Mendime
Vangjush Saro: Rrotat dhe rotacioni
E merkure, 08.05.2013, 05:01 PM
Rrotat
dhe rotacioni
Nëntitull: Nga rekrutimi i Kaçëve të Zinj, te mënjanimi i ekspertëve që mund të ndryshonin realisht fatet e vendit
Nga Vangjush Saro
Duke lënë
jashtë listave zgjedhore disa emra të njohur dhe që në fushat e tyre janë
ekspertë (Selami Xhepa, Mark Marku, etj. në PD, Arben Malaj, Ethem Ruka, etj.
në PS) partitë politike në Shqipëri edhe njëherë treguan se notojnë në
ideologji, nuk jetojnë me kërkesat e kohës, janë larg përceptimit të politikës
dhe qeverisjes si proces në shërbim të përparimit e të qytetarisë. Nuk jam i
mendimit se emrat e përmendur më sipër janë doemos më të mirët, ishte thjesht
një shembull. Por duke iu dhënë vendet e para në lista atyre më të bindurve, të
dashuruarve pas kryetarëve, sherranjakëve, madje edhe ish-kundërshtarëve
politikë, siç ndodhi me tre të tillë Gereb-ë1) të PS-së, me në krye “Kaçin e
Zi”, drejtuesit e dy partive kryesore u prezantuan edhe njëherë si njerëz të
pandreqshëm, inatçinj, që nuk dalin dot nga psikologjia e klanit dhe e
kryetarit të “fortë”. Si të thuash, jemi sërish në grackë. Dhe çështja shtrohet
që kjo dukuri dhe ky mentalitet shtypës, mbisundues, nuk janë thjesht problemi
i tyre; është problemi i Shqipërisë.
Në shumë
raste, në politikë dhe në ekonomi, te ne drejtojnë rrotat, e thënë më butë,
njerëz jo ekspertë, që i ka vënë në post partia...për ‘meritat’ e tyre. (Njësoj
si në rendin e shkuar.) Në përzgjedhjet e fundit, këto principe të vjetëruara
mbivaluan. Për fat të keq. Të marrësh tre ish-kundërshtarë, madje edhe
ndonjërin prej atyre e ke gostitur me epitetet më të rënda dhe t’i shesësh për
yje të demokracisë e të Partisë Demokratike, kjo vetëm në Shqipëri mund të
ndodhë dhe vetëm atje ku nuk drejtohet, por sundohet.
Ndërkaq,
në këtë fushatë elektorale të shpallur tashmë, duke kundruar me trishtim pamjen
e vendit, si dhe duke kqyrrur ftohtë shifrat që na ofrojnë institucionet më
serioze, ne mund të shquajmë se pikërisht për shkak të kësaj mënyre qeverisjeje
e sjelljeje, ka fare pak përparim, për të mos thënë që në disa rafshe - si siguria
apo kontrolli mbi pushtetet - është bërë prapa. Aktualisht, arka e shtetit
shqiptar po zbrazet dita-ditës; (jo vetëm prej pagesave për kompanitë si
Podesta, që lobojnë për qeverinë dhe klanin Berisha). Kjo ndodh edhe për shkak
se këto kohë, për arsye elektorale, qeveria po bën disa “mirësi” në kurriz të
viteve të ardhshme. Sipas ekspertëve, goditja më e fundit në financat publike
ishte ajo e “paketës lehtësuese të taksave, të cilat i heqin buxhetit mbi 17
miliardë lekë të ardhura në vit, pa parashikuar burime kompensuese ose ulje të
shpenzimeve”. (Intervistë e A. Malaj) Nga ana tjetër, është vetë Banka e
Shqipërisë që konstaton: “…Viti 2012 ishte një tjetër vit i vështirë për
ekonominë shqiptare. Dobësitë e partnerëve tanë tregtarë e financiarë janë manifestuar
në një kërkesë të ulët për eksportet shqiptare, në kushte të shtrënguara
financimi për kapitalin e huaj dhe në pasiguri të shtuara tek agjentët
ekonomikë. Po ashtu, ekonomia shqiptare vijon të përballet me një kërkesë të
dobët të brendshme, si në sektorin publik dhe në atë privat.”
Nuk ka
fakte e shifra që të flasin as për ndonjë përmirësim të Prodhimit të Brendshëm
Bruto për frymë; shifrat e ofruara nga Instituti Vienez për Studime Ekonomike
dhe nga Eurostat, faktojnë se jemi (siç edhe kemi qenë) të fundit në Evropë,
bashkë me Kosovën. Po ashtu, nuk duket se pati ndonjë përmirësim në punësim
gjatë kësaj periudhe; përkundrazi, papunësia mbeti po ajo plagë që ishte, në
mos u përkeqësua dhe shifra prej 13. 3 % që INSTAT e performon herë pas here me
ca dhjetore më pak ose më shumë - por pa e kaluar kurrsesi këtë cak të
gënjeshtërt - është një demagogji që nuk mund të përcillet më në publik. Nuk ka
më asnjë sekret, e gjithë fshatarësia ‘kapitaliste’ është jashtë veprimit të
këtyre treguesve, çka në mënyrë abuzive ul përqindjen e papunësisë; “rrotat” e
pushtetit s’e kanë për gjë të përjashtojnë nga statistikat edhe familjet e
papuna që mbahen me remitanca apo që kanë humbur çdo shpresë se mund të mendojë
kush për perspektivën e tyre.
Ka
përkeqësim edhe në çështje të sigurisë: vrasje, vjedhje me dhunë në mes të
Tiranës e ditën për diell, pedofilë që lihen azat, grupe të rinjsh më të
rrezikshëm se kurrë, krime të shumta brendapërbrenda familjes, gjakmarrje (për
këtë qeveria nuk flet kurrë), individë jashtë kontrollit që rrahin gratë me
leva, etj. Dhe ajo që është më e keqe, njerëzit e shtetit, që qytetarët i
paguajnë me taksat e tyre t’i mbrojnë e t’i sigurojnë, në vend që t’i kushtohen
kësaj sigurie, survejojnë dhe ndjekin kundërshtarët, i kërcënojnë ata, iu çojnë
(gabimisht) edhe helikopterë përmbi çati...Pothuaj, njësoj si në kohërat më të
errëta për shqiptarët. Një pasiguri e tillë në një vend me vetëm 2.5, e shumta
2.8 milionë banorë, është me të vërtetë e frikshme.
Përmirësime
nuk po duken as në probleme ambientale dhe që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me
shëndetitn e qytetarëve, të fëmijëve më së pari. Në pikën e parë të “Deklarata
e Rio de Zhaneiros për Mjedisin dhe Zhvillimin” 1992, thuhet: “Çdokush ka të
drejtë për një jetë të shëndetshme dhe produktive në harmoni me natyrën.” Në
Shqipëri, kjo e drejtë është marrë me gurë. Lura, Munella, Dajti, Gramozi, etj.
janë kthyer në varreza që vetëm sa tregojnë se dikur aty ka pasur drurë. Kruja
digjet tërë kohën, në mal e nën mal; ndërkaq, ndërtimet pa lejë po sulmojnë
kalanë e Skënderbeut; atë që s’e merrnin dot osmanët (historia flet për tre
rrethime) po e marrin vetë shqiptarët, që për pak abuzim shesin çdo nder.
Gjithkund ka biznese pa lejë e që nuk kontrollohen, gjithkund digjen goma e
prishen shtretër lumenjsh; është një histori kaq e trishtë. Tani së fundi, që
të kënaqen edhe ndërtuesit “demokratë” dhe padronët e tyre, ka dalë në
qarkullim një plan rregullues që e bën kryeqytetin përfundimisht gur e çimento.
Më keq se ç’kishte katandisur ai gjer më sot.
Asnjë përmirësim
sa i takon edhe përbërjes së administratës, përveçse rekrutime nga radhët e
militantëve dhe atyre që shërbejnë me ç’të mundin e në mënyrë të verbër. Nuk
është ndonjë gjë e re të kujtojmë panoramën e Doganave shqiptare, sa edhe të
Policisë, ku shefat dhe të punësuarit e tjerë janë në masë nga disa pak zona
verilindore. Krahinarizmi është një realitet të cilin sot nuk mund ta
anashkalojmë, nuk duhet ta tolerojmë - edhe pse dikujt mund të mos i vijë mbarë
- në mënyrë që mandej kjo sjellje aspak demokratike të mos performohet sërish
në të tjera terma. Askush nuk qeveris më në Perëndim duke mbajtur në dorë fort
skeptrin e krahinës dhe të fisit.
Për këto
dhe për të tjera arsye që s’mund të përmblidhen në një shkrim, vendit i duhet
rotacioni. Por ai rezikon të mbahet edhe më tej peng nga rrotat, pra nga njerëz
të partive, militantë, të gatshëm vetëm për t’i bërë lavde kryetarit dhe, po
ashtu, për ndonjë abuzim. Këta njerëz vërviten nga njëra detyrë në tjetrën, nga
njëri post në tjetrin, pa i sjellë vendit asnjë kontribut real, për shkak se
ata, ashtu si edhe kryetarët e tyre, prodhojnë vetëm ideologji, në shumë raste
edhe urrejtje; dhe këtu ky kapitull është i mbyllur. Njerëz që dinë më shumë se
ne, na vijnë gjithnjë në ndihmë për t’i vënë një pikë kësaj ligjërate të
ligjëruar nga e keqja. Më vjen ndër mend një nga porositë e Abraham Linkolnit
për mësuesen e djalit të vet: “Mundohuni t’i mësoni fëmijës tim forcën për të
mos ndjekur turmën, edhe pse të gjithë hidhen mbi qerren e fituesit.” Por këtë
herë, më vjen kaq shumë për mbarë edhe një thënie e urtë popullore: “Duken
pemët që kur lëshojnë lule.”
Si
shkojnë këto punë...
.........
1) Gerebi
- Një nga personazhet kryesore të romanit “Djemtë e rrugës Pal” të shkrimtarit
Ferenc Molnar; u hodh përkohësisht me kundërshtarët në luftën që shokët e tij
bënin për të mbrojtur një fushë ku ata fëmijë luanin.