Kulturë
Përparim Hysi: Meri Lalaj - ''Nana Mbretneshë''
E marte, 23.07.2013, 07:50 PM
Një
monografi me vlerë
Instituti Femnor "Nana Mbretneshë" nga Meri Lalaj
(esse)
Nga Përparim Hysi
Pak
njerëz mund ta dinë që, sivjet, në 2 tetor, mbushen plot 80-vjet nga krijimi i
Institutit Femnor "Nana Mbretneshë". Krijimi i këtij instituti vetëm
për femra,është meritë së pari i një patrioti të madh, të Profesor- doktor
Mirash Ivanaj.
Ky qe
promotor i ngritjes së një shkolle të tillë, e cila, përmjet nxënësve dhe
trupës mësimore nga krijimi dhe deri sa u "shkri" ka lënë gjurma me
vlera të pakompensueshme në gjithë arsimin shqiptar. Profesor Ivanaj, ministër
arsimi i asaj kohe investoi gjithë
autoritetin dhe dijet e veta për të vënë në krye të këtij institucioni me kaq
vlera, një trupë mësimore me përgatitje të lartë profesionale dhe me një
kulturë të gjithanëshme marrë, en bloc, në shkollat e perëndimit. Autorja, Meri
Lalaj, që ka hulumtuar arshivave dhe ka bërë takime kokë më kokë me ish-nxënëse
të kësaj shkolle, ka ditur ta qëmtojë dhe ta veçojë meritën e madhe të Profesor
Mirash Ivanajt dhe, ndaj, edhe librin ia ka kushtuar këtij personaliteti të
madh të kulturës dhe arsimit shqiptar.
***
Të
shkruash një monografi për një institucion të tillë arsimor, siç qe Instituti
"Nana Mbretneshë", për arsye subjektive të kohës, nuk është fare e
lehtë. Dihet mirë se si regjimi komunist, pothuajëse e fshiu fare nga kujtesa
egzistencën e një shkolle të tillë dhe, me sa shihet, autorja ka hequr jo pak (
do të thosha një kalvar të vërtetë), në hulumtimit e ngjarjeve dhe në gjetjen e
personave me të cilët ka komunikuar kokë më kokë. Duke u njohur me këtë libër
(pata fatin që të jem nga të parët që e lexoj), s'kam se si mos arrij në disa përfundime. Kam qenë vet në
arsim jo pak po mbi 40-vjet dhe, kur marrë e lexoj librin, më duket se shumë
nga këta nxënës të kësaj shkolle elite për kohën, më dalin të "
njohur" dhe jo vetëm kaq. Me kontributin e tyre (sidomos në kohën e
pushtimit fashist) në fushën e arsimit
apo kudo tjetër, janë si modele të
femrave që kanë sjellë qytetërim atje ku kanë punuar. Kanë qenë modele
të atdhetarisë, kur vëndi u pushtua nga
fashistët dhe kanë rrezatuar me diturinë e tyre në fushat ku kanë
punuar.
Unë jam
një nga nxënësit e ish-Normales së Elbasanit dhe në se Normalja (unë për
programet që kishte e kam quajtur Universitet!), qe Fidanishtja e madhe e
Arsimit Kombëtar Shqiptar, Instituti
Femnor "Nana Mbretneshë"
ka qenë Lulishtja e Arsimit Kombëtar Shqiptar. Se unë çdo femër e quaj
lule. Dhe lule qenë dhe ato,en bloc, që mbaruan atë shkollë.
***
Natyrisht,
kur merr e flet për një libër, nuk është se të ndjek dikush me shkop dhe të
ngutesh për t'i thënë gjërat dy hunj e një purtekë. Përkundrazi. Libri ka një
fillim e një vazhdim dhe, në dinamikën e tij, ka shtjellime që duhet t'i vlerësosh. Në flas me superlativa
për këtë "Lulishtë", merita nuk është aspak imja. Profesor Ivanaj
investoi tek kjo shkollë një trupë të kualifikuar duke filluar nga një drejtor
si Profesor Papahristo ( po kush nuk ka dëgjuar për të?!) e duke vazhduar me të
tjerë,si : Profesorët Vasil Vinjau, Hysni Babameto, Jorgjie Filçe(Truja),Lola
Aleksi(GJoka) e më vonë Arshi Pipa, Ahmet Gashi, Ollga Nikolla ( motra e
Migjenit) e për të vazhduar me Qibrien Ciun,Fatbardha Gegën,Vangjeli Mele e të tjerë e të tjerë. Parë veç
kalimthi, veç emrat e profesorëve, të bëjnë që të ngrihesh në këmbë në shënjë nderimi për këta diturakë me emër,
shumë prej të cilëve, për shkaqe shumë banale (barbare më sakt) e pësuan zi e më zi, nga regjimi diktatorial komunist. Ngrica komuniste ardhur
si rrebesh i zi nga Rusia,sakatoi jo vetëm jetët e këtyre diturakëve ( i futi në
burg, i torturoi apo i denigroi keq e më
keq), por ra dhe mbi lulet më të bukura të kësaj "Lulishteje".
Në se këto vajza luftuan kundra fashizmit, komunizmi i Enver Hoxhës i shumëzoi me zero jo vetëm dijet e tyre,por
dhe veprën patriotike. Lexoni librin dhe
aty do gjeni antifashizmin,por në të njjtën kohë,do gjeni dhe femra me ide
nacionale që qenë larg ideve komuniste. Shikoni në libër se do gjeni edhe
Sabiha Kasimatin, por dhe Musine
Kokolarin. Do gjeni Drita Kosturin (të
fejuarën e Qemal Stafës; më vonë të Myzafer Pipës që e vranë me tortura në
burg). Drita Kosturin që për meritat e saj në luftë kundër pushtuesit,
dikattura e dërgoi në internim në Shtyllas të Fierit. Atje pastronte stallat e
pulave. Do gjeni dhe Ramize Gjebrenë e bukur që pati atë fund aq tragjik: e
vranë se dashuroi! Do gjeni Miss Nermin Vlorën (Palaski) që prehet në Kaninë.
Është ajo Nermini i bukur, për të cilën qe mbyllur porta deri sa" ngordhi
lideri". Do gjeni Liri Belishovën, idealisteten komuniste (arriti deri në
Byronë
Politike),
që pohon me gojën e saj se si e "pagoi" doganën vetëm pse qe kundër
njëshit! Do gjeni Liri Gegën që luftoi
kundër fashizmit dhe u pushkatua nga komunistët. Do gjeni dëshmoren e bukur të
luftës, Margarita Tutulani. Do gjeni edhe të tilla që, kur qenë në pushtetin
komunist, "harruan" dijet perëndimore ë morën në këtë shkollë
cilësore dhe arritën t'i shihnin njerëzit
(edhe shoqet e tyre të shkollës), si
nga re puplore, të paarritshëm
nga frymorë të tjerë, ashtu siç shihte aristokarcia romake skllevërit. Oh, Zot! Pse të ndodhë kështu? Kur fut këto radhë
e kam fjalë drejt për drejt për Nexhmie Hoxhën që mbaroi këtë shkollë.Them për
të,se mbaroi po këtë shkollë me xhaxheshën time, Mynever Skrapari, por as që donte
të dinte për të, kur i pushkatoi të shoqin, Hilmi Hysin, me grupin e dytë të deputetëve. Për Fiqret
Shehun që mbaroi këtë shkollë. Dhe për ndonjë tjetër që tani nuk më kujtohet.
Në se Fiqret Shehu (për mua nuk e meritonte atë fund kaq të lemerishëm) e pagoi
atë qëndrim aq pasionant ndaj socilaizmit
ngadhnjimtar, vetëm Nexhmie
Hoxha jo vetëm rron, por është e pozicionuar ende në bunkerin komunist. Është
pak e çuditshme,se, ndërsa pasqyrat janë përpara, ajo ende qëndron karakoll në
atë istikam. Ka thënë dikush: -Shkolla të jepë një faturë, kurse njeri zor të
bëhesh.
Në
mbyllje të ktij shkrimi, mund të them vetëm kaq: Meri Lalaj ka bërë një punë
skrupuloze duke sjellë për lexuesin shqiptar, vlerat e një shkolle elite. Ka
sjellë një "Lulishte" selitur nga duar ustallarësh diturakë. Është
tjetër punë që mbi këtë "Lulishtë" të bukur ra "ngrica"
komuniste. Shumë prej luleve edhe sot parfumojnë me erën e këndshme të
diturisë. Në se ndonjë prej këtyre "luleve", u shartua gjatë kohës me
gjëmbacë, kjo nuk do të thotë që vlera e kësaj "Lulishteje" të
zhbëhet. Përkundrazi. Atdheu dhe Arsimi Shqiptarë krenohet me shumë prej tyre.
Meri Lalaj ! Të përshëndes dhe të uroj për punën aq ngulmuese që ke bërë. Ke ngërmuar në një pus miniere dhe ke nxjerrë prej saj xehrërorë me vlerë.