Editorial
Ahmet Selmani: Shqiptarët frikësohen nga gjuha e tyre
E marte, 19.02.2013, 09:04 PM
Në
shënjestër
SHQIPTARËT QË FRIKËSOHEN NGA GJUHA E TYRE
Teksa e shohim këtë realitet, vetvetiu pyesim: Vallë, kush na e ka fajin, ne që s’na bën përshtypje gjuha jonë amtare apo maqedonasit që nuk e zbatojnë atë në praktikë? Sigurisht është e turpshme dhe e dhimbshme kjo sjellje poshtarake dhe dyftyrane. Prandaj, duhet thënë fare troç: Kur vetë ne, bijtë e shqipes, siç na pëlqen të angërdufemi shpesh, nuk e respektojmë gjuhën tonë, atëherë si mund të na e respektojnë të tjerët? Jo, ore jo, shqipja nuk mbrohet me hipokrizi të harlisur, por me vepra konkrete. Mungesa e vetërespektit është sëmundje shumë e rëndë që po na e ha shpirtin
Shkruan: Ahmet Selmani
Siç e
dimë të gjithë, kohëve të fundit, çështja që ka të bëjë me zbatimim e gjuhës
shqipe në mbarë qytetin e Shkupit, është bërë një temë jashtëzakonisht e nxehtë,
duke i shqetësuar kështu shpirtërat e atyre të cilët prej kohësh e kanë patur
si halë në sy. Me këtë rast, veçmas u vunë në shënjestër disa nga drejtorët e
ndërmarrjeve publike, të cilët duket se qëllimisht e kanë heshtur problemin e
dygjuhësisë, sikur të mos ekzistonte fare.
Prandaj,
mund të thuhet se, efekti i parë mediatik që u arrit nga kjo luftë parimore,
menjëherë u shënua si një triumfalizëm spektakolar, megjithëse në esencë
rezultati ishte tepër minimal. Kjo do të thotë se zbatimi i shqipes filloi
detyrimisht me një thjeshtëzim të skajshëm nga ndërmarrja e transportit të
qytetit, më në fund, duke e vendosur mbishkrimin dygjuhësh vetëm në autobusët e
njërës linjë, por me premtimin se një praktikë e këtillë do të ndiqej
gradualisht edhe në të gjithë autobusët e linjave të tjera. Pavarësisht se deri
ku arriti ky jetësim, e rëndësishme është të theksohet fakti se, pikërisht nga
kjo trysni e drejtë, ca njerëz bishtnues e shpirtngushtë, sado që me zemër të
plasur, u detyruan ta ndryshonin qëndrimin e tyre në të mirë të gjuhës shqipe,
ashtu siç i obligon ligji që ka të bëjë me përdorimin e gjuhëve.
Mirëpo,
krahas tërë kësaj ecurie të ngadalshme e të mundimshme, gjithsesi është e udhës
të trajtojmë edhe një gjë po kaq të ndijshme për sa i përket zbatimit praktik
të kësaj gjuhe. Thjesht, tani doemos lypset që vëmendjen tonë ta përqëndrojmë
edhe në anën e kundërt, përkatësisht te vetë shqiptarët si bartës dhe dalzotës
të gjuhës amtare. Pra, çështja në fjalë ka të bëjë edhe me faktin se
anashkalimi ose shpërfillja e gjuhës shqipe nuk është një zakon i ligë vetëm i
maqedonasve, por, fatkeqësisht, është edhe indiferencë shumë e shëmtuar e vetë
shqiptarëve. Deshëm apo nuk deshëm ne, pikërisht këtu qëndron zanafilla e
problemit i cili gjithnjë mbulohet lehtësisht me hipokrizi folklorike e
patriotike.
Në qoftë
se duam të kthjellohemi dhe të mos e gënjejmë veten me veprime tepër
paradoksale, patjetër duhet të pyesim haptas se si qëndron puna me zbatimin e
shqipes nga vetë shqiptarët? Për të qenë të sinqertë deri në fund, kjo as që
është shtruar ndonjëherë me seriozitetin e duhur. Më e keqja është se tani një
sjellje e këtillë gati-gati edhe nuk na bën përshtypje fare. Ose, për shkak se
jemi mësuar gjithmonë të arsyetohemi me atë retorikën banale se fajin na e kanë
të tjerët, se na urrejnë, se nuk na duan etj.
Në gjithë
këtë dyfytyrësi kronike, është shumë e ndershme që së pari ta pyesim veten tonë
se ç’po bëjmë ne realisht për zbatimin e gjuhës shqipe, të paktën në ato
mjedise ku jetojmë dhe ku jemi më kompakt. A thua, me çfarë mbishkrimesh na
shfaqen para syve autobusët privat të cilët qarkullojnë çdo ditë, që në
shumicën e rasteve janë pronë e shqiptarëve? E vërteta është e hidhur: ne i
shohim fare mirë kur kalojnë mespërmes lagjeve apo katundeve shqiptare, pa e
vendosur as edhe një shkronjë të vetme në gjuhën shqipe nëpër autobusët e tyre,
të cilët i ngasin me aq zell e krekosje. Përderisa ata enden pa ngurrim gjithë
ditën e lume, ne s’kemi si të mos i lexojmë mbishkrimet e ndryshme që i kanë
vendosur kryesisht në maqedonisht dhe me alfabet cirilik, bie fjala: “Privaten
avtobus”, “Sajmishte – Karposh - Saraj i obratno” etj.. Përballë kësaj situate
shumë të pahijshme e të padrejtë, thuajse askush nuk reagon, nuk e thotë asnjë
fjalë të vetme, madje as që brengoset për dukurinë në fjalë.
Realitetin
e këtillë kaq paradoksal e ilustrojnë edhe shumë shembuj të tjerë që po na i
verbojnë sytë. Në këtë mënyrë, po t’u hedhim një sy vetëm atyre dhjetëra e
dhjetëra mbishkrimeve që ndodhen para
dyqaneve, marketeve, firmave, punishteve etj., nëpër komunat ku jetojnë dhe
veprojnë shqiptarët, ku pothuajse nuk ka asnjë maqedonas, do të shohim fare
mirë se situata bëhet akoma më e pakëndshme. Mjafton edhe një shëtitje e
shkurtër, për të lexuar mbishkrimet e shpeshta si: “Staklar”, “Frizerski
salon”, “Bravar”, “Berbernica”, “Autolimar”, “Autoelektriçar”, “Mehaniçar”,
“Apteka”, “Kovaç”, “Kebapçilnica”, “Çajxhilnica” etj. Vendosja e shkronjave të
mëdha cirilike gati sa vetë trupi i pronarëve, flet qartë se sa hipokritë dhe
inferiorë janë këta shqiptarë të cilët në mesin tonë shtiren si burra me sedër
dhe me dinjitet, ndërkaq në mesin e maqedonasve bëhen palaço cirku. Te ne gojën
e kanë plot patriotizëm e micsokolizëm, kurse te maqedonasit - plot përulje e
nënçmim.
Për të
qenë ironia edhe më e madhe, ndonjëri prej këtyre pronarëve që i thotë vetes
shqiptar, në ballkonin e shtëpisë së tij e ka vendosur edhe flamurin me
shqiponjën dykrenare, por duke harruar i gjori se poshtë e ka ngjitur edhe
mbishkrimin maqedonisht me shkronja cirilike. Nga ana tjetër, po ashtu, jemi
dëshmitarë se ende ka nga ata shqiptarë që dokumentet e tyre të udhëtimit i
nxjerrin vetëm në maqedonisht. Mjeranët e tillë rremenden se ashtu më mirë do
ta kalojnë nëse i ndalon policia në rrugë apo nëse kanë nevojë për ndonjë punë
administrative.
Teksa e
shohim këtë realitet, vetvetiu pyesim: Vallë, kush na e ka fajin, ne që s’na
bën përshtypje gjuha jonë amtare apo maqedonasit që nuk e zbatojnë atë në
praktikë? Sigurisht është e turpshme dhe e dhimbshme kjo sjellje poshtarake dhe
dyftyrane. Prandaj, duhet thënë fare troç: Kur vetë ne, bijtë e shqipes, siç na
pëlqen të angërdufemi shpesh, nuk e respektojmë gjuhën tonë, atëherë si mund të
na e respektojnë të tjerët? Jo, ore jo, shqipja nuk mbrohet me hipokrizi të
harlisur, por me vepra konkrete. Mungesa e vetërespektit është sëmundje shumë e
rëndë që po na e ha shpirtin.
Pa dashur
të keqkuptohemi dhe, aq më pak, të bëjmë avokatin e dikujt, së pari fajin le ta
kërkojmë brenda vetes sonë, e më pastaj do të kemi të drejtë që përgjegjësi të
kërkojmë edhe nga të tjerët që jetojnë pranë nesh si bashkëqytetarë të këtij
shteti të brishtë. S’do mend, në këtë rast mediat nuk do të bënin keq të
merreshin edhe me këtë çështje kaq të neveritshme në mesin tonë. Sa keq kur
vetë shqiptarët kanë frikë nga gjuha e tyre!