Mendime
Eugjen Merlika: Në kërkim të eshtrave të babait
E enjte, 16.05.2013, 06:16 PM
Në kërkim të eshtrave të babait
Nga Eugjen Merlika
Siç e di,
me të gjitha forcat e mija, po mundohem të sjell eshtrat e tim’eti në Atdhe.
Sa herë
që kërkoj shpjegime përgjigjet janë rrëshqitëse dhe pa përfundim.
Deri sa
të kem jetë do të vazhdoj ta kërkoj…. ose do të bëhen gërmimet ose duhet të më
thonë se nuk duan të ndërhyjnë, por nuk duhet të tallen me mua.
Shkëputa
këto pak fjalë nga një e-mail, i marrë para disa ditësh nga Aldo Renato
Terrusi, autori i romanit “Brenga ime shqiptare”, i botuar vjet edhe në
Shqipëri. E pata njohur fizikantin Terrusi në një paraqitje të librit të tij në
Asti, të Piemontit, të organizuar nga ANCIFRA, Shoqata e italianëve të
riatdhesuar nga Shqipëria.
Drama e
tij është prekëse e na kthen mbrapa në kohë, në vitet e para të regjimit
komunist në vendin tonë, që qenë sinonim i terrorit më të egër në të gjitha
shfaqjet e tij. Historia e tij është mjaft e njohur për shumë lexues shqiptarë
e nuk besoj të jetë nevoja ta ftilloj me hollësi. Por drama e tij lidhet
ngushtë, jo vetëm me tragjedinë e babait në Shqipërinë e Enver Hoxhës, por dhe
me përfytyresën e këtij vendi sot. Në njëfarë mënyre ajo është një njësi
matëse, një provim që i bëhet institucioneve të shtetit të sotëm shqiptar, të demokracisë
apo të “demokraturës”, siç i pëlqen Predrag Matvejeviçit t’i emërojë sistemet
paskomuniste ballkanike.
Aldo
Renato Terrusi, qytetar italian i lindur në Shqipëri, ka njëzet vjet që
përpiqet të gjejë eshtrat e babait të tij, Giuseppe Terrusi, ish-drejtor i
bankës së Vlorës, i arrestuar e dënuar nga gjykata shqiptare me 10 vjet privim
lirie, i vdekur në burgun famëkeq të Burrelit më 1952. Ka trokitur në të gjitha
dyert e institucioneve kompetente shqiptare, së fundi, para një muaji deri tek
zv.ministri Ristani, kryetari i Task Forcës, për gjetjen e eshtrave të
viktimave të terrorit komunist. Përgjigjet e këtyre institucioneve, në njëzet
vitet e kërkimeve, pra të qeverive blu apo rozë, mund të kuptohen qartë në
frazat e e-mail-it të mësipërm.
Është
bërë proverbiale ngadalësia e institucioneve të Shqipërisë paskomuniste për të
njohur dhe kthyer detyrimet ndaj qytetarëve, sidomos t’atyre që janë përndjekur
nga regjimi i mëparshëm. Kështu ndodhi me pasuritë e paluajtshme si pronat,
trojet apo shtëpitë e shtetëzuara, me dëmshpërblimet e punës së papaguar të
mijëra njerëzve të dënuar për motive politike në gjysmëshekullin e diktaturës,
me inkuadrimin tepër të vështirë në institucionet shtetërore apo në jetën
politike të bijve të ish të përndjekurve, edhe se të diplomuar jashtë shtetit,
etj. etj. Shpjegimi i këtyre dukurive nuk është i vështirë të kuptohet: me
përjashtime të rralla, klasa politike shqiptare, në thellësi të saj, ruan një
ndjenjë armiqësie ndaj kundërshtarëve të komunizmit. Për pasojë, edhe problemet
e tyre janë gjithmonë objekt konsumi demagogjik, por asnjëherë nuk ka një
prirje të sinqertë për t’u vënë në rrugën e zgjidhjes. Por nëse e gjithë kjo
mund të gjejë shpjegim në frazën e famshme të romakëve Vae victis (Mjerë të
mundurit), ende sot aktuale në Shqipërinë “evropiane” të shekullit 21, rasti i
një qytetari të huaj që, prej 20 vitesh, kërkon pa asnjë rezultat, jo pasuri të
rrëmbyera dhe as dëmshpërblim për humbjen e babait dhe traumën psikologjike të
rritjes si jetim, por thjesht vetëm eshtrat e atij babai, është një akt që,
besoj, bën të skuqet nga turpi çdo shqiptar të ndershëm.
Para
gjysmë shekulli qeveria shqiptare i dha mundësi gjeneralit italian të kërkonte
e të mblidhte eshtrat e oficerëve dhe ushtarëve italianë, të rënë në Shqipëri
gjatë Luftës së Dytë Botërore, edhe se ishin eshtrat e një ushtrie pushtuese.
Po ashtu, në vitet e fundit, Greqia ka mundur të kërkojë eshtrat e ushtarëve
grekë të mbetur në tokën tonë, dhe ato të një ushtrie pushtuese. Në të dyja
rastet Shteti shqiptar ka vepruar drejt e në përputhje me normat ndërkombëtare.
Në këtë këndvështrim nuk ka asnjë justifikim qëndrimi mospërfillës kundrejt
qytetarit italian Terrusi. Ai qëndrim bie ndesh me traditën e lashtë të
mikpritjes shqiptare, simbas së cilës miku, edhe kur ka qenë hasëm, është vënë
në krye të vatrës. Edhe shkrimtari italian është një mik i nderuar, jo vetëm
sepse ka lindur në vendin tonë e ushqen për shqiptarët ndjenjat më të mira, por
edhe e, mbi të gjitha, sepse Shteti shqiptar i është borxhli për jetën e babait
të tij. Ky i fundit qe një viktimë e pafajshme e një intrige t’ulët,
t’orkestruar nga Enver Hoxha, për “të marrë hak” ndaj mospranimit të dashurisë
së tij nga një vajzë 16-vjeçare italiane, që u bë më vonë bashkëshorte e
viktimës.
Është i
pakonceptueshëm cinizmi i autoriteteve të ngarkuara me detyrën e posaçme, që
sorollasin për njëzet vjet, në kundërshtim me të gjitha ligjet e shkruara e të
pashkruara të bashkëjetesës së qytetëruar, një njeri, për më tepër të huaj, që
kërkon të çojë në Atdhe eshtrat e babait të tij, të vdekur në burgun e
Burrelit, i dënuar pa asnjë faj. Nuk është i pranueshëm asnjë argument
justifikues si mungesat e dokumenteve, e njoftimeve për vendin e varrit, e
fondeve, apo çdo lloj tjetër që burokracia mund të sjellë si një gjethe fiku
për të mbuluar këtë skandal të turpshëm. Shpjegimi i vetëm është mungesa e
vullnetit dhe e qëllimit për të nxjerrë nga burgu i përjetshëm, nga toka e kuqe
e Burrelit ato eshtra, duke varrosur edhe kujtimin sot në një indiferentizëm
vrasës.
Nuk duhet
të kishte asnjë pengesë për të gërmuar në pak qindra m² tokë të ish-oborrit të
burgut të Burrelit, që duket se ka qenë varreza e fshehtë e shifrave të larta
të të vdekurve, brenda atyre mureve. Do të ishte dashur të gërmohej me shumë
kujdes për t’i nxjerrë ato eshtra sa më saktësisht, sikur të ishin një pasuri e
vyer arkeologjike, për t’i sistemuar e, në bazë të ADN-së për të gjetur emrat e
për t’ua dorëzuar familjeve. Kjo vlen për Terrusin, ashtu sikurse për qindra të
tjerë, viktima të shkëlqyera t’atij burgu famëkeq, ndër të cilët dua të veçoj
Ministrin e Arsimit të Shqipërisë etnike, profesorin e nderuar Xhevat Korça,
ish-Kryeministrin Koço Kota, ish-Ministrin e parë të Arsimit të Shqipërisë
komuniste, Gjergj Kokoshi, ish-Kryetarin e nderuar të Vatrës, Arqile Tasi etj.
Kështu
duhej të kishte vepruar një Shqipëri demokratike, e qytetëruar, e
dekomunistizuar, e respektuese e traditave shekullore të popullit të saj.
Fatkeqësisht nuk ndodh kështu e pasojat janë jo vetëm “brenga shqiptare” e Aldo
Terrusit dhe familjarëve të viktimave të diktaturës, por edhe përkeqësimi i
Imazhit të vendit, që nuk ka kurajon të shkëputet ende idealisht nga e shkuara
e turpshme e kriminale e tij, së cilës i trashëgon mendësinë duke përsosur
metodat e mashtrimit dhe të hipokrizisë.
Një popull që ka nxjerrë nga gjiri i tij një Nënë Terezë e Burra shteti, t’aftë të shpëtojnë qindra jetë hebrenjsh në Luftën e Dytë Botërore, mendoj se nuk e meriton një imazh të tillë. I takon klasës së tij politike të reflektojë thellë mbi vetveten sepse Shqipëria e sotme nuk është diktatura e Enver Hoxhës, por nuk është as demokracia që ëndërrohej e që, në 23 vjet, duhej të kishte patur fizionominë e saj të qartë. Demokracia, ajo e vërteta nuk matet vetëm me numrin e pallateve, bizneseve, partive politike apo rrugëve të shtruara, por, mbi të gjitha me shërimin e plagëve të pafund të diktaturës në të gjitha fushat, në mendësi e në kulturë, në respektim ligjesh e të drejtash themelore, në dëmshpërblimin e gjithanshëm të viktimave të mbijetuara sikurse në respektimin e sinqertë të kujtimit të atyre që ajo u mori jetën. Në këtë drejtim, besoj se gjetja dhe kthimi i eshtrave familjeve të atyre që nuk patën as një varr të tyre, së bashku me nderimin e duhur, është detyrë e parë e shtetit, tregues qytetërimi dhe shenjë e prekshme e vullnetit për të prerë kërthizën që na mban akoma të lidhur me të shkuarën tonë të afërt.