E diele, 10.11.2024, 06:05 PM (GMT)

Kulturë

Flora Durmishi: Interviste me Vitore Sallakun

E diele, 28.07.2013, 06:36 PM


Vitore Sallaku: Vdekja nuk më ka dashur

Interviste me Vitore Sallakun “Artiste e Merituar”, “Mjeshtre e Madhe”

Nga Flora Durmishi - Radio Kosova 1

Vitore Sallaku, është një ndër artistet e rralla të cirkut e cila një jetë të tërë ia kushtoi artit të guximit, forcës dhe bukurisë, cirkut. U lind në Tiranë nga prindër intelektualë por nuk e pati fatin të rritej e të jetojë me ta. Babai I saj prof.Dr. Lorenc Rasha kishte mbaruar për linguistikë në Austri. Ai në vitin 1944 u pushkatua pa gjyq. Dhe, jeta e Vitores vetëkuptohet nuk qe e lehtë. Artistja pa kocka, sic e quanin Vitoren, u rrit dhe u zhvillua bashkë me cirkun. Ka kryer specializime në Kinë dhe Bashkimin Sovjetik. Zonja, Vitore Sallaku, shquhet për realizimin me sukses të pjesëve të ashtuquajtura të përgjegjësisë së lartë. Ka gjuajtur shigjetën me këmbë, gjithnjë në qendër të tabelës! Ka qëndruar edhe me dhëmbë mbi lule! E pabesueshme por e vërtetë. Është autore e disa librave ndër të cilët edhe autore e librit “Historia e Cirkut”. Pas daljes  në pension ka punuar si pedagoge me brezin e ri.

Zonja Sallaku, jeni marrë një jetë të tërë me artin e guximit, forcës dhe bukurisë, cirkun. Prej nga kjo dashuri vallë për një profesion edhe të rrezikshëm?

Është nganjëherë shansi në jetë. Unë pata fatin të kem rrënjën, sic është kryefjala, talentin në këtë rast. Pata një shans të jashtëzakonshëm që pata afësi për të bërë një art që është arti I forcës, guximit dhe bukurisë.

Si ndodhi? Si u gjendët në këtë punë?

E lindur për këtë profesion!

Duhet të ju ketë shtyrë dikush se ju ishit shumë e vogël për të marrë vendime!

Unë nuk pata fatin që si fëmijët tjerë të rritem me nënë dhe baba. Babai im u pushkatua pa gjyq që në 1944 duke qenë figurë e madhe, ishte drejtor I gjimnazit “Qemal Stafa” në Tiranë, drejtor I gjinazit në Shkodër. Kishte mbaruar për linguistikë në Austri. Ajo periudhë dihet se si ka qenë. Intelegjenca u persekutua. Pati fatin e keq edhe im atë të pushkatohet pa gjyq. Ai që në fillim fare kishte thënë se unë kisha aftësi dhe se “vajzën do ta coj për cirk në Austri”. Këtë e kam dëgjuar nga të tjerët se unë nuk pata fatin ta njoh babën tim se isha shumë, shumë e vogël. Pra, sinjali I parë I cili edhe m’u fiksua që, duhet të ndjek këtë rrugë, ishte nga fjalët e hallave dhe të afërmve të tjerë që e kishin dëgjuar babanë ta thotë këtë. Pra, që fëmijë I vogël unë kam bërë ushtrime pa e ditur se c’bëhet. Kisha një lakueshmëri të organizmit të jashtëzakonshme. Unë nisa që në moshën 6 vjece. Këtë ka profesioni jonë! Më merrnin përdore dhe shkonim në Shtëpinë e Pionierit. Aty fillova të bëj ushtrime dhe që aty, më morën dhe më cuan në Filharmoni. Aty ishte grupi I parë artistic që u kriju për të gjitha llojet e arteve. Që aty u krujuan edhe institucionet e mëdha që kemi ne sot. U krijua Opera u krijua Teatri, u krijua Estrada. Ne ishim pjesë e estradës. Duke qenë pjesë e estradës që, aty ka të gjitha llojet e artit dhe unë u bëra si t ë thuash pjesë e këtij arti. Me kalimin e kohës unë dhe kolegët e mi kishim dismonim që të krijonim një grup ose art që nuk ishte bërë te ne kurrë. Ishte Ali Xhixha-pelivan, I cili më pa dhe menjëherë më mori. Punova ca kohë me Ali Xhixhën dhe u futa në grupin e akrobatëve. Duke u futur aty unë edhe u bëra pjesë e tyre. Aty isha deri në krijimin e plotë të cirkut. Patëm një fat të madh, me që ishte rast I jashtëzakonshëm, kam shkuar për herë të parë në Bashkimin Sovjetik për të dhënë shfacje dhe për eksperiencë. Më vonë kam shkuar edhe në Kinë për eksperiencë.

