E diele, 04.05.2025, 07:40 PM (GMT+1)

Kulturë

Agim Mato: Dialogu i parë

E hene, 22.07.2013, 07:22 PM


Nga Cikli “Dialogët”

Agim Mato

 

DIALOGU I PARË

 

Eja, mësoje fluturimin me mua, flake stepjen,

flake frikën kur unë jam ndezur i tëri

dhe më hanë krahët për të përpirë hapësirat ku cijasin dritërat e

udhëtimeve të largëta.

I vogël, provoja të fluturoja me krahë dylli,

duke u hedhur nga lartësitë e shkëmbinjve të Akrokerauneve

dhe përfundoja shpesh në degët e ilqeve të jugut,

apo mbi pëlhurat e zhubrosura të anijeve.

Tani nuk kam frikë se bie. Mbahem nga ekuilibrat në hapësirë

dhe stivos ëndërrat si thasët me rërë në koshat e balonave.

E kam kaluar provën. Tani dua të të kem pranë,

të dëgjoj klithëm e entusiazmit tënd,

t’u ve fre dyshimeve të tua.

Ku je? Dua të të ndjej.

 

“Këtu,- thua ti - Jam e ngurosur nga e panjohura.”

 

Po unë nuk u flas viktimave të miteve antike,

i flas shpirtit tim të ngjizur tek ty.”

 

“Ti je njeri i bukur”, - më përkëdhel sërish zëri yt.

 

Po ti nuk e sheh bukurinë  tënde, e dashur,

duhet të marrësh sytë e mi për të parë veten.

Përqëndrohu, tani,

për të karrikuar energjitë e këtij udhëtimi.”

 

“Kam ndroje, kam vite pa e provuar veten”,  më thua.

 

“Harroji vitet, tani po krijohet çudia para syve tanë,

para shpirtrave tanë që lëshojnë në eter

një dritë fosforeshente.

Oh, do të të bëj të shohësh shumë gjëra,

si atëhere  kur Shekspiri na ruante deri sa të këndonin gjelat,

deri sa të mbaronte nata dhe këmbenim shpejt e shpejt

padurimin e puthjeve,

(i vetmi mjet me të cilin karrikonim veten tonë)

 

 

Tani ushtrohem të prek errësirrën

si i verbëri për të prekur rrezikun.

I ndërgjegjshëm për këtë

sepse rreziku është emocioni që prodhon

gjendjen e  misterit që duam,

pritshmërinë, hovin për të panjohurën që na pret.

Ti të vendos në qartësinë e dritës

dhe në misterin e errësirrës së madhe

ku unë bares për të të kërkuar.

Të bëj me shenjë të më ndjekësh

nëpër eskursionet e pafund të shpirtit,

sepse po nuk e dëgjova frymëmarjen tënde pranë meje,

shfryhet ai baloni me të cilin fluturojmë”

 

Ti shton:“Të hidhemi me parashutë prej ëndërrës,

siç  do të thoshte Transtromeri”.

 

“Ose e kundërta: hidhemi në ëndërr

nga realiteti i bezdisshëm, them unë.

Ti dhe ëndërra jeni shtegu nëpërmjet të cilit dal nga ky realitet.

Mos kij frikë, mbaju prej meje, nga këmisha ime që valëvitet

në erë si bishti i një komete.

 

(e sheh tani si fillojnë të pulsojnë motivet?)

 

Është e para herë në jetë,

që bëj udhëtime të tilla,

  betohem,

sepse është prania jote që më nxit.

Ky është një zbulim i madh për mua.

E ndjeve si isha në fillim?

Nuk po e kuptoja ç’ ishte e panjohura.

Ende nuk i kisha veshur pajimet e lundrimit në hapësirë.

Erdha drejt e nga kotësia. Dija vetëm një gjë:

me askënd tjetër nuk mund të udhëtoja

në këtë botë të re veçse me ty.

Tani e tutje do të lundrojmë përkrahë njeri tjetrit.

Ai që dallon i  pari

si shfaqen bukuritë që tej,

tregon me dorë nga do të ecim.

Duke ndjekur trajektoret e tyre,

Ti s'mund të rrish e tërhequr. Karburantin

do ta ndajmë barabar në të dy shpirtrat tanë

që të mos vajiset ngarkesa e madhe e ëndërrave.

Nuk të deh kjo? A të ka marrë për dore kush tjetër

për udhëtime të tilla? Mrekullia mbërriti.”

 

“I ndjej të gjitha, - më the, -

përderisa flasim për të njëjtën ëndërr. Ka njerez

që flenë në të njëjtin jastek

dhe shohin ëndërra të ndryshme,

por ka dhe njerëz që flenë në jastekë të ndryshëm

dhe shohin të njëjtën ëndërr.”

 

“Shih si kalojnë pranë nesh asteroidët,

mjegullnajat, e dashur, dhe ndoshta, papritur,

do të mbërrijmë në selitë e perëndive.”

 

“Kaluam shkarazi një yll, më thua.  Nëse të humb

nga sytë për një çast, si do më thërrasesh

këtu mes galaktikave?”

 

“Kaltrina! Kaltrina, aq sa të jehojnë

shtyllat ku drejtpeshohen hapësirat.”

 

“Rrënja e fjalës është e kaltra apo kali+trina?”

 

“E kaltra, natyrisht!”

 

“Dhe e dyta, nuk është keq!”- ma pret.

 

“E mendova por tingëllon si kalk i poetëve formalistë.”

Pegasi, trina nuk janë mjeti ynë,

ne lundrojmë mbi një anije kibernetike.”

 

“Kibernetike?” – çuditesh papritur dhe thua:

- Po kjo nuk është ëndërra jonë.

 

“Mosmarrëveshje!

– provoj që të nxehem unë –

Duhet të ndalim këtu.”

 

“Do të ketë edhe të tilla.

Është udhëtim i gjatë”

-  më the.

 

“Fluturojmë në boshtin e gjithësisë,

flitet për vjet drite, jo për kuaj

e patkoj. Nëma dorën.”

 

“E drejtë, këtë herë tërhiqem.”

 

“Mbahu. Do të bëjmë një kthesë të fortë.”

 

“Per ku?”

 

“Për t’i shpëtuar goditjes

së Shpirtërave të Këqinj.  Po na ndjekin...”

 

“Ka dhe të tillë këtu?”

 

“Gjithë hapësira është e okupuar

nga e mira dhe e keqja. Këtu luftohet.”

 

“Ç’duhet te bejme?”

 

“Fshiji sytë, largoje gjumin.”

 

“Po”

 

“A sheh rreziqe përpara?”

 

“Une te shoh ty”

 

“Edhe unë, nuk t’i ndaj sytë. Jemi dy qënie të brishta

në hapësirë. Të ruaj nga goditjet, të tërheq para.”

 

“Nuk e mendoj keshtu. Ne zgjodhëm

të jemi aty. Perse goditje?”

 

“A flasim për rreziqe?”

 

“Jo, nuk dua rreziqe.

Ëndërra jonë është,

e bëjmë si të duam.”

 

“Po unë dua të dal në sheshmejdanin e yjeve

dhe të ndeshem

për ta merituar dashurinë tënde. Shiko

si ngrihet pluhuri kozmik nga shungullimat e goditjeve

dhe vesh hapësirat me një verbim radioaktiv”

 

“Jemi në ëndërr, thamë.”

 

“Edhe yjet stërviten që të bëjnë trajektoren e tyre.

A flemë në jastekë të ndryshëm

dhe shohim të njëjtën ëndërr?”

 

“E kisha harruar largësinë.”

 

“E pra, na ule në tokë. Pa shih sa karburant ka?”

 

“Edhe për një përqafim tjetër.”

 

“Dua të të përkëdhel lehtë. Dua që gishtat e mi

ti ndjesh mbi fytyrë si rrëshqitja e dëshirave të tua.

E di se dheu nuk na mjafton.

Ne mbledhim pjalmin e yjeve

dhe mbushim hojet e galaktikave.

Mbjellim në planetet e tjera njerëzime të reja.

Kemi me vete tërë mostrat dhe farat e vegjetacionit për të

eksportuar gjelbërimet e ardhëshme të tyre.

Nuk ka nevojë të marrim me vete, si Noe,

gjithë gjallesat e dheut.

Kemi ADN- në e tyre.

 

“Humba fjalët - the - Jo, mi vodhe!

Dua sërish të sulemi drejt të pamundurës

Tani që duket se kemi salduar pjesë të vetes

brenda njeri tjetrit. Jemi një makinë e universit

që punon me energjinë e ëndërrave tona.”



(Vota: 4 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx