Mendime
Arbana Xharra: Thaçi e ka hallin e ''kokës së vet''
E hene, 13.05.2013, 06:03 PM
Thaçi e ka hallin e “kokës së vet”
Nga Arbana Xharra
Kryeministri
i Kosovës, Hashim Thaçi, e di shumë mirë se çfarë është marrëveshje e mirë dhe
çfarë e keqe. Ai e di në detaje se çfarë i sjellë Kosovës marrëveshja me
Serbinë. Ai ka qenë partneri i katërt në këtë dialog, në mesin e SHBA-së, BE-së
dhe Serbisë. Është pikërisht Thaçi i përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare të
jetë në krye të këtij dialogu si partner nga Kosova, sepse ndërkombëtarët ia
dinë “hallin” e “dertin”.
Është
lojtari më i përshtatshëm i realizimit të projekteve që dëmtojnë Kosovën. Kjo
marrëveshje me Serbinë është e dëmshme për shumicën shqiptare në Kosovë, për
shkak se e ka negociuar, pranuar dhe nënshkruar Thaçi. Kryeministri i Kosovës
nuk e ka hallin e shtetit, as të territorit të saj, por e ka hallin e “kokës së
vet”.
Thaçi
shkon në Bruksel për të arritur marrëveshje me Daçiçin, duke ditur se pak
kilometra më tutje në po këtë qytet një prokuror ndërkombëtar është duke e
hetuar atë pas akuzave të rënda për përzierje në tregti me organe të serbëve të
kidnapuar gjatë dhe pas luftës së Kosovës. Në një situatë të tillë është lehtë
e kuptueshme se kryeministri i këtij vendi në Bruksel ishte pjesëmarrës i
negociatave për dobësimin e Kosovës, me shpresën se ky “kooperim” do t’i
shpaguhet duke e lënë të qetë drejtësia ndërkombëtare.
Publikimi
i dyshimeve të drejtpërdrejta ndaj tij, të cilat mbeten pezull derisa nuk
përfundojnë hetimet, dhe frika se çfarë do të dalë nga këto hetime, e mbajnë
peng Thaçin. Ai në vazhdimësi u ka bërë “amin” kërkesave të bashkësisë
ndërkombëtare. Për pasojë janë prodhuar plane e pika, të cilave Kosova ua ka
parë sherrin përherë.
Nisur nga
kërkesa për “investime” në autostradë, plan ky ndërkombëtar i shtyrë pa e çarë
fare kokën se kështu kosovarët po futen në krizë të madhe financiare e deri te
dhënia e tenderëve qindra milionësh kompanive turke. E gjithë kjo duket si një
pazar i fuqive të mëdha, që Turqisë t’i jepet mundësia të shtrijë ndikimin e
saj ekonomik në Ballkan, si “shpërblim” për moslejimin e integrimit të saj në
Bashkimin Evropian.
Thaçin e
duartrokasin me dinakëri derisa kryen punët me porosi dhe në dëm të popullit të
tij. Në të njëjtën kohë herë pas here “të huajt” i nxjerrin raporte për krim të
organizuar, me të cilat e shantazhojnë kurdo që e shohin të nevojshme. Është
bashkësia ndërkombëtare ajo e cila e vlerësoi marrëveshjen e fundit si arritjen
më të mirë, për faktin që Thaçi e Daçiç u ulën pranë njëri-tjetrin, por në fakt
kjo marrëveshje nuk premton as paqe e as qetësi.
Thaçi me
këtë marrëveshje, nuk i jep autoritet Kosovës për të ushtruar sovranitet në
pjesën veriore, por mund t’i japë shans vetes për t’i shpëtuar denigrimit
personal në nivel ndërkombëtar. Këtu gjithçka varet nga aksham pazari që ka
arritur me faktorin ndërkombëtar. Gjithë matematika e tij sillet rreth vetes së
tij. Po të ishte ndryshe, po t’i kishte Thaçi parasysh interesat afatgjata të
Kosovës, ai do t’i kishte thënë jo një marrëveshjeje shtetdëmtuese, siç është
kjo me Serbinë.
Me këtë
marrëveshje Kosova s’e qeveris veriun, por e dorëzon sovranitetin te serbët
lokalë e këta këtë sovranitet pastaj e ndajnë me Beogradin. Brenda sistemit
kushtetues të Kosovës është instaluar një bombë me sahat. Pasojat do të shihen
jo vetëm gjatë implementimit, të cilin serbët do ta sabotojnë kudo që munden.
Thaçi na
ka treguar të gjithëve se për interesa personale është i gatshëm të bëjë
çfarëdo negociatash që nuk i sjellin kurrë paqe vendit e që nuk i japin mundësi
Kosovës të shtrijë sovranitetin në tërë territorin e saj. Kryeministri i
Kosovës duke ditur se në një mënyrë po e dorëzon pjesën veriore të vendit, ku
nuk mund të dërgojë as policinë e as gjyqësinë, po përpiqet që me një mobilizim
të instrumenteve të tij propagandistike marrëveshjen shtetdëmtuese ta shesë si
shtetndërtuese.
Thaçi nuk mund ta harrojë faktin se dosjet për të gjithë familjarët, miqtë e shokët e tij, të cilët edhe nga mbarimi i luftës e kanë plaçkitur dhe terrorizuar Kosovën, janë në Bruksel, aty ku nënshkruhet fati i secilit në fund të ditës.