Kulturë
Kostaq Duka: Vena e madhe
E diele, 28.07.2013, 04:21 PM
Vena e
madhe
Skicë nga Kostaq Duka
Ajo ishte
e gjatë. Vishej thjesht, zakonisht me bluxhinse. Nga e ecura të jepte
përshtypjen e një personi gjithnjë të ngarkuar me punë që i duhet pas pak
çasteve të shkojë patjetër diku. Në Shtëpinë e Pleqve vinte çdo të premte në
ora pesë. Të përshëndetëte me një buzëqeshje të lehtë tek sa me hapa të mëdha
nxitonte të kapte ashensorin.
Fiks
më gjashtë zbriste ne holl. Në fytyrë
nderte me tone të qeta një shprehje kënaqësie. Mundohej të ecte me
ngadalë. Dukej që këtë e bënte me pak
sforcarje. Prapa saj, vetëm dy hapa më tej ishte ai, i shkurtër, i imët, me një
kokë të vogël mbi supet e ngushta dhe me një fytyrë të verdhë, të rrudhur. Ecte
qetë , me hapa tepër të vegjël , nën një kostum gri dalë boje, mbështetur mbi
një bastun. Në fytyrë po ajo ndjenjë
kënaqësie si e gruas por pak më e dukëshme përzierë me nuanca trishtimi. Duke
ecur kishte dëshirë të përshëndetëte të tjerët në holl si për t’i bërë
dëshmitarë të përcjelljes e kënaqësisë së tij.
Në dera e
madhe me xhamllëk, në hyrje, ajo ndalonte. Kthehej nga ai dhe i thoshte
mirupafshim duke i vendosur dorën mbi
supet e ngushtë të tij. Mirupafshim, ia kthente dhe ai.
Me t’u
ndarë ajo zmadhonte dhe shpejtonte hapat si për të thënë se tashmë i duhej të
nxitonte patjetër për diku.
Ai bënte
të largohej ngadalë. Por pasi shënonte
disa hapa ndalonte e kthehej përballë me xhamllekun e derës së madhe. Mundohej të shikonte tej xhamllëkut duke
lëvizur kokën e vogël e tërë trupin, majtas e djathtas. Fliste më shumë me
veten se me të tjerët: Është ime bijë! Ka një një venë të madhe, shumë të
madhe. Ashtu e ka punën.
Qëndronte
pak çaste,gati i ngrirë ,gjithnjë duke parë tej. Një re mërzie mbi fytyrë i
bënte të dukeshin më të thella vijëzat e rrudhave. Pastaj lëviste drejt ashensorit gjithnjë me ngadalësinë e zakonshme të tij. Përsëri
fliste më shumë me veten se me të tjerët: Është koha të ngjitem lart. U bë
natë.
Kështu
çdo të premte. E njëjta skenë, të njejtat lëvizje të gruas së gjatë dhe burrit
të shkurtër.
Papritur,
disa të premte rradhazi gruaja e gjatë dhe burri i shkurtër nuk u panë të
përcilleshin në hollin e godinës. Burri nuk u pa as në restoranti “Kristal”. Sigurisht, dy, tre miqtë më të afërt të tij i
jepnin shpjegim mungesës por tek të tjerët thuajse s’kishte ndodhur
asgjë ose edhe në kishte ndodhur diçka kjo ishte e zakonshme….
Ishte po
e premte kur përpara hyrjes ndaloi një venë e madhe, krejt e bardhë.Madhësia e
saj tej përmasave të zakonshme të bënte të mendoje se ajo nuk ishte prodhim
serie. Prej saj zbriti gruaja e gjatë e veshur si gjithnje me bluxhinse, me
flokët e gjatë pa ndonjë përkujdesje të veçantë. Ndaloi para sportelit. Më duhet të mbledh disa sende nga apartamenti
i babait tim të ndjerë. Ku mund ta vendos venën time, në cilin garazh te
godinës dhe cilin ashensor duhet të përdor për të lëvizur sendet? Pas
informimit të nevojshëm u largua. Pas mori jehonën e një zëri të ngrohtë: Është
ime bijë! Ka një venë të madhe, shumë të madhe.
Korrik,
2013