Cfarë shkollimi duhet të kesh kryer për të qenë pjesë e cirkut apo mjafton vetëm të ushtrosh?

Është arti që do talentin! Ky është hapi I parë. Kur është talenti pastaj është puna që do të cojë atje ku dëshiron. Ta kesh talentin por të mos kesh vullnetin për punë kjo do të thotë të mos kesh gjë! Është puna ajo që do të të nxjerr në krye. Ndihmë të madhe më kanë dhënë edhe këto dy specializime që arrita të jem dikushi.

Sa qëndruat në Bashkimin Sovjetik?

Katër muaj. Për këtë kohë kam shëtitur disa Republika të Bashkimin Sovjetik. Ta zëmë, natën e Vitit të Ri, në Moskë, kam bërë 15 herë numrin! 15 herë ta bësh të njejtën gjë është vërtetë e jashtëzakonshme por ishe pasioni I madh dhe dëshira. Pastaj pata fatin që të shkoj në Kinë dhe kam punuar me Asët e botës. Cirku rus dhe kinez njifen për cirkët më famozë në botë. Por duhet ta them se mbi të gjitha ëshët Kina. Aty punova me profesorët më të mëdhenj të cilët duke shfrytëzuar talentin dhe vullnetin tim arrita të kem rezultatet që sot kam.

Jeni penduar ndonjëherë për zgjedhjen që keni bërë? E keni qortuar veten për këtë?

Jo në asnjë mënyrë! Ka qenë pasioni aq I madh dhe dëshira për punë sa që nuk e kam menduar këtë gjë as edhe një herë. Kanë ndodhur disa gjëra që të duken cudi por ja që i kam bërë! Pas gjashtë muajsh që kisha lindur kam dhënë numra të përgjegjësisë së lartë. Janë të rrallë njerëzit që bëjnë këto. Kam gjuajtur shigjetën me këmbë dhe cdo gjuajtje ka qenë mu në qendër të tabelës! Pastaj kam qëndruar me dhëmbë mbi lulen që, kur e kam bërë herën e parë salla është ngritur në këmbë dhe unë e kam përsëritur dy herë. Ka qenë premiera “Ilaqi magjik” Skënderi, që sot është bashkëshorti im, dilte në skenë me një valixhe në dorë. Kishte marrë dhe një bastun të madh dhe gjasme, kishte ardhur nga jasht shtetit, ndalonte në mes të skenës dhe  e pyet spektatorin se cka ka në valixhe, ishte nata e parë e premierës, ata përgjigjeshin se ka kostum, këpucë etj. Pastaj kur hap valixhen dal unë nga valixhja! Në kohën që dal unë nga valixhja salla ulërinë. Kjo qe një surprizë shumë e madhe. Edhe vetë artistët e kishin ruajtur këtë secret, edhe ata e shihnin për herë të parë. Kjo ishte surpriza më e madhe që ka ndodhur në skenë. Pastaj vazhdosha bëja numrat. Pas kësaj bëja lulen. Ky ishte arti që ndoshta na bëri ne, që të jemi sot me emër.

Prej nga ky guxim?

Është natyra e njeriut ose fati. Unë kam rënë nga maja e bambusë dhe nuk kam vdekur! Nga ajo lartësi duhej të kisha vdekur por ja që nuk kam vdekur. Nuk e kam njohur frikën. Plus pastaj kisha edhe vullnetin.

Po të ishin prindërit tuaj gjallë mendoni se do të ju linin në këtë punë të rrëzikshme? Ju e thoni edhe vetë se ka rrezik!

Ishte dëshira e babës tim që unë isha atje!  Ajo dëshirë më coi atje.Të afërmit dhe miqtë e tij ma përsërisnin gjithmonë: Doktori (I thoshin doctor se kishte doktoruar në Vjenë për linguistikë) ka thënë se këtë vajzë do ta coj në Vjenë për cirk.

Ju ka ndodhur të ju dështojë numri dhe cfarë keni bërë në atë rast?

Kam qenë në Universitetin Lomonosov në Moskë. Po jepshim shfacje. Ka ndodhur një gjë shumë interesante. Këtë ma ka thënë një shoqe vonë që ka qenë aty duke më pare. Gjatë ushtrimit ishte një moment që do të qëndroja mbi dorën e udhëheqësit artistic të cirkut tonë dhe një nga pedagogët e mi, në një dorë më mbante e  mbledhur në bark dhe atë kohë nuk e di se si qe, vetëm se unë e pash veten në tokë pa ndjenja! Dhe kjo ndodhi mu në mes të sallës te Lomonosovi. Sic isha ashtu më ngre partneri duke më tundur, unë hap sytë, dhe më thotë: do të vazhdojmë? Po I thash! Salla ishte ngritur e tëra në këmbë! Një t’u ngritur dhe e bëra ushtrimin prej fillimit deri në fund. Kur kam filluar të punoj salla vazhdonte të ishte në këmbë duke duartrokitur me ritëm. Edhe pse unë përfundova ushtrimin salla vazhdonte duartrokitjet. Kështu me ritmin e duartrokitjeve jam larguar nga salla. Pastaj u ulën të gjithë.Këtë ka profesioni jonë që edhe në momentin e vështirë të dish ta mbarosh ushtrimin deri në fund. Po nuk e mbarove nuk je askush.

Edhe burri juaj është përsonalitet I njohur për publikun, z. Skënder Sallaku. Si u njohët me të?

Unë kam qenë para Skënderit në estradë. Pasi mbaroi ushtrinë, e ka bërë në Estradën e Kufirit, kthehet dhe vjen si profesionist te Estrada. Ne më vonë jemi ndarë nga estrada. Pra, erdhi në Estradë dhe kemi punuar bashkë. Skënderi kur kishte kohë të lirë vinte në palestër dhe bënte përgatitje fizike dhe plus asaj merrej edhe me pantomimë që është pjesë e cirkut. Pantomima ka humorin në vetvete. Ne të gjithë e donim Skënderin. S’kishte njeri që nuk e donte por nuk kemi menduar kurrë se mund të jemi bashkë. Asnjëherë! Kjo deri kur kemi shkuar në Kinë. Atje u krijua një lidhje ndoshta nga që ishim vetëm, afrimiteti dhe kur u kthyem nga Kina u fejuam. Pra jemi njohur gjatë procesit të punës. Gjëja më e bukur është se nuk I kemi shfacur njëri tjetrit dashuri! Një afrimitet shpirtëror, I pastër! Ndoshta ka qenë dhe brezi jonë që nuk ka ditur të hyjë në ato skuta.

Përparësitë ose dobësitë e të punuarit bashkë me burrin në të njejtin vend?

Të qenit bashkë është shumë vështirë ta them realitetin. Sidomos duke pasur përballë një figurë që e adhurojnë të gjithë. Kërkesat kanë qenë nga të dy palët. Kur Skënderi mbaronte shfacjen e prisnin kushedi se sa vetë pas dere vetëm me e pa, me e puth me  dashamirësi me përshëndetë dhe falënderu. Unë nuk kam qenë nga ato që e kam prishur ndonjë herë zemrën duke i thënë pse e bëre këtë veprim ose atë. Jam natyrë e tillë që nuk hy në kontraditë.

Njdonjë rast interesant mund të na rrëfeni!

Shkonim në dasmë dhe vinin femrat dhe më pyesnin: Ta puth Skënderin një cikë?

Të paktën leje paskan marrë!

Unë u thosha “shqyeje”(Qeshet)

Ndonjë anekdotë nga gjithë kjo karrierë! Ndonjë gjë pikante që nuk e keni thënë ndonjëherë!

Arti ka momente interesante. Kishte vetëm gjashtë muaj që kisha lindur vajzën dhe unë kam bërë shkallën! Ashtu erdhi puna. Fëmijën e kisha në gji dhe kur zbrisja nga shkalla, nuk di nëse e ke parë ti këtë pikë, mua qumshti më dilte nga gjiri dhe më pikonte në tokë. Është rast i jashtëzakonshëm që nuk bënë vaki. Do të ju rrëfej edhe një rast tjetër. Më humbi cuni. Në momentin që doja të dilja në skenë, shikoj ku është cuni dhe nuk po e shihja. E bëra numrin por nuk e di as sot si arrita ta bëj duke pasur mendjen te djali. Nuk po e shihja askund. Numri që bëra ishte i vështirësisë së lartë. Mund të paguaje me jetë. Shpesh them se mua nuk më ka marrë vdekja se nuk më ka dashtë!  Numrin arrita ta bëj por lotët nuk i ndalja dot për djalin. Derisa po e kërkoja dëgjoj garderobierin të më thërrasë: Vitore, Vitore mos u shqetëso, djali është duke fjetur te arka e plackave! Kishim ne arkat tona dhe ai ishte futur aty dhe po flinte.

Fëmijët tuaj ku janë? A merret ndonjëri me profesionin tuaj?

Djali ka mbaruar Institutin e Fiskulturës kurse vajza ka mbaruar histori-gjeografi. Të ju them të drejtën nuk ka qenë dëshira jonë që ata të merren me profesionin tonë. Përgatitje fizike kanë bërë se më vinin gjithmonë nga mbrapa dhe palestra ishte vendi ku mund te rrishim më tepër. Kanë qenë të predispozuar por nuk ka qenë dëshira ime kurrë që t’i aktivizoj se është shumë vështirë dhe jetën e ke gjithmonë në rezik.

Tani jeni në pension. Cfarë bëni?

Pasi dola në pension kam punuar si pedagoge me brezin e ri dhe sot një pjesë e mirë e artistëve të rinj që janë në cirk kanë qenë nxënësit e mi. Kam punuar 20 vjet me fëmijët. Ata sot janë edhe nëna edhe djem të rritur.

Kur e ktheni kokën mbrapa, si e shikoni jetën tuaj, jeni e kënaqur me cfarë keni arritur apo mos u ka mbetur ndonjë peng?

Kam punuar me shumë përkushtim. Kam arritur atë që nuk mund ta arrijë dot gjithkush jo vetëm në cirk por edhe si pedagoge. Unë jam jo vetëm një pedagoge por edhe një nënë shumë e ndjeshme. Shoh se si ish nxënësit e mi sot janë bërë prindër por me mua flasin me një dashuri dhe respect shumë të madh gjë që më jep një kënaqësi të vecantë.

Nëse bëjmë një krahasim me kohën në të cilën ju keni punuar dhe sot, në c’gjendje është cirku?

Sikur ta shoh përtokë nuk kam për të thënë kurrë se është keq sepse është pjesë e shpirtit tim dhe dua që t’i shoh me atë syrin e bukur, për të mirën dhe nëse tani në një moment që mund të thuash nuk  janë shumë mirë prap është ajo shpresa, ai fenomeni që e mbulon të keqen dhe që njeriu mendon gjithmonë për të bukurën, për të mirën. Them që gjithmonë i riu ka mundësi të bëjë shumë edhe më shumë kështu që, nuk mund të mohosh atë. Është gabim i pafalshëm sepse, jeta ecën përpara dhe e mira do të ndrisë gjithmonë.

Në Kosovë nuk ju kam parë të keni pasur ndonjë paraqitje!

Ke shumë të drejtë. Në Kosovë nuk kam pasur rastin të shkoj. Si turiste natyrisht por jo në profesionin tim. Koha jonë kishte kufizime. Ne, ta zëmë, mund të haheshim me gjithë botën sa i përket  arritjeve artistike. Në Bashkimin Sovjetik kam dhënë shumë shfacje. Fati jonë i keq ishte se kemi punuar në periudhën më të vështirë. Ne kishim mundësi të iknim. Madje edhe pedagogët tanë na thoshin ikni mos shkoni në Shqipëri, punoni një dhjetëvjecar, shëtitni gjithë botën që të merrni djersën tuaj! Ata kishin valixhet me para! Një nga këta artistët, që kisha pedagog unë, kishte ardhur edhe në Shqipëri. Ai më thoshtë: Mos shkoni që të paktën të fitoni!

Ju i keni dhënë shumë Shqipërisë! Po Shqipëria ju?

Edhe ajo m’i ka dhënë të gjitha ato që kam merituar! Ndoshta jo në periudhën e parë. Asokohe isha e kënaqur që të paktën punoja! Sistemi ishte i tillë. Isha e ndërgjegjshme për punën që bëja. Titull jo nuk më kanë dhënë. Të gjithë titujt i kam marrë në kohën e demokracisë. Sot jam “Mjeshtre e madhe”

Si e përkufizoni ju cirkun, c’është ai?

Cirku është art i të gjitha moshave. Aty gjen kënaqësi fëmija, i riu edhe plaku sepse, ka humorin brenda ka bukurinë dhe elegancën, ka guximin! Pra, të gjitha cilësitë e mira që ka njeriu. Pikërisht në këtë art gjen kënaqësi cdo moshë. E bukura e cirkut është se ti kur shkon aty kthehesh me një entuziazëm për jetën. Të duket jeta shumë më e bukur sepse është arti i të bukurës, forcës dhe guximit.

Shkoni shpesh në cirk tani? Ju merr malli për atë skenë?

Shkoj posi! Kam bërë edhe disa libra.

Ju jeni autore e librit “Historia e cirkut”! Një libër që ofron shumë informacion!

Shkruaj edhe poezi. Ndoshta këto janë disa fenomene që më japin mundësinë të shpreh ndjenjat e mia për punën që kam bërë, dashurinë për kolegët.

Marëdhënia me kolegët sa është e rëndësishme në këtë profesion?

Është shumë e rëndësishme. Ne duhet ta duam shumë njëri tjetrin në artin që bëjmë! Këtu mund të ndodh edhe e keqja. Me qëllim dhe pa qëllim mund të bëjë vaki. Ky art ka karakteristikë solidaritetin, shpirtin e madh se, ti ma ke jetën në dorë!

Zonja Sallaku, ishte kënaqësi e madhe që ju njoha nga afër këto ditë në Vlorë. Nuk mundem pa ju thënë se dukeni shumë bukur. Kur sot, në këtë moshë, dukeni kaq e bukur, cfarë të themi kur keni qenë e re!

Faleminderit shumë për komplimentin. Jam shumë e nderuar dhe e respektuar. Faleminderit shumë!



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora