E premte, 02.05.2025, 07:43 PM (GMT+1)

Editorial

Qazim Shehu: Kanuni kur e duam dhe kur nuk e duam

E merkure, 06.03.2013, 09:09 PM


KANUNI KUR E DUAM DHE KUR NUK E DUAM

Nga QAZIM SHEHU

Është bërë tashmë e modës që sa herë ndodh një vrasje të thirret Kanuni për te shpjeguar se vrasja është bërë për hir të tij. Edhe kur dhëndrri  vret vjehrrin dhe pastaj vret veten,  kjo sillet si justifikim për hir të kanunit,  pikërisht nga njerëz të cilët nuk kanë kohë të thellohen,  as të dëgjojnë dhe menjëherë e gjejnë kremastarin për të varur rroben dalëboje të arsyetimit të tyre.

Çdo intelektual me dy gramë shkollë që ka lexuar një libër,  e madje nuk përton të ndjekë një gazetë,  e di fare mirë natyrën e krimit në Shqipëri,  e njeh mirë atë mekanizëm të ndryshkur me të cilin shoqërisë sonë i pëlqen të funksionojë,  është pikërisht mekanizmi i hipokrizisë së zbuluar i cili funksionon qorrazi,  e përkundrazi ngrihet mbi mite të rrejshme të shpjegimit e prapë funksionon.

Në një bisedë me Gjin Markun, kryetar i Komitetit tëPajtimit të Marëkombëtar të Gjaqeve,  këtë e shtjellojmë shpesh dhe bëhemi me dije se krimi në Shqipëri ka natyrë dhe trajta të ndryshme,  ai lokalizohet në çuditë e tij po edhe merr trajta dhe funksione të ndryshme duke krijuar një steriotip të bindshm në mënyrën e kryerjes së tij. Nuk është nevoja të flasësh për Kanunin duke e trajtuar përmes një leksioni të përsëritur me të cilin janë marrë shumë autorë,  me të cilin kanë mbrojtur grada shkencore dhe doktoratura,  të cilat flenë në libra të harruara përveç Kanunit që është një libër i gjallë dhe i respektuar,  sepse në të kodifikohet drejtësia më supreme sipas kohës kur ai ka funksionuar. E nevojshme është të kuptohet se kanuni thirret në ndihmë nga skalionet e krimit,  për të krijuar një shfajësim e kjo është fyerja më e rëndë që i bëhet atij,  kulturës dhe traditës juridike të popullit tonë,  atij rregulli dhe sjellje morale me të drejtën që u përçua në shekuj.  Shfajësimi se  është një nga dobësitë e shoqërisë së sotme e cila duke rënë poshtë për shkaqe dhe rrethana që dihen, ende s`po e njeh rritjen morale dhe s`po gjen kurajon e nevojshme për t`u përballur me të vërtetën,  ajo,  siç thotë Migjeni ende nuk i ka hequr bragashat(maskat),  dhe kjo është shumë e dëmshme.

Është një shoqëri që nuk e njeh  dhe s`do ta pranojë transfuzioni n e gjakut të keq hipokrit që i injektoi asaj diktatura,  dhjetëvjeçarë me radhë.  Të parët e së vërtetës në sy,  ka qenë dhe mbetet e vështirë për çdo brez shoqëror,  për çdo kohë,  sepse e vërteta,  siç thotë një fjalë e urtë francize,  rri gjithnjë në fund të pusit,  por përpjekjet për të riformatuar atë në një sens  drejt realizmit praktik nuk duhet të mungojnë,  sepse kjo tregon në radhë të parë daljen nga e keqja.  Pra ne e duam Kanunin,  po e duam kur ai na shërben si një mburojë,  si një llogore ku fshihemi,  pavarësisht se Kanuni nuk i mbron paudhësitë tona,  madje as nuki ka parashikuar,  sepse vrasjet sot po i tejkalojnë edhe fantazitë më të guximshme të denjë vetëm për filmat horror,  subjektet e të cilave po të binin në dorë edhe të skenaristëve më të dobët,  do dilnin gjithësesi të përsosur.  Kanuni nuk parashikoi vrasjen e fëmijëve,  as të gruas,  ai vinte rregulla të forta dhe kush i shkelte këto rregulla ndëshkohej publikisht,  e nuk i flitej me gojë,  madje ai quhej i nëmur.  Kanuni njihej si ligj,  respektohej dhe ky ligj,  quajeni si të doni,  ishte i shenjtë.

