Editorial
Ramiz Selimi: Nepotizmi dhe Korrupsioni
E shtune, 23.02.2013, 06:10 PM
Nepotizmi
dhe Korrupsioni po bllokojnë zhvillimin
Edukimi kundër korrupsionit, investim për brezat e rinj
Shkruan Ramiz Selimi
Se
kriteri i familjarizimit është kusht për t’u punësuar nëpër institucione
shtetërore, e thotë jo vetëm përgjimi i telefonave, por ai është prezent në të
gjitha sferat e jetës. Nepotizmi fillon nga marrja e një certifikate të
lindjes, e deri të punët mëdha si punësimi dhe përfitimi i tenderit, përmes
personave të afërm, miqve, shokëve dhe dashamirëve.
Të rinjtë
e Kosovës, pavarësisht përfundimit të shkollimit universitar dhe diplomimit në
lëmi të caktuara, vazhdojnë të jenë të papunë, vazhdojnë të mos jenë mirë
profesionalisht të përgatitur, vazhdojnë të emigrojnë në vende të huaja. Shkak
për këtë dukuri, është nepotizmi dhe korrupsioni që po bllokojnë hapjen e
vendeve të reja të punës.
Është
mirë të u shpjegohet qytetarëve në gjuhën dhe dialektin e tyre problemi i
shoqërisë, se çka është nepotizmi? Nepotizmi është një sistem i udhëheqjes, ku
e mira gjithmonë i dhurohet një individi apo një familjeje, një klani apo një
grupi, ose një pjese të shoqërisë. Fjala nepotizëm rrjedh nga fjala italiane “
nepoto” që do të thotë nipi, Ky ju mundëson udhëheqësve shtetërorë që të
lehtësojnë ngritjen e individëve, anëtarëve të familjes së tyre apo të rrethit
të tyre, të shokëve të miqve në vendet, përfitimet shtetërore, në dëm të
meritës apo të interesit të përgjithshëm.
Nepotizmi
fillon nga marrja e një certifikate të lindjes e deri të punët e mëdha si
punësimi dhe përfitimi i tenderit, përmes personave të afërm, miqve, shokëve
dhe dashamirëve. Nuk ka aspak dallim përfitimi i një të mire shtetërore( sado
simbolike të jetë ajo, certifikatë, banesë, etj) me ndihmën e mikut, shokut,
farefisit nga korrupsioni si përfitimi i tenderit me anë te ryshfetit, te
gjitha këto bëhen duke anashkaluar vlerën dhe të drejtën qytetare.
Se
kriteri i familjarizimit është kusht për t’u punësuar nëpër institucione
shtetërore, e thotë jo vetëm përgjimi i telefonave, por ai është prezent në të
gjitha sferat e jetës, Ndërkaq, refuzimi i kërkesës për punë nga vlera dhe
kualiteti, mbetet brengë kryesore për qytetarët dhe pengesë e zhvillimit
ekonomik.
Që
dukuria është e përhapur këtë e dinë të gjithë. Tani jemi duke e kopjuar
Shqipërinë negative në të gjitha format e saj, pothuaj i gjithë farefisi i
pushtetarëve, ka përfituar dhe përfiton të mirat shtetërore nga nepotizmi.
Emërimet në sektorin e diplomacisë nga Ministria e Punëve të Jashtme janë një
pikë uji në oqeanin e abuzimit. Si është e mundur që shtetet mike në vendin
tonë përfaqësohen me nga 3-4 persona në ambasadat e tyre në Prishtinë, kurse
ambasadat tona janë të mbipopulluara me nga 20 persona.
Të gjitha praktikat e nepotizmit karakterizohen nga tre elementë, anashkalimin e rregullave demokratike, aplikimin e procesit vetëm sa për fasadë, vendim-marrje personale mbi bazën e njohjes, simpative apo antipative personale. Fatkeqësisht kjo sëmundje është prezent gjithkund edhe në universitete, nepotizmi mund të vërehet që nga rekrutimet, e deri të marrja e diplomës.
Familjarizmi dhe korrupsioni janë të një brumi
Si pasojë
e parë e familjarizimit është korrupsioni politik dhe ekonomik, i cili përkufizohet
me sjelljet e udhëheqësve dhe funksionarëve të shtetit të zgjedhur apo të
emëruar, ata janë në kundërshtim me normat juridike dhe shoqërore, e që
mundëson keqpërdorimin e fondeve publike dhe të gjitha të mirave tjera
materiale, duke përfituar përparësi personale.
Shtrohet
pyetja se çka është korrupsioni. Në përgjithësi, korrupsioni përkufizohet si
shpërdorimi i pushtetit të besuar ose i funksionit publik për përfitim privat.
Ky përkufizim qëndron në themel të përkufizimeve ligjore të ryshfetit/mitës. Janë
identike rastet, si një person që përfiton të mirë shtetërore me anë të mikut,
sikur ai që jep ryshfet për ta fituar atë përparësi , ato janë të dënueshme dhe
antiligjore.
Korrupsioni
ka të bëjë me marrëdhënie shkëmbimi individuale dhe se të dyja palët që
përfshihen në të japin ose marrin ryshfet për përfitime me interes privat. Ky
është edhe kuptimi i korrupsionit që gjendet në konventat dhe standardet
ndërkombëtare të detyrueshme për korrupsionin. Shpeshherë njerëzit përfshihen
jo vetëm me vullnetin e tyre të lirë në korrupsion, por ata janë të detyruar
nga pushtete më të larta për të marre vendime të tilla
Në shtetet e korruptuara, komuniteti i biznesit duhet të ndajë disa nga fondet e veta për korrupsionin, gjë që i shkurton investimet dhe prodhimin kombëtar bruto. Korrupsioni i zë frymën konkurrencës së lirë, në mënyrë të veçantë kompanive të vogla. Me rënien e konkurrencës, ulet edhe cilësia e mallrave dhe e shërbimeve. Ulen të ardhurat shtetërore dhe rritet ekonomia në hije (informale). Aty ku tolerohet korrupsioni, punonjësit civilë marrin të ardhura të vogla dhe mbi qytetarët e thjeshtë rëndon mita që ata duhet të paguajnë për zgjidhjen e problemeve të tyre. Investitorët e huaj kanë më pak besim tek shteti dhe, për këtë arsye, kontributi i tyre ndaj ekonomisë së vendit bie
Shkolla duhet të edukojë brezat e rinjë
Problemi
është se si të luftohen këto dukuri? Ekzistojnë dy rrugë të tilla, njëra rrugë
është të luftosh korrupsionin duke hetuar, duke arrestuar dhe duke ndëshkuar
personat e përfshirë në të, ku të nevojitet një sistem i shëndoshë i drejtësisë
dhe policisë, që në shumicën e rasteve nuk ekziston dhe forma e dytë është
përmes arsimimit.
Shkolla
mund dhe duhet të luajë një rol themelor në kuadër të politikave kundër
korrupsionit. Duhet tu ndihmohet brezave të rinj, nxënësve, për t’u bërë të
aftë të përballojnë, me vullnet dhe sukses, trysnitë që i shtyjnë ata në
pranimin e ryshfeteve, duke u përfshirë në praktika korruptive, duke ushtruar
praktika që nga shkolla fillore. Edukimi kundër korrupsionit mund të luajë një
rol vendimtar edhe në përpjekjet për të ulur shpeshtësinë e kësaj dukurie tejet
dëmtuese për shoqërinë.
Investimi në brezat e rinj duhet të jetë, edukimi kundër korrupsionit, në përgjithësi, të ndërtohen vlerat dhe të zhvillohen njohuritë, aftësitë dhe qëndrimet e nevojshme për të formuar qëndrimin qytetar të nxënësve kundër korrupsionit. Të synohet formimi e një personaliteti të vetëdijshëm për kërcënimet që paraqet korrupsioni për mirëqenien publike dhe sigurinë shtetërore dhe të gatshëm për ta luftuar atë.