Kulturë
Qerim Hysenbegasi: Humor nga burgjet e diktaturës
E diele, 28.07.2013, 07:35 PM
Humor nga
burgjet e diktaturës
Nga Qerim Hysenbegasi
Shvejku i burgut komunist
Sa herë
që të burgosurit “politikë”, “politikanët”, siç thirreshin ndryshe, do të
delnin në pajdos (pushim i shkurtër në oborrin e burgut), kapiten Bektashi do
të thërriste dhe Shvejkun e tij të preferuar.Sulon e shkretë, me qellim që të
“argëtohej”, kur Sulua të godiste me romuzet dhe shpotitë e tij “politikanët”,
“armiqtë” siç e quante kapiteni.
Një ditë
komandant Bektashi i thotë Sulos:
- Hë,
more Sulo, çdo të na thuash sot për këta derra?
-
Vallahi, or kapiten Bektashi, këtë radhë s’do të flas për këta, por për ju. Për
sa kohë ju qetë në mal e luftonit “murdarin” që na zaptoi vatanin, thosha: Me
një sy të jem, vetën ata djem, vetëm ata trima t’i shohë, t’i përqafojë, t’i
puth, me ata të jem për jetë!...Krenohesha me ju, bre kapiten! Ama, tani që ju
pashë, tani që ju provova ç’gjellë jeni, tani që ua piva atë lëngun e hidhur,
them të dy sytë të mos i kem e vetëm të mos t’ju shoh më, vetëm ju mos t’ju
dëgjoj më!
Oborri i
burgut ushtoi prej gazit të “politikanëve”, ndërsa kapiten Bektash Pronjari....
Sulua në gjyqin e dytë
Sulua e
pagoi shtrenjtë.
Disa kohë
në “psikiatri”, në binxat e “famshme”, pastaj sërish në gjyq. Kësaj radhe “si
pulitikan” siç thoshte i ndjeri. Prokurori kishte qenë ai që i pati bërë gjyqin
e parë, ndërsa trupi gjykues këtë herë përbëhej nga disa femra. Sipas
procedurës pyesin të pandehurin:
- Jeni
dakort me trupin gjykues.
- Me
cilin?!-pyet Sulua i habitur.
- Ja, me
këtë,- dhe i treguan tri shoqet që kishin zenë vendin e duhur.
- Ah, jo,
zotërinj, mos u tallni me mua! S’ka bërë emër
Zoti që një burrë si unë të dënohet nga femrat,- foli Sulua i
dalldisur.- Më mer malli për ato viranka. E…,- vazhdoi ai mendjeprishur.
(Thoshin
se Sulua si askush, pat patur dobësi të rrallë për këtë lloj seksi. Gjynahet ia
paçin! Flisnin se tërë telashet dhe zollomahitë i patën ardhur nga sevdaja dhe
“bilbili”).
- Jo,
zotërinj, ato s’mund të më gjykojnë e aq më tepër të më dënojnë mua, por…- dhe
sakaq iu mbërçel fjala në grykë.
- Na
thuaj, je apo s’je dakort me trupin gjykues! Lëri romuzet dhe pallavrat e tua
bajate!- i bërtitën ata gjithë mllëf.
-Këto?!...Këto?!...Jo,
jo këto!...
Dhe Sulua
që në ato çaste ishte gati t’i hiqte zvarrë dy policët që e shoqëronin,
dalldisi drejt trupit gjykues:
- Jo,
jo!...Këto kanë ardhur!... E di unë pse kanë ardhu!...O Zot! Më mirë thuajani
vetë, mos shejtankat e Sulos, mos syçkat e bukura të Sulos, thuajani këtyre
derrave pse keni ardhur, tregojuani se keni bërë tenezyl të na urdhëroni këtu
për hir të sevdasë…
Ky
qendrim para trupit gjykues e dërgoi sërish atje ku kishte qenë, në psikiatri.
Fundi
Kur pa
dyert e psikiatrisë, bluzat e bardha, e mblodhi radaken, por qe vonë… Thonë se
thirri me sa fuqi kishte:
- Amani,
bre burra, vetëm këtu jo!
Dhe…ia
dëgjuan lutjen Sulos. I injektuan një ampulë për “qetësi” dhe i thanë:
- Ik
tani! Mos thirrë, se je i lirë!...
Iku sa
mundi. U shplodh nën hijen e një gorrice, e zuri gjumi dhe fjeti gjate atje.
Ende është në gjumë…Ende është atje… jo më ai…, as gorrica, por vendi që mban
emrin “Gorrica e Sulos”.