Kjo ishte një farë proteste për të mos u pajtuar me të keqen,  një mbajtje bese çfarë ishte vendosur, po sot në shoqërinë moderne mos është shuar fryma e protestës ndaj së keqes apo e keqja ka triumfuar aq shumë sa ndërgjegja është topitur para saj? Gjëkundi nuk shohim një protestë spontane kundër krimit,  kundër vrasjeve killer dhe dhunimit të individit.  Një reagim të përgjithshëm qytetar kundër së keqes,  përveç disa intervista të vakta në rrugë të qytetarëve, që flasin me: po,  jo,  e di,  s`e di,  fajësojnë shtetin dhe japin alternative të cunguara para pyetjeve të parapërgatitura të gazetares.

Komiteti i Pajtimit Mbarëkombëtar ka bërë një punë të mirë në verifikimin e mundësive të ndërhyrjeve si akt pajtimi,  kjo punë është shërbyer nga njerëz misionarë dhe të gatshëm për të biseduar,  për ta parë realitetin në sy,  për të identifikuar protagonistët si njerëz me të cilët mund të bisedohet e të gjendet një gjuhë e mirë e pajtimit.  Kuptohet,  aq sa mund të bëhet,  aq sa mund të arrihet,  sepse vështirësitë në terren janë të mëdha, ende veprojnë nxitës të krimit,  një psikologji e eleminimit dhe hakmarrjes.  Puna është parapërgatitur nga studimi i natyrës së krimit,  nga gjetja e rrethanave lehtësuese të bisedës,  e këtu ka ardhë në ndihmë edhe Kanuni.  Dikush mund të pyesë sesi mund të vijë në ndihmë Kanuni,  natyrisht ai që ka një vizion ekzotik për të,  kur sot janë një tërësi ligjesh që veprojnë dhe nuk janë ligje të cilat mund të diskutohen për dobësi përfshirje të së drejtës në rrethana të aktualitetit të sotëm të parashikuar.  Po se Kanuni kishte besën dhe paraqiste të fortë moralin e mbajtjes së fjalës.  Ai vepronte mbi bazën e një aristokracie të rracës shqiptare,  e cila respektonte më të dobëtin,  ritet, zakonet dhe elementë të tjerë me të cilat funksiononte jeta.

Ne nuk duhet ti humbasim këto,  pavarësisht se Kanuni në kohë të komunizmit është etiketuar si një kodifikim me myk mejetar,  kur as lexohej se nuk botohej,  dhe nuk propagandohej.  Ky ishte një etiketim për të sjellë në skenë ligjet e komunizmit që nuk zbatoheshin sepse vepronte terrori dhe nga terrori futej frik e për këtë deridiku krimi binte.  Ndërsa sot etiketimii Kanunit  nuk bëhet në këtë gjuhë,  po ai shihet si strehë e justifikimit të krimit,  e kjo është një hipokrizi tjetër,  e po ta shohësh hollë hollë,  dilet po në të njenjtën hulli. Ka ndryshuar vetëm koha(ajo rrjedh kronoligjikisht),  sistemi, po nukka ndryshuar mendësia,  e cila është po ajo,  gjithnjë e tillë,  edhe pse ta thotë mendja se mendësia duhet të ndryshojë, në realitetin e konfigurimeve të ideve të reja.

Në një evidencë të Komitetit të Pajtimit barëkombëtar,  si qorganizatë e shoqërisë civile,  nga ku mund të merren të dhëna,  krimi në Shqipëri njeh natyra të ndryshme,  por është më se e vërtetë se ai ndodh shpesh,  në forma dhe trajta të shfaqjes monstruoze. Krimi sado i justifikuar është monstruoz dhe nuk ka krim të mirë.  Po dikur për raste makabre populli të shante pushkën,  dhe nuk të lavdëronte dhe të abandononte moralisht,  katundisht duke të përjashtuar nga komuniteti i lagjes, fshatit,  krahinës e më gjërë.  Ishte më i rëndi dënim moral. Sot jemi në rrethana të reja,  jemi në një shoqëri moderne,  pra edhe krimi është sofistikuar dhe ka marrë përmasa të maskimit. Po kur ndjen se po i çirret kjo maskë merr pozicion mbrojtës duke krijuar shfaqësimin e radhës.

