E hene, 29.04.2024, 07:26 AM (GMT+1)

Kulturë

Shefqet Sulmina: Mighi

E marte, 23.07.2013, 07:35 PM


Mighi

Tregim nga Shefqet Sulmina

Mighi është një vajzë e re rreth të njëzetekatërta, them kështu sepse ajo nuk do të m'i tregoj vitet. As unë nuk ja kam treguar vitet e mia. Kur unë e pyes se sa vite ke, ajo më pyet për të miat, por edhe unë nuk ia tregoj as asaj dhe as juve. Një gjë është e qartë se unë kam filluar të thinjem nga flokët, por jo nga zemra. Mighi vjen nga Hungaria është bufetierë dhe përgjegjëse e një hoteli. Ka sy të kaltër si qielli dhe deti. Flokë të verdhë që kalojnë edhe supet e brishtë të saj, të cilëve, herë pas here u jep një të krehur dore, një gjoks të bukur që të duket se merr frymë, dy këmbë të bardha e të gjata nën minifund. Bën ca lëvizje të shpejta të duarve dhe pothuaj nuk ja ndjenë hapat kur vjen e të pyet se ç'dëshiron të marrësh. Është një çapkëne që t'ia këpusësh kokën dhe ta fusësh ja këtu në zemër. Me atë fytyrën e rrumbullakët si një trëndafil në shkopsitje...Përshkrimi për Mighin nuk do të kishte fund. Në qafën e bukur të saj shkëlqen një varëse floriri me shenjen e shigjetarit. Edhe ajo ka lindur në dhjetor si unë. Nëse doni tu tregoj diçka, unë vërtetë do tua tregojë, por me një kusht të mos e bëni fjalë me të tjerët. Nuk është puna se unë kam frikë, por nëse ju do të më kuptonit...janë ca gjëra që nuk duhen thënë. Ju e quani turp, ose marrëzi. Pikë vështrimi juaj!. Njeriu nuk është përgjegjës se çfarë ndjen, po çfarë bënë me atë që ndjen. Atë vërsën e floririt që Mighit i rri aq bukur, ja bleva unë këtë dhjetor. Ju do të thoni se unë kam rënë në dashuri me një vajzë. Ç'të keqe ka? Ju do të më pyesni se nëse i kam dhënë edhe lule. Po. A ka udhëtuar ndonjëherë vetëm në makinë me mua. Po. Po unë a jam aq i pasur...Jo. Në Peschierë,vendi ku punoj unë ka shumë klube të tjerë, por mua më bëhet mirë vetëm në të sajin. Të them të drejtën unë nuk kam rënë në dashuri me Mighin, sepse do të ishte turp dhe ta mendoja një gjë të tillë, kur jam i martuar dhe nuk mund ta tradhtoj gruan time të dashur. Po Mighi?

Unë nuk e kam pyetur dhe nuk kam ndërmend ta pyes.

-Mighi, sa kushton një filxhan kafeje?

-Si gjithmonë, hiq buzëqeshjen(ajo shkel syrin) dhe këtë që të kthej unë, një euro.

-Atëherë, ma bëjë në dorë(pa filxhan).

Ajo bën shaka duke më zgjatur duart e njoma.

Si do ta merrja me mend se Mighi do të bënte incident?!

Po mighi është një vajzë që më ka dhënë bukë për një vite të tëre. Unë punoj në një ndërmarrje "Socorso stradal". Më takon të kthehem natën dhe ditën në klubin e saj. Kënaqësia ime është kur shoh Mighin mbi banak. Hap derën dhe shoh. Kur shoh atë, zemra më rreh në kraharor, sikur të ishte e dashura ime, kur nuk shoh atë por Françesken e shtyj derën me force. Po ç'faj ka kjo e fundit ose dera? Nuk e di. Por kur shoh Mighin është krejt ndryshe. Ndodh ndonjëherë që kthehem vonë nga dërgimet e makinave të aksidentuara nëpër lokalizimet e tyre dhe kam uri, e telefonoj:

-Përgatitmë një gotë birrë dhe dy "tramezini" apo ke diçka tjetër...se po vi.

-Ku je?-më pyet.

-Jam në Yllin Polar.

-Po zbret drejt Arushës së Vogël, apo asaj të madhe.

-Po vi drejt teje.

-D.m.th...?

-Në Verona.

Ajo llogarit kohen që më duhet dhe kur mbërrij m'i ka përgatitur. Në punën time më ndodh që të kem të bëjë me mjaftë tipe njerëzish sepse është punë e tillë, ku në incidente, mund të pleksën vari kategorie njerëzish. Si përfundim unë duhet të ngarkoj makinën tënde ta shpie ku do ta shpiesh ti dhe kudo të shkosh edhe ti, në hotel apo në shtëpi, ose telefono taksi. Ndodh shumë herë që njerëzit janë të tepër të sjellshëm dhe ta shpërblejnë përveç rrogës që merr nga ndërmarrja, të japin bakshish. Edhe unë nga mirësjellja e të tjerëve hoqa pakë para për të bërë një dhuratë për Mighin. Ka edhe klientë të tjerë si p.sh ca vajza apo gra që të ftojnë për të dhënë kafe në shtëpinë e tyre. Po ka dhe nga ato që nuk e dinë ku të shkojnë pasi nga pija e tepërt në diskotekë e kanë humbur krejt ekuilibrin. Kjo mbetet e gjitha se çfarë do të bësh ti, që gjithçka të mbarojë më së miri. Dhe të them të drejtën dike unë e çojë të Mighi. Ku ta shpie? Në fillim Mighi nuk e pati pritur mirë çuarjen e klientëve të mi në lokalin e saj, por pak nga pake po i pëlqente sepse klientët e mi pasi kalonte një apo dy ditë nga mbrëmja që kalonin në klubin dhe hotelin e saj, në një gjendje dhe jo shumë të këndshme, ktheheshin në klientë të saj.

Klubi i saj binte përballë liqenit. Dy hapa larg tij pushonin mbrëmjeve varkat e lodhur nga turist të shumtë. Valët e liqenit rrihnin vazhdimisht bregun dhe bënin një zhurmë të mahnitshme. Përjashta klubit ishin ca tavolina të thjeshta ku mund të pije lloje të ndryshme pijesh, ose të gjymtoje liqenin duke thithur tymin e cigares. Herë-pas-here vinte Mighi me minifundin e bukur dhe të pyeste se do të merrje ndonjë gjë tjetër. Të them të drejtën gjysmën e lekëve që merrja nga puna e shpenzoja në duart e Mighit. Në fund të muajit i thosha, më ngadalë ti moj çupë se po m'i shpon xhepat... Ajo merrte dhe më jepte një fërnet mente me akull që unë e kisha qejf. Madje ndonjëherë pa e porositur fare, merrte dy gota me fërnet dhe vinte pranë meje.

-Nuk e dua me akull,-i thosha.

Ajo fuste gishtat e saj dhe i nxirrte prej gotës.

-Meqenëse po e pi përzierë me gishtat e tu,- i thosha lërmë ti pi edhe gishtërinjtë e tu.

Po kështu ndodhtë të bëja shaka me kafenë kur ajo ma zgjaste për ta pirë. I thosha pije ti në këtë anë, në anën tjetër do ta pi unë.

-Pse?- më pyeste ajo.

-Sepse jemi dy anë të së njëjtës anë.

-Jo, në mes është banaku.

-Do që ta kaloj banakun?

Ajo qeshte dhe pinte paksa nga filxhani.

-Mirë,- i thosha,- tani do ta paguajmë përgjysmë.

-Pse?

-Sepse e pimë të dy.

Një ditë më pyeti se sa vjeç kisha.

-E ke seriozisht?- Ja ktheva i habitur.

-Po, por pritë të të sjellë dhe një fërnet tjetër me akull, siç e do ti.

Erdhi. Kishte mbushur dy gota.

-Po ti pse s'ma tregon sa vite ke?-i thashë ashtu kot fare.

-Po unë jam një çupëlinë-dhe rrëkëlleu gotën e saj.

-Edhe...?

-E di ti që mamaja ime është shumë e bukur?

-E marrë me mend,- i thashë dhe më erdhi për të qeshur.

-Pse? Pse qesh?

-Sepse në anët tona thuhet një shprehje frazeologjike “më mirë e ëma se e bija”. Thuhet, ashtu kot, shtova, se mendova se ajo do të mërzitej.

-E bukur, tha, më pëlqen, ja shikoje këtë fotografi, sapo ma ka dërguar me internet.

