E merkure, 05.05.2021, 11:03 PM (GMT+1)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Bohem i … dashurisë

E enjte, 25.07.2013, 08:31 PM


Bohem i …dashurisë

Mbi vëllimin ‘’Bohem’’ të  poetit Millianov Kallupi

Nga Timo Mërkuri     

Nuk e di pse, i ndodhur nën ortekun e botimeve të njëpasnjëshme të mbi njëzetë librave me ‘’hajku’’, të poetit Millianov Kallupi, më ishte krijuar ndjesia, se  “Vate dhe ky,  harroi të shkruajë shqip”.

‘’Harbimi i kuajve’’ të tij, jo vetëm që nuk m’a dobësoi këtë përshtypje, por përkundrazi, m’a përforcoi më tej, kur mendova: -“S’i mjaftuan ‘’hajku’’ këtij Millianovit, që tani na lëshoi ‘’tankat’’ e harbuara të kuajve, ardhur andej larg nga Janonia?” Dhe hordhive të Çengiz Khanit mund t’u bënim ballë, por jo ortekëve millaniovianë. Dhe ca pëllumba të bardhë, si për të përforcuar mendimin e mësipërm, vajti dhe na i dërgoi nga Stambolli, thua se s’kishte pëllumba Elbasani.

Shkurt muhabeti, më qe mbushur mendja, që Millianovi ‘’e ka harruar shqipen’’. .Madje, besoja se dhe për të folur, kishte nisur të bëlbëlzonte .... japonisht

Prandaj, kur më ra në dorë vëllimi i tij me lirika ‘’Bohem’’ ( Botimet Vllamasi’’ 2010, fillova ta shoh me  vëmëndje mbarë e prapë, thua se ishte gabim emri në ballinën e librit. As fotografia e tij në anën e pasme të kopertinës, nuk m’a mbushi mendjen. Le që atje kishte dalë tepër serioz, ndryshe nga sa e njoh unë. Por poezia e tij ‘’Porosi’,’ poshtë fotografisë me devizën villanoviane: -Si deng hidhmëni/në zbrazëtirën e varrit/ nëse s’jam përgjëruar/dhe për fijen e barit…, - dukej sikur më thoshte: - “Tungjatjeta mik! Unë jam”.

Se Millianovin, gjithmonë e kam parafytyruar si një djalosh ‘’dendi’’, i rrethuar nga një tufë vajzash të bukura, tip gjimnaziste gazmore, të cilave u shpaloste bukurinë e shpirtit të tij dhe u përgjërohej që t’a besonin. Ndoshta edhe për këtë përfytyrim timin, e kanë fajin  librat e tij me ‘’hajku-n’’ e largët.

Kështu fillova t’a lexoj me vëmendje librin e tij me lirika , ‘’Bohem’’.

Ndërsa po lexoja, s’di pse m’u kujtua  një fjalë e Prof. Nasho Jorgaqit, që thotë: -Në arealin e çdo letërsie, lirika përbën shkallën më të lartë të ndjeshmërisë poetike. Ajo është poezia e poezisë, rinia e saj e përjetëshme.

Duke e lexuar, krijoja përshtypjen se vërtet Millianovi vjen këtu i rrethuar nga një trumbë vajzash, në kulm të rinisë e të bukurisë, plot hire e hare, veshur e stolisur me tunikat antike, minifundet e dekoltetë europiane, apo maksifundet aziatike të kohëve moderne.

Në qoftë se dikush, do të më kërkonte të përkufizoja me një fjalë  librin ‘’Bohem’’ të Millianov Kallupit, unë do t’a përkufizoja me vargun e Rene Shar: - ‘’Aty bredh dashuria’’.

Në të gjithë lirikat e shtrira në 150 faqe libri, ka vetëm dashuri. Ka dhimbje, por edhe ajo është dhimbja më e bukur në botë, dhimbja e dashurisë.

Mos u përpiqni të gjeni vetmi apo dëshpërim. Millianovi nuk banon në këtë lagje. Dhe unë ia kam ‘’zilinë’’.

Unë nuk e di nëse Millianovi beson tek Zoti, falet në kishë apo xhami, por te  ky libër, unë shoh se Millianovi beson te Poezia dhe i falet asaj, i rrëfehet dhe i ndez qirinj si besimtar i devotshëm, i beson asaj sekretet më të mëdha të shpirtit të tij, ëndrrat, dashuritë, dështimet e shpresat. Dhe për atë e poezinë e tij, mund të citojmë si aksiomë thënien: -Vërtet që shpresa vdes e fundit, por poeti dhe poezia, nuk vdesin kurrë.

E ndarë në katër cikle, libri ka vetëm dialogje për dashurinë.

Që nga antikiteti thërret Dionisin për dashurinë: -Të pimë, të dehemi tapë/të vdesim, të ngjallemi prapë., filozofon për kohën e Laokontit: - Kohë, pse dënon ti kaq rëndë/ kur themi një ditë të vërtetën… për të arritur te deviza: - sepse mbrojtja s’të bën mëkatar.

Te vargjet e tij qahet Jasoni: “Zeuz, baba,ç’faj bëra/që më dogje, kur më re me rrufe/ dashuria në arë me Demetrën/më e mjalta,më e mira mbi dhe…”

E gjen kohën edhe Herakliu të tregojë dymbëdhjetë trimëritë e tij, apo Eris të gjitha letrat e dashurisë i gris/ dhe dhimbja i sëmbon thellë në shpirt, apo Mikena ku s’ka heshtje varri. Po ç’kërkon poeti në Akropol të Athinës dhe ç’thotë vallë: -Nuk ka hark triumfi në këtë brinjë/as dhe përmendore, jo nuk ka/pranë më kalon një gjeraqinë…

…apo kur flet për ninfa: - Ç’duhen nimfat e ujit e ç’duhen/Në u dashtë të mbytesh diku/më mirë të mbytesh në sytë e vajzave/që ecin shpenguar rrugëve këtu..

Ndërsa shpall se: “në shtëpinë e shpirtit/çdokush e ka një Itakë… shpërthen te  Uliksi

Det. Det. U mbytsha  në det/Dhe i vdekur do të vij, se ti më pret”

Prisni dhe ju vajza, cilës prej jush do t’ja hedhë poeti mollën e dashurisë, duke u bërë një farë Paridi, por pa sjellë djegie Trojash të reja. Mjafton djegia e zemrave djaloshare.

Pse udhëtoi poeti deri në antikitet vallë? Dikur më pati thënë, privatisht: -Unë udhëtoj shumë. Dhe nga ky udhëtim nëpër shekuj, ndonëse shaloi kuajt e erës, poeti harroi të na sillte trima e trimëri. Mbarti në vargje për ne e për kohën tonë, vetëm dashuri.

Poeti gjen kudo dashuri: “Vetëm ne të dy ngjisim dhjetra male/ dhe zbresim në liqenin e çdo fjale.,gjen dashuri kurdoherë: “Nga ky spital do shkoj një ditë/ti në Stamboll do humbësh krejt/Po pas do marr një Afërditë/me shpirt të kaltër porsi det…dhe shpall devizën e tij të përjetshme: -Mos më ler të vdes/Në më do, ta dish/do të dal nga varri/ do ngjallem sërish.

Ky shpirt lirik sheh të bukurën kudo: “E ç’mu desh që rashë/E ç’mu desh që fjeta/ Hëna lart shpërndante/lakrorin me peta” Ose.. “Një çajkë diellin/e mban në sqep/..Një puthje e lehtë/mbi valë zbret/tërbon një zemër/trazon një det”

Lirikat e Millianov Kallupit, u ngjajnë sorkadheve të një pylli të dendur, befasisht të dalin përpara dhe po befasisht të largohen nga shikimi, sepse cepi i syrit befasisht kapi një hije tjetër sorkadheje që po afrohej, me vrap e plot hir. Duhet të kthehesh përsëri te këto sorkadhe që ikin turravrap nëpër pyll, për të kuptuar e shijuar bukurinë e lirikës. Dhe të duket se ato sorkadhe janë të tuat, e do t’i rrëmbesh. Millianovi le të mbajë tankat.

Citimet për poezinë e Millianov Kallupit mund të jenë të shumta, madje mund të themi, se gati gjithë poezitë e vëllimit janë të citueshme në një shkrim analize, po qe se hapërsira e publikimit do jetë e madhe, por duhet të citoj diçka që më feksi në mendje, ndërsa lexoja këtë libër.

Kohët e fundit, kemi një  numër të madh botimesh me ‘’vargëzime’’ me vargje të rregullta, me rimë e kadencë ritmike, me pretendimin se vargje të tilla janë automatikisht …poezi.

Në tërësinë e këtyre botimeve, cilësisht problemore, ku ka çdo gjë veç jo poezi, shpesh herë vargëzime adoloshentësh apo pensionistësh, të krijohet ndjenja e gabuar, se me vargje të tilla, nuk mund të shkruhet poezi serioze dhe cilësore. Kjo ka çuar në atë, që shumë autorë, gabimisht dhe fatkeqësisht, të distancohen nga këto vargje, në një kohë që …këtu e kanë shtëpinë…

Te vargjet e lira, shpesh ata ndodhen ..jashtë…poezisë, ndonëse kanë talent dhe shije.

Kjo ‘’aradhë’’ shkruesish e sipërcituar, këto ‘’male’’  librash  të kësaj ‘’aradhe’’, kanë bërë vetëm një gjë: -T’ia zverdhin lexuesit, poezinë e shkruar në vargje të rregullta, duke e parë dhe trajtuar atë, si diçka të së kaluarës, si një mausoleum i poetëve të Rilindjes, vërtet me vlera, por gjithsesi  i një kohe të shkuar.

Se sa e gabuar është kjo, mjafton të shohim e të lexojmë vargjet mjeshtërore të Millianov Kallupit, këtij bohemi të dashurisë.

Atëherë do të kuptojmë, se poezia nuk e ka vlerën te lloji i vargut, por te shpirti i poetit.

Por dhe shpirti i poetit është i trazuar. Ja, shikoni Millianovin.

Gjithë vëmendjen e ka drejtuar te ‘’hajku’’ dhe ‘’tankat’’ e famshme. Jo më kot është dhe Drejtor i Klub-Hajkut  Shqiptar.

Por unë i kujtoj, se ky është meraku i zakonshëm i çdo prindi. Çdo prind fle e gdhihet, me mendjen te vajza e tij e …rritur, por ama djemtë e lagjes i vijnë rotull vajzës së tij të vogël, të bukur e të freskët.

Kështu është jeta.

Dhe poezia.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora