Mendime » Radovani
Fritz Radovani: 24 Shtator 1915, datë e paharrueshme
E hene, 23.09.2013, 09:01 PM
24 Shtator 1915 NJË DATË E PAHARRUESHME
Nga Fritz RADOVANI
Mali i Zi hyni
për të dyten herë në Shkoder…
Shpresat e
Shkodranëve sa vinin e shuheshin dita me ditë.
Mjaft njerëz
ishin ndër duert e pabesa të malazezëve. Bota ishte kapërthye ndër ngatrresat e
mëdha e nuk i binte kujt ndër mend se a ka apo nuk ka kund Shqipni. Secili
shtet veç çonte kryet mbi murin e atij komshij që kishte pranë dhe nuk mendonte
tjetër, veç çka me i vjedhë apo me i shkye ndonjë copë tokë të mbetun pa
mbrojtje. Pjesa ma e madhe e tyne mendonin me shty gardhiqet kufizuese tue
marrë çka të mujshin me zhvatë prej fqinjëve. Shtetet e vogla, porsa përendonte
dielli, mendonin se a kanë me u zgjue në mengjes pa u pasë shkelë nga thundra e
një zaptuesit grabitçarë e vrasës, që gjithë natën ishin si kope ujqish lëshue
në vendet e Europës. Nuk të jepej me mendue se a ka ndonjë shtet nga të mëdhejt
që shikonte punën e vet apo kërkon me u mbrojtë.
Gjithkah e
gjithkund veç shihej kjartë rreziku i sulmit të secilit nga ma të fuqishmit.
Austria, ishte një nga shtetet që donte me shpirt dhe pa interes Popullin
Shqiptar, dhe u ba shkak për Pavarësinë tonë të 1912. Kjo nuk kje lojë nën
rrëgozë, por veprim i haptë dhe i pakompromis…
Kjo arritje e
Austrisë kje një përpjekje e saj ma se 30-vjeçare, që mori hov njëheri me
Lidhjen e Prizrenit në vitin 1878. Nga ajo kohë e deri në Pavarësinë e
Shqipnisë në 1912, vetëm po të bajmë një bilanc të përgatitjes së kuadrove të
nalta në Universitetet e njohuna të Austrisë, apo ndihmat materiale për
shkollat tona shqiptare të porsa çeluna, vetëm atëherë do të formonim një ide
të kjartë për t’ ardhmen që po i hapej Shqipnisë, e ardhme që do të sillte pa
dyshim Shqipninë Europiane.
Shqiptarët dolën
nga robnia Turke me armë në dorë dhe janë të gjithë tradhëtarët e vendit që po
me armë e vrasje të pabesa u shërbyen serbëve me sjellë një okupacion tjetër,
vetëm se nuk arrijtën asnjëherë me u çveshë nga fanatizmi anadollak, i cili
ndër shekuj e ka tregue këtë qendrim të tyne antikombëtar tue i shërbye kujtdo
përveç Atdheut!
Rusia synonte me
kenë trashigimtare në të gjitha pjesët sllave që kishte pasë ose kishte ende
nën kontroll Austria. Gjermania sa vinte e forcohej tue u ba rrezik për të
gjithë shtetet e Europës që e shikonin me sy të shtrembët këte influencë të
saj, që sa vinte e rritej. Franca ishte e para që friksohej nga forca e
Gjermanisë, që Francës i krijonte vetëm pasiguri. Franca direkt nuk futej në
luftë për problemet ballkanike, ndoshta për hatër të Rusisë dukej se
sakrifikonte, por në fakt haptas nuk dilte. Anglia në vitin 1908 u bashkue me
Antanten dhe kështu u krijue lidhja e tyne Tripalshe: Francë, Rusi dhe Angli.
Mbi lidhjen e tyne të vitit 1891 mes Rusisë dhe Francës, ajo lidhje u pat
përforcue në vitin 1894 me marrveshjet ushtarake. Hymja e Anglisë në këte
Aleancë Tripalshe në vitin 1908 asht shkaku që solli pasojat e randa fatale e
të pariparueshme të 1913, me Kongresin famkeq të Londrës, vendime që Europa u
qendroi në mbrojtje të tyne tash ma se 100 vjet e kushedi deri kur!! I vetmi
Shqiptar që demaskoi dhe parashikoi rrezikun që iu kërcnue Popullit Shqiptar,
Trojeve dhe Tokave Etnike Shqiptare dhe Lirisë së Atdheut ishte At Gjergj
Fishta, i cili vazhdon me kenë i “dëbuem” nga tradhëtarët shqiptarë dhe të
gjithë përkrahësit e tyne edhe sot, dhe pikrisht për ato “letra të hapuna” me
të cilat Ai ua ka tregue rrugën e pakorrigjueshme
të tradhëtisë së tyne. Pikpamjet e Tij janë vizioni i kjartë i gjithë Klerit
Katolik Shqiptar, Atdhetar e Liridashës. Ngjarjet e sajueme në Serbi nga një
atentat terrorist me 28 qersor 1914, kundër Princit austriak Franc Ferdinandi,
sjellin gjakderdhjen e madhe…Bota e trazueme që nga viti 1908 u gjet në pellgun
e sajuem nga vetë ajo prej të cilit nuk mujt me dalë pa vorrosë miljona të
vramë.
Amerika, në
dukje e “largët”, në caktimin e kufijve të vitit 1913 në Kongresin e Londres,
porositë “Pavarësinë e Shqipnisë”, por me një kusht që “Rusisë duhet t’i ruhet
mundësia e daljes në detin Adriatik me një rryp toke...”, e “këte rryp toke”
shtetet europjane e gjetën në Ato krahina të çmueshme Shqiptare, ku përfshihej
Hoti, Gruda dhe zonat e Tivarit e Ulqinit, që nuk u “quejten” kurrma Shqiptare.
Në përputhje me këte vepër asht edhe Masakra e Tivarit e vitit 1945, kur
kosovarët fatzezë i sjellin komunistët me spijunët e tyne Enver Hoxha e Ramiz
Alia nga Kukësi, vrasin sa vrasin rrugës dhe tepricën nuk e kalojnë në tokat e
Malit të Zi të qeverisuna nga “druzhe” Tito, (i cili mundohet me dalë lugë e
lame në këte tradhëti), po i vrasin në trojet tona shqiptare, tue i tretë
kufomat në brigjet e Adritikut, brijë Tivarit.
Pabesia
shekullore serbe kishte depërtue edhe ma thellë se vija formale e kufinit me
ta. Edhe miqësia e Rusisë me ta kje po aq e vjetër.
Na ishim të
mësuem me këto ngatrresa, po me parashikue fatin e një kohe të ardhëshme ishte
e vështirë. Malet e thepisuna, ku edhe ariu shkon me pritesë, ishin këthye në
strehë Atdhetarësh. Kleri Katolik dhe shumë nga Atdhetarët u banë pré e
ngatrresave dhe pazarlleqeve serbe. Vrasjet dhe lufta për shfarosjen e Tyne
asht poaq e vazhdueshme.
Mbas
Qeveritarëve të Nderuem të Qeverisë së Parë Shqiptare, tue përjashtue Mehdi Bej
Frashërin, Mustafa Krujen apo Anëtarët e Asaj Rregjence të 1943 – 44 të
njollosun me tana të zezat tash 65 vjet, janë pothuej të gjithë drejtuesit e
ardhun në pushtet nga Serbia, ose të lidhun drejtpërsëdrejti me interesat e
veta, në dam të Atdheut, Shtetit dhe të Popullit Shqiptar, që luftuen për
kolltukun dhe mbushjen e xhepave të tyne, tue tradhëtue interesat e Shqiptarëve
që u vriteshin pabesisht si derrat e egjer prej tyne ndër male e fusha, ku
pabesia mbretnonte.
Kjo psikologji
nuk ishte e panjohun as nga Malësorët tanë, që interesin e Atdheut e të
Flamurit të Gjergj Kastriotit e kishin të ngjeshun për kafazin e krahnorit, e
të pazgjidhun asnjëherë mbi të Katër Gozhdat që vinin dorën e Tyne të djathtë
gjithmonë para se me shkue në luftë...
Ishte ideali i
naltë “Atdhe e Fe”, që kishte rindërtue në Shpirtin e Tyne virtutin e paster të
Lirisë, që Malësorët e Veriut me Prijsin e tyne Dedë Gjo’ Lulin i bani të
përjetshëm.
Dedë Gjo’ Luli
mendoi me u largue për pak kohë me shpresë se do të ndryshonte gjendja dhe do
të kthente prap ndër Malet e veta.
Ishte vetëm
pjekunia e Tij për mos me ua shtue gjakderdhjen e vllazënve të vet në këte
situatë kausi ballkanik.
Mori rrugën nga
Mazrreku dhe shkoi në Pukë. I përcjellun me miq, doli në Qelzë të Pukës, e aty
u nda nga Ata Atdhetarët e vet besnikë me të cilët Ai mendoi se do të shihej
shpejt, kështu Don Loro Caka, Rexhep Shala, Ndoc Ndoja dhe Simon Doda u kthyen,
ndërsa Deda me djalin tjetër dhe me Nik Prelocin u nisën për Mirditë. Kaloi
lumin Drin dhe hyni në thellsi të maleve të egra të Mirditës jo ma pak të lame
me gjak për Liri. Atje për tre muej pat përpjekje me forcat e tradhëtarit Esad
Pashë Toptani, i shpallun “besnik” i të gjithë shteteve shoveniste që na
rrethonin dhe që kërkonin pjesë në Tokat Shqiptare. U pat shërbye të gjithëve
pa dhimbje sa kje gjallë dhe i vdekun.
Dedë Gjo’ Luli
nuk arrijti me i shpëtue kurthës së tradhëtarit, po u gjet i rrethuem në mes
tyne bashkë me Nik Prelocin e djalin e vet Kolën tek qela e Oroshit, ku Deda
mendonte se do të gjente aty disa besnikë, që po e pritnin edhe ata të
armatosun. Porsa po afrohej në vendin e caktuem, aty u gjet në mes të shumë
ushtarëve serbë, që porsa i pa, Deda kuptoi gjithshka, dhe tha: “Sot kemi
mbarue!” Ishte data 24 Shtator 1915. U koll; pështyu për tokë dhe trimnisht iu
afrue komandantit serb, i cili kërkoi nga Deda që me i tregue drejtimin e
shokëve të vet. Deda iu përgjigj se nuk kishte me i tregue kurrë Ata. Ushtarët
serb e ndanë Deden nga Nika dhe i biri, të cilët ua dorzuen ushtarëve esadistë,
ndërsa Dedën e lidhën dhe u nisën nga
Mali i Shejtë i Oroshit, ku e mbytën tue e therë me bajoneta derisa i doli
Shpirti. Trupin e mbuluen me gjeth dhe e lanë mbi dhe. Disa barijë mirditas e
patën gjetë rastësisht dhe mbas gati pesë javësh, prifti i fshatit, mbasi e
mori vesht vendin nga barijtë, e pat marrë natën me datë 8 Tetor 1915 dhe e pat
vorrosë tek Kisha e Oroshit, pa i tregue askujt për këte. Aty asht mbajtë deri
në vitin 1917. Atë vit Delegati Apostolik i Vatkanit në Shqipni, Imz. Ernesto
Cozzi, që ishte edhe Feldkural i ushtrisë Austro – Hungareze, dhe Mik zemre i
Dedë Gjo’ Lulit e shpesh bashkëpunëtor i Tij, bani hetime; madje Ai vet u
interesue me ia stolisë vorrin me rrasa të latueme guri. Ai u ba edhe
ndërmjetës me gjetë edhe trupin e Djalit të madh të Dedës, Kolën për të cilin
ishte interesue me kohë e shoqja.
Eshtnat e Tij i
treguen Shqiptarëve e Shqipnisë mbarë, se:
“Për Ty vdiqa, Për Lirinë tande! Nuk kam dashtë tjetër!”