Në lokal nuk kishte njerëz. Ishin vetëm valët e liqenit që rrihnin bregun. Peschiera digjej nga dritat e mbrëmjes dhe në të dy që bënim dialog. Po të na shihte dikush do të mendonte për një babë e vajzë. Dhe ishte e vërtetë.

-Unë i kam folur asaj,- tha ajo dhe rrëkëlleu prapë gotën e fërnetit.

E rrëkëlleva dhe unë gotën time duke pritur se ç'do të thoshte Mighi që kishte marrë një të kuqe në fytyrë. Ja mora duart dhe desha t'i thosha: hë, shkundu... Po ç'të shkundej ajo? Ajo i ngjante asaj molle plotë me kokrra që mjafton të zgjatësh vetëm dorën.

-Mighi, unë sonte nuk të kuptojë. Para kësaj gote, ke pirë ndonjë tjetër?

-Po. Mamaja ime vjen pas një jave. Dhe unë desha t'i bëja një surprizë. Desha të të prezantoja ty, pasi ajo kur vjen nuk di ç'farë të bëjë, pasi këtu ndjehet tepër e huaj. Aq e huaj,- vazhdoi ajo,- sa nuk rri gjatë, por kërkon të kthehet prapë në Budapest. Por mua më pëlqen që ajo të rrijë këtu me mua. Mamaja ime dhe babai im nuk rrinë bashkë sepse kanë vite që janë ndarë.

-Po unë jam i martuar. Kam grua...

-Po tani që rri e pi me mua, nuk ke grua?

-Po, por bashkë jemi kuptuar. Ti je një Xhakondë e gjallë për mua, ... je edhe vajza ime.

-...Që çdo të thotë për ty?

-Schweps.

-Ah, pija angleze! Edhe mua më pëlqen.

-Kur Vjenë mamaja jote?

Ajo më pa në sy sikur të më njihte prej njëqind vjetësh. Nuk dija si t'i merrja ata sy. T'i merrja për të bukur, ishin, nuk është se nuk ishin, por më dukej e tepërt. T'i merrja për sytë e vajzës sime... Nuk e di. Unë rrëkëlleva fërnetin, të njëjtën gjë bëri dhe ajo. Vura re se sytë e saj qenë shndërruar në pyetës të çuditshëm.

-Mighi, po kur vjen nëna jote më the?

-Të thashë, pas një jave,- tha ajo.

-Mirë,- i thashë,- pas një jave takohemi dhe flasim.

-Po unë dua ta di,- më tha ajo.

-Mighi! Mua më pëlqen ti, paçka se nuk të kam treguar për vitet.

-Prandaj thashë se mamaja ime është e bukur.

-Mighi, ti po kërkon burrë për mamanë, apo po kërkon babanë?

-Nuk e di,- tha ajo,- ndofta schweps,- dhe u ngritë duke marrë brenda lokalit.

Unë mbeta në tavolinë i vetëm. Më erdhën ndërmend shakatë e bukura më te pa asnjë adresë kuptimi. Edhe ne burrat jemi të mundur nganjëherë përball çdo femre sa kot se koti përzien vitet. Valët vazhdonin të rrihnin brigjet dhe Peschiera digjej prapë me dritat e saj. Dukej se asgjë nuk flinte, jo vetëm unë që bëja roje për rrugët e saj, por çdo gjë tjetër që ekzistonte dhe frymonte përreth.

Para se të mbushej java më njoftuan për një aksident dhjetë kilometra nga Peschiera. Shkova për të bërë punën time, por ç'të shihja ishte makina e Mighit. Më vinte të shkulja flokët me dorë dhe vrapova drejtë makinës së saj duke mallkuar aksidentin. Ndërkohë po mbërrinte edhe autoambulanca. Shkova dhe përpiqesha të hapja portën e shtrembëruar. Nga brenda sytë e saj që më thoshin "Mamaja ime është e bukur". Pas gjithë atyre stërmundimesh e rehatuam Mighin në ambulancë. Unë ngarkova makinën e saj mbi kamion dhe pasi e shkarkova për skrap u ktheva në spital.

-Ke ngatërruar adresë,- më tha Mighi,- mamaja ime më pret në Verona.

Mora rrugën për në aeroportin e Veronës duke u përpjekur të kujtoja fotografinë e nënës së Mighit.

Dhe pashë se mamaja e Mighit mu duk se ishte Mighi vetë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora