Kulturë
Ibrahim Kadriu: Libër i rrallë për fëmijë
E diele, 28.07.2013, 10:09 AM
Libër i rrallë për fëmijë
(Nexhat Halimi “Zogu fle në çinar”, botoi “Faik Konica”, 2013, Prishtinë)
Nga
Ibrahim Kadriu
I
shpërblyer me Çmimin “Ymer Elshani” për këtë vit nga Karvani i Shkrimtarëve për
Fëmijë
“Agim Deva”, libri “ Zogu fle në çinar”i Nexhat Halimit është i
rrallë në shumë aspekte; për nga forma e realizimit, për mjeshtërinë
e vargnimit, tematikën mozaik të përditshmërisë e vlerën e pamohueshme
artistike. Kështu, letërsinë
tonë për fëmijë ta begatojë edhe me një përpjekje serioze të krijimit poetik në
një formë dukshëm më rrallë të praktikuar deri tani.
Shkrimtari Nexhat Halimi, i njohur në letrat shqipe me botime librash që
nga viti 1969, kur botoi librin e parë, “Parakalimi i etjeve” ka arritur të
pasurojë letërsinë shqipe me një fond librash të zhanreve të ndryshme, si për
të rritur, ashtu edhe për fëmijë.
Fillimisht
ishte i përqendruar në fushën e krijimeve për të rritur, me kontribute të
çmueshme në poezi dhe në prozë, ndërkaq viteve të
fundit i është përkushtuar edhe letërsisë për fëmijë, dashurisë së
tij të hershme, duke e pasuruar atë me titujt e librave: “Molla e fshehur”,
“Lulja që qan”, “Fyelli i gjallë”, “Kotelja e artë”, “trëndafili me zemër”,
“Vetëtima e shpatës”etj. Në këtë vazhdë të angazhimit permanent në këtë fushë
të letërsisë, kohë më parë u prezantua para lexuesve me librin më të ri dedikuar
fëmijëve, me titull “Zogu fle në çinar”. Dedikimi i përmendur në këtë rast nuk
mund të ketë dedikim absolut, për shkak se ky libër ia vlen të lexohet edhe nga
të rriturit, të lexohet dhe të analizohet, me ç`rast lexuesi do të përballet ja
vetëm me përvojën krijuese dhe mjeshtërinë në vargnim, por edhe me përmbajtjen
e veprës, me tërësinë e saj e cila bart më vete mesazhe kuptimplota jo vetëm
për mundësitë receptuese dhe për imagjinatën e fëmijëve.
Përmendja
e mjeshtërisë në vargnim ka të bëjë me skalitjen e vargjeve që i bën autori në
formën e sonetit, formë kjo e cila kërkon
njohuri estetike dhe disiplinë rrokjesh, rimash dhe vargjesh. Si i
tillë, ky libër është i rrallë, që zakonisht shkruhet nga krijues të rrallë,
nga të tillë të cilët letërsisë ia kushtojnë tërë qenien. Nexhat Halimi e
dëshmon këtë me librin “Zogu fle në çinar” pra me zogun e tij, që me vlerën
artistike arrin të fluturoj lart dhe të të jap mundësi që, gjatë leximit, të
relaksosh shpirtin me imazhe që dalin herë drejtpërdrejt, herë përmes kuptimeve
aforistike dhe metaforave të qëlluara, siç janë vargjet, psh: “Udha nga
shtatori në qershor të përket dhe ty/ Udha nëpër pyll të errët, por
e ylbertë...” apo vargjet mbi konceptin e lirisë, etj.
“Zogu fle
në çinar”, kurorë sonetike - katërmbëdhjetë
vjersha dhe me magjistralin përmbyllës, por edhe me vjershat e tjera të
sistemuara në ciklin “Udha deri në zemër” na vjen me ngjyrime
kuptimesh që grishin fantazinë e fëmijës për ta kuptuar botën me të gjitha
nuancat, botën që e rrethon dhe shpesh nuk e kupton. Autori e ka gjetur mënyrën
më të përshtatshme për grishjen e kureshtjes së lexuesit, duke ia ofruar
përditshmërinë si një lloj mozaiku, ku gjejnë vend edhe bleta, edhe geri, edhe
mësuesi, edhe plaku, edhe postieri, edhe Skënderbeu; ku në mënyrë të
përshtatshme spikaten edhe atmosfera njerëzore, dashuria për të bukurën,
lirinë, madje edhe pavarësinë. Në këtë mozaik preokupimesh, të shndërruara në
ritme vargjesh, Nexhat Halimi krijon optimizëm, dashuri për jetë pas ditëve të
ethshme të përjetuara nga trysnitë e luftës.
Sikurse me kurorën sonetike, edhe me poezitë e tjera në vazhdim, që paraqesin një lloj dashurie, respekti e përkushtimi ndaj Karvanit të Shkrimtarëve dhe ndaj themeluesit të tij, autori ka arritur që, me një mjeshtri të rrallë vargnimi dhe me një fjalor të pasur, të na dhuroj një vepër e cila do të pëlqehet nga lexuesit si fëmijë, ashtu edhe më të rritur dhe letërsinë tonë për fëmijë ta begatojë edhe me një përpjekje serioze të krijimit poetik në një formë dukshëm më rrallë të praktikuar deri tani. Libri, përkatësisht çdo poezi e kësaj kurore sonetike, mrekullisht është ilustruar nga Salih Lutolli –AGI.