa të drejtë.
Ndaj, si Presidentja e "zarfit" që aprovoi amnistinë edhe deputetët e katapultuar të cilët për ruajtjen e pozitave në pushtet dhe përfitimeve të tyre personale,miratuan marrëveshjen, dhe votuan ligje që dëmtojnë të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë, mbajnë përgjegjësi-pikësëpari për ndarjen e brendshme të vendit, kufizimin dhe përpjesëtimin e sovranitetit të Kosovës, me Serbinë, humbjen e veriut, rrezikimin e lirisë dhe mundësisë së të jetuarit në paqe për shqiptarët, si dhe rrënimin e ëndrrës së pashlyer të të gjithë atyre bashkëkombësve të cilët për ideal gjithmonë patën,bashkimin e trojeve dhe kombit shqiptar.