Kjo është kuptuar,  ndaj edhe përpjekjet për parandalimin e tij nuk kanë reshtur dhe as mendohet të heshtet në këtë luftë të përhershme kundër tij,  luftë totale kundër justifikimit banal të krimit nga forcat progresive.  Ndaj Komiteti, pa e marrë në mbrojte atë,  përfaqëson një vlerë të shoqërisë sonë,  një organizëm që duhet përkrahur, sepse kush ndërton programe në detajimin e shtrirjes së një veprimtarie intensive për të operuar në një terren konkret në biseda të hapura me të lënduarit e krimit,  jo vetëm që dhet ndihmuar,  po në mos ndihmuar të paktën nuk i duhen vënë shkopinj nën rrota as duhet nxituar për ta përgojuar pa u thelluar në studimin e veprimtarisë së çdo organizmi që ndërmer hapa konkretë në paqtimin e shoqërisë së sotme,  sepse vetëm paqtimi dhe harmonia kriojnë premisa realë në mbarëvajtjen e një shoqërie që duhet ti mbledhë forcat e veta për zhvillim, harmoni dhe aktivitet krijues në dobi të ecjes,  zhvillimit dhe prosperitetit e kapjes së standarteve europiane.  Në këtë kuptim bëhet e nevojshme njohja e disa vlerave morale,  të cila s`mund të thuhetse nuk njihen mirë,  po kjo njohje nuk duhet të ndërmerret në standartizimin e konferencierëve të lodhur,  as të zëdhënësëve të shtypit, po si një nismë përkushtuese e plotë për të kuptuar se ku kemi zbritur dhe ku vërtet duhej të ngjiteshim nëse vërtet i njohim atë me besueshmëri dhe vërtetësi duke i besuar vlerave dhe kodeve morale të popullit tonë në shekuj.

Po me tepër se Kanuni mua më shqetëson amplifikimi i gënjeshtrave duke u paraqitur si te verteta dhe anasjelltas,  hedhja e fajita  diku tjetër dhe lënia e mundësisë për spekullime,  një farë gjykimi hipokrit dhe të mbrapshtë kur është fjala për të kuptuar se sendet duhen emërtuar me emrin e tyre të vërtetë dhe jo pëmes devijacionesh delirante. Dhe ne nuk kemi hequr dorë nga mendimi komunist në fajësimin e Kanunit,  veçse në një kah tjetër më të ngjyrosur dhe më të besuar.

Modelimi i një mendimi të tillë po të vazhdonte për inerci do të falej,  po ai vazhdon me hipokrizi dhe qëllime të mbrapshta të cilat kërkojnë ta mbajnë peng shoqërinë shqiptare,  të mbjellin tek ajo segmente të territ,  të mosinformimit të vërtetë dhe të pasigurisë.  Kështu u leverdis njerëzve të krimit dhe të përfitimit,  veçse ata nuk e dinë ose s`duan ta kuptojnë se shoqëria shqiptare është sot në një stad  tjetër dhe nuk mund të çorientohet aq lehtë,  ndonëse krijohet amulli. I këtij mendimi është edhe Gjin Marku,  kryetar i Pajtimit Mbarkombëtar të Gjaqeve,  i cili në fjalët e tij shpreh një kurajo më të madhe të shoqërisë civile,  kurajo që shkon në rrjedhën më të mirë të shoqërisë sonë për ti thënë po jetës e për të sfiduar errësirën e izolimit  që ka sjellë deri më sot,  ç`është e vërteta mjaft drama absurde,  të cilat duhej të ishin shmangur nëse ne si shoqëri mund të kishim qenë më e esëllt në gjykimin e gjërave,  pa ia hedhur fajin Kanunit…



(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx