E diele, 04.05.2025, 04:29 PM (GMT+1)

Kulturë

Skënder Hoxha: Lirikë pa mëkate

E diele, 28.07.2013, 04:26 PM


Skënder R. Hoxha

 

LIRIKË PA MËKATE

 

Nënës Terezë

 

Emri yt

Dritë lashtësie

Varur në kujtime

Të bardha…

Zemra jote e madhe

Shëroi zemrat e varfanjakëve

Të rruzullit

Pa dallim feje

As ngjyre

Dora jote mbolli gonxhe

Fshiu lot

Në mollëza të mpira…

Nga Gonxhe –

Nëna Terezë

Nënë shenjtërie

Nënë shqiptare

Nënë e gjithë botës!

(30. VIII. 2001, Pejë)

 

 

Copëza kujtimesh…

 

Në ditë festash

Ngjallen përfytyrimet

Kujtimet shpalosen vetë

Nëpër Dushkajën time

Nëpër vendlindjen time

Nga lodrat fëmijërore

Të asaj kohe të varfër

Fëmijë këmbëzbathur shkoja

Një lopë për ta kullotur e

Krande të mbledhja në mal

Se nëna më priste

Të piqte misërniken n’çerep

Tash kujtimi shpalos ditët

Se si kalonin

Bashkë me rininë

Time plot ëndrra

Nëpër peizazhe të vrugëta

Kohë e pamëshirshme ishte –

Largohu kujtim i hidhur!...

Më shtrëngon këngë harrimi

Dushkaja ime plakë këndellu!

Se buzëqeshjen kafshoj përmallshëm.

 

II

 

Se buzëqeshjen kafshoj përmallshëm

Shpesh kah 

E kaluara ime lëpihet

Dhembshëm e krenarisht

Kur atje në Dushkajë

Shiu rigon prajshëm

Në kodra e male

E luginave të buta e gurore

Lëshojnë shtat prroskat

 

 

Dhe derdhen në përroje

Lumbardhë

E Dri - rrëkajë

Nga Marmulli në jug

e deri në Butajë.

 

Gjithandej shtegtoja

Rrugëve të harruara

të baltosura

Rrugëve malore

Qafësukave monopateve

Të Dushkajës sime…

Më shumë këmbë

E dikur vonë

Me një biçikletë të ndryshkur

Kisha mësyrë dhe unë

Ndër të pakët atëherë

Të vazhdoj shkollën

Në Gjimnaz të Gjakovës,

Unë gëzimi i parë

I prindërve të mi malësorë.

 

III.

 

Nëna më jepte me vete

Bukë misri të haja

Gjatë një jave në qytet,

Nga e diela në të diel

Ishte skamë e madhe atëherë

E kuptoja gjendjen edhe vetë…

 

Kur udhëtoja me biçikletë

Asaj rruge të gjatë

Nga Shqiponja deri në Gjakovë

Më dukej se fluturoja

Më dukej se prekja ylberin!

Pranverave të hershme

Nëpër rrugët malore

Merrja lule e gjethe të reja

E me to –

Stolisja biçikletën…

Si i ri i papjekur që isha

Nuk kuptoja hallet e jetës

Por, lulet e gjelbërimin

I doja pa masë…

 

Eh, dikur më vonë

Në të tretën e në të katërtën

klasë të Gjimnazit -

shpesh udhëtoja me biçikletë

Nëna më përcillte të dielave

me do bukë e tesha mbështjellë

kaptoja rrugëve e rrugicave

malore të Dushkajës

Ndonjë të diel në mbrëmje

ktheja te tezja në Radoniq

dhe fleja një natë aty

se e kisha më afër Gjakovën

Edhe ajo më jepte nga ndonjë

monedhë që ta kem në xhep –

Të duhen, tezjo, më thoshte…

Po, ndonjë të diel

kur ishte kohë pune

nuk përtoja të bëj punë krahu

për të fituar ndonjë para

t’më gjenden për bukë goje

e për ndonjë libër a fletore…

Por, ka ndodhur ndonjëherë

që me ndonjë para

që mund t’i ndaja nga nevojat

në qytet të bleja

nga një thes bukë furre

e t’ua çoja prindërve

e familjarëve të tjerë

se në familjen tonë

vërtet kishim skamë!

 

 

Dje

 

Dje

Edhe paradite

Edhe pasdite

Isha me nxënësit

U thashë diçka

Për fillimvitin shkollor

 

Sikur më qetësonte

Zhurma e tyre në oborr të shkollës!…

 

Megjithatë –

Në shtëpi u ktheva vonë

Duke shpërndarë dritë

Me një qiri

Gjatë kësaj dite shtatori

2012

Për ata

Që kanë sy

E nuk shohin!...

(Fillimshtator 2012, Pejë.)

 

Jetën e rrita në këngët e mia

(Ky prill i 40 – Vjetorit…)

1.

Jam udhëtar i palodhur –

Kam mposhtur dyert e llahtarisë

Shigjetat i thyeja me një dorë…

 

2.

Me gjithë baticat dhe zbaticat

Jetën e rrita në këngët e mia –

Unë e Ti të jemi bashkë.

 

3.

Edhe fshatin e strukur n’bungishtë

Edhe qytetin e zhurmshëm –

Në lirikë dashurie i mbaj…

 

4.

Në zinxhirët e jetës

Ëndrra ime merr frymë –

Në parzmen e Takimit të Parë…

(18 mars 2013, Pejë.)

 

 

Atëherë kur malin kisha mik

 

Sado e egër të ishte nata

Edhe erës së furishme

I dilja para!

Ajo ndriçonte me hapa dashurie

Tek vinte te unë në prozhmë

 

 

Atëherë malin kisha mik –

Ku kaloja nga një copë nate

Ndizja zjarrin pranverave të hershme

Nëpër të ftohtit e vetmisë

Tymi lundronte heshtas

Nëpër drurët, dëllinjat e rogëmalit

Nëpër rrugët e mendimeve

Deri në aurorë

Kur agu nis të shkrepte…

Aroma e së dashurës së njom

Më rrinte pranë – larg harrese

Mbase Ajo tash flente

Kur unë duhej të braktisja malin

Në kaltërsinë e parë të ditës!

 

(19 mars 2013, Pejë.)

 

Lum ne –

që nuk jemi harruar

(Idil që nuk u harrua kurrë)

 

Edhe tash më shoqëron

ëndrra

Më bëhet si dikur

të shoh përtej fletësh

të bagrenave

kur depërtonin

rrezet e hënës së lodhur

nëpër prozhmë

kur ti vije lehtas.

Për ëndrrën

e shpërblej natën, gjumin

Lum NE  -

që nuk jemi harruar!

bile në ëndrra…

Është mirë

që kujtimin

s’e zbeh nata,

nuk e shkrin

zjarrmi e harresës

nuk e lag uji

i bekuar

as lotët e vesës…

 

2.

 

Në oazë vetmie më vjen

Mendim i çuditshëm

I lemerishëm

Pikat e shiut të trembur

Trazojnë rutinën e ditës

Natën e shtrëngoj e mposht

Si dikur me duart e territ

Prapë –

Në këtë furtunë

Në këtë stuhi

Me gjuhën time

Flet bukuria jote…

/20.III.2013/

 

 

Vjershë

 

Mos u merr

Me e mrin tm

Mos u merr

Me vargjet e mia!

Leri ato

Aty ku e kanë vendin

Në Majë të Piramidës –

Në Panteon

Në fund të harrimit!...



(Vota: 7 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx