Mendime
Ylldije Sulka: Emisione (të mira) pa profesionalizëm
E diele, 12.05.2013, 02:05 PM
Emisione (të mira) pa profesionalizëm
Nga
Ylldije Sulka
Në
vorbullën e përditshmërive tona ku ekrani i vogël ze pothuaj në mënyrë absolute
vendin e preferuar, ajo çfarë serviret jo gjithmonë është profesionale edhe kur
serviret nga gazetarë profesionalë.
Kur një
emisioni i bëhet reklamë, jo rrallë ne ndjekim edhe se kush e drejton atë dhe
mendojmë se do të jetë cilësor kur ai, moderatori është një emër i njohur.
Dhe
vërtet ka edhe emisione të mira me tematika interesante dhe me të ftuar
interesantë të cilët japin mendimet e tyre për çështje të caktuara apo sjellin
përvojat e fushave të tyre përkatëse
Deri këtu çdo gjë shkon mirë sepse jo rrallëherë shohim e njohim personalitete të fushave të ndryshme që edhe pse kanë kontributin e tyre shumë herë mbeten të panjohur.
Personalitete anonimë
Në të
shumtën e rasteve, në televizionet tona, kur do të ndjekësh një emision është
pothuaj një përvojë torturuese sepse nëse shkon me vonesë apo nëse e hap
kanalin kur një emision ka filluar, atëherë "piji lëngun" si thotë
populli. Dhe kjo shprehje është e përshtatshme sepse nëse të tërheq tematika
apo të pëlqen i ftuari por nuk e ke dëgjuar që në fillim, nuk do e marrësh vesh
se kush është ai ose ajo. Dhe rri e pret se mos moderatori apo drejtuesi po e
thotë ndonjëherë emrin e atij ose asaj, por më kot. Pyetjet shkojnë rradhë dhe
janë vërtet interesante, larg nga përditshmëria, njerëz dhe emra të rinj dhe
mendon se paska dhe njerëz të tjerë meritorë jashtë rutinës së përditshme.
Por... ai që drejton emisionin, nuk po e thotë që nuk po e thotë se kush është
ai/ajo që flet. I ftuari flet rrjedhshëm, bukur, qenka i aftë në fushën e vet.
Dhe ja ku vjen pyetja e rradhës. Ti tendosesh se mos
po i drejtohet me emër e mbiemër folësit, duke e stilizuar bukur që edhe ne ta mësojmë se cili është ai në ekran ose ta rimarrim vesh, por përsëri, jo. Dhe presim se ndoshta i thotë emrin të paktën, hajt se edhe mbiemrin bën mirë ta thotë, por përsëri, jo.
Titra...?
Titrat
apo njoftimi me të shkruar, janë një zëvendësues i gazetarit në këtë rast dhe
që bën të mundur që herë pas here të jepet emri, mbiemri si dhe profesioni që
ka i ftuari që e ka nderuar gazetarin dhe publikun e ka ardhur të ndajë një
përvojë bashkë me ne. Por edhe titra nuk ka. Dhe të mendosh se epoka dixhitale
është në një stad mjaft të avancuar. Por edhe nëse do të ishte pengesë një gjë
e tillë, normat në gazetari dhe që e bëjnë një emision të quhet profesionalisht
i plotësuar, duhet që edhe këto elementë të plotësohen. Madje ky është elementi
bazë ose numri një ku fillon gazetaria me pyetjen "kush". Dhe nuk ka
rëndësi nëse është numri një i një vendi apo numri një i një fushe të caktuar
apo është edhe një qytetar i thjeshtë. Rëndësi ka që ne si teleshikues apo edhe
"dëgjues", të mund të ndjekim një emision dhe të dimë se me kë kemi
të bëjmë.
Dhe mendo se kjo ndodh me pothuaj 80% të emisioneve dhe ku një i ftuar... mund të mbulojë të gjithë emisionin (prej më shumë se 30 minuta), apo ka një minutazh të caktuar në dispozicion. Dhe kjo ndodh në kanale prestigjioze që fare mirë mund të ishin shkollë për televizionet e tjera dhe me gazetarë të njohur kur në fakt duhej të jepej edhe tematika e jo më të mungojë se kush është i ftuari që na flet e na flet por që ne nuk e dimë se cili është.